E premte, 03.02.2023, 02:23 PM (GMT)

Kulturë

Murat Gecaj: Daja bëri një përurim

E merkure, 20.11.2013, 06:47 PM


Në Panairin e 16-të të Librit, “Tirana-2013”:

“DAJA BËRI SOT NJË PËRURIM, QË TË VË SHUMË NË MENDIM…”

Nga Murat Gecaj

 

Nga e djathta: Sadulla Zendeli-Daja e M. Gecaj (Tiranë, nëntor 2013)

1.

Ndërsa po vinin kolegë e miq, shkrimtarë e poetë, publicistë e studiues etj., për të marrë pjesë në përurimin e librit të ri të Sadulla Zendelit-Daja, rikujtova njohjen e takimin e parë me të. Kjo ndodhi pikërisht në atë sallë të vogël të Shtëpisë Botuese “Toena”, tre vjet më parë, kur ishte organizuar përurimi i një libri. Vërejta se pas meje ishte ulur një burrë i moshuar dhe, i përqëndruar, po shihte diçka në celularin e tij. Më tërhoqi vëmendjen, sepse ishte i panjohur për mua dhe nuk kishte njeri tjetër pranë tij. Sigurisht me mirësjellje, iu drejtova atij dhe e pyeta se cili ishte. Ai buzëqeshi me mirësi dhe ma shqiptoi emrin e vet, duke theksuar se të gjithë, në vendlindjen e tij, Gostivar e më gjerë, por dhe në Suedi, ku jeton tash afër 50 vjet, i thërrasin me respekt “Dajë”.

Nuk dua të zgjatem me hollësira, por ai rast shënoi dhe pikënisjen e njohjes e të miqësisë sonë të pandarë. Më tej, ne jemi takuar disa herë, në veprimtari të ndryshme, jo vetëm në Tiranë e Durrës, por edhe në qytetin Boras të Suedisë, vitin e kaluar, kur u festua 5-vjetori i Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni”. Tashmë, ne kemi shkëmbyer librat tanë, mbajmë lidhje me e-maile dhe, bile, jemi njohur familjarisht. Kështu, ai ka “miqësi” edhe me mbesën time 10-vjeçare, Dorelën. Prandaj edhe ajo mori pjesë në këtë përurim e i dhuroi atij një buqetë me lule të freskëta, në shënjë dashurie e respekti të posaçëm për të, ku kishte shkruar këto fjalë: “Urime zemre, Dajës, për librin e ri,/ nga Dorela Agolli, me shumë dashuri!”…

Kjo ishte arsyeja, pse edhe këto ditë, pra kur u zhvillua Panairi i 16-të i Librit, “Tirana-2013”, pothuajse tërë kohën qëndruam bashkë, duke patur pranë dhe kolegë të tjerë, si Viron Konën, prof.Zyhdi Dervishin, Bashkim Saliasin, Hatixhe Lushin etj. Ndërsa “pika kulmore” e kësaj feste të librit, si për vetë Dajën, për mua e disa kolegë të tjerë, si Bardhyl Xhama, Bashkim Hoxha, Hulusi Hako, Kadri Tarelli e Bujar Poçari, Vojsava Nelo e Lumturi Vladi, ishte pikërisht dita e sotme. Kjo, sepse  shkrimtari, poeti e leksikografi Sadulla Zendeli-Daja përuroi librin e ri, “Ditari i kujtimeve të paharruara”, i cili është i 9-ti, në radhën e botimeve të tij. Sigurisht, ishte një ngjarje e bukur dhe e shënuar për atë. Por Dajës i rri mendja te Fjalori voluminoz, shqip-suedisht, me 1.600 faqe, të cilin pret ta shohë të botuar, së shpejti.

2.

Në përurimin e librit të ri, me vjersha e mendime nga Daja, i cili është venë në qarkullim nga SHB “Toena” (me redaktor Baki Ymerin, recensentë Viron Konën e Fetah Bahtirin dhe korrektor letrar Kujtim Dashin) sot në mesditë, në një sallë të Panairit, në Pallatin e Kongreseve-Tiranë, ishin të pranishëm mjaft krijues, kolegë, miq e të njohur të Dajës. Bile, kishin ardhur edhe nga qytetet Durrës, Vlorë etj.

Veprimtarinë përuruese e hapi znj.Irena Toçi, drejtuese e SHB “Toena”,  e cila u ndal, shkurtimisht, në jetën dhe krijimtarinë letrare e leksikografike të Sadulla Zendelit-Daja. Ndër të tjera, u theksua edhe se ai hapi shkollën e parë shqipe për fëmijët e bashkatdhetarëve, në Suedi. Po kështu, është përsonaliteti më i njohur i Bashkësisë Shqiptare, në Mbretërinë e Bashkuar të Suedisë dhe mbështetësi i tyre e veprimtar i dalluar për çështjen kombëtare shqiptare. Megjithëse po u afrohet 80 vjetëve të jetës, ai vazhdon të jetë gjithnjë i palodhur e i kudogjendur, si në Suedi, por dhe në trojet shqiptare, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e tjerë.

Në vazhdimësi, për librin e ri dhe në tërësi për  krijimet e Dajës, folën shkrimtarët e studiuesit: Kujtim Dashi, Viron Kona e Murat Gecaj. Secili prej tyre nënvizoi shpirtin atdhetar të tij, përkushtimin e vendosmërinë që emri i shqiptarëve të jetë sa më i nderuar, jo vetëm në Suedi e shtetet tjera të Skandinavisë, por dhe më gjerë, në Europë.

Por edhe kolegë e miq, që morën njoftim për këtë përurim, përmes Internetit, i dërguan përgëzimet e tyre autorit të librit. Ndër ta, ishin: Dr. Ramiz Zekaj e Bardhyl Selimi-Tiranë; Zyba Hysa-Vlorë; Hysen Ibrahimi, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve, Artistëve e Krijuesve Shqiptarë, “Papa Klementi XI-Albani” e Sokol Demaku, nga Qendra Kulturore Shqiptare “Migjeni”, Boras-Suedi. Ndërsa Bardhyl Qirjaku shkruante edhe këto radhë: “Ju përshëndes nga Windsori UK (sepse ka një të tillë në Kanada)! Edhe sepse nuk kam mundësi të marr pjesë në veprimtarinë e sotme, i shprehi z. Sadulla Zendeli urimet më të mira, për suksesin e librit të tij, gjë për të cilën nuk kam asnjë dyshim”.

Me këtë rast, Daja i falënderoi nga zemra, si folësit e pjesëmarrësit në përurim dhe tregoi për jetën e krijimtarinë e tij, sidomos gjatë 50 vjetëve të fundit, në mërgim. Atij iu dhuruan libra nga krijuesit tanë, ndër të cilët ishin dhe  disa, që  kishte dërguar Vilhelme Vranari-Haxhiraj, nga Vlora. Po kështu, vetë Daja nënshkroi për ta, librin më të ri të tij.

Nuk di sa ishte i gjetur titulli i shkrimit tim informues, po për këtë gjë kërkoj mirëkuptimin e lexuesve, pra: “Daja bëri sot një përurim, që të vë shumë në mendim!...” Se edhe çdo “ditar” e bën një gjë të tillë.

3.

Në mbyllje të këtyre pak radhëve, po shënojmë pak radhë të poezisë domethënëse të Zyrafete Manajt-Kryeziut, “Fjalëndrituri”, vendosur në hyrje të këtij libri dhe kushtuar me respekt të veçantë, Dajës: “Paqa fle në fjalët tuaja,/ zemra e një cope toke Atdhe,/ djep i Iiiridës së lashtë,/ që për bësë fjalën e ke!...”

Tani, le ta përgëzojmë Sadulla Zendelin-Dajën për këtë botim të ri dhe t’i urojmë atij nga zemra: Jetëgjatësi, me shëndet sa më të mirë, krijimtari të frytshme, begati, gëzime dhe lumturi, vetjake e familjare!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora