E premte, 26.04.2024, 08:36 AM (GMT+1)

Faleminderit

Pse janë harruar martirët e Grudës dhe Zef Miliqi!?

E diele, 20.04.2008, 11:48 PM


Nga Gjekë Gjonlekaj

Luftërat sjellin dhembje e rrënime të mëdha. Këto rrënime e dhëmbje i përjetoi rëndë populli shqiptar gjatë dy luftërave botërore. Ata që përjetuan Luftën e Parë Botërore nuk jetojnë më. Ndërsa nga Lufta e Dytë ende jetojnë disa dëshmitarë që i kanë parë ngjarjet me sytë e tyre. Disa nga ato dëshmi janë shënuar gabimisht ose janë trilluar për qëllime të caktuara. Pastaj është edhe një rregull tjetër jo i drejtë që historinë e shkruajnë ata të cilët e fitojnë luftën. Popujt e Ballkanit ka thënë Winston Çurçhilli “prodhojnë tepër shumë histori”. Eshtë problem i madh sepse tregjet ballkanike të historisë janë të vogla. Përveç tjerash këto prodhime nuk janë kualitet dhe pas një kohe humbin vlerën. Si Shtëpi Botuese që veprojmë ligjërisht këtu në Shtetet e Bashkuara disa herë kemi bërë përpjekje për t’i futur disa nga ato vlera në tregjet e kulturës amerikane, por jo gjithmonë kemi pas sukses sepse amerikanët nuk i shijojnë aq shumë disa prodhime tona. Albanologët amerikanë kanë kundërshtuar përkthimin anglisht të disa këngëve kreshnike që sipas tyre kanë më shumë karakter terrorist se heroik. Bile disa pasardhës të atyre “kreshnikëve” sot e kësaj dite i këndojnë dhe i kultivojnë këto këngë dhe ata që nuk e miratojnë “vlerën” e tyre i bëjnë armiq.

Ashtu si të gjitha viset tjera të Ballkanit edhe Malësia e Madhe në të dy anët e kufirit përjetoi dhembje e rrënime gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por sot e kësaj dite nderohen më shumë ata që shkaktuan ato tragjedi e dhëmbje se ata që i përjetuan. Ata gjoja luftëtarë i nderonte Partia dhe Pushteti. Ndërsa populli bënte të kundërtën, këndonte për trimërinë dhe lavdinë e atyre që janë vrarë. Disa nga ato vargje kanë mbetur të pashlyeshme në kujtesën tonë. Edhe pse kaluam pothuajse 40 vjet në tokën e Amerikës e ndjejmë thellë tragjedinë dhe trishtimin e disa malësorëve shqiptare që dhanë jetën si trima në altarin shqiptar të nderit. Dhëmbja e respekti për këta burra legjendare të Malësisë u rrit edhe më shumë duke lexuar vepra të fesë e të kulturës. Në Ungjillin e Shën Gjonit, Jesu Krishti thotë: “Dashuria më e madhe që ndokush mund të tregojë është: “të japë jetën e vet për miqtë e vete”. Pas Ungjillit, asnjë dokument tjetër nuk është më i fuqishëm në mbrojtjen e mikut se Kanuni i Lekë Dukagjinit i cili thotë: “Shpija e Shqyptarit asht e Zotit e e mikut” dhe “po iu pre kuej miku, kanuja i ka lane dy udhe: a te fiket a te koritet”.

Mbrojtja e mikut në traditën shqiptare ishte vepër e shenjtë. Kur është fjala për mbrojtjen e mikut, asnjë kod i vjetër nuk mund të krahasohet me Kanunin e Lekë Dukagjinit përveç kodeve antike të Japonisë. Këto përfundime janë nxjerrë nga dijetari i sotëm japonez Kazuhiko Yamamoto.

Dëshmorët e Kanunit dhe Ungjillit

Pasi e lexuam shumë herë me vëmendje Ungjillin dhe gjithë ato nene të Kanunit, na u përfytyrua trimëria legjendare e Zef Miliqit për të cilin këndohet e flitet me respekt për më tepër se 60 vjet. Nuk kemi dëgjuar dhe nuk kemi lexuar që një shqiptar tjetër t’i ketë zbatuar në këtë mënyrë porositë e dy librave të lartëpërmendur. Në moshën tonë të re disa herë e kemi vizituar vendlindjen e tij Selishtën që është një vend piktoresk në krahun e djathtë nalt mbi lumin Cem. Për nderin, trimërinë dhe urtinë e Selishtit kanë shkruar autorë të përmendur shqiptare, midis tyre edhe Pater Gjergj Fishta e Pater Anton Harapi, bile në kryeveprat e tyre letrare “Lahuta e Malësisë” dhe “Andrra e Pretashit”.

Jo rastësisht Dede Gjo’Luli është martuar me një bijë fisnike të vëllazërisë Lulgjuraj nga Selishti. Të gjitha këto tregojnë vlerat e larta morale që arritën kulmin me tragjedinë e Zef Miliqit.

Një ditë dimri të Mërkurën e Përhime me 12 shkurt të vitit 1945, që në kalendarin fetar katolik shënohet si dita e përgatitjeve për mundimet e Krishtit dhe të Ringjalljes, një skuadër pushkatimi jugosllavo-komuniste në krye me Bajo Stankoviqin hynë në Selishte në kërkim të 3 vëllezërve Lulgjuraj, të akuzuar për pjesëmarrje në Kryengritjen anti-komuniste të Kelmendit. Rastësisht në shtëpi të Zef Miliqit gjetën Losh Gjokun e Hotit me të cilin Zefi kishte lidhur kumari për pajtim gjaku. Pas një debati të gjatë me Zefin, komandanti i skuadrës së pushkatimit ia vuri prangat Loshit dhe tërbimi i tyre shtazarak jepte shenjat e një tmerri të madh. Zefi ofroi peng jetën e vet për shpëtimin e kumarës mik në shtëpinë e tij por më kot sepse terroristët nuk e përfillën fare. Zefi ngulte këmbë përsëri dhe më në fund ofroi për flijim dy djemtë e tij Nikollën e Markun për të shpëtuar kumarën, por as kjo sakrificë biblike nuk ishte mjaft për xhelatët. Më në fund Zef Miliqi vendosi me dhanë jetën me kumarën dhe u nis bashkë me të për të bërë “Rrugën e Kryqit”deri në vëndin e pushkatimit te Kisha e Grudës. Zefi i qëndroi pranë kumarës në ato orë trishtuese para vdekjes .Komandanti i togës së pushkatimit iu lut Zefit të kthehej në shtëpi, bile për ta frikësuar e qëlloi me plumba në këmbë. Pas atyre plagëve të rënda ua ktheu gjoksin për t’u treguar se nuk kishte frikë vdekjën. Këtë udhëtim tragjike e bënë së bashku me 3 vëllezërit martirë të Grudës, të bijtë e Prenkë Tom Lulgjurajt, Lucën, Dodën e Gjergjin. Atë ditë nëpër atë rrugë tragjike kishte kaluar edhe Kolë Gjeli i Trieshit. Më në fund arritën në vendin e pushkatimit afër Kishës së Grudës. Arritën pranë asaj Kishe historike për t’u bërë hi e pluhur nga të shtënat breshëri të atyre monstrumeve anti-shqiptare dhe anti-njerëzore. Secili ra në vorrin e vet. Zefin e lanë të fundit, të bindur se do të ndryshojë qëndrimin, por jo trimi i paepur i shikoj drejtë në sy e u tha bini mos më kurseni. Krisi batarja dhe ra përdhe vigani shqiptar Zef Miliqi i Grudës. Shëmbuj të tillë nuk gjejmë shumë as në kohërat biblike ose antike përveç qëndresës heroike të meshtarëve shqiptare në diktaturën staliniste të Enver Hoxhës. Një fjalë e urtë popullore thotë: “O Zot mos na provo”. Atë ditë u hap lajmi për Golgothën e Grudës. Ushtoi gjama e dhëmbja për atë tragjedi burra e gra vajtuan ndërsa rapsodët kënduan:

“U hap lajmi në atë Malësi
Se në Grude u ba i kerdi
Shumë janë met burra dai
Shumë janë vra e shumë janë gri
Zef Miliqi me shoke të tij”

Dy dëshmitare të asaj tragjedie që kanë jetuar në Podgorice kanë treguar gjërësisht për qëndresën heroike të Zef Miliqit. Ata thonë se kanë qenë ushtare dhe nuk kanë bërë pjesë në skuadrën e pushkatimit.

Gjashtë martirët e Grudës

Populli shqiptare i atyre trojeve ka treguar gjithmonë respekt për gjashtë martirët e Grudës në krye me Zef Miliqin. Nikollë Zeli siç e quajnë në Malësi, dy ditë pas pushkatimit i ka nxjerrë prej gropave dhe me ndihmën e dashamirëve të gjithë i ka varrosur në Selisht. Që të dy vëllezërit, Nikolla e Marku nderohen për sjelljet e tyre fisnike dhe për heroizmin mitologjik të babës. Nikollë Zeli që është dëshmitari më i vërtetë i kësaj ngjarje jeton në Tuz. Qysh atëherë janë shkruar shumë histori, monografi e vepra të llojeve të ndryshme, por nuk kemi dëgjuar se është bërë diçka serioze për këtë masakër që është e vecantë nga masakrat e tjera. E bën të veçantë sakrifica e Zef Miliqit dhe e tre vëllezërve Lulgjuraj. Masakra e ushtrisë sërbe kundër tre vëllezërve Bytyçi që shkuan nga Amerika vullnetarë në Luftën e Kosovës në vitin 1999 ishte lajm botëror. Pse mos të ishte lajm botëror edhe masakra te Kisha e Grudës. Kuptohet se në atë kohë sundonin diktaturat dhe nuk kishte internet.

Trimëria e Zefi Miliqit është e pashoqe në jetën shekullore. Si e tillë duhet të ndërohet. Vlerat morale të një sakrifice si kjo meritojnë respektin kombëtar dhe gjithënjerëzor. Trimat legjendar si Zef Miliqi respektohen edhe në qytetërimet e huaja, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që është shquar në luftërat më të mëdha të botës për ruajtjen e demokracisë dhe lirisë njerëzore. Eshtë detyrë e jona dhe e brezave pas nesh t’i nderojmë dhe t’i respektojmë ata dhe të tjerët që dhanë jetën për ideale të tilla. Do të ishte vepër fetare dhe kombëtare nëse atje në vendin ku janë vrarë të ngrihej një kryq dhe një monument dhe për çdo vit të Mërkuren e Përhime të kujtohen me ceremoni fetare e qytetare dhe ajo tokë e përgjakur të vizitohet prej shqiptarëve dhe të huajve. Tragjedia e tyre është vepër e madhe për fe, për histori dhe për të gjitha artet. Një fjalë e urtë thotë: “heronjtë mund të vriten dy herë. Atëherë kur vriten dhe kur harrohen”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora