E premte, 26.04.2024, 01:49 AM (GMT+1)

Mendime

Alma Lama: Krimea të na kujtojë Kosovën

E hene, 03.03.2014, 09:04 PM


Krimea të na kujtojë Kosovën

Nga Alma Lama

Krimea, gadishulli në Detin e Zi, i cili është këto ditë në qendër të vëmendjes botërore për shkak se Rusia arrogante dislokoi trupat aty, ka qenë edhe më herët në histori një vend ku janë zhvilluar ngjarje të mëdha të nivelit botëror.

Krimea është vendi ku u zhvillua lufta e famshme që njihet në histori me emrin Lufta e Krimeas mes Rusisë cariste, dhe një aleance mes Perandorisë Osmane, Francës, Britanisë dhe Sardinias apo Italisë së sotme. Në këtë luftë të zhvilluar nga tetori i vitit 1853 deri në shkurt të vitit 1856 Rusia cariste doli e humbur, u mund dhe humbi të drejtën për të pasur luftanije në ato territore. Më shumë sesa për territorin kjo luftë ishte zhvilluar për të fituar kontrollin mbi Detin e Zi.

Ngjarja tjetër historike për të cilën mbahet mend Krimea është konferenca e Yaltës. Në këtë gadishull strategjik me 1945 u zhvillua një nga takimet më të rëndësishme të Aleatëve. Presidenti amerikan, Franko Rusevelt, kryeministri britanik Winston Churchill u takuan me Stalinin, dhe pikërisht në Yalta të Krimeas u planifikua faza e fundit e Luftës së Dytë Botërore dhe po atje filloi dizajnimi i hartës së Evropës së pasluftës.

Për shkak të pozicioni të saj strategjik, më shumë sesa për shkak të lidhjeve të forta kulturore, Krimea ka qenë gjithmonë ambicie e Rusisë. Në fakt ajo ka qenë edhe territorialisht pjesë e Rusisë, por me 1954 Krushovi ia kaloi Ukrainës.

Aktualisht, pas rënies së presidentit të Ukrainës Yanukovych, i cili ka mbështetjen e Rusisë, si pasojë e protestave të opozitës, gjendja ka eskaluar. Rusia e shfrytëzoi situatën për të treguar muskujt si një superfuqi, dhe të premten me trupat e saj, u panë në Simferopol, kryeqyteti i rajonit autonom të Krimeas. Mediat ndërkombëtare janë duke e ndjekur situatën hap pas hapi. Dislokimi i trupave ruse acaruan raportet me aleancën veri-atlantike, NATO, shefi i së cilës po kërkon nga Rusia që të respektojë sovranitetin e Ukrainës dhe flet për nevojën urgjente për menaxhimin e situatës. Asnjëherë prej përfundimit të Luftës së Ftohtë, gjendja nuk ka qenë më e tensionuar sesa tani, mes NATO-s dhe Rusisë.

Ukraina pro evropiane kundër Ukrainës pro ruse. Evropa kundër Rusisë. Frika që qëndron pezull mbi kokën e të gjithëve është nëse Rusia do ta përdorë këtë rast për të futur nën kthetra gadishullin me pozicion strategjik, apo seriozisht rrezikon paqen ndërkombëtare. Tani togfjalëshi Luftë e Ftohtë është hedhur në qarkullim nga analistët.

E nisa këtë shkrim me tensionet që po ndodhin diku jo fort larg Kosovës, për të sjellë edhe një herë në kujtesë të shqiptarëve tensionin e jashtëzakonshëm që e shoqëroi luftën e Kosovës. Atëkohë, Rusia udhëhiqej nga një president mjaft i ndryshëm nga ky i sotmi; nga Yeltsin, lideri që ndikoi në shembjen e sistemit komunist. Atë kohë Rusia ishte e gjunjëzuar ekonomikisht dhe nuk e kishte fuqinë e sotme në arenën ndërkombëtare. E megjithatë, trupat ruse ishin të parat që hynë në territorin e Kosovës, edhe pse ishte NATO-ja ajo që e bëri luftën për çlirimin e Kosovës.

Aspak nuk ka qenë e lehtë për SHBA-në dhe Evropën të ndërmarrin hapin e guximshëm të sulmeve ndaj Serbisë. Në fakt, përveç tjerash ishin rrethanat fatlume që e bënë të mundur. Sot, ndërsa shohim Sirinë e shkatërruar e mbytur në gjak, dhe bashkësinë ndërkombëtare që nuk mund të ndërhyjë ushtarakisht, sepse Rusia është kundër, e po kështu Ukrainën e cila përplaset mes Evropës e Rusisë, secili këtu duhet të vlerësojë edhe më shumë lirinë që gëzon Kosova.

E fitoi atë pas një shekulli të aneksimit e pushtimit, dhe po të mos ishin SHBA dhe disa vende në Evropë, do të vazhdonte të ishte nën pushtim, pa mohuar këtu edhe sakrificën njëshekullore të shqiptarëve.

Por sakrificat nuk mjaftojnë në botën e superfuqive. Për të fituar duhet të gjesh aleatët e duhur dhe të kesh edhe ndihmën e fatit siç e pati Kosova.

Përshtypja ime është se një pjesë e njerëzve në Kosovë kanë filluar ta harrojnë këtë. Madje ka një dozë të antiamerikanizmit që po rritet, i frymëzuar kryesisht nga lëvizjet marksiste dhe ato vehabiste. E gjitha kjo çon ujë në mullirin e Serbisë. Por fatkeqësisht, naiviteti i shumicës dhe djallëzia e atyre që i frymëzojnë dhe indiferenca e shumicës duken një kombinim i favorshëm.

Njerëzit që e qeverisin këtë vend, përditë e më shumë po i zhgënjejnë çlirimtarët. Krimi, korrupsioni, paaftësia, papërgjegjshmëria institucionale, mungesa e logjikës shtetërore, deficiti i madh i patriotizmit (krekosjet nuk mungojnë), neglizhenca, bashkëpunimi me djallin, lufta e paskrupullt për pushtet e jo për shtet po iu japin të gjithëve të kuptojnë, e ndonjëherë edhe të shtrojnë pyetjen se për çfarë u angazhuan ata. Disa politikanë, mendojnë se janë duke iu hedhur hi syve vendeve që na ndihmuan, por iu garantoj se lordët e krimit janë pjesë e hartave ku shihen qartë shtrirjet e filleve, rrënjëve dhe degëve të tyre.

Shqiptarët sikur e kanë harruar apo duan ta harrojnë se një nga justifikimet më të qëndrueshme dhe të arsyeshme për intervenimet e bashkësisë ndërkombëtare është ndalimi i shkeljes flagrante të të drejtave të njeriut dhe instalimi i demokracisë. Në vende të ndryshme si Afrika apo Azia trupat ndërkombëtare kanë ndërhyrë për t’iu dhënë fund konflikteve, por me Kosovën është ndryshe. Ajo është rasti tipik i ndërhyrjes humanitare, por ekzistenca e saj në hartën e Evropës e bën kërkesën për demokraci të pashmangshme.

Lehtësia e padurueshme e nënshtrimit, indiferentizmi, heshtja përballë sfidave apo mosngurrimi për t’i bërë vend rrymave ideologjike që apriori janë kundër sistemit dhe vlerave demokratike, përveç të tjerash është edhe një pabesi e mosmirënjohje ndaj vendeve demokratike, që harxhuan paratë e taksapaguesve të tyre për ta bërë Kosovën një vend më të mirë, që dërguan dhe vazhdojnë të dërgojnë bijtë e bijat e tyre, për ta bërë Kosovën një vend të sigurt, që paguan jo pak kosto në planin e diplomacisë, në mënyrë që ta bëjnë Kosovën një vend të pavarur, në një botë kur ndryshimi i kufijve trajtohet si një temë tabu.

Prandaj konflikti në Krimea, i cili nuk ka ndonjë ngjashmëri me Kosovën për sa i përket motiveve, por rrëfen për sfidimin që Rusia po i bën vendeve perëndimore, duhet të na kujtojë të gjithëve se ajo që u arrit me shumë vështirësi, mund të humbet shumë lehtë nëse vazhdojmë të tregohemi mendjelehtë si tani.

(Autorja është deputete e LDK-së. Qëndrimet janë personale)



(Vota: 6 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora