E shtune, 27.04.2024, 12:17 AM (GMT+1)

Kulturë

Nderim "Çaplinit" shkodran të Myzeqesë

E marte, 10.06.2008, 08:49 PM


Ndrek Beltojës i akordohet titulli "Artist popullor". Muaj më parë emri dhe fama e tij u shpluhurosën në faqet e gazetës "Shqip"

Një shkrim i gazetës "Shqip" muaj më parë kushtuar Ndrek Beltojës, bëri që shumë bashkëkohës të tij dhe mjaft artistë të skenës së teatrit "Bylis", por edhe të skenave të tjera teatrore në vend, të kërkonin një nder të vonuar për të. Këmbëngulja e tyre është sendërtuar me akordimin e titullit "Artist Popullor" dhënë nga bashkitë e Fierit e Patosit. Ndrek Beltoja ndërroi jetë herët e për këtë arsye ndoshta fama e tij nuk shkoi deri në "sallonet" e Tiranës, ku me gjasë do ishte vlerësuar si "Artist i Popullit". Gjithsesi, e rëndësishme është që ai është rikthyer tashmë në kujtesën e brezave, duke marrë një titull, që sa e largon nga harresa, aq dhe e riaktivizon për brezat e sotëm si model e shembull artin që ai bëri.

Nëse sot trevat e Myzeqesë zotërojnë një institucion të artit të humorit, ndër më pikantët e humorit shqiptar, kjo i dedikohet Ndrek Beltojës, e sigurisht të tjerëve që e pasuan.

Ceremonia e nderimit të Ndrek Beltojës u krye në Pallatin e Kulturës së qytetit të Patosit. Në të merrnin pjesë artistët e njohur: Birçe Hasko, Lazër Filipi, Luftar Paja, Marika Kallamata, Fuat Boçi, Hasan Bregu, Fatmir Xhelili, familjarë e të afërt të Ndrek Beltojës, si dhe artistë nga Kosova e Maqedonia.

Ceremonia nisi me një ekspozitë të atyre pak fotove të Ndrek Beltojës që kanë ardhur deri në ditët tona, ku tregohet loja e tij artistike. Më e veçanta e kësaj ekspozite ishte zëri i Ndrekës që interpretonte një parodi, zë që ishte ruajtur mjaft mirë në radio "Tirana". Kjo e fundit e kishte siguruar materialin e vitit 1957 nga arkiva e radio "Kuçovës".

Kryetari i Bashkisë Patos, Bardhi Meli, duke dorëzuar titullin te familjarët e të ndjerit tha: Është koha që të ngremë një memorial për të gjithë atë kastë artistësh që kanë buruar nga Fieri e Patosi, e që sot nuk jetojnë më apo janë emra të mëdhenj të skenës. Nuk duhet mohuar roli dhe vlerat e askujt që bëri art në atë kohë të vështirë, kur në vend mungonte edhe buka". Ndërkohë, aktori Fuat Boçi u tregua më konkret në fjalët e tij: "Në ditët e para të hyrjes time në art, pasi isha një elektricist në teatrin e asaj kohe, gjeta të madhin Ndrek Beltoja. Ai luante teatër, interpretonte parodi, ishte kupletist e madje bënte dhe cirk". Ndërsa Luftar Paja tha: "Unë jam gjetje e Ndrek Beltojës. Gjithashtu, Marika Kallamata kujtoi e përlotuar gjashtë vitet e bashkëpunimit me Ndrekën, para se ajo të largohej drejt Tiranës.

Cili ishte Ndrek Beltoja?

Ai lindi në vitin 1909, në Shkodër dhe vdiq po në datën e lindjes të vitit 1963. Që në moshë të re nisi jetën artistike në vendlindje, përkrah Marie Logorecit, për të vijuar më pas në Fier, Lushnjë, Kuçovë, Tiranë dhe Vlorë.

Ndreka dallohej si kupletist dhe si parodist. Gjithashtu ai ia thoshte dhe serenatës edhe pse vinte nga Shkodra. Ndrek Beltoja ishte një artist poliedrik. Ai i jepte gjallëri skenës dhe mbante lidhje shumë të ngushta me spektatorin. Në radhë të parë Ndrek Beltojën e favorizonte shumë aparenca, pamja e tij e jashtme, e cila provokonte humor. Ndreka ishte një kopje e Çarli Çaplinit e për këtë arsye ai mbante po atë lloj veshje si artisti i madh anglez. Ai kishte një aftësi të jashtëzakonshme imitimi, duke përcjellë me talentin e tij çdo lloj artisti dhe çdo lloj njeriu në mënyrë të çuditshme. Aftësi tjetër e tij ka qenë përdorimi i teatrit me hije, duke bërë përtej një perdeje figura të cilat shoqëroheshin edhe me zërin e tij, jo vetëm në formën e një bashkëbisedimi mes njerëzish, por edhe me kafshët. Me një fjalë ai konsiderohej si artist i lindur. Prej tij u ngjiz e më pas u zhvillua brez pas brezi humori e përgjithësisht arti myzeqar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora