Kulturë
Albert Habazaj: Lirika patriotike e poetit Kristo Çipa
E hene, 24.09.2012, 06:42 PM
LIRIKA
PATRIOTIKE DHE SHOQËRORE E POETIT KRISTO ÇIPA
Parathënia për vëllimin e tij më të ri poetik “Kambana e dashurisë”
Nga ALBERT HABAZAJ
Emri i Kristo Çipës është i njohur në botën e pasur e të
kthjellët të Gurrës Popullore jo vetëm në Himarë e Labëri, për të cilat këndon
me shpirt: “Labër edhe himariotë/kanë një
gjak e një kokë”, por në mbarë
trevat ku jetojnë bashkëkombësit tanë. Emri i tij tashmë ka fluturuar edhe
matanë hapësirave ndërshqiptare, në Mesdhe, në Ballkan dhe në Europë. Këtë fakt
e pohon thjesht, natyrshëm dhe krenarisht me vargjet e tij: “Brenda dheut tim unë jam/Sa shqiptar dhe
europian”. Ai, me pasion artisti e zjarr atdhetari, është bartës, mbledhës
dhe krijues i njësive folklorike, që bëjnë jetë aktive në komunitetin që
pranohen, pëlqehen dhe qarkullojnë bukur. Në vitin 2004 boton në gazetën “Tema”
një shkrim etnokulturor me titullin: “Gjirokastra
2004, reminishencë e festivaleve të diktaturës”, ku paraqet situatën
folklorike të servirur, ngre probleme dhe hedh ide, sepse e do, i dhemb dhe do
ta shërojë këngën kombëtare që u sëmur, se e lënduan.
Ndërkohë, emri i Kristo Çipës regjistrohet edhe në
letërsinë shqipe për poezinë, së pari me librin e botuar në Tiranë nga “Toena”,
në vitin 2008, ku në 95 faqe ka 55 poezi nën titullin, si një fjalë e urtë: “Guri i rëndë në vend të vet”. Dy vjet më
vonë, po nga “Toena”, në 2010-n, jep një kontribut për folklorin shqiptar me
botimin e librit 88 faqësh “Ruzana: mite
dhe legjenda të Pilurit”, për të cilin pata fatin të jem redaktor i librit,
në të cilin janë botuar shtatë legjenda, të paraqitura aq bukur, si një shërbim
fisnik ndaj lexuesit dhe, për atë libër, shkrimtari Skënder Hasko shkruan: “... Kristo Çipa na i sjell si një gjerdan
floriri, që duhet varur në gushën e secilit”.
Me sagat e legjendat e Pilurit, Himarës dhe Labërisë,
Kristo u bë erë e u bë zog; freskoi njerëzit me aromën kombëtare që përhapi,
trokiti në zemrat e tyre që të rizgjojë ndjenjën e respektimit dhe transmetimit
të vlerave më të mira të trashëgimisë kulturore jomateriale, gojore, të
pashkruar, që ka shënuar kujtesa e popullit përgjatë udhëtimit të jetës,
brezave të rinj.
Erdhi 2012-a, 100 vjet Pavarësi Kombëtare. Ndërkohë kam
të qartë ritualin e Kristos: ai çdo dy vjet boton libra në Tiranë te “Toena”,
dhe jo më shumë se 100 faqe, sepse do miell cilësor frymëzimi për bukë
artistike. Nuk rend, nuk do të duket ai, sepse e di që vepra e mirë e lë vetë
gjurmën, s’ka nevojë për promocionin e shtirur në kërkim të emrit fals. Ai
është i vërtetë, si dheu, si ati, si mëma, si deti, si lumi, si Piluri, si
Bolena, si mali, si vëllai, si motra, si djali, si vajza, si jeta, si vdekja,
si shëmbëlltyra e gjallë dhe e pastër e së vërtetës vetë. Nuk mund të rrinte
Kristo Çipa pa i bërë një dhuratë shpirti 100-vjetorit të krijimit të shtetit
shqiptar, nderimit të Flamurit Kombëtar dhe kujtimit të burrave të ndritur të
kombit, Ismail Qemalit, Isa Boletinit, Luigj Gurakuqit, Rasih Dinos e viganëve
të tjerë të Pavarësisë. Me fillimkorrikun e 2012-s, më vjen “Kambana e dashurisë”, libër poetik, ku përfshihen 46 vjersha dhe një poemë me strukturë
baladeske, në 55 strofa katërvargëshe, kushtuar princeshës Rugjina Balsha të
Kaninës, e cila, pas dyndjeve osmane në Kaninë, u detyrua të linte kurorën
princore dhe të jetonte në ishullin e Korfuzit, ku u varros me dheun që solli
me anije nga brigjet e Himarës.
Interesant rituali i Kristos: boton çdo dy vjet, nuk
nxiton, se s’do të pengohet, boton në Tiranë dhe vetëm te “Toena”,
kryeprincipata e botimeve shqip, me zotërues Irena dhe Fatmir Toçin, që i
përkasin gjithë Shqipërisë së Letrave dhe Globit të Letrave që shqipërohen, por
së pari “Kuçi i Fatmirit është vëlla me
Pilurin tim...” - mendon, thotë e
vepron K. Çipë Pilurjoti. Komentet janë të panevojshme, nënteksti lexohet
qartë.
Profili letrar i Kristo Çipës na shfaqet te vëllimi më i
ri poetik “Kambana e dashurisë”, si
një autor i linjës liriko-epike, që noton bukur në detin e Romantizmit të
Rilindjes Kombëtare, vëzhguar nga ne në kontekst, kushtëzuar nga rrethanat,
koha, hapësira, faktorët që ndikojnë për të realizuar misionin hyjnor dhe
njerëzor, si krijues dhe qytetar në kushtet konkrete. Përbën një rast specifik
të lavdërueshëm e fatlum për kombin, jo vetëm krijimi i Kristos, plotësuar
harmonishëm në disa plane të Lirisë, si e drejtë universale dhe identitetit,
por edhe si e drejtë e vlerës personale; por, do të thosha me dinjitet, mbarë
Lëvizja Atdhetare, Kulturore, Artistike e Letrare e familjes Çipa, e vëllezërve
Çipa, me shembullin e Lefter Mëmëdhetarit, që, si rilindës nën furtunë e
vetëtima, banojnë, jetojnë e kontribuojnë buzë brigjeve të ashpra e të
mrekullueshme të Jonit të kaltër, në Himarën e tyre dhe tonën, si lule me
bërthamë drite e rrënjë Shqipërie. Poezitë e Kristos kishin dhe kanë frymë
romantike, të cilave u rri bukur kostumi tradicional që i vesh krijimit. Ato
shprehin përjetimet e një shpirti të lirë të bregasit të sotëm, që vetëm
diellin pranon përmbi shqiponjë, e tjetërkënd jo, kushdoqoftë ai, sepse në
Himarë “edhe zoti vjen i ftuar”,
sepse është një shprehje në Labëri: “Ne
mikut i themi hajde, po zot shtëpie s’e bëjmë...!”. Mesazhet janë të
fuqishme në vargun e Kristos, jo thjesht për paraqitjen në mënyrë artistike të
ndjenjave dhe realitetit jetësor në tërësi, por sepse shpirti i rebeluar i
idealistit të ri që kërkon lirinë, të vërtetën e poezinë, nëpërmjet një
fantazie pjellore, synon një art realist, human dhe universal në Atdheun e tij
që duan ta lëndojnë, në trojet e të parëve, ku ka kujtimin e të atit, gjyshit,
stërgjyshit e katragjyshit, ku ka varret e tyre, këngët e vajet shqip, gëzimet
e hidhërimet, lindjet, jetën, dasmat e vdekjet shqiptare, pa i rënë kujt në
qafë, pa lejuar kërkënd t’i bjerë në qafë. Në poezinë e K. Çipës gjejmë dy
motive kryesore: patriotike dhe shoqërore. Motivet patriotike ravijëzohen që te
poezia “Mëmëdheu”, që çel vëllimin dhe që vjen si një
bulëz çajupiane bashkë me të tjerat, si: “Rrojmë
në shpirtin e Lirisë”, se “Brenda harkut të lavdisë/kemi Gjergj e
Skënderbe/rrojmë në shpirtin e lirisë,/lirinë kemi Atdhe”, apo vjersha e llojit epik “Gjolekë Liria”, e të tjera, si: “Jemi lisa, s’jemi hije”, “Lufta e Vlorës”, “Himarë, o lulja Himarë”, “Dheu
im”, apo “Këta kapedanë guri”,
sepse “Amanetin kanë për gunë/Këta
kapedanë guri,/Kokën vënë mbi furtunë,/Qiell për ta është flamuri” e
prandaj konkludon autori shekspirianisht me ndjenjën tragjike: “Sa të ketë diell toka/Trupin do kërkojë
koka!”. Te lirikat patriotike kemi një paraqitje poetike në frymën e
idealizmit karakteristik, jo vetëm të rilindësve, me ngjyra madhështore, ku
shquan bukuria morale e fatosave shqiptarë, ku shprehet jo vetëm forca e
dashurisë për atdheun, po në thelb edhe besimi në vitalitetin e kombit, në
rievidentimin e lavdisë shqiptare të kapedanëve himariotë të lirisë. Autori e
shpreh idealin e vet patriotik me poezi të pasura për nga brendia dhe zakonisht
të nivelit të lartë artistik, duke marrë përherë një theks aktual më të hapur.
Shqetësimi rritet nga vargu në varg, në vijimësinë e këtij motivi vjershërues,
gjer në një shprehje të hidhur, që kërkon të prekë sedrën kombëtare të
vëllezërve himarjotë, të një gjaku me vargjet simbolike: “Të ranë supet, t’u vranë!/T’u ndanë lulet, t’u thanë!/Trungu s’ka
lastar e dega,/Nga zgjoi ka ikur bleta./Po djepin kush ma shteroi?/Loti syrin e
mohoi/Hiri zjarrin e harroi./Do dal te porta në shkallë/Bota zërin të ma
marrë/Kthehuni bij në Himarë/Jo të shuar po të gjallë!”. Kjo frymë
romantike-idealiste, duke evokuar figurat e së kaluarës e bëmat e tyre,
justifikohet për autorin, sepse kërkon ta shohë të mishëruar në realitet
idealin e tij patriotik për të pohuar idenë e vazhdimësisë së traditave te
shqiptarët himariotë. Ashtu si rebeli i pamposhtur, si i pavdekshmi Petro Marko
Dhërmiu edhe K. Çipa e gërsheton motivin patriotik me idetë demokratike, se ka
qartësinë e perspektivës për bijtë e shqipes, pa e njohur pesimizmin apo
inferioritetin nga joshja shovene e fqinjëve jugorë. Shqipëria ndjesore, në
vargje përvijohet sadopak, por vërtetësisht me nuanca romantike,
motivueshmërisht të pranueshme dhe lartësisht meritueshëm, sepse është Kristo
A. Çipa që i kërren, i këndon dhe i boton vargjet e zemrës për Mëmëdhenë, emri
i përveçëm i të cilit fisnikërohet kur tingëllima e fortë e me oshtimë shumë të
fuqishme kumbon për dashurinë. Dashuria, në librin e ri të autorit, merr trajtë
të dukshme si koncept dhe realitet, si logjikë dhe emocion, si ndjenjë
universale dhe arsye gjykimi. Në vijim të kësaj linje, autori trajton temën
sociale, ku shpeshherë na shfaqet si një natyralist i vargut, ku vizaton jetën,
fshatin, krahinën, natyrën, njerëzit e dashur, të ikurit, dramat e dhembjet që
e prekin si njeri e si poet. Poezia “Ati
im (pas vdekjes)”, për mendimin tim, është nga më të ndjerat dhe më të
arrirat artistikisht të autorit, duke ardhur si risi që në formë. Edhe pse nuk
është tharë akoma bari në varrin e të paharruarit babë Andre Çipa i Parë,
babait të autorit, Kristoja nuk vjen me elegji, siç ndodh pothuaj në këto
raste, as me një baladë të përvajshme, por me një vjershë fisnike të bardhë, si
shpirti i atij lisi të vjetër, të rëndë, të vyer, që ra në Pilur pas 92 vjetësh
gjelbërimi me rrënjë e degë, duke u prehur i bardhë, i kujtuar e i nderuar,
duke i lënë me uratë të pasmit, si liman
i bindjeve për pjellën e tij,
sepse “mbi lëndinë të urtësisë/mbolle
lule harmonie - i drejtohet djali-poet babës që po bie për fare, por vetëm
fizikisht. Dhe më e veçanta, se “nga një
tufë lule çdo ditë/nuk të sjellim po na bie!”. Në këtë shprehje metaforike
nuk thuhet dhimbja, ajo ndihet, nuk shkruhet krenaria për babain me virtyte,
ajo jeton në shembullin që ndjekin bijtë e babës së mirë. Dhe e meriton babai
që “dërgon shenja hyjnore” fjalën e sinqertë të poetit “Ne këtu si nxënësit Krishtin/të rishfaqesh
prapë të presim”. Nuk ngjan aspak si hiperbolë, se është dashuria,
respekti, nderimi, kujtimi, dhembja dhe krenaria e së vërtetës së jetuar nga
qenia, zemra, shpirti që flet vetë dhe poeti ka detyrë t’i regjistrojë në
tekst. Shumë e prekshme është elegjia e kënduar për një tjetër djalë Labërie,
të paharruarin Xhevahir Rexhepi, ish-prefekt i Vlorës. “Qeshjen tënde ku ta gjej,/o Xhevair?!”, e qan burrërisht me lot
drite autori mikun e tij. I ndjeshëm në elegji, i dhemb dhembja e vëllait për
motrat, e prindit për vajzat që u prenë në mes si lulet nga stuhitë. Çipa i Ri
është shumë i prekshëm kur merr vesh se ndodhin tragjedi njerëzore. Këtë e
shpreh te elegjia për tragjedinë e Vishës për studentet e pafajshme të
Elbasanit, maj 2012, për të cilat “psherëtin
zemra e kombit”. Mbresëlënëse vjen balada që rrokulliset si një jehonë e
largët tragjike për 17 vajzat që u mbytën në liqenin e Janinës së Ali Pashës.
Autori merret dhe me pikëzimin e peizazhit, që i shkon
për shtat natyrës së tij romantike, si te vjersha “Bukuria t’i merr sytë”, apo te një nga kryelirikat e tij “Këngën ma vini kurorë”, ku shfaq dhe
individualitetin krijues për forcën përshkruese, me një ngjyrim të theksuar
origjinal, si skulptor i vargut për dashurinë ndaj vendlindjes dhe këngës. Ai
shfaqet edhe në vizatimin e portreteve, gdhendjen artistike të profilit
njerëzor e artistik të miqve, ku do të veçoja një poezi origjinale e të çiltër,
me plasticitet të veçantë që vjen si një “Përshëndetje
miku, kushtuar mikut tim, publicistit Enver Lepenica”, i cili i fal bujarisht cilësitë që bart njerëzve me dashuri, me
guxim, durim dhe mirësi, siç i ka falur dhe në kohë të vështira, kur vinte dëm
tjetri kollaj fare, për qejf të djallit, për absurdin e të marrit, që as në
ëndërr mos e kaloftë kurrkush. E sa bukur shkon kënga e mikut besnik për mikun
e urtë e të mirë: “Ti besimin kishe bukë/dhe kurajën bëje
pushkë”!
Me temën e dashurisë, në lirikën intime, poezia erotike e
Kristo Çipës vjen si lëng trëndafili për ta pirë në kupë e t’ia ndjesh shijen
me tërë qenien. Kjo ndodh sepse autori e vlerëson atë si ndjenjën që sjell
kënaqësi të madhe në jetën njerëzore, ringjalljen dhe freskinë e jetës, sidomos
nëpërmjet pastërtisë së bukurisë dhe dëlirësisë shpirtërore. Aty i duket
lexuesit herë si Çajupi, herë si Ali Asllani, herë si i vëllai, princi i
dashurisë Lefter Çipa, sepse edhe ai, si ata, vijon traditën e ndikimit nga
poezia popullore dhe e pasuron me vargun popullor që përdor, me ndjenjën,
figurën e motivet. Në lirikën e tij dashurore është e gjallë filozofia e
popullit, mënyra e tij e perceptimit të realitetit dhe e krijimit të
karaktereve. Vjersha, si: “Gërsheta”, “Moj
fodullja himariote”, “Unaza”, “Shëro plagën e të gjallit”, “As
më vrave, as më fale”, “O shpirtbuta kadifè”, “Rinë
e Bregut, behar moti” etj., duken si të njohura për lexuesin, sepse janë
vërtetë krijime të Kristos, por ato këndohen nga grupi i ri i Himarës që ai
drejton dhe pëlqehen shumë nga komuniteti, sepse edhe teksti është me musht
poetik, edhe melodia, interpretimi, veshjet, gjestet e shpirti i artistëve të
Bregut funksionon lartësisht bukur, më mënyrë sinkretike. Mendoj se poezia më e
bukur, për nga ndjeshmëria poetike, që ka ky libër i ri i Kristos, është ajo me
titullin e të cilit ka vëllimi: “Kambana
e dashurisë” - Çdo mëngjes e
darkë/Bie një kambanë/ Nuk bie për pashkë/As për mëkatarë./ S’është kambanë
kishe/As e manastirit/Ajo është ndryshe/Bie brenda gjirit... se, shpërthen
këngëtori lirik “... Kjo botë pa ty do
ish’ gjysmëhiçi”... ndaj lundron
autori në detin magjik të Erosit: “Dashuri,
t’u fala!/ I pazë jam fikur/Po nuk ra kambana/Dijeni, kam ikur”.
Është një vjershëz e vogël, me titullin “Afrim”: “Unë lind kur ti
perëndon/Dhe perëndoj kur ti lind/Nata kurrë s’na bashkon/ Dita vetëm njërin
bind./Edhe në trazim të asaj bote/do të ngelem dashuria jote”. Emocionin që
të fal dashuria, besimin që ajo të dhuron, autori e shpreh në trajtë
filozofike, në mënyrë logjike në këtë poezi lakonike me vetëm gjashtë vargje:
katër shtatërrokësh e dy dhjetërrokësh. Stili i ri që po krijon K. Çipa është
mbushur me ndjenja të pastra e të fuqishme në lirikë dhe në epikë, për subjekt
të thjeshtë, pa përshkrim të hollësishëm të veprimeve të personazheve, të
dilemave të tyre, veçse edhe për një humor të shëndetshëm dhe gjuhë të pasur me
elemente të ligjërimit popullor.
Unë di që Kristo Çipa veprimtarinë letrare e ka nisur në
vitet 1975, ende djaloshar i njomë, por ëndërrimtar i guximshëm, me krijime
poetike të motivit patriotik e shoqëror, të cilat me kohë i bëri më të
ngjeshura e më të pjekura artistikisht. Prindërit e tij dhe sidomos vëllai i
madh Lefter Çipa ndikoi në edukimin atdhetar, letrar e folklorik të këngëtorit
të ri të Bregut, po aq në përpunimin e organizimin strukturor të poezisë së
këngëzuar, ritmit të saj etj. Konstante metrike për organizimin e ritmit,
autori përdor përpunimin e variacioneve të vargjeve popullore (gjashtërrokësh e
tetërrokësh). Çipa i Ri e çon më tej traditën e vargjeve të lira, çelur qysh me
librin e tij të parë poetik, duke formuar tiparet origjinale kombëtare me
harmoninë e rimës së këngës së poetizuar me aq ndjenjë e frymëzim burimor. Nëse
flasim pak për metrikën e ndërtimit ritmik të poezisë së K. Çipës, mund të
themi se në këtë vëllim të ri poetik, vjershat e shkruara me vargëzimin
silabo-tonik, të pasura me figura të mendimit, më të përdorshëm kanë
tetërrokëshin (vargu më popullor shqiptar). Poezia e tij është thuajse
strofike, rrallëherë dhe një kolonë. Strofat janë të larmishme në poezinë e
Kristos, si në poezinë popullore, ku gjejmë strofën dyvargjëshe (distikun) dhe
atë katërvargjëshe (katrenin). Përveç vargjeve me rima fundore të përputhura
(aabb etj.), e njëpasnjëshme (abab etj.) dhe e kryqëzuar (abba) apo rima të
brendshme në varg, me asonanca dhe konsonanca, Kristo Çipa përdor lirshëm e pa
sforco dhe vargun e bardhë, pa rimë.
Së fundi mendoj se te ky vëllim i poetit të popullit
shqiptar, Kristo A. Çipa, djalit të Labërisë, (bir në Pilur e dhëndër në
Bolenë), shkrirja e natyrës me ndjenjën e poetit ka dalë më organike se gjetiu,
sepse asnjë varg nuk tingëllon deklarativ, sepse emocionet e tij shpirtërore
janë sinkretike me idealet kombëtare që ka autori, me ëndrrat demokratike për
një Atdhe të dashur si Ati dhe Mëma, për një Shqipëri të bukur si “Nuse
Bregdeti”.
Vlorë, e premte, 27 korrik 2012
MËMËDHEU
Këtu
ku më lindën kokën,
Nëpër
mjegull e pashë botën,
Qesha
sytë e thava lotët,
Marr
në duar e puth tokën.
Mua
zgjimin ma bën deti,
Unë
jam vazhdim amaneti...
Ku
është e pafund liria?
Ku
s’peshohet dashuria?
Ku
të flet gjuhën fëmija?
Këtu,
në vendet e mia!
Që
nga Çika në Tomor,
Perënditë
i prek me dorë.
Ku
s’ka të vdekur shqiponja?
Ku
s’ka të shterur buronja?
Ku
janë vajet, këngët tona?
Këtu,
e gjitha është jona!
Brenda
dheut tim unë jam,
Sa
shqiptar dhe europian.
O
shqiptarë, ngado që jini,
Te
NËNA merret bekimi.
Edhe
në gjumë ku flini,
Tek
ATDHEU të jetë syri.
Zogjtë,
kur rivjen pranverë,
Kthehen
e gjejnë folenë.
Kush
nuk e pati në zemër?
Kush
nuk i foli në emër?
Kush
brenda gjakut s’e ndjeu?
MËMËDHEU,
MËMËDHEU!
ATI IM
(Pas vdekjes)
Më
mungon, o Ati im!
Seç
ma pret një cipë syrin,
Ç’më
mbështjell një pikëllim,
Si
kulpra kur mbulon lisin.
Midis
lotit dhe selisë
Me
ikjen të pamësuar,
Vjen
papritur të na bindë
Një
tërmet me shpirt në duar.
Nëse
frymë e gjallësisë
Iku
si një ëndërr qorre,
Ti
nga bota e përjetësisë
Dërgove
shenja hyjnore.
Ati
im, gjysh i fëmijëve,
Limani
i bindjeve tona,
Harku
i urës së dashurive,
Na
lidh gjakun në kolona!
Mbi
lëndinë të urtësisë
Mbolle
lule harmonie,
Nga
një tufë për çdo ditë
Nuk
të sjellim, por na bie!
Ti
punove për të gjallët,
Të
përjetshmit i nderove,
Në
Parajsë kur ngjite shkallët
Patjetër,
s’i numërove!
Mos
na e ndaj syrin e shpirtit,
Nga
ajo botë, atje ku s’vdesin,
Ne
këtu si nxënësit, Krishtin,
Të
rishfaqesh, prapë të presim!
RROJMË NË SHPIRTIN E LIRISË
Buzëqeshur
midis lotit
Vinte
shekulli i stuhive,
Natën
po gremiste kombi
Hiqte
mjegullën prej syve.
Ca
burra të perëndishëm
Morën
fatin, i dhanë dritë,
Me
mëndafsh nderi qëndisën,
Mëngjesin
e Shqipërisë.
Trimat
për atdheun ranë,
Ndaj
dhe zjarr po lëshon toka,
Gjakun
në flamur e kanë,
Shpirtin
ua mba shqiponja.
Në
dyert e kësaj bote
Kishim
zë, por s’na dëgjonin,
Ndaj
në portat qiellore
Kërkuan
takim me Zotin.
Dhe
nga Zoti vjen profeti,
Plaku
me flamur në gji,
Brenda
kombit më të vjetër,
Shpalli
shtetin më të ri.
Ismail
Qemal Liria!
Fat
i kombit që s’u shua,
Ka njëqind vjet historia
Që
mendjen ta kërkon hua.
Një
shekull me psherëtimë,
Në
dilema eksiztence,
Për
fqinjët mbollëm dafinë,
Sakrificë
mbajtëm për vete.
Brenda
harkut të lavdisë
Kemi
Gjergj dhe Skënderbe,
Rrojmë
në shpirtin e lirisë,
Se
lirinë kemi atdhe.
Ju
burrat e këtij kombi,
Dëgjoni
zërin e zemrës:
“Nëse
Shqipërinë nderoni,
Hallall
qumështi i nënës!”.
BUKURIA T’I MERR SYTË
Kur
në maja doli Çika
Nga
habia zbardhi bora,
Ditën
ftonte Gumenica,
Natën
po përcillte Vlora.
Lumi
kish mbetur pa gjumë,
Deti
po fërkonte sytë,
Labi
kungohej në shtrungë,
Bregasi
pagëzon ullinjtë.
Çamërinë
po çmonte çami,
Myzeqari
lante plorin,
Perënditë
linin Beratin,
Shkonin
të puthnin Tomorin.
Qafën
zgjat Karaburuni,
Se
mos i ikën Sazani,
Mjegullat
shkumë sapuni,
Venë
e i mbështillen ballit.
Nëpër
qafa, qethte era,
Qëndiste
mbi flamur pishe,
Llogoraja
nëpër stera,
Fshihte
fishek vetëtime.
Ishujt
në ujërat e Jonit,
Enden
në ëndrrën e dheut,
Qindra
vjet ia fshehin Gjonit,
Madhështinë
e Skënderbeut.
Në
liqen qahet Janina
Për
pashain e marrosur,
Korfuzin
rrëqeth Rugjina
Brenda
dheut t’saj varrosur.
Nëpër
lëngun e legjendës,
Bistrica
ngjyrosi syrin,
E
gjallë brenda bedenës,
Argjiroja
murosi gjirin.
Dea
nëpër mjegull gjoli,
Mjekon
shpresën, jo verbimin,
Deti
që dritën i vodhi,
S’do
ta bëjë kurrë pendimin.
Nëpër
gjysmëhark magjie,
Shtatë
zëra shtangin globin,
Për
një këngë polifonie,
Ngrihet
Çika, ulet Zoti.
N’ato
maja qiellore,
Bukuria
t’i merr sytë,
Prandaj
Çika u bë qorre,
Qorre
është maja në Çikë.
I VODHA NJË NATË, JETËS
I
vodha një natë, jetës
Për
bela të këtij shpirti,
I
thashë: “Zhvishju, të vërtetës,
Të
shoh qiririn e gjirit!
Të
lexoj ato të fshehta
Të
hap kodet e misterit!”.
Dhe
të vërtetat i gjeta
Vetëm
në çelës të ylberit.
Shtatë
ngjyra, shtatë rrugë,
Shtatë
mistere janë brenda,
Udhë
e parë të çon në buzë,
Pastaj
shkon ku ta ka ënda.
Nëpër
rërën bregdetare
Mollën
e artë kërkoja,
Dhe
me shkumën e një vale,
Zuri,
po më lagej dora.
Deti
sikur kishte vdekur,
Apo
përgjonte i ngrirë?
Unë
me buzën e etur,
Thua
lumenjtë kisha pirë?!
Atje
lulet ziliqare,
Nga
marazi, vesë pinin,
Pemët
lëviznin në zalle,
Donin
të fshihnin burimin.
Kur
hodhëm duart në qafë,
Shkëmbi
lëvizi nga vendi,
Ajo
shkau, sipër rashë,
Qielli
yjet i hëngri.
Sa e
bukur qenka bota,
Në
mëndafsh të dashurisë,
Aty
s’ka të dhembur koka
Aty
gjumi s’t’i merr sytë!
Po
është çast, e çasti ikën,
Si
vegim, a ku di unë,
Pastaj
zvarrë e tërheq ditën,
As i
zgjuar, as në gjumë!
Moj
“kusaria” dashuri!
Dil
e vidh, mbrëmje më mbrëmje!
Kjo
jetë e shkurtër, pa ty,
Do
ishte, si ka parmende!
Atë
natën e harresës,
Qiellin
e tërë, gremisa,
Derdha
djersë e piva vesë,
Nga
dy sumbullat në sisa.
NË BEKIM TË UJIT
Ujërat
u bekuan,
Shenjtorët
na shohin në sy,
Më
qorton flakë e qiririt,
Më
sëmbon gulçim i gjirit,
Tek
pres pa shpresë ty.
Bekimi
u bë,
Mëkatet
u amnistuan,
Qiriri
që ndeza për ty
Ngjan
si i penduar.
Po
ti, a ndjen gjë?
Ronitin njerëzit në çezma,
Të
marrin ujin e shpresës,
Kori
kishtar drithërohet në mesha,
Përkushtohen
priftërinjtë në shërbesa.
Oh,
sa shumë doja,
Puthjen
tënde ta lëndoja!
Ujërat
u bekuan,
Unë
dhe ti s’u shikuam.
KAMBANA E DASHURISË
Çdo
mëngjes e darkë
Bie
një kambanë,
Nuk
bie për pashkë
As
për mëkatarë.
S’është
kambanë kishe,
As e
manastirit,
Ajo
është ndryshe,
Bie
brenda gjirit.
Si
detin e lodhur
Më
qeton kur bie,
Jetën
ma ke ngrohur
Kambanë
dashurie!
Nëpër
kambanore
Zemrash
njerëzore,
S’tundej
me litarë,
As
me gishta dore!
Të
tund dashuria
Kur
marrohet shpirti,
Kjo
botë pa tya
Do
ish, gjysmë hiçi!
Kur
ta dëgjoj zërin
Jam
i gjithi flakë,
Më
rrëmben të tërin
Si
Krishtin në Pashkë.
Dashuri
t’u fala,
I pa
zë jam fikur,
Po
nuk ra kambana,
Dijeni,
kam ikur...
JEMI LIS, NUK JEMI HIJE
Në
Prizren foli Abdyli,
Foli
me gjuhën e kombit,
Shqipërisë
po i vjen ylli,
Natën
le ta marrë Stambolli.
Lëreni
ditën të bjerë
Mbi
këto troje Arbërie,
Mos
na bëni pjesë-pjesë,
Jemi
lis, nuk jemi hije!
Doli
lumi i kombësisë,
Vilajetet
valë-valë,
Hëna
e Perandorisë,
Në
të shkuar zgjon belanë!
Përmbi
tretje ekzistence
Fqinjësisë
zemrën ia hapi,
Paqe
ka kur rron e drejta
Miqësia
është ilaçi.
Atë
që prishi lakmia
E
ribën me durim koha,
Një
nga një vendet e mia
Po i
merr në gji Europa.
GËRSHETA
Me
merakun e gërshetit
U
ngrita, gjumin e prisha,
Ti
me sy thërrmoje qelqin,
Mua
më digjej këmisha.
Dole
për të dehur detin,
Valëvit
fustanin mbi valë,
Kur
lëshon e lag gërshetin,
Dallgët
i bëje me majë.
Tundeshe
si perëndeshë
Përpjetë
brigjeve të Bregut,
Me
vetull qëroje retë,
Diellit
i hapje shtegun.
Porsi
hëna, gjurmë s’ke,
Si
zëri kalon kaluar,
Kur
mendoj, se e imja je,
Më
shket si era në duar.
Unë
për ty detin e thava,
Erën
e mbylla në hone,
U
hodha, gërshetin kapa,
Ti
më the: “Vërtetë fitove!”.
ISHE KUPË E MIQËSISË
(Xhevahir
Rexhepit, ish-prefektit të Vlorës)
E
kërkoj e s’ta shoh syrin,
Qeshjen
tënde ku ta gjej,
O
Xhevahir?
Nëpër qiell shëtit shpirtin,
Në
këtë botë dot s’ta kthej,
Skam
fuqi!
Thonë
se dhimbja e babait,
Për
të birin çan dhe gurin,
E
thërrmon.
Pikëllimi
i Labërisë
Për
prefektin, lot flamuri
Po
pikon.
Syri
yt që hapte motin,
Ku
dremit e ku bën gjumin,
Si
më s’sheh?
Xhevahir,
pse na le lotin,
Që
shkon e turbullon lumin
Si
rrëke?!
Ishe
kupë e miqësisë,
Kryedjalë,
zemërhapur,
Qelibar,
O
mëngjes i thjeshtësisë!
Ëmbëlsinë
na ke falur
Atdhetar!
Asnjëherë
mos mendoni,
Se
nuk ka më degë lisi,
S’jeshilon!
Për
Rexhepajt të besoni:
“Buronjë
burri, gjak flamuri,
Janë
gjithmonë!”.
Hënë
e ngrënë në të shkuar,
Bie
çast të dëshpëruar,
Na sëmbon!
Ajo
vdekje e mallkuar
Ku
kish ndenjur e përgjuar
Vret
një engjëllor!
Mori
Xhevahirin,
Dhe
na njomi shpirtin!
MOJ FODULLJA HIMARJOTE!
O ju
sy mos u verboni,
Donikë
më besoni,
Kur
magjeps si panteoni
Donikë,
më besoni,
Vërshim
amazoni.
Si
një tramundane u shfaqe,
Donikë,
zjarr në paqe,
E
bëre detin me harqe.
Donikë,
zjarr në paqe,
Mars
me manushaqe.
Me
vetull syrin lëndove,
Dona
gjëmim bore,
Me
gërshetë gjirin qëllove.
Dona
gjëmim bore
Malet
i mbulove.
Nuk
je qiell i qëruar,
Dona
shpirt lëshuar,
Engjëll
i pamëkatuar.
Dona
shpirt lëshuar,
Puthje
e pambaruar.
Moj
fodullja himarjote,
Donikë
besa jote,
Pse
i harron ato mote?
Donikë
besa jote,
Eja,
ktheu sonte!
Hape
gjirin të shpëtojmë,
Donikë
mjekomë,
Rruzullin
ta rrotullojmë!
