Mendime
Andi Bushati: Zhgënjim për diçka që nuk ka ekzistuar!
E premte, 05.04.2013, 08:29 PM
Zhgënjim për diçka që nuk ka ekzistuar!
Nga Andi Bushati
Megjithëse
lajmi i “tradhtisë” së radhës së Edi Ramës nuk më çuditi aspak, gjatë këtyre 24
orëve që nga dalja e njoftimit të koalicionit të tij me Metën, kam qenë shumë
kurioz që të shikoja reagimet e idhtarëve të opozitës dhe pasuesve të saj. E
duke qenë se mënyra më e mirë për ta bërë këtë, është ajo e lundrimit në
hapësirën më të lirë të komunikimit, pra në forumet online, jam ndalur gjatë tek ato. Sidomos tek ato që
popullohen nga opozitarë të majtë. Dua të them se vërtet jam i befasuar nga
mosaprovimi “en bloc” që komentuesit i kanë bërë vendimit të tij më të fundit.
TURP, ZHGËNJIM, PESIMIZËM, KATASTROFË, KOMEDI, PERVERSITET, kanë qenë fjalët më
të përdorura, për të eliminuar nga kjo listë sharjet dhe fyerjet, që nuk ka
“bllok” që t’i nxërë brenda. E di se një pjesë e atyre që kanë artikuluar këtë
duf do të etiketohen shpejt e shpejt si mercenarë të Berishës, që kërkojnë të
vënë shenjën e barazimit mes dy gjërave krejtësisht të pakrahasueshme. E di se
një pjesë tjetër do të ironizohen nga partizanët e aleancës së re, si idiotë të
dobishëm, idealizmi i të cilëve është i vlefshëm për të përballuar vitet e
gjata të opozitës, por shndërrohet në qesharak, kur vijnë momentet e ndarjes së
tortës së pushtetit.
I di të
gjitha këto e megjithatë çuditem. Çuditem kur mendoj se ka ende njerëz që
çuditen me piruetat e amorale të Edi Ramës. Paskan qenë jo të paktë ata që ende
paskan besuar se Rama qe i ndryshëm. Se qeverisja me bllok në dorë qe kundër
parimeve të tij. Se “Rilindja” ish vërtet një qëllim. Se njerëzit që protestuan
duke i shkuar nga pas në 21 janar do të gjenin një ditë një ngushëllim. Se ata
që besuan tek parullat për një Shqipëri më të ndershme e më të drejtë, do të
shpërbleheshin në besimin e tyre.
Paskan
qenë jo të paktë ata që i ka përkundur deri në fund kjo përrallë, aq sa sot në
forumet e popullit të majtë, zëdhënësit e tyre shprehin indinjatë dhe zhgënjim.
Në fakt nuk ka sepse. Nuk është Rama ai që ka ndryshuar. Ai është gjithnjë i
njëjti.
I njëjti
Ramë që pothuajse u katapultua në krye të bashkisë dhe i përdori 11 vitet e
pushtetit të tij, jo për interesat e atyre që e zgjodhën, por për ato të klanit
të tij dhe ambicieve të tij të ardhshme. I njëjti që u bë servili më i madh e
më pas bukëshkali i parë i tre kryeministrave socialistë me radhë. I njëjti që
u ngrit në krye të partisë me një slogan: kryetari që humbet, largohet. I
njëjti që firmosi ndryshimet kushtetuese menjëherë pas tragjedisë së Gërdecit.
I njëjti që largoi nga listat e 2009 të gjithë rivalët politikë. I njëjti që me
frikën proverbiale nuk e lëshoi kolltukun e bashkisë dhe refuzoi ta çonte
ushtrinë e tij drejt fitores.
E kur
fitorja nuk u arrit, tha se s’do të hynte në parlament pa u hapur kutitë, por
hyri. Tha se s’do dilte nga greva e urisë pa u realizuar gjashtë pikat, por
doli. Tha se s’do ta harronte kurrë Gërdecin, por mbrojtësit e tij i propozoi
për funksionet më të larta shtetërore. Tha se vota e lirë qe qëllimi i tij, por
prekësit e saj po i propozon për deputetë. Tha se nuk i votonte tre ligjet, në
respekt të një qarku qe e voton historikisht të majtën, por po bëhet gati ta
bëjë.
Po, po,
është i njëjti që ruajti edhe si lider i opozitës lidhje okulte me të gjithë
biznesmenët që pastrojnë dhe shumëfishojnë paratë e familjes në pushtet. I
njëjti që u dhuroi një heshtje mëkatare edhe kur ata kapeshin me presh në duar.
I njëjti që vazhdoi idilin e turpshëm edhe me ato media që u shndërruan në
kasaphana të opozitarizmit, me shpresë se një ditë do t’i përdorte vetë në
mënyrë të ngjashme. I njëjti që në “Kurbanin” e tij e ka përshkruar Ilir Metën
si një politikan “që hyri në një marrëdhënie vartësie plotësisht të sëmurë me
paranë e me pushtetin si gjenerator parash…”, e qe nesër do të kërkojë ta
paraqesë si bashkëudhëtar të Rilindjes.
Kjo është
në pak radhë historia 15- vjeçare e Edi Ramës brenda së majtës. Jo historia e
një lideri, por historia e një djali të përkëdhelur që më shumë ka marrë prej
saj. Ndaj është e vështirë që dikush t’i kërkojë atij sot më shumë. Eshtë e
vështirë të pretendohet prej tij të tejkalojë vetveten. Eshtë e vështirë të
matet me lartësinë ku e imagjinonin opozitarët më idealistë. Këtë nuk ia lejon
as karriera dhe as e shkuara.
Pikërisht
kjo e shkuar, e sidomos ajo e afërta, i kanë bërë të ditur, atij vetë së pari,
se ai nuk i kishte as bindjen, as kredencialet dhe as forcën për të hyrë këtë
radhë në një dyluftim, që e bënte të sigurt humbjen e Sali Berishës. Ia kanë
treguar këtë betejat e fundit zgjedhore, sondazhet që ka në dorë dhe pamundësia
e tij për të bërë më shumë. Ndaj në këtë moment të fundit, vetëm pak ditë
përpara vendosjes përfundimtare të koalicioneve, ai ka bërë zgjedhjen që di të
bëjë më mirë: t’i kërkojë ndihmë Ilir Metës. Një ndihmë turpëruese dhe me kosto
të lartë. Që jo vetëm e detyron t’i japë vëllait të tij armik deputetë nga
lista e PS-së, por qe e detyron gjithashtu të shkojë kokulur drejt parlamentit,
për të votuar tre ligjet e famshme, si për të sanksionuar tashmë se kush i vë
rregullat në koalicionin e ri.
Për të
arritur deri këtu Edi Ramës i është dashur jo pak. I është dashur të gëlltisë
ato që ka pështyrë për muaj me radhë kundër Metës. I është dashur të hajë
fjalët se ai është i ndryshëm me Berishën. I është dashur t’i vërë një kryq
“rilindjes” që sapo ka shpallur. I është dashur të bëjë llogaritë se nesër do
të ketë një pushtet të kondicionuar dhe të nëpërkëmbur nga orekset e një LSI-e
që nuk ngopet kurrë.
E
megjithatë Rama ka vendosur ta hedhë këtë hap. Ka vendosur që pasi ka marrë për
15 vjet, ta bëjë këtë radhë sakrificën e tij dhe t’i japë diçka të majtës.
Sepse duhet pranuar që kjo është lëvizja e parë në këto tetë vite, që ia ka
sjellë socialistëve më pranë se kurrë pushtetin. Jo atë të virtytshmin,
parimorin, të mbrujtur me dëshirën për të mundur njëherë përgjithmonë berishizmin
dhe me ëndrrën e krijimit të një Shqipërie të ndryshme. Jo triumfin e
idealistëve utopikë. Ajo nuk është as aspirata e as kredoja e tij. Por
minimumin e mundshëm. Atë që deri me dje kishte frikë se nuk e arrinte dot.
Fitoren pragmatike me numra dhe jo me frymë, me shifra dhe jo me model.
Ata që do t’i gëzohen kësaj fitoreje, që pas aleancës me Metën duket shumë pranë, nuk janë të pakët. Janë ajo mori e madhe socialistësh që e shohin këtë si një mundësi për tu rrëmbyer vendet e punës demokratëve. Janë ata që nuk durojnë dot më zhargonin tropojan në institucionet shtetërore. Janë ata që shpresojë të ringjallin bizneset që u janë rrëmbyer. Janë ata që më shumë i besojnë komisionerëve sesa votuesve. Janë ata që pas kaq vitesh nuk kanë dëshirë më të madhe sesa të thonë: mjaft më. Për të gjithë këta, lëvizja e fundit e Ramës siguron diçka. Natyrisht jo ndryshim, por thjesht rotacion. Ndërsa ata që kërkonin të besonin tek ëndrra, do të vazhdojnë të mbeten të zhgënjyer. Do të vazhdojnë të derdhin dufin e tyre në rrjetet sociale si idiotët e dobishëm të një kauze që nuk ishte. Dhe kjo sipas meje, jo për faj të Ramës që arriti të bëjë atë që di të bëjë më mirë. Ndoshta për vetë fajin e tyre, që i shtyu të besonin me kokëfortësi dhe deri në fund, tek dikush që në fakt nuk ekzistonte.