Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Profetët e rremë
E enjte, 26.09.2013, 09:02 PM
Profetët e rremë
Nga Ndue Ukaj
Jetojmë në një
kohë, kur politika është bërë epidemi e shkatërrimit të idealeve të njeriut
tonë. E kjo murtajë, ka depërtuar kudo brenda jetës sonë mendore e
intelektuale, me tërë forcën shkatërrimtare në vete, duke e helmuar gjuhën dhe
diskursin publik.
Letërsia, si
arti ma sublim, në këto rrethana ka mbetur në periferi, edhe pse mjetet që i ka
në dispozicion për ta demistifikuar këtë të keqe, janë pakrahasimisht të
fuqishme. Për ma tepër, letërsia gëzon një autonomi autentike, që ndihmon në
katharsisin e shoqërisë, për çka shoqëria jonë ka nevojë shumë. Këtë atribut
dhe fuqi, që nga Aristoteli e këndej, asaj s’ia mohon askush. Prandaj, leximi i
poezisë, është në funksion të nevojës për katharsis, sidomos nga profetët e
rremë, që na vërsulen si ushejza, duke na premtuar se lumturia është vetëm
brenda lëvozhgave të tyre të vockla.
Të flasësh për
poezi, në një kohë si kjo e jona, ku ngarendja pas pushtetit pa përfillur asnjë
normë morale a intelektuale, është shtytja ma e fuqishme e njeriut tonë,
tingëllon si anakronike. Në fakt, ata që mund ta lexojnë këtë tekst, e sidomos
ata të proveniencës politike, mund të kenë dëgjuar vetëm shkarazi për emrin
e Frederik Reshpjes, e më pak, për artin
e tij mjeshtëror poetik, nëpërmjet të cilit poet i rryer, me një ton kumbues, e
një gjuhë goditëse, tërë jetën shkroi për njeriun, e sidomos për atë të nën
qiellit të tij.
Historia e
popujve, është përvojë qartë se poezia ka qenë një bashkudhëtare e afërt e
njeriut, që e ka ngrohur atë përgjatë gjithë kohës. Si një nevojë e ngjizur
brenda tij, poezia ka shpërthyer nga njeriu, sa herë që është dashur demaskuar
e keqja apo lartësuar e mira. Pra, poezia e ka shoqërua njeriun në ditët ma të
gëzuar e ma tragjike të jetës së tij. Kësisoj, për njerëzimin, poezia është
diçka jetike, një frymëmarrje që çliron popujt nga makthet e ndryshme dhe i
lumturon synimet e tyre.
Përkundër faktit
se ngarendja pas antivlerave, ka përfshi thellë shoqërinë bashkëkohore, poezia
e mirë, lexohet. Ajo duhet lexohet, sepse është një terapi e mirë, sidomos nga
ata që duan të krijojnë antitrupa për mbrojtje nga helmi i gjuhës (Italo
Calvino), një helm i tillë çfarë na shpërndahet çdo ditë në jetën tonë mendore
e shoqërore, nga klasa jonë politike, që di të prodhoi vazhdimisht marrëzi.
Reshpja ka
shkruar shumë poezi antologjike, por njëra që ka një klithmë të përhershme në
vetvete dhe që përçon një të vërtet tronditëse, me një mesazh të përhershëm, e
shumë domethënës, është ajo që mban titullin e këtij shkrimi:Profetët e rremë.
Kjo vjershë, e shkruar me një gjuhë goditëse, s’ka ma shumë se shtatë vargje të
skalitura e mjeshtërore, në të cilat poeti sintetizon rrugëtimin tonë historik,
duke risemantizuar fatin tragjik të qenies shqiptare me një not të fort kritike. Poeti, nëpërmjet
figurës së kontrastit, me një gradacion dhe një gjuhe lakonike, vë ballë për
ballë një popull tmerrësisht të persekutuar, me një biografi të mirë e biblik.
Ky është populli i lashtë shqiptar, një
popull që ballafaqohet me profetët e rremë, ata profetë të rremë që i shkruajnë
histori të stisura dhe e thërrasin t’iu besohet atyre. Prandaj ai kërkon, që
t’mos i besohet çdo të kryqëzuari dhe predikimeve të tyre, që janë predikime
injorantësh. Poeti ironizon lumturin dhe parajsën që sjellin ata, pastaj pëlcet
kumbueshëm në fund të vjershës:
Dhe kemi qënë
tmerrësisht të persekutuar
Dhe jemi biblikë
me biografi të mirë
Mjerë ju po i
besuat çdo të kryqëzuari!
Dhe vetëm ne
mund t'u çojmë në parajsë.
Në qoftë se s'na
besoni, ne mund të marrim edhe masa.
Injorantët e
dreqit!
Amen!
Historia
shqiptare, si e vjetra, po ashtu edhe e reja, është mbushur me profetë të
rremë. E kjo poezi, që rikonstrukton realitetin shqiptar, me një vjershërim
artistik, e ironizon kauzi heroin dhe pëlcet nga një duf i brendshëm i autorit,
që thërret t’mos i besohet çdo të kryqëzuari.
E shqiptarët,
sot, ma shumë se çdo gjë, kanë nevojë gtë dinë kujt t’i besojnë.
Kombi ynë, si
rrallë ndonjë komb tjetër, e ka përjetua ankthshëm dramën e heroit të rremë, i
cili me parulla yshtëse, i ka premtuar parajsën, por e ka katandisur në mjerim
të pashpresë.
E ç’është e
vërteta, kombin tone, në asnjë periudhë, s’e ka lumturuar politika. E përkundër
kësaj, shqiptarët janë ata që ndoshta ma së shumti flasin për politikë. Madje,
edhe idhujt e tyre, shpeshherë rezultojnë të jenë ata që vijnë nga provinienca
e politikës. Për këtë, mjafton të shihesh kudo ngatërresat shqiptare, që për
emërues kanë politikën.
Në këtë aspekt,
më duket tragjikomike, yshtja e shqiptarëve pas politikanëve. Ka pak shqiptarë
që kanë ideal një shkrimtar, filozof a artist, thjesht një intelektual që
udhëhiqet nga ideja e progresit universal.
Përkundrazi, ata ngarendin pas atyre që kanë pushtet, edhe pse janë të
vetëdijshëm se pushteti i tyre rri fort mbi kurrizin e jetëve të tyre të
katandisura në skamje, papespektivë dhe kaos.
Frytet e lirisë,
janë progresi dhe mirëqenia. Ndryshe, liria rrezikon te klishetizohet e të
behet një pemë pa fryte. E liria, nuk mbërrihet me profetë të rremë.
Është fakt i
mirënjohur se rruga drejt progresit universal dhe lirisë se njëmend, asnjëherë
nuk ka qene e shtruare me lule. Duhet sakrificë e pune me përgjegjësi e
ndërgjegje të lart. E shpata e sotme, siç do te thoshte Shtjefen Gjeçovi i
madh, është hollimi i mendjes. Shqiptareve ju duhen sot mendjet e shëndosha dhe
racionale, e jo bashibozukë te stisur si intelektualë. Vetëm kështu, mund t’i
njohim njëmend profetë të rremë.
E meqë profetët
e rremë, kanë vërshuar kudo hapësirave shqiptare, duke u ngrit në majat e
politikës, pa meritë, e nganjëherë edhe në kulturë, pa fije kulture pas vete,
shqiptarëve duhet t’iu ngjallen ndjenjat e vërteta për profetët e vërtet, që
t’mos besojnë në profetët e rremë, ata që tallen me fatin e tyre, duke ju
grabit ëndrrat, lumturinë dhe shpresën.