Donikë
mjekomë,
Me
gjire mbulomë!
SHIRAT E VJESHTËS
Me
alarm grupohen retë
Nën
sirena vetëtimash,
Qielli
me ngjyrën e vet
Toka
po mbarset me shirat.
E pa
lajm, largohet vapa
Me
këmishë e dekolte,
Krahët
hap, e i zgjat nata,
Nata
s’ka ç’bën, lëshon pe.
Mua
muza po më shfaqet
Me
një ëndërrim tundues,
S’mundem
që t’i stivoj vargjet
T’i
rreshtoj mendimet s’mundem!
Prandaj
shkoj pas një rrëkeje,
Tek
ty vij dhe ti më pret,
Oh,
sa bukur është pranë teje,
Aq
sa nuk është e vërtetë!
TË PLAKEMI, S’MUNDEMI
Të
plakemi, punon koha,
Ora
na largon.
Lisat
në brinjë, i godet lloha,
I
zhvesh e i rreh dimri,
Pranvera i zbukuron.
Ne
brenda teshave firohemi,
Në
rrudha depozitojmë bukurinë,
Ngjyrën
e vendit vjedh fytyra,
Në
grindje, pa shkak ankohemi
Si
dhelpra rrushin aguridhe,
E
quajmë rininë.
Të
plakemi, punon koha,
Ora
na largon.
Por
humnera e brezave
Që
goditi vendin tim,
Në
vend qëndron.
Pas
nesh, fije brezash,
Por
shtresë nuk ka,
U
shkërmoqen drejt të panjohurës...
Se
adhuruar
As u
sosën, as u kthyen
Gjer
në palcë, u gënjyen.
“S’mund
të plakeni! - thotë koha,
Rrini
aty! Më duheni!”.
Ne
s’kuptojmë ç’bëjmë,
Të
rinohemi, s’mundemi!
Si
lisat tundemi
Gjysmëzhveshur,
gjysmëzbukuruar,
Të
shkëmbtë e të hutuar,
Rrudhën
e shekullit tendosim!
PËRMBI KRESHTAT E INATIT
Malet
i kërcënon bora.
Koha
u ligështua.
Ti u
ngurose në pantallona.
Syri
si moti,
Moti
si loti
Derdhen
mbi mua!
Mos
u ngri nga akulli i inatit!
Në
lot dëshpërimi, mos shkrij!
Eja
të shkojmë te limani
Të
hipim tek Jahti të dy...
Në
ujërat e ngrohta mesdhetare:
Ja
dehu,
Ja
bindu, për fare!
THINJA NË FAVORITE
Ti
krejt papritur m’u shfaqe,
Moj
thinjë e bardhë në favorite!
Si
shami e bardhë që kërkon paqe,
Pa
zhurmë mbi flokë zbrite.
Para
pasqyrës më hutove,
Sikur
më the: “Ja, erdhi vjeshta,
Ti
vërtet mua s’më ftove,
Por
dhe pa ftesë unë erdha!”.
Ç’të
bëjë me thinjën në favorite,
Si
shpejt më erdhi, pa lajmëruar?!
Njëri
mendim më thotë: “Hiqe!”,
Tjetri:
“Mos e prek me duar!”.
“Je
ende i ri, - më thotë e shkuara,
-
Lastar në trung të pemës,
Jeto
të ëndërruarat,
Gjithë
bukuritë e jetës!”
“Po
bëhesh gjysh, - heshtoi heshtja,
-
Sapo ti shkele mbi pesëdhjetë,
Qoftë
e qetë, pa stuhi vjeshta,
Se
pas asaj dimri të pret”.
Po
ç’pate moj, që më trazove,
Si
detin me tallaze?
Mes
favorites erdhe, qëndrove,
Ti
thinja tërë naze!
Nuk
të qortoj me thikë të syve,
Tej
vetullës në qoshe,
Por
të uroj, atje ku mbive,
Mos
u bëfsh kurrë me shoqe!
GJOLEKË LIRIA
Kush
mbi borë e ndezi zjarrin?
Kush
nga vdekja kombin ngjalli?
Qe
një Zot, me zemër labi,
Fliste
me gjuhë jatagani!
Zot
i vendeve të mia
Doli
Gjolekë Labëria.
Doli
kundruall dovletit,
Për
në Lumë e ktheu detin,
Ngriti
gjithë vilajetin,
Bregun
edhe Kurveleshin.
Lebërit
dhe himarjotë,
Kanë
një gjak e një kokë.
Shpata,
që shekullin preu,
I
tha Shqipërisë “ngrehu”!
Lëre
gjumin ta marrë dheu,
Erën
e lirisë shpërtheu!
Ndaj
janë majat kryelarta
Se i
ka nderuar shpata.
Në
malet e Labërisë,
Kush
ka lindë e është rritë,
Dhe
miku që vjen vizitë,
Bëhet
Hero i Lirisë!
Në
këto vende të rënda,
Lirisë
kurrë s’i pushon zemra.
O ju
bijtë e Shqipërisë,
Nga
Kuçi ku lindi trimi,
Merrni
“dheun e lirisë”,
Hajmali
në gjoks ta vini!
MË LË PA GJUMË
Qysh
atë ditë, faqeparruar,
E
rimbledh kohën në inventar,
Ti
mbi egoizëm kalon kaluar,
Unë
shtirem më shumë se krenar.
Jam
në dilemën hamletiane,
Të
të afroj, të të largoj,
Nuk
i del fundi kësaj ane,
Nga
ana tjetër, më kot kërkoj.
Ekografia
e zemrës time
E
zbehtë është nga ndjenjë e lartë,
Ti
me shikim i shter burimet
Do
të më duhet të bëj by-pass.
Nisej
për lindje, shkon perëndimit,
E
shtyn me dhembje, ç’ka do më shumë,
Dhe
nëpër sy, lot i pendimit
Të
lë pa gjumë, më lë pa gjumë...
Unë
e harkoj vetë burrërinë,
Dhe
krenarinë në det fundos,
I
falem si foshnjë dashurisë,
Të
vij tek ty, zemra vendos.
Ende
shijoj atë ç’kam dashur,
Megjithëse
jam me buzë të plasur.
HIMARË, O LULJA HIMARË
Himarë,
o lulja Himarë,
O
guri që ndez sevdanë,
Të
ranë supet, t’u vranë,
T’u
ndanë lulet, t’u thanë!
Trungu
s’ka lastar e dega,
Nga
zgjoi ka ikur bleta,
E
pagojë është e vërteta,
Me
pleq e plaka rron jeta!
Po
djepin kush ma shteroi?
Dallga
detin e kaloi,
Loti-syrin
e mohoi,
Hiri-zjarrin
e harroi!
Do
dal te porta në shkallë,
Bota
zërin të ma marrë,
Kthehuni
bij në Himarë,
Jo
të shuar, por të gjallë!
LUFTA E VLORËS
Luftë
e Parë Botërore,
Bajoneta
dhe llogore.
Kur
Vlora luftën vulosi,
Bota
paqen e vendosi.
Pastron
lakminë Italia,
E
sheh yllin Shqipëria.
Ngrihet
i gjallë amaneti,
Bëhet
më i gjerë se deti.
E
merr shqiponjën në dorë,
Rron
mbi malet me dëshmorë.
Dhe
në qiell të saj ngrihet,
Në
folenë e saj i flihet.
UNAZA
E
arta unazë
Me
përqafimin e gishtit harrohet,
Drejt
përjetësisë,
Që
kur femra s’quhet më vajzë,
Por
grua kurorëzohet
Në
detyrën e historisë.
Unaza
e kurorës
Në
gishtin e burrit
Feks
si mermeri,
Pëllëmbë
e dorës,
E
ashpër si guri
Në
nurin e arit
Si
kreshta nën hark ylberi.
O
shpirtlidhje martesore!
Në
dy gjysma harqe unaze,
Qielli
paqen qetëson.
Perënditë
shëmbëlltyrën,
Vullneti
veten forcon,
Besnikëria
lan fytyrën.
Mbajeni
të artë unazën,
Ju
çifti i harqeve!
Nga
ndryshku i viteve
Rrudhet
rinia
E
tret si mjegulla borën
Veç
pabesia!
Ndaj
në u prefshin gishtat e dorës,
Unazën
në zemër e vini,
Se mbi
altarin e kurorës,
Do
ëngjëllohet bekimi!
DHEU IM
Të pranoj, të punoj, të gëzoj,
Të
kërkoj, të lakmoj, të pushtoj,
Dhe
ti urtë më afron, më jeton,
E
kur lodhem, dua gjumë, më mbulon.
Ti
je At, ti je Mëmë, gjithçka!
Ti
je fat, na ke rënë, kjo u tha.
Na
mban lart, s’kemi rrënjë, as dhe krah,
S’kthehemi
prapë, nuk na lënë, vizë s’ka!
Sa
shumë djersë njerëzore ka kulluar,
Aq
sa ahe shpirtërore kanë rënkuar,
Nëpër
zënka djallëzore të ngatërruar,
Gjak
e luftëra botërore ka kërkuar.
Oh,
sa troje, territore kemi dashur,
Jemi
kthyer përmendore, buzëplasur!
Si
qiri në lakmi, jemi falur,
Kurrë
nga ty, përjetësi s’kemi marrë!
Ç’ka
ky diell, syzbërthyer, ta kërkojmë,
Nëpër
qiell krahëthyer, fluturojmë!
S’jemi
zotër, por te Zoti të tentojmë,
Brenda
botës, pika loti, të shterojmë!
Ti
je At, ti je Mëmë, ti o Dhe,
Shpresëtharë,
dritëzënë, vijmë atje!
Te
liritë, gjithë fuqitë, derdhim ne,
Kjo
copë ditë, shkon nga sytë, s’e vëmë re!
KTHEHU PRAPË TE ZJARRI
Natë
e ëmbëlsuar,
O
miq, s’më zë gjumi!
Fryn
kjo erë, vjen trazuar
Mendjen
larg ma shpuri!
Ç’të
kujtoj më parë?
Hajde
djalëri!
Dilte
hëna për të parë
Na
kishte zili!
Ç’thoshe
me atë gojë,
Zemra
ty ta thosh,
Hënë
e yje perëndojnë,
Mos
më tradhtosh!
Bëje
be, rrufe,
Digjeshe
n’hapsane,
Më
harron, a ç’merak ke?
Bota
zjarr ka marrë,
Dil
dhe më kujto,
Si
lulja beharin,
Thuaj
dhe një herë “Po”,
Mos
më digj të gjallin!
NGA HËNA DO MARRIM HUA
Mike,
nata do na dalë,
Zemra
valë të na marrë,
Të
qërojmë rrudhat mbi ballë,
Dhe
botën në pjesë ta ndajmë?
Mike,
do na dalë nata,
Të
shtrojmë flokët e gjata,
Të
puthim buzët e mjalta,
Të
ndukim gjiret e larta?
Në
mos daltë, mike ç’thua,
Nga
hëna do marrim hua!
SHËRO PLAGËN E TË GJALLIT
Pse
ma nduk zemrën e gjirit,
Si
Nili fushës Misirit?
Në
të tretur të prillit,
Rëndon
vetullën e syrit.
Mos
u lig, moj gjeraqinë,
Mërgoje
farmak mërzinë,
Se
vitet, në vend nuk rrinë,
Se
zjarri ta bën hi gjinë!
Dil
në Qafën e Pazarit,
Siç
del vetëtima malit,
Burgose
brengën e mallit,
Shëro plagën e të gjallit!