E premte, 26.04.2024, 04:15 PM (GMT+1)

Kulturë

Hyqmet Hasko: Vjollca Pasku - ''Fizarmonika e ndjenjave''

E diele, 09.06.2013, 05:23 PM


Rreth përmbledhjes me poezi “Fizarmonika e ndjenjave” të poetes Vjollca Tiku Pasku

Një poetikë femërore në pentagramin e ndjesive që vallëzojnë

Nga Hyqmet HASKO

Kur zhytesh në misterin e botës femërore, të derdhur në vektorin poetik, një nga vektorët më të ndjeshëm dhe më sugjestivë të botës sonë, teksa mundohesh të dallosh veçantitë e gjithësecilës dhe përbashkësinë e sentimentit femëror, refleksioni të çon në shtysa konkludimesh gjithësesi të bukura, pasi e bukur, sharmante dhe vezulluese është vetë karuseli ku vërtitet sentimenti i tyre. Këtë mendim të shpejtë e të vrullshëm ma zgjoi poetja Vjollca Tiku Pasku, teksa shfletoja me nge dhe, dalëngadalë, zhytesha në vorbullat e poezive të saj, përmbledhur në vëllimin e saj më të fundit, me titullin domethënës “Fizarmonika e ndjenjave”.

Redaktuar nga poeti dhe prozatori i njohurVullnet Mato, botim i Shtëpisë Botuese “Vllamas”, Tiranë 2013, kjo përmbledhje poetike sjell një kontribut në poezinë e re shqipe, posaçërisht në poezinë që shkruhet nga femrat.

Fëshfërimat e barit, aroma e grunjërave të fushëtirave të Myzeqesë, ndjenjat e holla e fine të gruas, që kërkon të vjelë në çdo hap të jetës nektarin e bukurisë, kujtesa e gjërave, ndjeshmëria dhe sugjestioni, spontaniteti dhe lirshmëria e shprehjes, pa cungime dhe belbëzime, janë pikat ku vërtitet poezia e Vjollcës, një poezi e vetvetishme, e vrullshme dhe me një temporitëm të shpejtë, plot impulse dhe sentimente.

Natyra e jashtme shkrihet në poezinë e saj me shpirtin e brendshëm të femrës, tingujt joshës të kohës shkrihen në notat e ndjesive që vallëzojnë në pentagramin e një muzike dehëse dhe shndërruese, në kuptimin e fuqisë së ndikimit tek njeriu bashkëkohor.

Poetja ngazëllen, qan, qesh, sfidon, ëndërron, ndizet nga pasioni i bukurive të fjetura që flejnë në gjirin e natyrës dhe në vetë shpirtin njerëzor, prek e ngazëllyer “tunikën e argejndtë”, ndërkohë që  “petkun e dashurisë”, “veshur me diell” ua përcjell “valëve të detit”, teksa në “fizarmonikën e ndjenjave” koha kompozon këngë të pafundme, “shkëlqimin e qerpikëve të artë të dashurisë”.

Kur të njoha ty dashuri,

Zogjtë mbanin mëngjesin në krahët e tyre,

I gjithë bari në lëndina tundte zilkat jeshile,

Drita e bardhë i puthte gjuhën ngarkuar me ar.

(Poezia “Kurtë njoha ty” faqe 24)

Bota e mërgimtarit, një botë e dyzuar dhe e përgjysmuar mes mallit dhe enigmave ekzistenciale, është e pranishme në poezinë e poetes sonë, për shkak se ajo vetë e ka provuar peshën e dhimbjes dhe trazimit të emigrimit, si pjesë e një kalvari të shpirtit të thyer, që jeton njëherësh në dy kohë dhe në dy realitete emocionale.

Akti poetik, si akti që i afrohet aq shumë frymës hyjnore, është një proces i katharsisit shpirtëror të një qenie elitare, siç është poeti, i cili nuk mund të jetojë thjeshtë fizikisht dhe të dëshmojë thjeshtë ekszistencën e tij materiale, por e ka të domosdoshme të jeteojë dhe në një mënyrë tjetër, simbolike, për të dëshmuar vektorin rrëzëllitës të bukurisë për bashkëkohësit e çoroditur nga bota e konsumizmit.

Profili poetik i poetes VjollcaTiku është ai i një krijuesje me një ndjeshmëri të lartë, me tenika vjerëshërimi midis tradicionales dhe modernes, me një pasuri të begatë mjetesh dhe teknikash poetike, me struktura vargjesh e strofash të zhdërvjellëta, që e kthejnë formën në një procedim të mesazhit estetik.

Poezia e saj është një endje e imagjinatës dhe realittetit, si kujtesë, si ndjenjë dhe përjetim emocional, në shtrirje horizntale e vertikale, me një diapazon të gjërë lirik e dramatik, ku protagonist, në pjesën më të madhe të poezive, është vetë uni i vetë poetes, marrëdhëniet e saj me jashtë-unin, me kohën dhe bashkëkohësit. Ajo është reflektim i botës shpirtërore të poetes, i atij procesi njohjeje e selektimi etik, moral, filozofik, estetik, që e shtyn poeten në udhëtimin e saj drejt të bukurës, drejt fisnikes dhe ëndrrës së kulluar.

Poetja nuk është uniforme në aktin  e saj poetik, ajo përdor teknika të larmishme vjershërimi, ku sundon diapazoni lirik i këndvështrimit të botës, si lëndë të parë që bën objekt të pasqyrimit poetik.

Zhbirimet e holla psikologjike, etike, filozofike të Vjollcës në poezitë e saj më të mira, tregojnë shkallë të lartë mprehtësie dhe inteligence natyrale, fuqinë e një poeteje të lindur për të na dhënë peizazhe të thyera të jetës së gjallë dhe të shpirtit njerëzor.

Poezia e Vjollcës është një këngë në rrugëtim për dashurinë, dashurinë në kuptimin më të gjërë të kësaj fjale, dashurinë të cilën ajo e ka ngritur në kult dhe për të cilën zhbiron e kërkon me artin e saj poetik, me një përkushtim krijues përtej të zakonshmes.

Më shumë se me tekstin, me fjalët dhe stilemat që përdor për të hyrë në korrelacione esetike me lexuesin, poetja komunikon me nëntekstin, me të nënkuptuarën, me atë thagmë shpirtërore, që përftohet nga gjendja, imazhi dhe strukturat e brendshme të aktit poetik. Ky botëvështrim, e mban atë të mbërthyer në ndjesitë e holla të investigimit të dukurive  që bën objekt shqyrtimi estetik, duke i parë ato në shumë pamje, për ta lënë lexuesin, që në këtë mozaik, të zgjedhë pamjen që atij i pëlqen më shumë dhe me të cilën mund të identifikohej bota shpirtërore dhe psikologjia e tij.

Në imazhet poetike që përcjell, poetja shkrihet koha dhe hapësira e të ndodhurave reale me fiskionin dhe trillin estetik. Ata shprehin një botë të pasur shpiërtore, plot thyerje dhe digresione, ku horizontalja dhe vertikalja shkrihen dhe priten në të njëjtin vector poetik.

Poezia e kësaj poetje është një mozaik kërkimesh spontane dhe të vevetishme në shpirtin e fshehtë të gjërave, të pamjeve, mjediseve, dukurive, gjendjeve dhe peizazheve jetësore, tokës, bjeshkës, detit, bregut, ëndrrës, komunikmit dhe ndjesive njerëzore, ku autori vendos kamerën e tij vëzhguese dhe interpretative, si bartës i një psikolgjie moderne të njeriut bashkkohor shqiptar.

Në thelb, përmbledhja me poezi “Fizarmonika e ndjenjave” e poetes Vjollca Tiku është një vlerë e mirëfilltë poetike, që i shtohet korpusit gjigand të poezisë së re moderne shqipe, e cila megjithë prurjet e shumta, sidomos në këtë kohë të çlirimit të aktit estetik nga barrierat dhe tabutë jashtëletrare, nuk ka aq shumë individualitete sa të mos evidentojë zëra si ky i poetes sonë, që dëshmon një talent të spiktur dhe vetëdije të lartë poetike.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora