E shtune, 27.04.2024, 03:53 AM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Vargje mërgimtare vlerash të veçanta

E marte, 08.01.2013, 08:04 PM


Vargje mërgimtare vlerash të veçanta letrare

(Musa Osmani, Buka e mërgimit, Tringa Design, Tetovë 2012)

Vargjet duken të thjeshta, por në brendi të tyre autori fsheh mendimin për të sqaruar disa gjëra që ndërlidhen me njeriun dhe ekzistencën e tij. Njeriu është një qenie e përbërë nga tre pjesë: trupi, mëndja dhe shpirti. Sipas Biblës, fjala është për Treshin e Shenjtë. Njeriu pa mëkate është i barbartë me Zotin, siç janë martirët, engjëjt, dhe pse jo, edhe poetët.

Nga Baki Ymeri

Autori i këtij vëllimi poetik është i preokupuar më shumë me aspektin faktik, në nivel individual apo kolektiv, duke qenë i kujdesshëm ndaj çështjeve sociale të shqiptarit që e ka braktisur përkohësisht vendlindjen, për të siguruar ekzistencën në botë. Frymëzimet e tij notojnë ndërmjet iluzionit dhe realitetit: “Ki mëshirë për mua, të lutem shpirti im/ Të kam ngarkuar kaq shumë me ofshama e dhimbje/ Të vë në tavolinë vetëm një laps e letër të bardhë/ E vetë mbytem në një Det të thellë mëshire.” Që nga starti, përmes vargjeve të këtilla, Musa Osmani krijon miq dhe admirim: “Oooo, ki mëshirë, të lutem, se veç ti ma di hallin/ Mos lejo që brenga të më vrasë hapin e ditëve/ Për ty do ngrej këtu në kurbet Shatërvanin e Mallit/ Ku të vë kokën e ballin e lodhur nga vitet.” Kjo është e vërteta, sepse “Europa vrapon si e çmendur drejt pasurisë/ Të bëjë çdo gjë luksoze në jetë/ Po ka humbur Çelësat e Lumturisë/ E shpirti i është vyshkur fletë më fletë:” Kështu thekson autori që i jep prioritet ndjenjës dhe komunikimit, dhe ka të drejtë, sepse në Europë, “Në ashensor kurrkush një fjalë s’ta flet/ Mos u çuditni kur të shikoni bashkë/ Një nënë e një vajzë shkojnë së nashku në bordell.”

Dikush mund të krijojë përshtypjen se çdo kend e lavdërojmë me sintagma, si “Poeti magjik i dritës shqiptare”, apo “Vargje mërgimtare vlerash të veçanta letrare”, kur vjen fjala për disa krijues në diasporë, por çdokush që i referohet artistikisht vendlindjes, atdheut, shpirtit, imagjinatës, e meriton nga një konsideratë të këtillë. I këtillë na duket edhe autori i librit “Buka e mërgimit”, kushtuar vëllezërve të mërgimit kudo në botë: “Bukë e mërgimit, bukë me shtatë palë kore/ Më sjell mall për bukën, gatuar në troje/ Ç’më kujton Përshefcën me vatrat bujare/ Bukë, kripë e zemër, në pragjet shqiptare.” Për Musain tonë, buka e nënave tona është “e ëmbla bogaçe”, kur të duket se gjithë botën e kishim në magje, kur nuk të shqitet kurrë nënë fjalëngrohta “Me një përkëdhelje na e vinte te dora/ Dorë e gjyshes sime, tundëte rrathë djepi/ Me një mijë urime, nxirrte bukë çerepi.” Kujtimet e fëmijërisë bëjnë të veten: “Merrnin vrap lëndine, mbanim fort bogaçen/ Pinim ujë krojesh, mblidhnim manushaqe.” Dhe vjen rinia, e pas rinisë fluturimi për në Perëndim, për të siguruar një jetë më të mirë, por:  “Veç bukë e mërgimit është me shtatë pale kore/ Helm duket në gojë, kur në sofra shtrohet/ Buka e mërgimit, bukë që s’të ngop kurrë”.

Kosova e shtrirë në veri dhe në jug të Sharrit, deri tejmatanë Preshevcës së tij, ka nevojë jo vetëm për emancipim social, por edhe për tejkalimin e krizës së moralitetit politik dhe integrimit të saj në Europë, sepse: “Me bukë në trastë shtatë ferre kaluam/ Më thoni një vuajtje që nuk e provuam/ Mes dritash Evrope, vezullojnë vitrinat/ Fluturojnë avionët, dete bëjnë makinat.” Dhe shton më tej: “Buka e mërgimit, oh, bukë pa kripë e shije/ Ti e fut në gojë gjithë trupi të dridhet/ Mos ma zër në gojë, vëlla, mërgimin e zi/ Se më rrjedhin lotë sikur bie shi.” Vargjet duken të thjeshta, por në brendi të tyre autori fsheh mendimin për të sqaruar disa gjëra që ndërlidhen me njeriun dhe ekzistencën e tij. Njeriu është një qenie e përbërë nga tre pjesë: trupi, mëndja dhe shpirti. Sipas Biblës, fjala është për Treshin e Shenjtë. Njeriu pa mëkate është i barbartë me Zotin, siç janë martirët, engjëjt, dhe pse jo, edhe poetët. Njeriu vepron si një Tresh në Unin e tij: Babai, Djali dhe Fryma e Shenjtë. Koha poashtu është një Tresh i Shenjtë: e shkuara, e tanishmja dhe ardhmëria. Autorit i kujtohet Dasma e Jetmirit, me pikën e lotit në qerpikët e burrit. “Kurbeti/ Na e ka dhënë një Bistricë lotësh brenda gjoksit të rreshkët/ Shkoj mbi varre/ E më duket se në dritaret e Mëhallës prek palët e flamurit.”

Vendlindja i jep gëzimin e djalit të babait të vet, që e rrok me krahë njëherësh, kur “Po vijmë nga larg/ Ku dritat mundin natën e thinjat bardhoshe t’i jepka udha.” Këto aspekte janë faktikisht tre energji: mendimi, fjala dhe akcioni. Të tubuara në një vend, ato ato lindin një rezultat, që sipas kuptimit tonë don të thotë, fluturim, ndjenjë apo përvojë:  “Qiejve/ Bredhërojmë si dallandyshe që Vatrën s’e harrojnë kurrë”. Pason shpirti i njeriut që përfaqëson shumën totale të çdo sentimenti që e ka krijuar gjatë kohës, kur gëzimi shpërthen në odë burrash, kur pasojnë urimet dhe vallet e hedhura me miq e mikesha sup më sup, kur “Nga varret po rizgjojmë ëndrrat e gjyshërve që mes dheut treten”. Mendimi i çiltërt është një jehonë që e ndërlidh jetën me vdekjen, për të qenë bashkë, “Edhe kur vijmë të lodhur larg, nga stacionet e detet”, për të qenë bashkë, “Edhe kur hapim valixhet me mall të zjarrmuar.” Në këtë konteskt, nuk kemi të bëjmë me vlera të larta që të dekorojnë me Çmimin e Nobelit për letërsi, por me një filozofi të theshtë të jetës shqiptare që të fton: “Gëzohu, bir/ Mate shendin e zemrës në majën e Sharrit”, apo diku në Korab, prehu me lulet e livadhit, sepse i këtillë është malli dhe monologue i mërgimtarit, që çdo ditë thinjet si dëbora, në Alpet e larta. Kaq sa për sot, për këtë poet të ri që e presim me një libër të ri, për të na dëshmuar se din ta ndërlidhë iluzionin me realitetin, imagjinatën me të vërtetën, duke e pasuruar lirikën e mërgimit me vlera të veçanta, letrare, metaforike dhe mendimtare.



(Vota: 10 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora