Kulturë
Vangjush Saro: Mushkonja
E hene, 22.04.2013, 09:08 PM
Mushkonja
Tregim satirik nga Vangjush Saro
Tastierat
e kompjuterave kërcisnin paq atë mëngjes. Edhe pse ishte e shtunë. Kryetari i
Zyrës kishte marrë udhëzime në lidhje me prapambetjen në disa sektorë. Ai i
pari po binte telef përmbi kompjuter. Specialistes së re Ana Preza, i erdhi për
të qeshur. “E punon si makinë shkrimi...” Ajo u kujdes të mos e bënte gjest
këtë vërejtje. Mënyra se si e godiste tastierën, nuk e pengonte Kryetarin e
Zyrës të mbante pamjen e një njeriu shumë të rëndësishëm.
Ajo
kishte pak javë në atë institut. Ishte kthyer nga Kanadaja për shkak se i fejuari
nuk po e gjente dot veten. I ati asnjëherë nuk i tha se atë vend pune e kishin
blerë me një tufë lekësh. Një gjë me shifra. Statistikë. Marrëdhënie me
sipërmarrjen. Por në shtëpi ishte bërë festë...
Dita
ishte me diell. E megjithatë, përqark kishte fare pak humor. Përtej dritares, e
gjithë pamja ishte e copëtuar nga ngrehina krela-krela, të cilat sikur i
keqeshin qiellit me zhurmë. Por ishin vetëm bori makinash dhe bërtitje të
skajshme në rrugë.
Dy
kolegët e saj rrinin urtë e squll. Atje gjithnjë flitej për pushime nga puna.
Ajo madje kishte vënë re se në mëngjes, ata përherë vinin në zyrë të parët...Që
të ngriheshin në këmbë kur kryetari t’i përshëndeste dhe që ta uronin me
përzemërsi:
-Mirëmëngjes,
zoti Ferdinand!
Ajo
kishte dëgjuar se dikur ai e kishte pasur emrin Ferid; nuk dihej në ç’rrethana
e kishte ndërruar. Kostum që farfurinte. Këpucë me majë. Vështrim prej njeriu
që diçka ka në dorë. Gjatë ditëve të shkuara, skena e mëngjesit ishte sikur po
xhirohej ndonjë kinokomedi. Sapo që ulej në karrigen e tij (që ishte ndryshe
nga të tjerat), Kryetari i Zyrës iu hidhte një sy dosjeve e fletëve që kishte
përpara ashtu përciptazi dhe gërricte ndonjë bisedë:
-Debat i
dobët ai dje...Hë or ti, a e ndoqe TV
gjashtën? A e pave të them?
Si
fillim, askush nuk fliste. Madje ata të dy as edhe nuk lëviznin. Dhe
dëgjoheshin vetëm hungërimat e kompjuterave.
-Ama,
ç’ka prrallis mbramë ai i Partisë s’Kaltër, si e ka ai…Pa le ky analisti
tjatër, Demo a qysh i thonë…
Zoti
Ferdinand e ka bërë shkollën vonë; edhe në kryeqytet ka ardhur vonë. Dhe nuk e
ka thyer ende të folmen. Pa le që fjalët shkojnë sa andej këtej, pa adresë.
-Hë or
ti, e pave apo s’iu intervenon politika?
Kolegët
as që kanë kohë të mendojnë për termat e çuditshëm; ata zgjohen menjëherë dhe
përgjigjen si në kor:
I pari:
-
I dyti:
-Sigurisht!
Ai i Partisë së Kaltër e teproi…Por edhe ky i Partisë tjetër…
Partia
tjetër është partia e zotit Ferdinand. Ajo e ka sjellë në postin që mban.
Prandaj ai i hedh vartësit një shikim azgjësues dhe kërkon të dijë…
-Ç’a ai i
Partisë tjetër?
-Jo jo, u
përgjigj drejt ai. Kurse ky…ky ishte skandal.
-Gomar thuj…, - qetësohet kryetari.
Ana
kishte dëgjuar se në ndonjë zyrë tjetër, ambienti ishte disi më i moderuar.
“Ç’më hyjnë në punë kaq shumë fjalë të zgjedhura!”, tha me vete. Njëherë
tjetër, biseda e mëngjesit ishte qasur te futbolli. Ashtu si çdo herë, kryetari
e mori shtruar-shtruar:
-Kot
fitun dje ata të Tiranës.
-...
Dhe pas
heshtjes së dhimbshme:
-Për
neshjen e kom fjalën; apo s’ju intervenon futbolli fare?
-Sigurisht,
zoti Ferdinand. Ç’është ajo…Fituan pa meritë.
-Skandal
fare!
Kryetari
u ndje më i motivuar për ta vijuar diskutimin:
-Edhe
gjykimi i neshjes, hë...nji turp. Gjykim koti.
Dhe dy
kolegët, me një gojë, shurdhtazi:
-Sigurisht!
I dobët shumë. Gjykim të tillë s’kisha parë ndonjëherë.
-Ishte
skandal fare, për Zotin!
-Ashtu.
Pasi i ka
mposhtur kështu në çdolloj përsiatjeje, pasi është siguruar se ata i japin të
drejtë, duan apo s’duan, kryetari zë e lexon ndonjë shkresë ose fillon e sillet
nëpër kompjuter me njëlloj sqime, a thua çdoherë që godet ai tastierën, ndodh
mrekullia. Vetëm pas kësaj, zyra e madhe qetësohet.
Në ditët
e para, vajza mbetej disi prapa këtyre bisedave. Mbase ngaqë nuk njihej mirë me
ata të gjithë, përfshi edhe kryetarin, Ferid, Ferdinand, si ia thoshin.
Edhe ata
të dy filluan t’i dhimbseshin. Jo gjithmonë e kuptonte pse. Megjithatë, përpara
një jave, me atë të vetën i kishte quajtur Amin 1 dhe Amin 2. Në të vërtetë,
ata s’bënin gjë tjetër veçse thoshin: Amin! Pas çdo fraze e vërejtjeje të
kryetarit. Ajo ishte e bindur se edhe po të bënte përjashta zheg e kryetari të
thoshte “Çfarë shiu!”, ata të mjerë do të përgjigjeshin sakaq: “Po po
sigurisht, një shi i paparë! Lëre lëre, e përmbysi…”
Kur
ndaheshin, diku pas dreke, në ikje e sipër Ana pyeste veten se mos po e
tepronte. Fundja Ferid Ferdinandi është dikush, ka një detyrë, ai e di si e ka
fituar, deri diku qejfli bisedash, ja kaq ishte. Sa për ata të dy, merrej vesh
se nuk donin të krijonin asnjëlloj fërkimi dhe për asgjë me kryetarin. Njeriu
është një qenie e dobët. Ç’ka këtu për të tërhequr litarin pambarim…
?
Edhe pse
ende mëngjes, zu të ngrohej mjaft. Në një çast, tastiera e kompjuterit të
Kryetarit të Zyrës pushoi. Zoti Ferdinand kishte ngritur kokën dhe krejt
papritur filloi të fliste për filmin “Natë dhe ditë”. Mbrëmë ai kishte qenë në
kinema.
-Ama, -
tha ai - nji film koti…
Asaj
asnjëherë nuk i kishte kumbuar mirë në vesh fjala kot. Ai e përdorte pafund, si
mbiemër, si përemër, pjesëzë…Mbase askujt nuk i hynin në punë këto hollësi, por
kur ai e shau filmin me përcaktorin koti dhe dy Amin-ët zunë si përherë të
thoshin se me të vërtetë ai film nuk shihej, ishte një skandal, e të tjera
këso, vajza befas u përfshi në bisedë dhe tha diçka tjetër. Që filmi i
përmbahej një rrëfimi interesant, kishte temporitëm, loja e aktorëve i dukej…
Papritur,
pas fjalëve të saj, në zyrë sikur plasi ndonjë bombë. Zoti Ferdinand shtyu
tutje jo pa nervozizëm një dosje, me të cilën kishte luajtur një copë herë; dhe
e vështroi në një mënyrë të tillë, sikur donte t’i thoshte: “Kur ke lujt
mendsh, oj ti?”
Ndërkaq,
tryezat e dy Amin-ëve filluan të gërrvinin. Herë njëri e herë tjetri, ata zunë
ta vështronin Anën me njëlloj keqardhjeje, a thua kishte ardhur në zyrë e
pakrehur.
-Filmi
ishte…Shiko ti, - kryetari u përpoq ta ngrinte pakëz nivelin e bisedës - Dakord,
ai bante fjalë për…Ama koti ishte., - u kthye prapë në fis.
Dhe me
siguri, kishte menduar që pas kësaj fraze pa lidhje, vajza do ta mbyllte gojën.
Mirëpo kjo nuk ndodhi. Ajo tha edhe njëherë, me njëlloj pafajnije, se filmi
sillte një atmosferë të veçantë dhe për më tepër…
-Ç’a? - e
ngriti zërin Kryetari i Zyrës dhe u tërhoq prapa me gjithë karrigen (që e
kishte ndryshe nga të tjerët). - Keq për filma kështu…koti!
Amin-ët
bënin sikur punonin. Por vajza e dinte
-Hë or
ti, e patë atë palo film?
Dy
Amin-ët u shkundën.
-Sigurisht,
nuk ishte ndonjë gjë kushedi se çfarë…
-Disa
pjesë madje, ishin skandal…
-Ashtu
pra, - u përpoq të vinte pikën mbi i zoti Ferdinand - Nji film, si ta thom,
koti…
Në se
kishte diçka që Ana nuk mund ta duronte dot në këto çaste, ishte pikërisht ajo
fjalë. Megjithatë bëri një gjest dorazi, si të thoshte: “
-Mirë,
pra - tha Ana shpenguar - unë nuk dua të humbasim kohë me debat; këto vlerësime
janë subjektive. Është çështje shijesh…
Ferdinandi
u xhindos fare. Ai brofi në këmbë sikur ta kishte gërricur ndonjë gozhdë.
-Or ti!
“Natë dhe ditë” ishte film koti. S’bante nji lek. Do folni ju apo jo?, - iu
drejtua edhe Amin-ëve. Pastaj prapë fap-fap mushkonjës; që nuk e vriste dot.
-Sigurisht,
disa pjesë ishin keq - ia filloi Amin 1.
-Skandal
fare! - e mbështeti Amin 2.
-E lëmë
këtë bisedë, - u tërhoq vajza. Dhe me të vërtetë, donte që sekush të merrej me
punën e vet.
Por
s’ishte më në vete kryetari. Atij i kishte ikur gjendja nga duart dhe një
situatë të tillë, ku atë dikush e kundërshtonte, qoftë edhe për pëlqimin ose jo
të një filmi, nuk mund ta duronte dot.
-Ai film
nuk bante…(Fap-fap më së koti mushkonjës.) Hë more ju! Fole, or ti!
-Nuk
bënte! - tha Amin 1.
-Skandal!
- tha edhe Amin 2.
Gjendja
në zyrë ishte me të vërtetë e nderë. Vajza po lutej që të binte së paku
telefoni ose ndonjë nga celularët. Tani, iu ndërmend sakaq diçka tjetër, mund
të isha duke shëtitur përgjatë SeaWall. Pse jo në Stanley Park?1) Fap fap(!)
Fap Fap(!) Por vetëm kaq nuk mjaftonte; sepse kishte pllakosur një heshtje dhe një
frikë, sikur pritej të binte ndonjë tërmet. Edhe ai dreq insekti s’po mehte. E
Kryetari i Zyrës gjithnjë e më shumë turfullonte. Fap fap(!) Fap fap(!)
-A pimë
nga një kafe?, - guxoi e tha Amin 2.
Fjala
mbeti një copë herë e varur në ajër diku.
-E tamam…sikur…-
u ngrit menjëherë Amin 1.
Dhe që të
dy po shikonin Kryetarin e Zyrës. Ai tundi kokën, por në të njëjtën kohë, u
bëri një shenjë me dorë; shkoni e thyni qafën, por ai filmi…ehë…ai…Fap fap(!)
Fap fap(!)
Deshën
s’deshën, Amin-ët dolën me gjithë Anën te kafja. Kjo ishte diku poshtë zyrës,
një gjë që nga koha e shkuar, me vetëshërbim, ku edhe tryezat ishin nga ato të
lartat, pa karrige, që të bëheshe def menjëherë.
Ata e
pinë kafen nën një heshtje qesharake. Më sa fliste banaku, ku përplaseshin herë
pas here klientët, aq flisnin edhe Amin-ët. Dhe, ndihej, mezi prisnin të
ktheheshim në zyrë. Kështu edhe u bë. Por nja dy-tre hapa para se të hapnin
derën, seç u rrapëllye atje brenda; dhe pastaj u dëgjua një zhurmë.
-Bobo,
ç’na bëre! Ku do të futemi tani?, - tha Amin 1.
-S’je hiç
tolerante, motra., - tha Amin 2.
Prapë u
dëgjua një përplasje e fortë. Të krijohej përshtypja se atje brenda Ferdinandi
po shkallmonte ndonjë gjë, po thyente pajisje, po përplaste dosje e libra, po
çahej më dysh, po plaste...
-Na more
në qafë, - sekush tha nga Amin-ët, teksa po hynin në zyrë.
Por asgjë
nuk kishte ndodhur. Kryetari e kishte vrarë më në fund atë mushkonjën. Kaq
ishte…
...............
1) SeaWall/ Stanley Park - Vende shumë të njohura në Vankuver.