Faleminderit
Remzi Limani: Sabrije Spahiu - Ecja në majë të gishtërinjëve
E hene, 24.09.2012, 05:00 PM
40 vjet të
Baletit Kombëtar të Kosovës
ECJA NË MAJË
TË GISHTËRINJVE
(Notë e merituar për lojën skenike të Sabrije Spahiut)
Me ecje të lehtë, pa zhurmë - si një fugë, rrotullohej rreth vetes si lodër fëmijësh - pa u trembur përdridhej me erën dhe këngën e fyelltarit. Kjo rreze shprese e baletit tonë, në kohën e saj gjithnjë luante me valë ndjenjash, në mënyrë të gjallë e konkrete, me tipare fizike të paraqitshme fërfërinte me gjithë shtatin së bashku me erën e gjetheve.
Në vitin 1966,
pas një nevoje imediate dhe kërkesës skenike të Teatrit Popullor Krahinor të asaj
kohe, merret vendimi për arsimimin e kuadrove të domosdoshme për begatinë kulturore,
saktësisht për formimin e Trupës së Baletit Kombëtar. Dhe, në vitin 1968,
fillon shkollimi i 25 të rinjve kosovarë, si kuadrot e para të diplomuar në Shkollën
e Mesme të Baletit në Shkup.
Balerina
e nderuar, zonja Sabrije Spahiu (1960), u lind
në Mitrovicë, ndërsa në vitin 1978, diplomoi në Qendrën e Baletit dhe të
Operës në Shkup – në temën “Vallëzimi i Karakterit Botëror dhe Vallëzimi
Historik”, në klasën e Prof. Elizabeta Kushevska.
Në vitin 1979,
punësohet në Teatrin Popullor Krahinor të Prishtinës, përkatësisht në Trupën e
Ansamblit të Baletit, si anëtare e rregullt. Ajo merr pjesë në shumë projekte
teatrale; në shfaqje, në drama dhe pjesë kamertale në role të ndryshme që atëbotë
shfaqeshin në skenën e Teatrit të Prishtinës.
Gjatë punës
së saj artistike, luajti role me interes në këto shfaqje: “Halili dhe Hajrija”,
“Bolero”, “Shtrausijada”, pjesë kamertale në rolin e Besës, baleti “Vallja
pranverore”, “Sizifi”, “Era”, “Pjetër Pani”, “E bukura More”, “Dasma”, “Balloja
e kadetëve”, “Fyelltari” si dhe TV përrallat për fëmijë, “Bukuroshja e fjetur”,
në rolin e Princeshës dhe TV përralla - “Nusja”.
Pra,
Sabrije Spahiu, qysh në shkollën e ulët të baletit, filloi kërcimet e para
artistike dhe ecjen në majë të gishtërinjve, duke formuar figurat e para
artistike të shoqëruara me muzikë baleti. Dhe, kështu, Sabrija mori trup e
hodhi shtat që të luftonte me f0rmat e trupit të saj të lirë dhe plasticitet të përkryer, që hynte në syrin e çdo
shikuesi – si lakmi ndaj të bukurës dhe lëvizjeve të harmonizuara skenike. Me
trup të hedhur, ajo harkohej si gruri i pjekur nga era e lehtë – e ndritshme si
hëna harkpraruar e, herë–herë, me trup të prerë e të thyer nga ritmet artistike
lëshohej e ngritej sikur në vallën e gjarprit. Ajo, me zemër e shpirt, hynte në hapësirën
skenike, gjithnjë e sigurtë në interpretimin e roleve të ndryshme, vazhdimisht
duke i shndërruar në figura të përkryera artistike.
Pas
largimit të dhunshëm nga Teatri, në vitin 1992, që asokohe menaxhohej nga
drejtoria e dhunshme, e udhehequr nga drejtori i instaluar serb, prej vitit 1992
deri më 1999, Sabrija nuk e ndërpret aktivitetin e saj artistik. Ajo vazhdoi
duke u angazhuar në jetën kulturore – skenike, nëpër festivale të ndryshme që organizoheshin
nëpër qytetet kosovare dhe ato të Shqipërisë. Edhe nga kjo periudhë kohore,
balerina Spahiu, veproi e angazhuar në projekte dhe aktivitete të ndryshme
kulturore – në bashkëpunim dhe në duet me kolegët e saj kosovarë dhe me ata nga
Shqipëria. Në duet me Ahmet Ibrahimajn, mori pjesë në manifestimin kulturor,
kushtuar Ditës së Flamurit, në Gjakovë. Po ashtu mori pjesë edhe në Festivalin
e Këngës në Prishtinë. Gjithashtu, në duet me Rexhep Çelikun, mori pjesë edhe në
manifestimin e njëvjetorit të vdekjes së
poetit, Azem Shkreli, që u organizua në Tiranë.
Në vitin 1995
– balerina jonë Spahiu - ftohet nga Komiteti Ndërkombëtar për të Drejtat e
Njeriut në Stokholm, për të marrë pjesë dhe për të raportuar mbi gjendjen e
institucioneve kulturore – artistike, pas instalimit të masave të dhunshme në Kosovë
nga regjimi serb. Në paraqitjen e saj dinjitoze dhe raportimit të saj mbi
gjendjen faktike që përjetonte popullata shqiptare dhe institucionet kulturore
në Kosovë, fjala e saj zgjoi interesim të madh te faktori ndërkombëtar, për
gjendjen e rëndë, duke sensibilizuar të vërtetën mbi shkeljet flagrante të të drejtave
të njeriut në Kosovë.
Pas
rikthimit të Ansamblit të Baletit, tashmë në Teatrin Kombëtar (1999), edhe
Sabrija i rikthehet punës profesionale dhe, pas një kohe të shkurtër, ajo
paraqitet në skenë në rolin e Princeshës, në shfaqjen e baletit “Princesha dhe
katër kavalierët” dhe, më pastaj, në shfaqjen “Fyelltari”.
Krahas
punës në teatër, Sabrija merr iniciativën për hapjen e studios së baletit “Mjellmat”
në Prishtinë, e cila studio qysh nga viti 2003 e deri në ditët e sotme, eshte
duke punuar me fëmijë të moshave të ndryshme. Falë punës profesionale dhe të palodhshme
të Sabrijes, si pedagoge e baletit, nga kjo studio nxori një numër të konsiderueshëm
talentësh, të cilët tashmë ndjekin mësimet në shkollën speciale për balet në Prishtinë.
E tëra kjo, Sabrijen e bën të denjë për t’u nderuar si balerinë dhe si pedagoge.
Pa dyshim, kjo artiste dha një kontribut të pamohueshëm në skenën e Teatrit
Kombëtar dhe zuri vend të merituar në historikun e skenës teatrale shqiptare.