E premte, 03.02.2023, 10:23 AM (GMT)

Kulturë

Viron Kona: Kur lexon Kadri Tarellin

E merkure, 20.11.2013, 06:22 PM


KUR LEXON SHKRIMET E KADRI TARELLIT...

-Koment rreth librit “Misionarë në udhën e dijes”, i publicistit të njohur durrsak-

Shkruar nga Viron KONA

Nga e majta: K.Tarelli e V.Kona (Tiranë, nëntor 2013)

I kam lexuar ende pa u botuar një pjesë të konsiderueshme të shkrimeve, që z. Tarelli paraqet në këtë vëllim të tij publicistik. Atëherë, kur bëja punë e redaktorit në gazetën “ Mësuesi”, dhe ku Kadri Tarelli, ishte dhe është ndër zërat më të spikatur të gazetës, sot revistës ”Mësuesi”, ndër ata korrespondentë e bashkëpunëtorë që priten përherë me kënaqësi në redaksi.

Shkrimet e Kadriut kanë ardhur vazhdimisht si një rrjedhë e natyrshme dhe pa sforcime, profesionalisht të realizuar, pasi vet autori i tyre mbartë mbi vete përvojën e gjatë si mësues, drejtues shkollash në rrethin e Durrësit, por edhe si publicist, që ka formuar emrin ngadalë dhe saktësisht, ashtu siç skulptori gdhend mermerin, pa u ngutur dhe gjithnjë me një qëllim të lartë në mendje dhe në zemër, që shkrimet të transmetojnë vlera dhe mesazhe dhe lexuesit të gjejnë në to tema që u interesojnë, që prekin “telat” dhe i vënë në mendime, krijojnë vizione dhe japin rrugëzgjidhje të drejta.

Mbaj mend kohën kur ato shkrime vinin të shkruara me dorë ose me makinë shkrimi; më pas me disketa të thjeshta; me CD,  me flesh, e,  sot, e në vazhdim, në mënyrë elektronike me e-mail. Dhe, për çdo shkrim të Kadri Tarellit, redaksia e gazetës, ka qenë vazhdimisht e sigurt se, në numrin që po përgatitej, do të ishte edhe një tjetër shkrim, i mirë e cilësor, që do t`i jepte vlerë të veçantë dhe origjinalitet atij numri. Shkrim, që do të lexohej me dëshirë dhe do të shërbente edhe si një referim në biseda dhe bashkëbiseda mësuesish, drejtuesish, por edhe të tjerëve lexues të gazetës.

Redaksia, për shkrimet e z. Tarelli, ka përfituar përherë urime, përgëzime të merituara. Madje shpesh herë, ato kanë zënë vend të veçantë si rubrika origjinale, duke nxitur e ngacmuar ide e përfytyrime te lexuesi mësues. Duke vazhduar të përcjellë edhe sot në revistën emër-bukur ”Mësuesi”, përmbajtje dhe njohuri të sakta shkencore e pedagogjike, sociale e kulturore.

Siç kuptohet, nuk e njihja më parë Kadri Tarellin. E njoha nëpërmjet gazetës, nëpërmjet shkrimeve të tij që vinin në redaksi si ujëvara të freskëta, që sillnin jetë dhe i jepnin ngjyrime dhe emocion gazetës “Mësuesi”, të krijuar që në vitin 1961. Nëpërmjet shkrimeve, njoha portretin e tij, tipin dhe karakterin, kështu që kur u takuam, ishim si të njohur prej kohësh.

 

Na bëri miq gazeta “Mësuesi”, ajo që, më së shumti konsiderohet tribuna  e mësuesve, ku mësuesit shpalosnin ide dhe mendime, vlera dhe përvojë, ku i flasin  njëri-tjetrit me gjuhën e temave dhe modeleve mësimore, por edhe me zërat e tyre origjinalë, duke dhënë e duke marrë përmes shkrimeve, si dhe duke ndihmuar e pasuruar shpirtërisht dhe kulturalisht njëri-tjetrin. Nuk është pak, që të realizosh këtë lidhje shpirtërore e gjuhësore, kulturore e shkencore, sociale, gjeografike e historike. Shkrimet e Kadriut vijnë me radhë, me prurje të reja e cilësore: për matematikën dhe të pasionuarit e saj; për shkencat ekzakte; për tema të gjetura lidhur me ngjarje, episode dhe risi të jetës; vijnë radhë shkrimet dhe portretizimet e karaktereve dhe të tipave, format dhe risitë përmbajtësore pedagogjike të aplikuara dhe të përdorura në klasa  e në shkolla.

Shkrimet e përmbledhjes që kemi në duar janë të ndryshëm në vizion dhe ide, në formë dhe në përmbajtje, të larmishëm në llojshmëri. Edhe kur janë shkruar, edhe sot po të ribotohen ato, kanë shërbyer edhe shërbejnë si sinjale dhe kambana, që tërheqin vëmendjen për një problem, për një ngjarje, për forma dhe metoda bashkëkohore të të mësuarit, të të dhënit të njohurive në mënyrë efektive dhe plotësisht të përvetësueshme nga nxënësit.

Libri ndahet në disa kapituj që lexuesi vetë do t`i vlerësoj gjatë leximit. Por mjafton shkrimi “Nderimi për kolegët mësues dhe drejtues shkollash”, më pas një ndalesë te kapitulli i parë “Editorial” dhe lexuesi menjëherë do të marrë orientimin e duhur për të bërë vlerësimet dhe rivlerësimet për këtë autor të njohur të publicistikës arsimore, veçanërisht. Në Editorial gjejmë shkrime me tituj mjaft të bukur, si  “Dhurata më e bukur për mësuesin”, ku ndër të tjera gazetari e cilëson “7 Marsin”, ditë e ”Shenjtë” e arsimit shqiptar dhe që mbyllet me urimin e çiltër që buron nga zemra ”Ta gëzojmë 7 Marsin, Festën tonë të shenjtë!”

Kapitulli Editorial, vijon me shkrimin analitik për rolin e drejtorit në shkollë; me shkrimin për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ndalet një çast te shkrimi vëzhgues ”A do të gjendet ilaçi kundër dhunës?”, vijon më tej me “Maturën Shtetërore”, me “planin vjetor të shkollës”... Shkrimet me siglën Editorial, krahas respektit të thellë për mësuesit dhe drejtuesit, fokusojnë vëmendjen në problematika që përbëjnë boshtin e përmbajtjes dhe drejtimit të shkollës, ndërkohë që çelin horizonte dhe risi te lexuesi për këto probleme. Njëri shkrim me interesant se tjetri, një aureolë e pasur dhe e larmishme, ku zëri i gazetarit është dhe zëri i mësuesit, qytetar dhe intelektual, prijës i ideve dhe zhvillimeve bashkëkohore të vendit.

Ajo që është, nuk mund të tjetërsohet. Shkrimet e këtij vëllimi hapin horizonte, pasurojnë me ide dhe mesazhe, i japin më shumë jetë, gjallëri dhe ritëm një mendimi të ri, lindur në procesin e punës mësimore - edukative, por, edhe në ritmin dhe vrullin e jetës, sikurse i japin vlerë edhe vetë leximit të librit. Janë shkrime me sens realist, pa fryrje dhe pa lulka; janë shkrime që flasin dhe përcjellin mesazhe mbresëlënëse, që flasin vazhdimisht nëpërmjet gjuhës së risive dhe freskisë. Ndjenë në to, edhe fllade pranverore, edhe erën e ftohtë, edhe stinët e vitit të kristalizuara dhe të pikturuara me penelin e një mjeshtri të sprovuar, që transmeton qartësisht klas dhe ide, që përcjell mesazhe dhe shpërndanë ngjyrime dhe emocione. Ai lidhet kaq ngushtësisht me lexuesin, saqë të dy, bëhen shokë e miq, “kapen përdore” e shkojnë bashkë me kureshtje dhe kënaqësi gjer në fund të vëllimit.

Kadriu ta gjen ku e ke mendjen. Me shkrimin e tij, hedh dritë dhe e pasuron mendimin, duke krijuar vizione të reja, kënd vështrime origjinale, përdor gjuhë të thjeshtë, lehtësisht të kuptueshme, që nuk harrohet lehtë. Mjafton të kalosh me një vështrim titujt e kapitujve dhe shkrimeve të këtij libri dhe do të bindesh për aftësinë dhe kulturën e gjerë të të shkruarit të z. Tarelli, seriozitetin dhe peshën e fjalës shqipe, mendimit të shprehur bukur dhe tërheqës, fabulës që të bën kureshtar për të mësuar me padurim zhvillimin dhe përfundimin e shkrimit.

Mund të them se, të përmbledhura në një vëllim të veçantë, shkrimet publicistike të z. Tarelli, përbëjnë jo vetëm një buqetë të bukur, por edhe një metodë origjinale të të shkruarit. Pasqyrojnë mënyra interesante të paraqitjes së problematikës së gjerë që përfshin arsimi, por dhe hapjes së horizonteve për probleme të veçanta.

Tregues i cilësisë së këtyre shkrimeve është se, ato shpesh herë janë paraprijëse të ideve dhe ndodhive, ashtu sikurse mbështetin dhe argumentojnë fortë dhe sinqerisht reformat bashkëkohore dhe përpjekjet e vazhdueshme të mësuesve, drejtuesve dhe institucioneve të arsimit për ta modernizuar shkollën shqiptare dhe për ta afruar gjithnjë e më shumë në parametrat dhe standardet e shkollës evropiane dhe botërore.

Tabloja e shkrimeve të paraqitura në këtë libër, shërbejnë edhe si nxitje dhe metodologji për të ecur gazetarët e rinj, të cilët kanë ëndrra dhe pasione  për probleme të arsimit dhe që, me shkrimet e tyre do t`i çojnë edhe më përpara arritjet e derisotme.

Krijon emocione dhe ndjeshmëri të veçantë, vëmendje dhe ndjenjë respekti kapitulli i shkrimeve Portrete, ku stili  i zhdërvjelltë dhe tërheqës i të shkruarit, përshkruan dhe portretizon me origjinalitet tipat, karakteret dhe veprimtaritë profesionale e njerëzore në dobi të arsimit dhe shoqërisë. Ndërsa kapitulli reportazhe, me rrjedhshmërinë e fjalës së thjeshtë e të qëmtuar, me fjalinë e bukur dhe mendimin e gjetur, publicistik dhe artistik, të nxitin  dëshirën t`i lexosh dhe rilexosh, për të shijuar bukurinë e përshkrimit, origjinalitetin, frazën e pasur dhe plotë lëng jetësor e ngjyrime emocionale. Më tej vëllimi pasurohet me mozaikun e shkrimeve në kapitullin Opinione, ku gjetjet janë origjinale dhe të mbajnë në tension. Sikurse, janë interesante kapitujt Reçensa dhe Shkrime, Shkrime letrare dhe ato historike, etj.

Kam kënaqësi të shpreh në këtë hyrje modeste, vlerësimin që bën për origjinalitetin e z. Tarelli, albanologu i shquar suedez Ullmar Kvik, i cili, pas një shkrimi analitik të Kadri Tarellit, të titulluar“MË SHUMË HEROIZMA SE SA GRURË”. Romantizëm, krenari apo dhimbje?”, mes të tjerash i shkruan:  “Z. Kadri! Gëzohem të kem kontakt me ju, përmes Faqebook-ut. Mora recensionin tuaj, në lidhje me botimin në revistën elektronike "Dituria" (Sokol Demaku). E lexova me kënaqësi të jashtëzakonshme: Ju keni kuptuar drejt synimin e librit tim, ju keni bërë një nga analizat më të mira në shkrimin tuaj, dhe vetëm ju keni vënë në dukje formën/konstrukcionin unik të librit tim dokumentar. Ju keni kuptuar se qëllimi im ka qenë jo vetëm të jap fakte por edhe të krijoj emocione!"

Kapitujt e librit që kemi në duar “detyrojnë” lexuesin të shfletojë, kurse shumë shkrime e “ulin” në tavolinë dhe e bëjnë që gjatë leximit, të mbajë shënime për mbarëvajtjen e punëve në shkollë dhe për shkollën.

Të falënderojmë Kadri Tarelli, për këtë buqetë shkrimesh që kanë tingëllima kambanash, që na  sjellin pranë jehonën e zileve të shkollave, tabelat dhe hartat, formulat dhe ekuacionet, ushtrimet e problemat; na tregojnë laboratorët, analizat pedagogjike, na rrethojnë me zhurmat e bukura të fëmijëve lozonjarë në oborret e shkollave, me veprimtaritë e shumëllojshme jashtëshkollore. Këto emocione dhe ndjesi kemi mall t`i risjellim në kujtesë, t`i komentojmë e bashkëbisedojmë. Këtë, ua dimë për nder juve z. Tarelli, penës suaj të artë, mendimit të kthjellët, aftësisë së mprehtë vëzhguese, qëllimit fisnik për t`i shërbyer shkollës, mësuesit, komunitetit...

Ka kaq shumë degëzime e kolor shkolla; hap kaq shumë “dyer e dritare”, formëson aq shumë ide dhe dije; përhap aq shumë bukuri e freski fëmijërore e rinore dhe nxit pasione pedagogjie. Për të gjitha, ta ka ënda të rrish e të bisedosh, të ndjesh e të interpretosh. Këtë gamë të jashtëzakonshme vlerash që bart shkolla, mund ta shijosh edhe duke lexuar shkrimet e këtij vëllimi, ideuar  mjeshtërisht dhe me mesazhe të forta nga gazetari  i sprovuar i “Mësuesit” dhe i shumë gazetave e revistave të tjera, Kadri Tarelli.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora