E premte, 26.04.2024, 10:10 PM (GMT+1)

Kulturë

Ramiz Dërmaku: Intervistë me idealistin Baki Ymeri

E diele, 06.01.2013, 11:07 PM


Gjuha shqipe është një një xeherore e artë për shpëtimin e kombit

(Intervistë me idealistin e Bukureshtit)

Të jesh shkrimtar i mirë don të thotë të jesh fabrikë mendimesh për furnizimin e popullit me dritën e diturisë. Gjuha amtare është një vlerë absolute. Të shkruash sot në toskërishte apo gegërishte, është njësoj sikur ta ndash gruan nga burri, duke i dhënë secilit nga një shtrat të veçantë. Gazetari është qeni më besnik për mbrojtjen e demokracisë, kurse gjuha shqipe është e vetmja pasuri e gjallë që na ka mbetur. Rumunëve u ka mbetur poezia dhe gocat e bukura, kurse neve na kanë mbetur dëshmorët dhe shqipja si një xeherore e artë për shpëtimin e kombit.

Nga Ramiz Dërmaku

Titulli paraprak i këtij shkrimi (Intervistë me bujkun e Bukureshtit, siç e preferonte B. Y.), dikujt mund t’i dukej qesharak, por neve jo, sepse të jesh bujk, bari, katundar apo malësor, nuk është turp. Turp është të jesh bari i fjalëve që s’din t’i kullosë si duhet fjalët, apo bujk që në vend të farës së mirë e hedh farën e keqe. Para nesh kemi një vlerë të veçantë, kombëtare e ndërkombëtare, një krijues profesionist që i ka tejkaluar kufinjtë e arave të tij e të fshatit të tij, duke u bërë i njohur dhe admiruar, deri tejmatanë brigjeve të Amerikës, Skandinavisë dhe Australisë. Ka momente kur protagonist i kësaj bisede ka humbur disa miq, por ata janë të paktë, më të paktë se gishtërinjtë e dorës, njërin duke e dekoruar me epitetin Ujk. Ujku dhe bujku. Ujku është një kafshë politike apo konfesionale që i ngatërron gjërat, që tenton ta hedhë bujkun e Bukureshtit në gjyq pse e paska kritikuar librin e keq të gruas së një përkthyesi të mirë, ndërsa bujku është një lavërtar i mirë që kultivon arat, duke mbjellur farën e mirësisë dhe duke vjelur fryte e fjalë të ëmbla për të ushqyer gjuhën shqipe dhe shpirtin shqiptar.

Gazetari është qeni më besnik për mbrojtjen e demokracisë

Ramiz Dërmaku: Kush është Baki Ymeri?

Baki Ymeri: Një poet i famshëm theksonte se jam një pikë gjaku që flet. Unë s’desha të flas me këtë rast, për hirë të modestisë, sepse kam folur më parë në kuadrin e disa intervistave dhe nuk dua t’i përsëris ato që i kam thënë më parë, ndaj mo ma zeni për të madhe po qe se këtë bisedë e dekorojmë edhe me pak humor! Pse? Sepse shkrimtari po qe se e braktis humorin, duhet ta thejë penën. Siqeriteti i ekzagjeruar është i dëmshëm (?), siç është e dëmshme një jetë banale dhe pa shkëlqim.

R. D.: Pse u larguat nga Vendlindja dhe kur?

B. Y.: Po ju pse u larguat nga vendlindja dhe kurë? Po ju pyes unë juve pse u larguat ju nga Kosova, apo pse u larguan nga Shqipëria Naum Veqilharxhi, Nikolla Naço, Viktor Eftimiu, Asdreni etj. Disa u larguan për të shpëtuar nga kthetrat e invazionit osman, disa tjerë nga zullumi komunist, disa për arësye politike, ekonomike, apo, madje, për të shpëtuar nga ahmarrja. Unë nuk u largova nga vendlindja, por erdha në vendlindjen e mamasë sime të ndjerë. Të them se isha i ndjekur për motive politike në kohën e Titos, mos po e teproj! Apo të them se e braktisa përkohësisht një fshat me tradita anadollake për të kaluar jetën në gjirin e bukurosheve të Bukureshtit, poashtu e teproj dhe bëhem qesharak, sidomos para bashkëfshatarëve të mi që digjen përkulturë, për komb e atdhe.

R. D.: Çfarë është gjuha amtare?

B. Y.: Gjuha amtare është një vlerë absolute. Gjuha shqipe është e vetmja pasuri e gjallë që na ka mbetur. Rumunëve u ka mbetur poezia dhe gocat e bukura, kurse neve na ka mbetur shqipja si një xeherore e artë për shpëtimin e kombit. Nga të gjitha objektivat e propozuara, idealizmi qëndron mbi gjithëçka. Po qe se unë e braktisa vendlindjen përkohësisht për kultivimin dhe afirmimin e kulturës shqiptare në gjirin e sivëllezërve tanë rumunë, nuk bëhem as qesharak dhe as cinik.

R.D.: Ju jeni një ambasador i shkëlyqer i Gjuhës dhe Kulturës shqiptare në Bukuresht. Disa ju kanë quajtur Bubullima e Bukureshtit, ndërsa unë po ju quaj Shqiponja e Kosovës dhe e tërë kombit shqiptar. Ju jeni një rilindës i njohur i  kulturës dhe mërgatës shqiptare. Cili është roli i shkollës shqipe në diasporë në njohjen e një gjuhe letrare te brezat më të rinj?

B. Y.: Faleminderit për komplimente! Roli dhe rëndësia e gjuhës letrare është tejet e madhe, sepse kultivimi dhe njohja e saj na shpëton nga asimilimi, ndaj këtë pyetje preferoj t’ia bëni motrës sonë në Gjermani, Miradije Gashi (arsimtare), dhe vëllajt tonë në Suedi, Sadulla Zendeli Daja (botues fjaloresh). Ajo që desha të them në këtë kontekst ka të bëjë me kontributin modest, simbolik por tejet të rëndësishëm që është duke e dhënë Ministria e Diasporës (falë ministrit Ibrahim Makolli dhe stafit të tij), për ta mbajtur gjallë dritën e diturisë në shkollat shqipe të diasporës shqiptare. Si konkretizohet kjo? Kjo konkretizohet me furnizimin e shkollave shqipe me literaturë përkatëse, duke shpresuar se bëjnë apo do të bëjnë diç edhe për sponsorizimin e arsimtarëve tanë në mërgim.

R. D.: Sa mirë e njohin shkrimtarët e sotëm gjuhën shqipe?

B. Y.: Situata ka qenë e atillë në Kosovë që disa krijues nuk kanë patur kohë dhe paqë që të frekuentojnë ligjëratat në katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe pranë Universitetit të Kosovës, ndaj duhet t’i kuptojmë dhe ta pranojmë të vërtetën se disa e njohin fare mirë, kurse disa tjerë më pak. Respekti ynë, edhe ndaj njërës, edhe ndaj tjetrës pale, është i madh, sepse të jesh shkrimtar i mirë don të thotë të jesh fabrikë mendimesh për furnizimin e popullit me dritën e diturisë. E lansova edhe unë një mendim të përngutshem dhe të (pa)pjekur për shkrimtarin dhe misionin e tij, sa për të thënë diç, duke i dhënë shansin lexuesit për të qeshur, për të qarë apo për ta demantuar një mendim të këtillë.

R. D.: Si e mendoni ju zgjidhjen e harmonizimit të gjuhës sonë në trojet shqipfolëse dhe cili është mendimi juaj për realizimin në praktikë të një gjuhe standarte në të gjithë trojet shqiptare?

B. Y.: Fati i gjuhës standarde është vendosur në Tiranë, para 40 vitesh, në bashkëveprim me gjuhëtarët tanë edhe nga Kosova. Gjuha standarde ekziston si një monument i gjallë në të gjitha trojet shqiptare, kurse zbatimi i saj në praktikë varet prej nesh, po qe se i zëvendësojmë krahinarizmat me gjuhën letrare, jo vetëm në Parlament, institucione, shkolla, shoqata, letërkëmbim apo internet, por edhe në gjirin familiar. Çdo respect ndaj do bijve të shqipes që e kultivojnë gjuhën amtare edhe në diasporë (Vitore Leka, Artan Fili, Kozeta Zylo, botuesit e Zemrës Shqiptare, Eduard Dilo, Neki Lulaj, Hasan Qyqalla, Ilia M. Dilo, Liman Zogaj, Xhevat Muqaku, Sadik Krasniqi etj.) Numri i tyre është i madh ndaj le të mos preken të tejrët për ekonomizimin e hapsirës tipografike lidhur me këtë subject!

R. D.: A Ju ka goditur kush dhe a e ka goditur globalizimi gjuhën shqipe?

B. Y.: Askush nuk guxon ta godasë poetin, sepse të jesh poet don të thotë të jesh mbret. Nuk e kam ndërmend më të qortohem me askend, sepse nuk kam kohë për t’u pajtuar. Sa i përket gjuhës, varet kush dhe si e kupton këtë pyetje. Në çik e ka goditur me sintagma si “Ok”, “on line” etj. Globalizmi ka anët negative kur dikush bënë orvatje të komunikosh vetëm rusisht apo serbokroatisht (si dikurë), apo anglisht (si sot), dhe anët pozitive kur gjermanët, anglezët, amerikanët e të tjerët, krijojnë admirim edhe ndaj gjuhës sate, duke të ofruar kushte për afirmim dhe admirim.

R. D.: Ju jeni kritik, eseist, historian i letërsisë, publicist , përkthyes, dhe poet.

B. Y.: Një këngë labe thot: Po more po, e jo more jo! Për ata që flasin për vetëveten, shqiptarët e Kosovës e kanë një fjalë: “T’u ritë men(d)ja!” Më mirë është të jesh bari, bujk apo shkrimtar, se sa kafshë politike që nuk merr masa për identifikimin dhe arrestimin e korbave të kombit që na i vranë bijtë më të mirë të Kosovës kreshnike, siç ishin Ahmet Krasniqi etj.

R. D.: Keni filluar të merreni me letërsinë si kritik apo si poet?

B. Y.: Fillimisht si poet, pastaj si përkthyhes dhe në fund si autor reçensionesh e parathëniesh, ngase kritikët e mirëfilltë janë të paktë dhe të mirënjohur, siç ishin Rugova, Qosja, Hyni Hoxha etj. në kohën e tyre, apo siç janë sot Sabri Hamiti, Sali Bashota, Ramadan Musliu, Basri Çapriqi, Prend Buzhala, Nexhat Rexha, Halil Haxhosaj, Namik Selmani etj.

R. D.: E doni më shumë poezinë, studimin e letërsisë apo njësoj edhe poezinë, edhe studimin e saj?

B. Y.: Të gjitha nga pakë, dhe jo vetëm nga pakë, por edhe nga shumë. Më mirë pak e për merak, se sa shumë e për lumë! Më mirë është të jesh poet apo kritik letrar se sa kafshë konfesionale që ia zhvat 30 milionë euro buxhetit të Prishtinës për ngritjen e një xhamie, për t-ia prishur qetësinë qendrës universitare me zërin e telallit islamik. Kush s’e do poezinë dhe femrën, nuk është patriot.

R. D.: Ku keni kontribuar më shumë në letërsinë shqipe: me poezinë apo me studimin e kësaj letërsie?

B. Y.: As me njërën dhe as me tjetrën, por me përkthimin e vlerave letrare shqiptare në gjuhën rumune. Po i rikthehem sintagmës “kafshë konfesionale”. Më mirë ishte të ngresh një fabrikë për inkuadrimin e njerëzve të pa punë, se sa të ngresh një xhami në një vend të mbushur me rreth një mijë faltore islamike.

R. D.: A zhvillohet sot letërsia shqipe në trojet etnike e diasporë natyrshëm, si një letërsi kombëtare, si një e tërë, apo ende vërehen në të disa dallime, të cilat ishin kushtëzuara nga ndarjet që kishin sjellë kufijtë politikë të 1912-it?

B. Y.: Si gazetar, po e shoh se keni bërë një kërcim të madh kohëve të fundit, sa i përket përvetësimit të gjuhës letrare, madje pse jo, edhe formulimit të pyetjeve për intervistë. Shqipen letrare e keni njohur edhe më parë, por po shoh se ka kodra e kodra mes jush dhe disa krijuesve që i përsërisin të njëjtat sintagma apo të njëjtin mendim 2-3 herë brenda një fjalie apo periudhe. Dallime ka patur si pasojë e kufinjve të mbyllur apo artificialë, por tani këto ndasi janë duke u shembur, sepse pas dimrit vjen pranvera, dhe pas ndarjes vjen bashkimi.

R. D.: A mund të themi se sot i kemi tejkaluar plotësisht të gjitha shabllonet e realizmit socialist? A i smadhojnë apo i fshehin studiuesit e letërsisë shqipe pasojat që pashmangshëm ka lënë teoria e realizmit socialist në këtë letërsi në të dy anët e kufirit?

B. Y.: Për fat të mirë, disa krijues i kanë tejkaluar, dhe për fat të keq, një numër i parëndësishëm ende vërtitet në kotaret e shablonit respektiv. Sa i përket pyetjes së dytë, vlen të potencojmë se ekzistojnë dy kategori studiuesish. Derisa njëra palë merret me smadhime e fshehje, pala tjetër (më e mençura), merret me kultivimin e një letërsie dhe kritike të mirëfilltë që e ka qitur në harresë realizmin socialist.

R. D.: E ka zënë poezia shqipe ritmin e zhvillimit të poezisë europiane apo ende mbetet pas saj për sa u përket përvojave aktuale dhe moderne krijuese?

B. Y.: Po na mahnitni me pyetje të këtilla që i përkasin një kalibri të lartë, e jo një gazetari të rëndomtë siç jeni jua apo ne! Poezia shqipe, sidomos ajo që krijohej dhe krijohet në Kosovë, shkon paralelisht me ritmin e poezisë europiane, kurse ajo që krijohej në Shqipëri, si pasojë e sistemit, ishte larg rrjedhave moderne krijuese të Perëndimit. Tani punët kanë marrë nga e mbara edhe në Mini-Albani.

R. D.: Ju jeni marrë edhe me përkthime dhe keni vizituar shumë biblioteka të Bukureshtit. Çka ju shtyri dhe si e vlerësoni punën e gazetarit?

B. Y.: Çka më shtyri? Nevoja për afirmimin e vlerave tona në gjuhë të huaja, dhe kjo don të thotë shumë, sepse vetëm brenda 7 vitesh autorët rumunë kanë botuar 7 përmbledhje me vështrime kritike kushtuar shkrimtarëve shqiptarë që i kemi rikënduar në gjuhën rumune, dhe ato janë vepra voluminoze si “Me shpirtin në buzë” (dy vëllime) të Marius Qelarut, “Kosova letrare” (dy vëllime) të Monika Mureshanit, “Dardania e zemrave tona” të Mihai Antoneskut dhe “Sali Bashota i vlerësuar nga shkrimtarët rumunë”. Përndryshe, në Bukuresht i kemi edhe disa krijues tjerë që merren me afirmimin e letërsisë shqipe, si Luan Topçiu, Kopi&Ardian Kyçyku dhe Marius Dobrescu. Sa i përket pyetjes së dytë, vlen të theksojmë se gazetari është qeni më besnik për mbrojtjen e demokracisë.

R. D.: A janë aktuale betejat intelektuale për lirinë e krijimtarisë dhe për përvojat moderne në letërsinë shqipe sot?

B. Y.: Liria e krijimtarisë është një e drejtë legjitime e çdo krijuesi. Ku ta di unë, ka po nuk ka beteja intelektuale për një liri të këtillë. Gazetarit të mirëfilltë nuk i ka hije të shkruajë për një ngjarje pa qenë në vendin e ngjarjes, dhe as mua të flas për beteja respektive pa jetuar në Prishtinë apo Tiranë. Ajo që di unë ndërlidhet me krijimtarinë e veteranëve të gazetarisë shqiptare të Bukureshtit, apo të titanëve të lirikës sonë gjatë kohës së Mbretërisë, Asdreni, Lasgushi, Kuteli etj. E përmendëm Mbretërinë sa për sy e faqe, sepse pot ë ishte mbreti mbret, Shqipëria sot do të ishte e bashkuar dhe jo e ndarë në pesë shtete e vilajete.

R. D.: Ç’do të thotë për Ju të jesh intelektual, gazetar, analist, shkrimtar modern, poet modern, përkthyes modern,eseist, etj?

B. Y.: Nuk më pëlqejnë lavdëratat, sepse këto epitete përmenden edhe më lart. Të jesh poet modern apo klasik, don të thotë të krijosh familje, fëmijë, inkuadrim, rrogë, automobil, para në bankë, pension dhe një jetë normale. Kurse ne në vend të një jete normale çojmë një jetë të çuditshme, duke përkthyer, shkruar e botuar, duke redaktuar, afirmuar dhe komunikuar, gjë që na mjafton, siç i mjaftonte edhe Adrenit në kohën e tij një jetë e këtillë.

R. D.: Çka do të thotë për Ju të shkruash sot në gjuhën dialektore?

B. Y.: Është një pyetje e lehtë që kërkon një përgjigje të rëndë, ndaj marr guximin mos t’i përgjigjem, sepse po qe se përgjigjem do të më rihidhërohen ca “miq” që e kultivojnë gegërishten në vend të gjuhës së unjësuar letrare. Është e drejtë e tyre, siç është e drejtë jona të themi se bashkimi i madh këmbëtar krijohet edhe përmes bashkimit të dialekteve, dhe një bashkim i këtillë në plan gjuhësor ka filluar të krijohet që nga viti 1972 e këndej. Të shkruash sot në toskërishte apo gegërishte është njësoj sikur ta ndash gruan nga burri, duke i dhënë secilit nga një shtrat të veçantë.

R. D.: Ju, më sa dimë, nuk jeni anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Mendoni se duke pasur parasysh krijimtarinë tuaj poetike, në radhë të parë si cilësi, por edhe si vëllim, mendoni se ndaj jush është bërë padrejtësi?

B. Y.: Për një anëtarësim të tillë duhet të jesh shkencëtar dhe artist, kurse mua më mjafton fakti që jam anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, dhe, sa për t’u vetëlavdëruar një çik, Anëtar i Nderi i lidhjes shqiptare, jo vetëm me lexuesit e Zemrës Shqiptare, por edhe me ata të Botës sot, Gazeta Kritika etj. Për momentin i përmenda vetëm tre gazeta të famshme që i shfletoj rregullisht, sepse kanë sens për seleksionim dhe botim vlerash të mirëfillta letrare, politike dhe publicistike.

R. D.: Gushti i këtij viti ishte përvjetori i 63-të i datëlindjes suaj. A mund të tregoni për lexuesin e revistës sonë disa nga planet e afërta dhe të largëta të krijimtarisë suaj?

B. Y: Nuk janë me rëndësi vitet, sa janë me rëndësi shpirti, ndërgjegja, idealiymi dhe vullneti për punë. Projektet janë të panumërta. Kam grumbulluar material dokumentar për disa libra me rëndësi të madhe për kulturën dhe historinë tonë. Kam trashëguar një turmë vlerash dokumentare nga arkivi i babait dhe nga arkive tjera; kam zbuluar, gjetur e blerë vlera të vjetra, gazeta, revista, dokumente, letra e fotografi të vjetra për disa vëllime kushtuar shqiptarëve të këtij vendi dhe diasporës shqiptare, por, meqë mungon financimi institucional, për momentin jam duke e siguruar ekzistencën me përkthime letrare, dhe për këtë iu jam mirënjohës atyre që na angazhojnë dhe ndihmojnë. Ju falënderojmë edhe Juve dhe Ju urojmë nga zemra: Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri!

R. D.: Përse i duam Krishtlindjet?

B. Y.: I duam Krishtlindjet sepse e ndjemë veten më afër nënës, babait dhe Zotit.

R. D.: Gëzuar qofshi edhe Ju, dhe Ju lumtë e Ju priftë e mbara!

BOX

Baki Ymeri është i njohur si atdhetar, intelektual, poet, përkthyes, eseist, publicist dhe botues. U lind në Shipkovicë të Tetovës më 1 gusht të vitit 1949, duke qenë produkt i një familjeje të thjeshtë dhe atdhetare, e zhirritur për liri dhe mbarësi sociale dhe patriotike. Ka kryer Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe pranë Fakultetit Filozofik të Univerzitetit të Kosovës në Prishtinë (1969/73). Babai i tij ishte një patriot i lindur e i devotshëm, i cili tek djali i tij  trashëgoi patriotizmin, krenarinë e të qenit shqiptar dhe ndjenjën e humanizmit. Duke qenë i ndjekur nga pushteti komunist i ish-Jugosllavisë, arratiset në Rumani (1973), ku i vazhdon studimet e specializimit në Vjenë (1973/74) dhe në Bukuresht (1975). Në ndërkohë përhap literaturë shqipe në relacionin Bukuresht-Shipkovicë-Prishtinë, si pasojë e së cilës shpifet, ndiqet, arrestohet në Pançevë (8 dhjetor 1975) dhe pas 6 muaj hetimesh e anketimesh, dënohet nga Gjykata komuniste e Qarkut të Shkupit me gjashtë vjet burg të rëndë (qershor 1976). Arsyetimi i procesit të montuar politik ishte: “Bashkim për veprimtari armiqësore kundër bashkësisë sonë socialiste”.

I apasionuar pas publicistikës, karakterizohet nga këmbëngulja për hulumitime historike dhe politike, duke evidentuar vlerat më të mira të atdheut e të njeriut. Ngjarjet e përjetuara, poezia, proza, përkthimet dhe dashuria, janë pasione të kahershme e të përhershme të tij. Organizon në Bukuresht tryezën e miqësisë së Kosovës me krijuesit rumunë dhe aktivitete tjera me taban kombëtar, letrar e artistik. Ndërkohë shkruan, përkthen dhe boton artikuj e studime mbi lidhjet farefisnore rumuno-shqiptare. Atdhetari, intelektuali dhe poeti Baki Ymeri është një figurë e respektuar dhe e admiruar, që rrezaton intelektualitet, atdhetarizëm, mençuri, urtësi, tolerancë dhe unitet, si në mërgatë poashtu edhe trojet tona etnike. Që nga viti 1971 përkthen letërsinë shqipe në gjuhën rumune dhe anasjelltas, jep provimet e doktoratës në Universitetin e Bukureshtit, polemizon, afirmon dhe mbron çështjen shqiptare të Kosovës në shtypin rumun dhe atë shqiptar, merr pjesë në simpoziume ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, afirmon diasporën shqiptare, bashkëpunon me një varg revistash e gazetash në veri dhe jug të Danubit, vepron në kuadrin e Këshillit Udhëheqës të Bashkësinë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, themelon Shoqatën e Miqësisë Rumuno-Shqiptare, afirmon dhe përkrah bijtë dhe bijat e rilindësve tanë, të gjitha aktivitetet i kryen vullnetarisht, pa kurrfarë të ardhurash.

Gjatë viteve të fundit ka përkthyer dhe botuar mbi 50 poetë nga Kosova në gjuhën rumune (Ali Podrimja, Sali Bashota, Miradije Ramiqi, Basri Çapriqi, Ibrahim Kadriu, Sabile Keçmezi-Basha, Ibrahim Berisha, Halil Haxhosaj, Nexhat Rexha, Lulzim Basha, Sabit Rrustemi, Adem Zaplluzha, Dedë Preqi, Edi Shukriu, Engjëll Koliqi, Brahim Avdyli, Skënder Zogaj, Fatmir F. Salihu, Ramadan Mehmeti, Vezir Ukaj, Remzi Limani, Liman Zogaj, Mazllum Saneja, Sarë Gjergji, Hysen Këqiku, Albina Idrizi, Pal Sokoli, Hamdi Tasholli, Jeton Kelmendi, Skënder Sherifi etj.).  Pason ta përkthejë Idriz Ulajn, Ali M. Lajçin etj. Për kontributin e tij në fushë të internacionalizimit të kauzës kombëtare, si dhe për merita letrare, u nderua me shumë mirënjohje, si nga komuniteti shqiptar poashtu edhe ai rumun. Gjithashtu është pjesëmarrës në shumë lista, website dhe forume bashkëatdhetarësh në internet, ku jep kontributin e tij me shkrime publicistike, opinion, reçensione përkthime letrare dhe reportazhe kushtuar diasporës shqiptare. Baki Ymeri është veprimtar i shquar i diasporës shqiptare dhe bashkautor i disa monografive mbi sivëllezërit tanë në veri të Danubit:  Shqiptarët e Rumanisë (1994), Emigracioni nga Maqedonia Perëndimore në Rumani (2004). Ai është njëherësh njohës i një numri të konsideruar gjuhësh të huaja, autor i qindra artikujshe mbi diasporën shqiptare, zbulues thesaresh të shoqërisë Drita, anëtar i disa shoqatave shkrimtarësh, prezent në disa antologji poetike, laureat mirënjohjesh të ndryshme, i nominalizuar nga Instituti Biografik Amerikan (ABI): Njeriu i Vitit 2001.

Bakiu jeton dhe krijon në Bukuresht, ku jep kontribut për afirmimin e vlerave letrare të Kosovës në gjuhën rumune, duke botuar dhe shpërndarë revistat Shqiptari dhe Kosova. Në fushë Ky veteran i mërgatës sonë bashkëvepron me Ambasadën e Shqipërisë dhe diplomatë rumunë e miq të Shqipërisë në Bukuresht, organizon lansime librash të krijuesve shqiptarë dhe rumunë që i ka përkthyer, bashkëvepron me komunitetin shqiptar dhe dashamirët e Shqipërisë. Ja vetëm 3 nga 300 letrat e nënshkruara nga dashamirët e tij: “Baki Ymeri duhet të ndihmohet ngase është në rrjedhë të çështjes kombëtare. Puna e tij është e çmuar dhe si e tillë duhet të vlerësohet, prandaj çdo ndihmë ndaj zotit Baki është ndihmë ndaj çështjes sonë. (Ali Podrimja).  “Baki Ymeri është zjarri i shqiptarizmit në diasporë”. (Sali Bashota). Bakiu është një penë e ngrohtë dhe e pastër shqiptare. (Agim Shehu). (Ramiz Dërmaku, Gjermani, 20.12.2012)



(Vota: 17 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora