Mendime
Isuf Bajrami: Kosova pa gurë themeli
E marte, 18.12.2012, 08:00 PM
KOSOVA NË KOHËN KUR NUK ËSHTË VU ASNJË GURË THEMELI,PO ZIHET NË ANARKINË E LIBERALIZMIT PLURI-PAR-TITIST
"Njeriu nuk është armik i njeriut, por bëhet nga sistemi i keq i Qeverisjes." Thomas Pein
Shkruan: Isuf B. Bajrami
Në
Kosovë, Zoti e di kur do të zgjohet ky popull, për ta kuptuar çfarë gabime
historike kanë qenë marrëveshja e Rambujesë e të Parisit dhe çka përmban
Rezoluta 1244 e KS të OKB-së. Marrëveshjet e shumta të Hakerupit me Çoviqin,
Korniza, etj..., nuk janë aspak jashtë marrëveshjeve të sipërcituara, për të
cilat, prapë ”fajin” (ndoshta) do ta kenë fuqitë e mëdha apo Evropa edhe pse
aktet e tyre i kanë nënshkruar “politikanët e tanë”: Kuaj-Buaj e shumë bujë e
mushka të tjerë. Me një politikë të tillë "largpamëse" dhe të hollë
(Esadiste).
Kosova e
sotshme mund të njihet si vatër kryesore e paradoksit, që ecë mbi dy këmbë: që
flet shqip, magjypisht, serbisht, tamilisht, banglladisht… por prapë se prapë
mbetet e ngërthyer me fusnotë brenda "nacionalna dërzhaves"
serbosllave.
Kosova,
në kohën kur nuk është vu asnjë gurë themeli, po zihet në anarkinë e
liberalizmit pluri-par-titist.
Këtu
mungon sistemi elementar i vlerave, baza elementare për rend e stabilitet.
Anarkia,
veprimet pa kritere apo kriteret e rrejshme, po gërryejnë thellë e më thellë
jetën e popullit, po ngufasin frymëmarrjen e lirë të Kosovës.
Këtu
rrugaçët, kapadainjtë, kllosharët, kafexhinjtë, po shumohen si bretkosat në
moçal.
Këtu,
brenda natës, lypësi bëhet princ e princi lypës.
Këtu
jetohet si në lagjet e hipikëve dhe drogerëve të perëndimit: vendësit e mpirë
nuk janë të vetëdijshëm për pasojat (bëjnë qejf e mburren duke menduar se po
bëjnë punë të vlefshme).
Këtu, në
emër të demokracisë, qetësisë, stabilitetit e progresit, zhvillohet autokracia
e re e mafiozitetit.
Këtu,
hipokrizia e demagogjia vlerësohen virtyte, ndërsa vendosja e regjimit të ri
neokolonialist shpëtim e fitore.
Këtu
kultivohet politika e tjetërsimit, e urrejtjes së vetvetes, e ikjes nga liria,
e paaftësisë për të vetëvendosur.
Këtu edhe
një ”misionar” i pa gdhendur sillet si babaxhan, si në shtëpi të vet, si në
pronë të vet.
Këtu
lulëzon servilizmi absurd ndaj ndërkombëtarit,qoftë ai mediokër dhe megalomania
tragjikomike ndaj intelektit kosovar.
Këtu një
pjesë e misionit të ndërkombëtarëve sillen si klouni, sikur "gjeneral de
fantaisie".
Këtu
vlerat injorohen dhe antivlerat fitojnë peshë.
Këtu
shqiptarit i zihet fryma me identitetin e vet të cenuar, vihen në lojë
përçmuese emocionet e tij, injorohen virtytet dhe vlerat nacionale të tij.
Këtu atë
që pushtuesi agresiv serbomadh nuk e ka arritur (të shtyp ndjenjën dhe idealin
e shqiptarit për pavarësi e shtet), po
arrihet çuditërisht me misionin e strategjisë së shantazhit, duke e shndërruar
misionin në demision denigrues, i cili nuk ka asgjë të përbashkët me idealet e
larta të demokracisë amerikane të Willsonit e pasuesve të tij.
Këtu
shkelet paturpësisht gjaku i dëshmorëve, vepra madhore e SHBA-së dhe NATO-së ,
solidariteti i bashkësisë demokratike ndërkombëtare.
Këtu
bëhen të qarta e kuptimplote thëniet e Thomas Pein-it: ”Njeriu nuk është armik
i njeriut, por bëhet nga sistemi i keq i qeverisjes”.
Këtu edhe
impotentët, perversët dhe filistët e të gjitha llojeve, shiten Don Juanë të
perëndimit, duke shfrytëzuar streset e pas luftës dhe varfërinë.
Këtu
gazetari më i thjeshtë mund të bëhet agjent dhe ekzekutor.
Këtu
paguhet vetëm dëgjueshmëria.
Këtu
rrogat tejkalojnë proporcionin 100:1.
Këtu
ngritët aristokracia e re konformiste ndaj një qeverie të rreme, ndërsa
ndrydhet origjinaliteti dhe kualiteti i vendësit.
Këtu
qeverisja e rremë bazohet në deklaratat e fraza të përgjithësuara të rendit të
ri e progresit, ndërkaq mbytet çdo iniciativë progresive e vendësit.
Këtu
qeverisja e rremë ka vendosur kriteret e veta të shitjes së vullnetit të
intelektit vendës.
Këtu
liria humb kuptimin real, ajo po kalon në abstraksion, sepse masa duhet bindur
në lirinë e kushtëzuar.
Këtu
bashkim vëllazërimi ish-jugosllav është zëvendësuar me brohoritjet për “lirinë”
e sjellë, të cilën papagallët vendës e trumbetojnë orë e çast.
Këtu
injorohet e përçmohet kriza sociale e pjesës dërrmuese të masës,të verbëruar
nga premtimet hipokrite dhe udhëheqësit e pavendosur ose konformistë, të zhytur
në moçalin e konfrontimeve destruktive.
Këtu
epshet për të fituar kanë sjellë verbërinë kolektive, ndërsa spekulimet kanë
fituar hapësirë të pakufizuar, nga të cilat në fund shumica kosovare do të
mbesin me xhepa bosh.
Këtu
lider bëhet numri, fitimi qeveri.
Këtu po
krijohet shoqëri e re egoiste, e dëshpëruar, e pashpirt. Kjo shtresë në rritje
e sipër, do të rindrydhë inteligjencën kreative të vendësit, mëvetësinë
intelektuale, gjeneratën e re.
Këtu
rekrutohen “oficerë-inteligjentë” të rinj të intrigave dhe zbatues të skenarëve
kundër gjithë atyre që kanë për synim ruajtjen e identitetit, të karakterit
autokton të vendësit, të mëvetësisë nacionale.
Këtu po
zhvillohet e zbatohet strategjia e denigrimit dhe poshtërimit, me të cilën
vendësi me dorën e vet gjykon e dënon vetveten, e shtyrë nga dora e
“padukshme”e qeverisjes së rremë.
Këtu
liberalizmi aktual, me produktet e saj, anarkinë dhe kaosin, po shndërrohet në
metodë të ushtrimit despotik të qeverisjes së rreme, ndërsa monopolizimi i
ndihmës ndërkombëtare, strategji hipokrite e shantazhit dhe e nënshtrimit të
vendësve.
Këtu
përgjegjësia për dështimin i takon vetëm përfaqësuesve vendës, nëse ata nuk i
nënshtrohen strategjisë së qeverisjes së rreme.
Këtu,
qeverisja e rreme zgjedh udhëheqësit vendës sipas shkallës së gjinisë e
servilizmit, sepse ajo ka liderët e vet (“liderët“ vendës duhet të jenë spiunë
në shahun e specialistëve të shkolluar e me përvojë misionesh afatgjata në
lojërat strategjike në vend e botë).
Këtu
shitet modernizimi si më e ëmbla ëmbëlsirë e botës; të cilën shumica nuk e
shijojnë fare, ndërsa individët përfitojnë.
Këtu
pëlqehet se stimulohet vetëm shtypi që kontrollohet nga qeverisja e rreme.
Këtu
mediet duhet të rrejnë në frymën e qeverisë së rreme, përndryshe duhet të
ndërmerren masat adekuate ndëshkuese.
Këtu nga
ana e qeverisë së rremë preferohet gazetarë (e), e kaluara e të cilit (ës) di
të dëshmojë se ka qenë i (e) nënshtrueshëm (e) (ata do t’i nënshtrohen
“solidaritetit” të qeverisë së rreme, sepse janë të pajisur me mjerimin,
boshllëkun dhe mburrjen. Kështu, shpirtrave të vërtetë kreativ e të
panënshtrueshëm, do t’i mbyllen dyert e ndikimit).
Këtu, në
emër të ristrukturimit në ekonomi, po spekulohet me sistemin bashkëkohor të
organizimit, duke ndërtuar sistemin e profitit ekonomiko-komercial të individit
a grupit, kuazibiznesin primitiv.
Këtu
investimet kapitale nga jashtë transformohen në rezultate minore, në
improvizime jetëshkurtra.
Këtu
ndihma e vërtetë profesionale nga jashtë injorohet apo bllokohet, nga mediokri
i qeverisë së rreme dhe kooperuesve servilë të tij.
Këtu
qeveria e rremë fiton opinionin, duke ushqyer e shfrytëzuar kontradiktat, për
të humbur masën vendëse në labirinte të reja, duke dobësuar fuqinë e mendimit
politik vendëse në labirinte të reja, duke dobësuar fuqinë e mendimit politik
vendës, sepse vetëm qeveria e rreme ”duhet” të vendosë.
Këtu nuk
ka institucione por funksione, ato të qeverisë së rreme, të cilat nuk kanë
bazë, ose për bazë kanë rezoluta apo rregullore e marrëveshje me të cilat, suma
sumarum, nuk definohet asgjë, sepse nuk duhet të definohet gjë, përpos
dëgjueshmërisë, durimit e pritjes nga vendësit.
Këtu ata
që i kundërvihen strategjisë së qeverisjes së rreme duhet të suspendohen, të
japin dorëheqje ose, nëse e cenojnë atë, mund edhe të dërgohen në gjumin e
përjetësisë.
Kini mendjen se ç’po bëni o K... e Buaj, sepse ai gjak i cili është derdhur do të ju nevojitet për pasardhësit tuaj që ta shkruajnë gjuhën shqipe.