Kulturë
Ireshtansi: Heronjë të kontrabanduar
E marte, 16.04.2013, 07:34 PM
Heronjë të kontrabanduar
“Rrust Kabashi i hypi atit gjan e gat ai po shkon sokakut”
Shkruan: Ireshtansi
Na ishte
njëherë Rrust Kabashi. Jo ai trim i trimave që luftoi pada për Shqipërinë, siq
e paraqet përmendorja në Prizren, as ai që vrau Shaqir agën pse ky ishte
shërbëtor i turkut, siq e paraqet kënga, por na ishte Rrusta, ai i vërteti që
këtë Rrustën që e di mileti ai s’e njihte as kurrë parë s’e kishte.
. . .
Jo shumë
larg prej këtij vendi e prej kësaj kohe, pushteti i turqve të rinjë kishte
organizuar ndreqjen e ngatrresave të familjeve shqiptare të kësaj ane. Njerëzit
i njihnin këto organizime, kur ngatrresat bëheshin më shumë se që lypej. Ata e
dinin edhe si duhej përgjigjur kur të pyesnin nëse e fal gjakun, se një
përgjigje mohuese do ta digjte shtëpinë e do të sillte shumë telashe. Prandaj
njerëzit e falnin gjakun para komisionit, e për disa këtu mbaronte puna por për disa të tjerë kjo vetëm sa shpejtonte
marrjen e gjakut të cilin e kishin falë nga zori.
Hasmit të
mulla Brahimit i kishte ardh’ rendi të paraqitej para komisionit. Në atë
komision edhe Rrust Kabashi edhe Shaqir aga, të dy zyrtarë të perandorisë.
Ti duhet
të thuash disa fjalë pendese dhe të kërkosh faljen e gjakut i thanë ata të
komisionit hasmit të mulla Brahimit. Unë i penduar jam i kishte thënë ky, edhe
i kam dërguar shumë njerëz mulla Brahimit, por dëshiroj që kjo punë të bëhet
sipas zakoneve tona, se po frigohem se mos po keqsohet gjendja.
-Ti bëjë
kështu siq po të themi ne, e kur ta fal njëherë mulla Brahimi, do t’ketë punë
me mue nëse guxon me shkel këtë fjalë që ka me dhanë ktu. Kështu foli Rrust
Kabashi që ishte pjesë e komisionit. Njeri i fort nga çdo anë që ta shikosh. Me
pushtetin po, pasuri po, edhe meshkuj po.
Fuqia,
pasuria e mbase edhe mungesa e idealit e kishin bërë pak kapadai Rrustën.
Këto fjalë
tha ai, e hasmit të mulla Brahimit iu mbush mendja se kjo punë u krye. Fjala e
Rrust Kabashit është e madhe e s’mund ta shkel kush, tha ky dhe e qetoi kryet.
-A ia
falë ti gjakun hasmit, e pyetën komisioni mulla Brahimin.
Pëgjigja
ishte e gatshme.
-Po, tha
mulla Brahimi, falë i qoftë.
E
për çudi mulla Brahimit i ishte mbushur
mendja që ta falë gjakun vërtet. Ai kishte menduar që të thërras edhe pleq e
dashamirë e ta falë gjakun edhe sipas zokoneve tona. Kishte kaluar shumë kohë
që kur shtëpisë së tij i kishin vrarë një mashkull. Edhe ta merrte gjakun
s’kishte kush. Ai ishte hoxhë. E thërrisnin babë një rrethinë e s’i takonte të
qiste pushkë. Edhe djalin e madh e kishte ende të vogël. Ai sapo kishte mbushur
pesëmbëdhjet vjet. Ta ngarkonte atë frigohej se mos vritej vetë në vend që ta
vras hasmin. Ta priste të rritej, edhe këtë s’e kishte qejf. Ai nuk donte fare
ta fuste djalin në këto telashe. Prandaj kishte vendosur që njëmend ta falte
gjakun.
. . .
Nuk
kaluan shumë ditë kur në shtëpinë e mulla Brahimit erdhi Mehmet Reshtani. Atë e
kishte pasur mik. Njiheshin prej kohësh e me vonë ishin bërë edhe vëllezër duke
pirë gjakun e njëri-tjetrit.
Ai erdhi
tek vëllau, si në shtëpi të vet.
-Dëgjova
që kishe falë gjakun Brahim, i tha kur po pinin kafe. Unë e di që e ke falë
para komisionit, por unë kam ardhur të
të them ta falësh gjakun përnjëmend. T’i tubojmë miq e dashamirë e ta falësh
ashtu si duhet. Po të them si vëlla që e
kemi ndarë bashkë t’mirën e t’keqen, e dhashtë zoti ta ndajmë gjithmonë.
-Ashtu
është Mehmet, edhe unë vëlla të kam, por gjakun nuk do ta falë, foli prerë
mulla Brahimi.
-Gjaku
duhet falur, vazhdoi t’i numëronte Mehmeti arsyet që s’ishin të pakta. Por
mulla Brahimi as që dëgjonte andej. Nuk kundërshtonte Mehmetin kur ky përmendte
arsyet përse duhet falur gjakun por këmbngulte që të mos e falte.
Jep e
merr, këtë çështje e rrahën tërë natën. U zdrit e këta as kishin fjetur,as
kishin ndërruar bisedë. Pinë edhe nga
një kafe nën peshën e një heshtjeje të rëndë. Mehmeti piu kafenë e u ngrit në
këmbë ngadalë por bukur i inatosur.
-Unë,
tha, me këtë udhë do të shkoj t’ia falë gjakun hasmit, e ti prishe mandej, edhe
bëri të dalë.
-Prit
Mehmet, u ngrit me t’shpejt mulla
Brahimi dhe e kapi për krahu. Pa ulu edhe njëherë.
-Ma bëre
me borgj të tregoj se nuk desha, tha kur u ulën. Edhe unë kam dashur ta falë
gjakun, dhe do ta falja që sot por s’mundem, dhe i tregoi fjalët e Rrust
Kabashit në atë ndejë tek prisnin që mulla Brahimi të sillte një po të faljes.
-Heu,
bëri Mehmeti, pasi qenka puna kshtu , edhe unë nuk të them ta falësh.
-Do të
pres ndoshta edhe një vit, sa t’më piqet pak djali, foli përsëri mulla Brahimi,
por kjo punë do t’kryhet me emër t’zotit.
- Qe besa
asnji ditë s’do t’presim, tha Mehmeti. Hasmin do ta vras unë, e ta shohim se
çka do t’bëj Rrust Kabashi. Kjo punë ka marrë fund sot.
Dhe
kështu u morën vesh. Hasmin do ta vriste Mehmeti, por do ta merrte me vete edhe
djalin e mulla Brahimit, që ky t’i tregonte t’gjithëve që e vrau hasmin dhe e
mori gjakun.
U
angazhuan njerëz që të përcillnin lëvizjet e hasmit, i cili njëditë ishte parë
në Prizren. Endej ky me fjalën e Rrust Kabashit në xhep.
Menjëherë
i shkoi fjala mulla Brahimit e Mehmetit.
Atëhëre
Mehmeti e mori djalin e mulla Brahimit dhe shkuan e takuan hasmin, edhe e vranë
në vend, në mes të Prizrenit.
Mulla
Brahimi përhapi fjalën që djali i tij e vrau hasmin dhe ai e mori gjakun.
. . .
Rrust
Kabashi dëgjoi këto dhe iu prish çerja. Ai kishte dhënë fjalë të mëdha atëhere.
Edhe i kishte hapur pendlat fort , si qurani kur përgaditet për sulm, e tani i
kishin shkelur fjalën dhe emrin. Kishte mbetur me krye teposht e e ndjente që duhej bërë diçka që të ngrinte
prap kryet. Të vriste dikë nga shtëpia e mulla Brahimit nuk ia mirrte mendja,
megjithëse këtë do donte. Ai donte të lajë fytyrën e të kthej namin e emrit të
tij duke bërë diçka që nuk do të kishte pasoja të mëdha.
Prandaj
iu kap Shaqir agës. Ky, tha, i ka treguar mulla Brahimit, që t’më vë mua në
pozitë të keqe, se ky shkon e vjen tek mulla Brahimi.
Shaqir
aga u tremb. Edhe ai sikur Rrust Kabashi, ishte zyrtar i perandorisë, ishte
pushtetar e pasanik por ai ishte i pakrahë, nuk kishte një familje të madhe e
po t’i tekej edhe më të dobtit e kqyrte vëngër e s’jepte pesë para për të.
Pastaj ai nuk ishte i vendit. Ishte muhagjer nga Nishi, e edhe kjo e dobsonte
pozitën e tij. Ai u përpoq të shfajsohej, por kot. Rrust Kabashi disi do ta
lante fytyrën, edhe e kishte ndarë mendjen se si. Për këtë duhej vrarë Shaqir
aga dhe ai këtë e bëri.
Por
Shaqir aga ishte zyrtar i perandorisë, prandaj osmanlinjtë si reagim për
vrasjen e një njeriu të tyre, i dogjën odën Rrust Kabashit. Dhe kaq ishte.
. . .
Pastaj
degjuam qe u kall Kabashi tym e flakë. Madje aty ishte bërë edhe një luftë e
madhe o hej. Mbase. Por këtë le ta thonë historianët, të cilët padyshim që
duhet të kenë guxim. Sidomos tek ne, ku më lehtë është të marrësh pjesë në një
betejë sesa të tregosh për betejën. Këtu beteja ka pronarë.
Sidoqoftë ne ishim tek Rrust Kabashi, duke pirë kafe mu pranë përmendores së tij tek shadërvani në Prizren, në një ditë kur moti i mirë kishte mbledhur gati gjithë Prizrenin tek ai vend. Aty ku përmendorja e Rrust Kabashit u bënë hije kushedi sa njerëzve të shquar të Prizrenit të cilëve nuk u është dhënë mundësia të flasin me njerëzit siq flet Rrusta i vënë në krye t’vendit.