Faleminderit
Azem Hajdari - Atdhetar me fjalë prej ari
E diele, 13.04.2008, 06:19 PM
Nga libri "Kenget e Azemit"
Heroi i Demokracise, Azem Hajdari
Gjok Beci
Atdhetar me fjalë prej ari
O nënë, o bir, kërkoj një fjalë
Azem! Azem ti je gjallë
O nënë, o bir, më jep Flamur
Azem, Azem ti nuk vdes kurrë!
Ra një plumb në zemër të burrit,
Shtangu Shqipja e Flamurit,
Bregu i detit pyeti malin:
-Kush e vrau Azem Hajdarin?
Po pyet Dhjetori i Nëntëdhjetës:
-Kush me plumb po i turret jetës?
A thue flaka që e dogj vendin
S’don me u ndalë pa e vra Azemin?
Zog i rritun nëpër shpate,
Katër herë në atentate,
Si skifter në bjeshkë me borë,
I ka prit plumbat me dorë!
Deputet Azem Hajdari,
Katër herë me votë të lirë,
Atdhetar me fjalë prej ari,
Demokrat që këput zinxhirë!
Kur qe ndryshk fjala e kuvendit,
Kur qe shterr liria e vendit,
Del Azemi në shesh të Studentit,
Përkrah tij gjithë ajka e vendit!
Gjithë shqiptarët në kambë kur çohen,
Idhuj të rremë kudo po rrëzohen,
Dallgët e jugut e të veriut,
Po i mësojnë “Bllokut” vrimën e miut!
Legjendari ngriti dorën
-Shporrni, burra, komunizmin!
Sa Shqipnia t’ja bajmë vorrin,
Ndryshe s’kemi pluralizëm!
Deputet Azem Hajdari,
Katër herë me votë të lirë,
Atdhetar me fjalë prej ari,
Demokrat që këput zinxhirë!
Por zinxhirët prapë kërcasin,
Bahen maskë e n’pritë na vrasin...
Azem trimi me shumë shokë,
Asht liri e asht Europë,
Zemra e tij sa vetë Shkëlzeni
Mbarë një komb e luen prej vendi,
Thërrasin bashkë Kosovë e Shkodër,
Ban durim Çamëri, moj motër!
Tokë e lashtë hap kraharorin,
Shkruaje n’gur 12 shtatorin,
Gdhende thellë me gërma ari,
Nuk ka vdekë Azem Hajdari!
Zog i rritur për fluturime,
Në zemrën tande e në zemrën time,
Katër herë me votë të lirë,
Demokrat që këput zinxhirë,
O nënë, o bir, kërkoj një fjalë,
Azem, Azem ti je gjallë!
O nënë, o bir më jep Flamur,
Azem, Azem ti nuk vdes kurrë!
Hamit Aliaj
Lshoma i za, çohem prej varrit
I
Kush po prin n’Tiranë i pari,
Me rininë Azem Hajdari.
Shqipërinë ka babë e nanë
Besë e jetë ia ka dhanë.
Nëpër marse e dhjetore
Buza i qesh si lule bore,
I përmbys shekujt e zisë
Dritë lirije i sjell Arbërisë.
Refreni:
Azem, flamur,
Ti s’vdes kurrë.
Ti lind në gur,
Jeton trimi në dy fjalë,
O Azem ti je i gjallë.
II
Moj Tropojë mbaje lart ballin
Se të gjalle ti e ke djalin.
Çel pranverat në dhjetor,
Legjendar liberator.
“Nanë Shqipni ta fala gjakun,
Që ta kesh të kuq bajrakun,
S’të harron Azem Hajdari,
Lshoma i za, çohem prej varrit!”
Refreni:
Azem, flamur
Ti s’vdes kurrë...
III
Yjet ndeze mbi Labëri,
N’Mitrovicë shkrep balli i tij,
E kam dhanë besën e burrit,
Me ja heqë plagët e flamurit.
Thotë Tomorri, pyet Shkëlzeni:
Ku është loti për Azemin?
Veç një ditë vajtohet burri?
Këngë për të sa të jetë flamuri.
Endri Vasili
O Pëllumbi i Tropojës
I
Dymbëdhjetë shtatorin mbrëmje e zezë,
Jo s’mund ta çoj në harresë,
U vra Azemi.
Besa do kohë të kalojë,
Veç dhimbjen tonë do ta shtojë
U nda zgalemi.
Refreni:
O pëllumbi i Tropojës,
O pëllumbi i Shqipërisë,
Je simboli i dhjetorit,
Je simboli i lirisë,
Je hero i demokracisë.
Je i gjallë e je në mes nesh,
Në çdo vatër në çdo prag.
Çdo ditë çelin trëndafilat
Ku u derdh i yti gjak.
Tmerr i tiranëve, mik i njerëzve
Në çdo çast.
II
Kur kjo natë të mbarojë
E dita e shpresës të agojë
Vallë çfarë do themi?
Se dielli natën do largojë
Dhe jeta vdekjen do dënojë
Gjallë është Azemi.
Refreni:
O pëllumbi i Tropojës,
O pëllumbi i Shqipërisë...
Agim Doci
Ti fluturove si zog lirie
Buzeqeshja jote si prej fëmije
Ka ngrirë sot në gjoksin tim
Ti fluturove si zog lirie,
U bëre engjëll o vellai im.
Çeli pak sytë te shohësh qiellin
Çeli pak buzët e fol një fjalë;
Të pret mëngjezi të puthësh diellin,
Sa shpejt t’u ftoh i bukuri ballë:
Refreni:
Do ta mbuloj me lule bore
Do ta vatoj me jehonë bjeshke,
Do t’i laj plagët me ujë Valbone,
Do të qajnë shokët me shira vjeshte,
Një degë bajamesh shoh në dritë,
Nje dallëndyshe çukit në xham,
Po pres të vijë pranverë e madhe,
Bashkë me lirinë të sjellë prapë.
Do t’ja puth synin me fllad të erës,
Do t’ja njom buzën në vesë mëngjesi
Do ta pushtoj me mall të zemrës
Se ai Kosovën aq fort e deshi.
Do ta pushtoj me mall të zemrës
Se Shqipërinë aq fort e deshi.
Refreni:
Do ta mbuloj me lule bore...
Dhimbja e malli i Rudinës në dy poezi
Rudina Hajdari
Babi im hero i demokracisë
O ditë e shtunë, ditë e mallkuar!
Me thikë në zemër më kanë qëlluar.
Një krismë u ndje në shpirtin tim
Për babin, për babin tim.
Një kujtim më
Mbetet nga babi im:
“Njeriu nuk është jetim
me Demokracinë.
Po te isha pa baba
E pa demokraci
Atëherë do të isha vërtetë jetim.
Për babin tim po vajton
Shqipëria Kosova e Çamëria.
12 shtator ditë e zezë.
Çdo njeri hap radio “Kontaktin”.
Ka ndërruar jetë Azem Hajdari.
Iku zemra e çdo shqiptari.
U dridh një mal,
U thye një shkëmb,
Ditë të zeza po kalojmë.
Në sytë e mia lot po pikojnë,
Zemra bën të mendojë,
Babit tim një vjershë t’ia kushtojë.
Për ty poezia s’mbaron kurrë
Ishe trim i vërtetë.
Po e mbyll këtë poezi
Me dy pika lot në sy...
Babi im
Aty pranë memorialit të tij
Ulem. Gjithçka më kujtohet...
Kur isha e vogël e kapja,
E shtrëngoja
Buzët e tij viheshin në gaz,
Nga goja e tij rridhte fjala:
“Rudina ime e dashur
Kur të rritesh më kujto
E kurrë mos më harro!”
Dua të qaj po s’qaj dot
Lotët e mia janë tharë.
Dua të urrej njeriun që e ka vrarë
Por nuk urrej dot.
Jam fëmijë dhe nuk dua të di
Ç’është urrejtja në këtë gjithësi.
Kjo letër e bardhë është mbushur
Me lot.
Këtë poezi s’mund ta mbaroj dot.
Flamur Shqiptari
O Azem, o shqipe malit!
Mallkue qofshi
O trathtarë të atdheut,
Vratë stërnipin e Skënderbeut,
Një shqiptar të vërtetë.
Rrallë do lindin nëpër jetë
Si Azemi trim me fletë.
Fjalë mprehti,
Shpatë çeliku
Që ish tmerri i armikut.
Të vranë o Azem!
O vëlla të vranë.
Ata që bukën
Nga greku
E serbi hanë
Ata që nuk kanë atdhe.
A vritet Flamuri
Dhe dielli me pushkë,
E flamurtari,
Trimi i trimave,
Azem Hajdari,
Simboli i demokracisë,
Trimi i Kombit mbanë?
Ku flitet gjuha shqipe
Që nga Çamëria
Në Ulqin e Tivar
Dhe si diasporë
Ku janë shqiptarë.
O Azem o shqipe mali
Do të rrosh në zemrat tona
Brez pas brezi
E djal pas djalit.
Sa t’ket qiell,
Sa t’ket diell,
N’kombin mbarë,
O i madhi shqiptar.
O Azem!
Mik, shok e vëlla,
Armiku nuk t’u nda,
Të qëlloi mu në zemër.
O i madhi emër,
Simbol i demokracisë,
O hero i Shqipërisë,
Vepra jote do të ndrisë
Nëpër kombin mbarë.
Ti do rrosh në zemrat tona
Siç rron Drini dhe Valbona.
O ti shqipe, shqipe malit,
Brez pas brezi
E djal pas djalit,
Siç rrojnë malet tona t’naltë
Vepra jote madhështore
Aq e artë.
Zyber Skëndo
Promete i demokracisë
Kush ka dëgjuar për shqipe mali,
Kush ka parë viset e Dardanisë,
Aty u lind Azem Hajdari,
Ky promete i demokracisë.
Ky truall i stërlashtë si vetë shqiptari
Që vetëm trimëresha e trima polli
N’kët truall u lind Azem Hajdari
N’kët truall u lind dhe Mic Sokoli
Këtu u lind Iljaz Pashë Dibra e Haxhi Zeka
Kosharja, Vokshi, Boletini e Jakup Ferri
Pasha besën këtë vend e ka frikë edhe vdekja
E jo më një cub bir cubi sic është serbi
Pasha besën që ka shqiptari,
Bash nga ky gjak ishe Azem Hajdari,
Kush ka dëgjuar për Kreshnik Malësije,
Kush ka dëgjuar për dragoj,
Bash kështu ish ky bir Shqipërie,
Rracë e denjë vetëm për heronj.
Ti s’i kishe borxh askujt
Ti luftove për Atdhe,
Por këtu sundojnë të huajt
Që nuk kanë moral e fe.
Kur në sheshe të Shqipërisë
Ti ishe gjithmonë i pari,
Thirrnin trimat e mençurisë
Dilni! Po vjen Azem Hajdari!
Pasha besën ta shikoje
Nëpër sheshe të Shqipërisë,
Thua ishte ortek bore,
Perëndia e lindi prijs.
Në fillim njerëzit s’e njihnin,
Pyesnin kush është ai i riu, ai i madhi.
Përgjigjeshin burrat me lot në sy,
Ai është Azem Hajdari.
Të gjithë shqiptarët kanë dëgjuar
Duke brohoritur dhe kënduar
Burra, gra, çuna dhe goca
Azem, Azem, ti je bota!
Një nënë 46 vjeçare me inicial Z
Mallkuar tradhëtarë
Po pyet mbarë populli shqiptar:
Çfarë kanë malet që po ushtojnë,
Çfarë kanë bjeshkët që po gjëmojnë,
Ç’kanë bilbilat që pushuan këngën,
Zi e madhe pushtoi Tiranën.
O Azem, o nder i kombit
Hape dheun e çou prej vorrit,
Shporre farën komuniste,
Sepse duan të tradhëtojnë kombin.
Ai tradhëtar Azem që të vrau ty,
Ju ngujoftë dera me dry,
Mos gëzoftë grua as fëmi,
I këndoftë qyqja përmbi.
Ti tradhëtar qofsh mallkue,
Dheu i zi s’ka me të tretë,
Si na vrave atë djalë të ri
Le jetimë tre fëmijë,
Ja le nusen veshë në zi.
O Azem, ti je gjallë,
Sa të ketë diell e sa të ketë hanë,
Sa të jetë jeta e shqiptarit,
Krenaria e kombit tonë,
Do jetë emri i Azem Hajdarit.
Mexhide Noka
Të falem ty
Të falem ty, o dritë,
Të falem ty, o yll,
Të falem ty, Azem,
O bir i Shqipërisë
Që derdhesh si furtunë
Në luftë për liri
Për këtë truall
E për këtë atdhe,
Që na e lanë trashëgim
Stërgjyshërit.
Kush Azem atëherë ’90 guxonte
Diktaturën të rrëzonte
E hallet e shqiptarëve bashkë t’i vajtonte,
E rrezikun e jetës duke e marrë mbi vete.
Zoti i madh të lartësoi
Të dha trimëri.
Të falem, Azem
Të falem ty, o yll i Shqipërisë,
Të falem ty, o dritë,
E qofsh gjithmonë pranë Zotit!
Mexhit Kokalari
Martirit të demokracisë
Me gjuhën e folklorit
Ç’është ky trim që zbret nga mali
Nga Tropoja si zorkalli?
Eshtë trim Azem Hajdari.
Kush ia bëri i pari prima
Që shkeli mbi vetëtima?
Eshtë Azem flamurtari,
Zemër trimi luftëtari.
Kush lufton për Shqipërinë?
Kush kërkon demokracinë?
Azem trimi, djal’i ynë.
Ngrihet në këmbë parlamenti,
Gjithë armiqtë nga sikleti
Kur flet Azem deputeti:
Burra për demokracinë
Të shpëtojmë Shqipërinë.
Flakë e tij flak’vetëtinë,
Tmerroi armiqësinë
Që urrejnë demokracinë.
Me gjuhën tënde luftove,
Gjithë armiqtë i tërbove.
Pesë herë të vunë në pritë
O Azem, o yll, o dritë.
Pesë plumba përtej të shpuan
O flamur me gjak mbuluar,
Dot për tokë nuku të shtruan,
Luftove, Azem, luftove
Vehten tënde s’e peshove,
Namin tej detit e hodhe,
Shqipërinë e nderove.
U përpoqe natë e ditë
Atdheut t’i japësh dritë.
Azem trimi bukuria
Të vajton gjithë Shqipëria.
Ti të hëngri tradhëtia.
Po për neve je i gjallë
O Azem, o trim i rrallë.
Mbete flamur për rininë,
O mali me trëndelinë.
Të shpëtojmë Shqipërinë.
Ta bëjmë siç e doje tinë,
Të sjellim demokracinë,
Të lulëzojë vendi ynë.
Abdyl Ahmet Maçi
Përpara përkujtimores së Azemit
Për kuvend, për trojet etnike
Ngriti zanin si në luftë kreshnike,
Me fuqi e me trimni
Për Kosovë, për Çamëri.
Me Azemin ballë për ballë
Midis nesh e kemi të gjallë
Jetë e mot, ka me u përmend
Në kushtrim e në kuvend.
Ju shtie në be, në besën e Zotit
Mos me derdhë as një pikë loti,
Se trimnia nuk vajtohet
Po me kangë e lahutë këndohet.
Këndojnë trojet amtare
Ku len dielli e ban dritë hana
Si Azemin pak lind nana,
Lum Shqipnija për atë djalë,
Jetën kombit ja ka falë.
Katër herë i dolën n’pritë,
Kërkush s’mujti me e kosit.
Pa ju tremb syni aspak
Tokën nanë e lan me gjak.
Si Azemi gjinden rrallë
Nuk ka vdekë por asht i gjallë,
As s’asht vra, as nuk do të vritet,
Për çdo ditë ma shum’po rritet.
Nanë, djalin, mos vajto,
Shqiptaria e ka hero
Desh lirinë, nuk duroi pranga,
Për Azemin ushton kanga.
Këndon Tropoja, këndon Shqipnia,
Këndon Kosova, këndon Çamëria,
Po këndojnë motrat kosovare
Këndojnë për “Ty” trojet amtare.
Flamur Dalipi
Këlcyrë – Përmet
Nga Tropoja te Përmeti
U përgjak mesi i shtatorit
Me studentin e dhjetorit,
Deputet katër herë,
Trim dragua mbi të tjerë.
Dhe ashtu me njolla gjaku,
Si shqiponja te bajraku,
Tha në fund të jetës tija
“Le të rrojë demokracia”.
Pritë i bënë urë më urë,
Bjerë e ngreu mbi diktaturë,
Nismëtar në zemra mbeti,
Nga Tropoja tek Përmeti.
Dhe për Ty si flamur gjak
Do të këndojë çdo gurë e prag,
Gjaku yt për Shqipërinë
Kalldrëm për demokracinë.
O Azem ti je i gjallë,
Pishtari me zjarr në ballë,
Mbi Ty ra dora e krimit,
Ti mbetesh flamur i hymnit.
Sami Metalia
Djem zemërflamur
Në shenjë respekti për veprën e tij të pavdekshme, në pamundësi për të vendosur një buqetë me lule për shkak të përndjekjes nga pushteti komunisto-socialisto-kriminel, po i dërgoj nga larg këto vargje si homazh për mikun tim Azem.
Bajrak gjallë, bajrak vdekur,
Trim tribun gjithmonë ke mbetur,
S’t’paska le nan prej barku,
T’paska qite huta prej çarkut.
A thue prej Shkëlzenit more trimni.
Prej Valbonës t’kaltër more hijeshi.
Turrin ku e more, po fjalën e zjarrtë.
T’i bën dhurat’zanat e bjeshkës së naltë.
Me vrullin si dallgë, me shpirtin liri
Për t’bukurën e dheut, nënën Shqipëri,
Liri për këtë tokë plot me vaj e halle,
Liri për nënën, loken hallemadhe.
Azem gjëmimtari s’do harrohesh kurrë,
Gjaku yt i kuq zbukuron flamur,
Brezat ikin, vijnë, por lavdi mbetet
Vepra për Atdhe, viteve nuk tretet.
II
Dridhuni lakej, gjarpërinj të ferrit,
Zemër kriminel, pjellë besnike e territ,
Si orteg i borës, që zbret prej Shkëlzenit,
Pritne, bëni ballë, hovit të Azemit.
III
Nga Mamurrsi, n’Lazarat,
Valë valë turri demokrat,
Nis tek valët e Valbonës,
N’zë t’Kurbinit Shkodër loces
Në Kavajën heroike,
Në kalanë gjirokastrite,
Në Tiranë, Korçë, Berat,
Në Mirditë, Dibër e Mat.
N’Krujën trime të Skënderbeut,
N’trandofilt e Përmetit,
Në Sarandën mbretëreshë,
Fier, Lushnje, Kurvelesh,
N’Elbasanin zonjërëndë,
Gjithë Shqipëria është në këmbë
Shpërthejnë sheshet zjarr e mall,
Azem, Azem ti je gjallë!
IV
Hej, Tropojë krenare e mbrujtur me gjak,
Druej për ty nanloke kemi dhanë shumë pak,
E n’qoftë pak shpirtneshë, jetët që të dhamë,
Jepe, nënë, piskamën djemtë e tu çohen n’kambë.
Djemtë e tu si pranvera, djem zemërflamur,
Që thellë ngul’kanë rrënjët në çdo shkëmb e gur.
Gjermani, prill 2000
Ditën që ty të vranë
Bir Azemi që më helmove,
Shpirt e zemër më coptove
O vigan i Shqipërisë
Kosovës dhe Çamërisë.
Që ditën që ty të vranë,
Nëna, motra ty të qajnë.
Ti s’ke vdekur je i gjallë
Ke me vehte ideale.
Ishe lulja e rinisë,
Kombi e nderi i Shqipërisë,
Të qan motra arbërore
Ty Azem trim i rinisë
Themeluesi i demokracisë.
Shumë prita, biro të bënë,
Shumë plumba të qëlluan
Dhe në parlamentin e qelbur
Deshën të të eliminuar.
Djalë, nëna kur të rriti
Të dha qumështin e saj
Të mësoi të duash kombin
Dhe të mos jesh bir tradhtor.
Azem, djali, s’të harroj
Dhe s’kam për të harruar kurrë,
Të kujtohet biro djalë,
Kur për të fundit herë, erdhe në Vlorë?
Tek urë e Vlorës në Mifol
Biseduam gojë më gojë.
Kush të vrau or bir?
Kush biro të goditi?
Këtë plan, kush e përgatiti?
Ti i njeh se i ke parë
3 kulisha e 3 tradhëtorë!
Vranë Azemin, vranë lirinë,
Ty të vranë o shqipe mali,
Ty të vranë o sokol djali,
Zëri jot kudo kumbonte,
Tradhëtarët i tmerronte!
Leonard Duka
Shkolla 8 vjeçare “Emin Duraku”
Djal’i Arbërisë
Trupi yt lul zambaku,
Kush të bëri ty me gjak,
Se pesë plumba ty s’të vranë,
Prandaj katili me mjekër,
Të qëlloi me dorë tjetër.
Bajram Hidri
Dritë demokracie
O Azem zemërluan
Të kërkojnë në Tiranë,
Në Tiranë në Shqipëri
Të kërkojnë jug e veri.
O Azem, o zemër burrë
Shqipëria s’të harron kurrë.
Qajnë nënat dhe rënkojnë,
Bir Azem ty të kërkojnë,
Qajnë motrat veshë në të zi
Si të vranë në pabesi,
Të qau gruaja dhe fëmija,
Të kërkon ty Shqipëria,
Se je drita e demokracisë,
Ishe shpresa e Shqipërisë,
Mik e shok ty të kishim
Bashkë në luftë kudo ishim,
Azem nuk të harrojmë kurrë
Rreze drite në flamur,
Si shqiponja dykrenare,
Ti për ne je gjithmonë gjallë.
Mallkuar qoftë dora gjakatare
Që e vrau këtë shqiptar,
Nuk do të ketë paqe as qetësi,
Në Kosovë as në Shqipëri,
Pa t’u gjetë vrasësit ty.
Avdyl Krasniqi
Flakadan lirie
Azem! Përplot plagë trupit që kishe,
Plagë të freskëta ngjyrë dylli,
Bluzën flake ngjyrë dylli tani vishe
Flakadan ishit! Jeni vetë ai ylli.
Yll me përmasa unaze Kosove!
Në vështrim bashkimi të copave të trojeve!
Për hënën e plotë! Për tokat arbërore!
Fontanë demokracie, si burim prej krojeve!
Gjithçka është e përjetshme,
Çdo gjë që është për të vërtetën,
Drita është e përgjithshme,
Kur është vepra për jetën.
Për aq rron edhe shpirti,
Azem qielli të ka lakmi,
Edhe pse derdhet mishi,
Dheu të mban lavdi!
Artan Gjini
Bolzano – Itali
Elegji
“Nëno moj, vajto merr malin
Larot ta përmbysën djalin” (F. Noli)
Demokrat Azem “ Dardanin”,
Që në gjoks priti gjerdanin,
Tropoja rriti viganin
Tetëdhjetë plumba dot s’e ndalin.
Tetëdhjetë plumba e prap nuk bie
Ky ANTE, ky bir malësie,
Mal më këmbë ballë çdo stuhie,
As u tut e as u thye
(Plumbat burrit i kanë hije)
Moj Tropojë për bijtë që rrite
Nëpër shkrepa, bashk’me shqipe,
Këtë herë shumë u trondite
Për Azemin dy herë shqipe.
Ndizi malet të këndojnë,
Burrat që ndër breza rrojnë,
Çiftelitë që lot kullojnë,
Birin tënd e trimin tonë.
Shkëmb graniti e zemrën hekur
Azem...! Re për të mos vdekur.
I pa vdekshëm, i pa epur,
Gjaku yt themel për shekuj.
Për atdhe, demokracia
Brez më brez FANAR I NDEZUR.
Dy herë të shtinë, ti prap u ngrite,
Kjo tokë e përgjakur fuqinë ta përtërinte,
Shqipja kukumjaçkës përmbi kokë i rrinte
Arkivoli bosh si Bombë Atomike.
Vrasësit tmerruar – tmerruar prej frike
Se Azemi i gjallë, printe vetë në ballë
Ky theror i rrallë, drit’e e rreze drite.
Shqipëri – shpalos flamurin,
Mbulo Trimin, mbulo Burrin,
Azemin që gjoksin vuri
Në themel tek hidhet guri.
Zogu i bjeshkës ndali këngën,
Zana e malit klithi NEMEN,
Shqipja dysh e çau zemrën:
Ç’janë ata që shkulën rrënjën?
Ç’janë ata që vrasin nënën?
Ç’janë ata që vranë djemtë,
Vranë djemtë e bënë gjëmën?!
Kush po e vret Shqipërinë?
Janë ata që venë e vijnë,
Beograd, Shkup e Athinë,
Për çdo ditë një fytyrë
Ku të ç’vatin e kë të fshijnë,
Kush më shumë e kush më mirë
Nëpër gjak me not kaluan,
Nëpër Shqipërinë e ‘lirë’.
Shtator ‘98
Iljaz Morina
Tribunit të demokracisë
Kushtuar Azem Shpend Hajdarit
(Bajram Curri 1962 – Tiranë 1998)
Shtator, data dymbëdhjetë
E vitit 1998,
Azem or patriot shqiptar
E vrau dorë e kriminelit
Por Azem ti s’je vrarë
Për jetë të jetëve je i gjallë,
Je tribun i Demokracisë,
Je Hero i Shqipërisë.
Prizren 13.09.1998
Entela Safeti
Heroi im
Arratisur engjëjt,
Arratisur ishin njerëzit,
Në ekzistencën instiktive,
Kryeministri, ministrat, shteti...
I ndërronin avionët,
Pas një traktati modern
Ishte shitur Kosova,
Sa një shekull vetmi nata...
Në trotuaret bosh, shiu mbi statujat e ngrira binte.
Të kisha qenë atje, si profet, si shtrigë të të thoja:
“Sonte mos dil prej kështjellës, heroi im!”
Krimi harbon rrugëve...
Pas intrigës, vrasja kridhet...
Por kishte ndaluar koha.
Në gjumë m’u fantaks, krisma e armëve,
...dhe gjaku dënoi vjeshtën.
Unë qava për ty heroi im...
Pas meje një popull veshur me të zeza
Pas nesh vjeshta
Ulërin dhimbja,
Gishtat si flatra pëllumbash,
Flatrojnë motit te keq
Gjaku më është bërë ujë prej së keqes
Dhe loti gjak prej urrejtjes.
M’u sos durimi,
Në vend të zemrës një gur varri kam,
Në vend të syve rrufe. Në vend të gjakut det.
Të desha heroi im, siç dua tokën tonë,
Siç doje ti Shqipërinë, Çamërinë
Të pres vëlla
Udhëtojnë heshturazi në trotutarë statujat
Në memorjen e kohës.
Ekranet ndizen e shuhen në të njejtin marsh
Populli ekzistencial shumohet dhimbjes
Nën nofullat e mashtrimit
Krimi ripërtyp, njeriun
Në ashtin tim,
Plaga e tokës dhemb,
Në gjakun tim rrjedh gjaku yt i derdhur,
Përreth tingujt e harresës
Zhubrosen hartën e Shqipërisë.
Të pres vëlla!
Ti po vjen
Si Kostandini përtej vdekjes,
Kalëruar historisë, fundshekullit.
Si oshëtima e Bjeshkëve!
Bela Dika
Studente
Baladë për heroin
Ti linde mes shkëmbinjsh
Atje ku lind djali diell, e vajza hanë.
Ti linde aty ku shkrep lot malësori
E njerëzit dhe matanë kufirit asaj toke i thonë nanë.
Ti lind si agimi i bardhë
Dhe dritën Shqipërisë ia fale
Si perëndia e shenjtë tokës mbarë.
Nënë erën dhe rrebeshet euforike
Mbijetove vështirësive, hero.
S’të trembi kurrsesi jeta
Dhe pse lëkur’ luani mbante veshur ajo.
Pishtar i demokracisë së brishtë,
Helm për ithtarë u bëre,
Dhe s’pate më një nënë
Por mbarë nënat shqiptare.
Pas shpine të qëlluan antishqiptarët
Por ti nuk vdiqe, o Azem,
Nuk vdiqe, po u ktheve flamur,
Himn për ty qenë thirrjet:
“Ti je bota, je mes nesh, s’do vdesësh kurrë”!
Të qava si motër, o vëlla,
E qyqe u bana nga i madhi idhnim
Por motrat shqiptare dhimbjen e ndanë
Përsëri më kthyen njeri.
Të qava si foshnjen që pret agimin
Klitha si fëmi që porsa lind
Më trishtoi zëri i një shpirti:
S’të njoha kurrë babai im”.
Ti linde si dielli i mëngjesit
Nga nevoja për të terur ca lot të ashpër nënash,
I pavdekshëm u bëre që atë ditë
Kur Shqipërisë ia fale shpirtin dhe mendjen.