Kulturë
Baki Ymeri: Misioni historik i shtypit shqiptar
E premte, 17.05.2013, 09:07 PM
MISIONI HISTORIK I SHTYPIT SHQIPTAR
Vëndi ynë mbetur i shkretë nga Turqia, e cila jo vetëm që nuk e përmirësoj por nuk e la dhe në gjendjen që e gjeti kur e pushtoi. Bashkimi italo-shqiptar është një ngjarje që i është kushtuar historisë sonë dhe i është besuar nderit tonë. Mbi këtë Flamur tonë, të kuq si dashurija jonë për këtë tokë, gjënden shënime qytetërimi që ndriçojnë botën: shqiponja luftarake e perëndimit dhe lindjes që heroi Skënderbe e ngriti mbi fortesën e Krujës.
Nga Baki Ymeri
Asnjë zog
nuk ka kaluar këndejpari të na shohë që nga fillimi i mileniumit, thekson
Dumbrëveanu në një poezi të tij. Dikush i krahason zogjtë dhe fletoret me
njerëzit, kurse ne i krahasojmë njerëzit me gazetat dhe revistat. Edhe njëra,
edhe tjetra palë, kanë nevojë për ushqim shpirtëror. Sipas burimeve elektronike
kuptojmë se “L’Albanese d’Italia” (Shqiptari i Italisë), është gazetë politike,
shoqërore dhe letrare që dilte në gjuhën italiane, pjesërisht edhe arbërisht.
Drejtor i saj ishte Jeronim de Rada, i cili shprehu pikëpamjet e tij për
ngjarjet e kohës. Pas dështimit të revolucionit më 1848, e mbylli gazetën dhe i
zhgënjyer u tërhoq në fshatin e tij të lindjes deri në fillim të viteve 60 të
shek. XIX. Kjo gazetë njihet si e para gazetë në historinë e shtypit shqiptar.
Numri i sajë i parë doli më 23 shkurt të vitit 1848. Jeronim de Rada boton në
Kozencë, më 20 korrik 1883, gazetën “Fiamuri i Arbërit”. De Rada u lind në
Makia të Kalabrisë. Mësimet e para i kreu në kolegjin e Shën Adrianit të Shën
Mitër Koronës. Më 1834 shkoi për të studiuar drejtësi në Napoli, ku mori pjesë
gjallërisht në lëvizjen politike dhe kulturore të kohës.
Që nga
viti 1861, De Rada shfaqet si një nga figurat më në zë të Rilindjes sonë
Kombëtare. Pas traktatit “Parimet e estetikës” (Principii di estetica, 1861)
botoi veprat “Lashtësia e kombit shqiptar” (Antichità della nazione albanase,
1864) dhe “Rapsodi të një poeme arbëreshe” (Rapsodie d'un poema albanese,
1866), që luajtën një rol të rëndësishëm për propagandimin e çështjes kombëtare
shqiptare. Hyri në korrespondencë me patriotët shqiptarë dhe me personalitetet
kulturore europiane, dashamirë të Shqipërisë, ndoqi me interes të gjallë
ngjarjet në Shqipëri. Më 1878 përkrahu Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe
ngriti zërin kundër gjymtimit tokësor të Shqipërisë. Një ndihmesë të çmuar çështjes
kombëtare i dha me revistën "Flamuri i Arbrit", që botoi në vitet
1883-1885. Në "Testamentin politik" (1902) shprehu optimizmin në të
ardhmen e Shqipërisë dhe pakënaqësinë e tij ndaj politikës italiane ndaj
atdheut të të parëve tanë.”
Në
vazhdim po japim disa gazetat tjera të vjetra shqiptare që i gjetëm në
Bukuresht, e që i përkasin shekullit XX. “Zëri i Korçës” nisi të dalë më 1924
në Korçë, duke patur për pronar përgjegjës Dhori Koti. Para nesh kemi numrin e
6 dhjetorit 1927, me artikuj mbi Aleancën Defensive ndërmjet Shqipërisë dhe
Italisë, e nënshkruar nga Ekselenca e Tij President i Republikës Shqiptare
Ahmet Zogu. Vajhalli se çfarë pune të madhe paska bërë mbreti që ua fali
jugosllavëve, Manastirin Shqiptar të Shën Naumit, të cilin nuk ka guxim ta
kërkojë prap Qeveria aktuale e Shqipërisë! Zogu e praktikonte artin e pasurimit
në dëm të atdheut, kurse Enver Hoxha strategjinë e persekutimit të demokratëve
tanë që e admironin Perëndimin dhe Perëndinë. Në faqen e parë botohen edhe
shkrime tjera në favor të Musolinit. Në faqen e dytë jepet një Komunikatë sipas
së cilës “Vëndi ynë mbetur i shkretë nga Turqia, e cila jo vetëm që nuk e
përmirësoj por nuk e la dhe në gjendjen që e gjeti kur e pushtoj, se atëherë
kish ca rrugë më të mira të cilat janë me emër në historinë. Një prej këtyre
është udha Egnatia, e cila niste nga Durrësi, vinte në Elbasan, Ohri dhe
arrinte gjer në Stamboll.”
Pasojnë në faqet e gazetës respektive disa informata tjera lidhur me Olimpiadën e vitit 1928, mbi kremtimin e Ditës së Flamurit në Çarshovë, një legjendë me titullin “Për çfarë kuvëndojnë yjtë”, disa akt-gjykime, disa reklama mbi fabrikën (“Shëndeti”) për larjen e robave, “Rrobaqepësia Moderne”, shpallje, falënderime, lajme nga Tirana, kremtimi i Ditës së Flamurit në Vithkuq etj. “Gazeta e re” ishte fletore e përditshme që dilte në Tiranë, që nga viti 1929, duke patur për drejtor Zoi Xoxa, ndërsa përgjegjës Said Toptani. Faqja e parë e numrit 222 (e shtunë, 27 korrik 1929), bën fjalë për “Probleme të tanishme të jetës shqiptare”, duke dhënë një deklaratë të Zotit Kotta në Gjirokastër, me nëntituj si: Rëndësia e shtypit dhe Qeveria, Politika e Jashtme Banka Bujqësore dhe Kooperativat, Odat e ekonomisë, Politika e Monopoleve, Buxheti i shtetit, Sistemi taksor, Komunat, Drejtësia, Arësimi, Reformat fetare, Patriotizma e re, Neo-Shqiptarisma dhe filozofia e saj, Përpjekje për një shtet modern. Pasojnë në faqet tjera “Tryeza e bisedimit”, “ngjarje të përbotshme” “Pritje e çkëlqyer e Kryeminsitrit Koço Kotta në Dhermi (Himarë)”, “Provimet e shkollës së Bujqësisë në Lushnjë”, “Turbullimet komuniste në Francë”, etj.
Misioni hiostorik i shpirtit shqiptar
“Tomori”
është një gazetë interesante, tejet e pasur me artikuj të gjinive të ndryshme.
Nga arkivi i Dr. Xhelku Maksutit na buzëqeshi fati t’i kemi si dhuratë disa
faqe të numrit jubilar të 28 Nëntorit 1941. Në faqen e tretë lexojmë
mbishkrimin “Përvjetori më i lumtur i Pamvarësisë Shqiptare”. Sipas burimeve
elektronike, “Tomori” është gazeta e të gjithë shqiptarëve në kohë paqeje dhe
lufte. Gazeta respektive pasqyronte frymën fashiste dhe ideologjinë e re që
kishte hyrë në Shqipëri pas pushtimit fashist të 7 prillit 1939. Këtë e dëshmon
edhe artikulli “Shqipëria e Madhe e realizuar nga Bashkimi në ecje drejt
qëllimeve të caktuara prej Duçes”, me një citat të kontit Ciano: “Bashkimi
italo-shqipëtar është një ngjarje që i është kushtuar historisë s’onë dhe i
është besuar nderit t’onë; s’ka fuqi njerëzore që të munt të matet t’a
ndryshojë pa shkakëtuar kundërshtimin kompakt të të dy Popujvet.” Shqiptarët nuk i ka dëmtuar bashkëpunimi me
Italinë fashiste që dha impuls për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Kombin
tonë e ka dëmtuar më shumë komunizmi dhe islamizmi se sa fashizmi. Stalinizmi i
Enver Hoxhës e shkretëroi ekonomikisht Shqipërinë, ndërsa islamizmi i
sulltanëve të Stambollit e shëmtoi onomastikën tonë të lashtë, duke e bërë
Gjergjin Aliosman dhe Kolën Ramadan.
Në
kuadrin e artikullit të Ernest Koliqit “Me veprue”, bëhet fjalë për stërnipërit
e Kastriotit dhe kremtimin e Ditës së Flamurit me zemër të pastër shqiptare. 28
Nëntori është dita përkujtimore më e madhe e historisë sonë. Në spektrin e
Shqipërisë etnike “Nëpër valëvitje të ngjyrave tona kombëtare në horizont
shkruhej vegimi i Kosovës e i Çamërisë së lirueme. Sot kjo andërr u sendërtue,
e të gjithë ata që kanë gjakun ilyr ndër dej dhe flasin gjuhën krenare të
shqipeve, sot për të parën herë mbas shekujsh robnimi e krajate, kremtojnë
vllaznisht të kapun përgjithmonë ditën e shejtë të Flamurit.” Një artikull i
mrekullueshëm me vlera psikologjike, është “Funksioni historik i shpirtit të
lirisë në kombin shqiptar”. Në mes jepet një citat nga Jacomini: “Mbi këtë
Flamur tonë, të kuq si dashurija jonë për këtë tokë, gjënden shënime qytetërimi
që ndriçojnë botën: shqiponja luftarake e perëndimit dhe lindjes që heroi
Skënderbe e ngriti mbi fortesën e Krujës.”
Hilmi
Leka shkruan mbi qiellin e qartë të Shqipërisë dhe diellin e fitores.
“Katundari më i përvuajtur ndjehet i lumtur, qytetari i pasur krenar.” Ai
shkruan për misionin historik të Gjergj Kastriotit: “Vetëm një emër i madh
kishte fluturuar mbi qiellin e errët të vëndit tonë dhe kishte mbushur botën me
jehonën e trimërisë së tij epike. Horizontet ishin skuqur me flakët e lavdisë
së tij të pavdekshme… Epoka skënderiane rreshton kombin shqiptar pranë kombeve
të tjerë europianë, me ndihmën e tij të madhe gjaku të derdhur me shumicë për
mbrojtjen e Europës, dhe e bëri të ndërgjegjshëm për misionin historik si roje
të qytetërimit europian në portat e lindjes… Shqipëria skënderiane qe e madhe,
kompakte, heroike, duke njohur për të parën herë dehjen e lirisë dhe të
fuqisë.” Më tej autori përshkruan Shqipërinë e bashkuar që i falte Kurorën
legjendare të Skënderbeut Mbretit Ushtar, dhe shuguronte me këtë gjest fisnik
lirinë e saj, jetën e saj. Pason një poezi e gjatë e Asdrenit (“Për Kosovë e
Çamëri”), që në kuadrin e këtij numri jubilar botohet me titullin “Shqipëria e
Madhe”. Nuk duhet të trembemi nga kjo sintagmë, sepse kjo i përket historisë.
Tani është koha e krijimit të Shqipërisë së bashkuar, por për fat të keq, këtë
dëshirë të popullit nuk mund ta bëjnë liderët e partive politike që i kanë
zëvendësuar interest nacionale me interesa personale.
Në faqen vijuese (4), Rosolino Petrotta boton studimin “Kontributi i rëndësishëm i Arbëreshëve t’Italisë për pamvarësinë e Atdheut tonë”. N. Kotte shkruan artikullin “Martyr i Lirisë”. “Vdiq heroj i madh i luftës pa rënë drita mirë, me nënëqeshjen e hyjvet të fundit në qiell… Fli i qetë o luan i malevet! Idetë e jetës fluturojnë, vuajtjet bëhen një dëshirë kaq e ëmbël sa edhe e hidhur dhe vdekja nënëqesh si ndonjë shpresë e ëmbël që nuk vonon të sjellë me vehte dëshirën e realizuar.” Në kuadrin e numrave tjerë të “Tomorit” botohen shkrime vlerash të larta historike, letrare dhe albanologjike, si “Karakteret e Shqipnis në lidhje me origjinën e emnit të sajë”, “Origjinaliteti dhe imitimi”, “Marshimi i jonë drejtë letrave”, “Gjuhët klasike dhe randësija e tyre për formimin e letrarëve të ri në Shqipëri”, “Puna e përkthimevet në gjuhën Shqipe”, “Si duhet të shkruhet Historia”, “Bushatasit Shkodralinj të panjohurë mjaftërisht”, “Kuvëndi i I-rë i Kulturës Kombëtare ku është zëri i Shqipërisë së Madhe të etur për dije dhe përparim”, “Shqiptarët dhe Ilirët”, “Migrimi i Shqipëtarëve në Itali pas vdekjes së Skënderbeut”, “Muhaxhirët shqipëtarë drejtë Kalabrisë mikpritëse”, “Ideja Perandorake e Shqipërisë”, “Një flakë që s’mund ta shuajnë shekujt”. Kaq sa për sot se u lodhëm. Po a lodhet shqiptari, mor vëlla!