Faleminderit
Mehmet Deliu: Shotë Galica - emër nderi e krenarie
E diele, 23.09.2012, 11:17 AM
EMËR
NDERI E KRENARIE, EMËR MBURRJEJE E LIRE…
(Në 85-vjetorin e vdekjes së “Heroinës së Popullit” Shotë Galica)
Nga Mehmet Deliu
Në kuadrin
e 100-vjetorit të Pavarësisë sonë Kombëtare, Bashkia në Fushë-Krujë dhe
Organizata për Dëshmorët e Atdheut, të rrethit Krujë, këto ditë zhvilluan
ceremoninë përkujtimore me rastin e 85 - vjetorit të vdekjes së “Heroinës së Popullit”,
Shote Galica.
Jo vetëm
në këta 100 vitet e fundit, por dhe më herët, ajo përbën një simbol të gruas
dhe nënës në mbarë hapësirën shqiptare, që historikisht u përball me ashpërsitë
e jetës, që me dinjitet duroi peshën e shekujve të robërisë dhe varfërisë, të lotit
dhe gjakut, që nuk u mposht nga asnjë sfidë.
Nënat e
gratë tona hynë në histori me qëndresën e tyre, zunë vend në këngë me trimërinë
e tyre, u mitizuan për besnikërinë dhe sakrificat e tyre, si Rozafa e Kalasë prej
guri, si Doruntina..., që bijtë e tyre i nisën në luftë me fjalët: ”Kthehuni
fitimtarë”! Ndërsa, kur ata ktheheshin të gjakosur nga lufta, fjalët e nënave
ua miklonin plagët atyre.
Ishte nëna
dhe gruaja shqiptare ajo, që u rezistoi të gjitha këtyre dhe nuk u dorëzua. Asaj,
i kushtoheshin të gjitha, para së cilës populli ynë me respektin më të madh
duhet të përkulet deri në gjunjëzim-para qëndresës dhe heroizmave të Nënës
Shqiptare. !
I gjithë ky
respekt për nënat tona, denjësisht përcillet edhe në emrin e nënës, në emrin e
gruas dhe në emrin e heroinës sonë kombëtare, Shote Galica, emër kaq i madh e i
paharruar ndër breza, që zuri vend aq të madhërishëm e të lavdishëm
në historinë tonë kombëtare. Emri i saj përmban nder e krenati të lartë, është emër
mburrje e lirie për të gjithë shqiptarët,
kudo që janë. Është dashuri për Atdheun, pasion dhe frymëzim i qindra Shotave të
reja, që ranë me armët në dorë ose ngjeshur pas trupit. Ato luftuan për çlirimin
e Atdheu të robëruar, ashtu si Shotë Galica dikur dhe ranë për truallin amtar,
sa herë e kërkoi domosdoshmëria e lufta çlirimtare, ato mbetën në përjetësi
edhe me emrin e Shote Galicës në gojë!
Qerime (Shotë)
Galica, e frymëzuar nga bëmat e trimëreshave shqiptare, e bindur thellë në të drejtën
e popullit tonë për të qenë të lire, e vuri pushkën krahut dhe për 12 vjet me
radhë nuk u nda nga burri dhe bashkëluftëtari i saj, Azem Galica e nga shokët e
tij. Ajo luftoi pa u ndalur kundër pushtuesve serbë, austrohungarezë e bullgarë.
Shota
lindi në vitin 1895, në krahinën Radishevë të Drenicës martire, në një familje
të varfër, por shumë atdhetare. Ajo
ishte motër e gjashtë vëllezërve. Babai i saj, Halili, ngaqë e kishte të vetmen
vajzë, nuk e ndau nga djemtë e tij për asnjë çast. E merrte me vete nëpër
kuvende burrash, ku pati fatin të shohë me sytë e saj trimat e kohës, si: Isa
Boletinin, Shaqir Smakën, Kamer Loshin, Nak Berishën, Mehmet Deliun, Azem Bejtën
e shumë trima të tjerë. Nëpër ato kuvende merreshin vendime që të kërciste
pushka mbi pushtuesin serb. Aty këndohej dhe kënga e binte çiftelia për trimëritë
e trimave tanë. Por edhe Shota i binte mirë çiftelisë, si dhe çarkut të hutës. Këndonte
si zanë mali, sa edhe ta ngrinte peshë zemrën me zërin e kushtrimit: ”Ooo,
Prite, prite Azem Galicën, o hejjj!”...
Nëpër ato
kuvende Shota njohu Azem Galicën, me të cilin u martua në vitin 1915. Në vend të
rrobave të nusërisë, ajo veshi rrobat e burrave, në vend të pajës vuri armën
krahut dhe u bë nuse malesh. Në dasmën e saj ishin 300 krushq, me 300 pushkë krahut,
binin tridhjetë lodra përnjëherësh, kërcenin 300 malësorë vallen e kaçakëve të malit...
Shota, që nga ai cast, nuk u nda më nga Azemi dhe nga bashkëluftëtarët e tij. Dhoma
e saj e nusërisë u bë Çiçavica, stolitë e saj ishin gjerdani me fishekë rreth
belit. Kjo pra ishte Shota – gruaja shqiptare, që nuk u lodh e nuk u tut kurrë para
jetës së vështirë të malit, as para flakës së barotit, as para rënies dhe
plagosjes së luftëtarëve të lirisë, por as para masakrave, që bënin xhandarët
serbë mbi popullatën shqiptare. Përkundrazi, morali dhe forca e saj sa vinte e
shtohej, e vetëdijshme se liria e vendit nuk arrihet pa u hedhur në flakët e
luftës çlirimtare!
E tillë ishte
Shota dhe si e tillë vazhdoi këtë rrugë pa u luhatur, as edhe pas vrasjes nga
serbët të burrit e shokut të jetës së saj, Azem Galicës.
Gjatë jetës
së saj prej kaçaku të malit, Shota është ndeshur sa e sa herë me pushtuesin
serb. Janë dhjetëra beteja, me orë të tëra luftime, në pozicione të ndryshme e
shumë herë të pavolitshme e të pabarabarta në armatime. Gati në të gjitha
rastet, luftëtarët e lirisë kishin dalë fitimtarë, megjithëse kishin pësuar
edhe goditje të rënda, me humbjen e shokëve. Kjo përballje e Lëvizjes së Kaçakëve
të Kosovës me pushtuesin serb nuk ishte e shkurtër. Prandaj për Shotën, Azemin
dhe bashkëluftëtarët e tyre ishin krijuar mite e legjenda. Kështu, ishin përhapur
fjalë se Azem Bejta, bashkë me gjogun e tij, po fluturonte ose se kur thërriste
Shota: “Oooo, prite, prite Azem Galicën, o heejjj!” dëgjohej për tej shtatë malesh
e kodrash. Ose, thuhej se Shota me një dorë lufton dhe me tjetrën i bie çiftelisë
dhe se plumbat e saj kurrë nuk shkonin huq. Mandej thonin se Azemin dhe Shotën
nuk i zë plumbi i shkjaut. Por kushte dhe një legjendë kulmore, se tregon një guxim
e forcë të padëgjuar, kur për të nxjerrë plumbin që kish marë nga serbët, i
zgjat nagatin e saj doktorit, duke i thënë pa ju dridhur qerpiku: ”Qëlloje, se
plumbi del vetëm me plumb!”.
Shota
luftoi e barabartë me burrat, në çetën e Azem Galicës, në vitet 1914-1926. Çeta
kishte rreth 400 luftëtarë dhe vepronte krahas kryengritësve të tjerë të Kosovës
dhe vetëm në Rahovec kishte mbi 10.000 kryengritës. Gjithë Kosova, në ato vite,
ishte kthyer në vatër zjarri, ku në çdo cep luftohej për liri e pavarësi. Çeta
e Azemit dhe e Shotës mbajtën të çliruar, për një kohë të gjatë, një zonë prej
disa fshatrash dhe e quajtën “Arbëria e Vogël”. Mizoritë serbe-malazeze mbi
popullin e Kosovës kanë qenë të mëdha. Vetëm në një aksion të tyre ata vranë 12.371
veta dhe burgosën 22.110 të tjerë, dogjën 6050 shtëpi, ndërsa 10.526 shtëpi u
plaçkitën. Në një aksion tjetër serbët vranë gra, fëmijë e pleq, në disa
fshatra; nënat me foshnja i dogjën të gjalla, plaçkitën dhe rrënuan kudo, duke
mos lënë asgjë në këmbë. Në këto luftime Shota humbi 22 pjesëtarë të familjes së
saj: 4 vëllezërit dhe i shoqi u vranë në luftim e sipër, kurse nëna, motrat,
nuset dhe fëmijët e vëllezërve u pushkatuan nga forcat shoviniste mizore serbe.
Pas këtyre
masakrave çnjerëzore dhe rënjes në fushën e betejës të burrit të saj, Azemit,
ajo nuk u gjunjëzua as u ligështua, por gjeti forca dhe e udhëhoqi vetë çetën e
luftëtarëve të lirisë së Azemit, në luftë kundër forcave mizore serbe. Shote Galica u priu luftëtarëve të lirisë në sa
e sa aksione të rrepta, ballë për ballë me armikun. Ajo me zërin e saj u fuste
tmerrin xhandarëve, kur jepte kushtrimin: “Ooo prite, prite Azem Galicën, o
heej!”... Shota edhe u plagos në luftëra, por morali i saj nuk u thye asnjëherë,
kështu duke u bërë shembull e krenari për ne.
Shota, në
rolin e nënës, nuk pati rastin që të gëzoj ledhatimet e djalit të saj, i cili i
vdiq shumë shpejt pas lindjes, për shkak të kushteve të malit. Mirëpo Shota nuk
ndenji indiferente kundrejt kësaj ndjenje, ajo mori me vete, ngado që shkoi, fëmijët
e shokëve të rënë për lirinë e Kosovës. Për
as një çast, ajo nuk i la vetëm ata, duke u bërëkështu nënë e dytë e tyre, deri në çastet e fundit të jetës së saj.
Në fundin
e dimrit të ashpër të vitit 1926, e lodhur dhe e dërmuar e me zemër të plagosur,
e shoqëruar nga bashkëluftëtari i Çetes, Mehmet Deliu e me pak shokë të tjerë,
erdhën në Shqipëri, për të marrë veten,
me shpresën së do të ktheheshin me pranverën e parë. Shota u vendos në katundin
Shullaz të Krujës. Me vete kishte edhe fëmijët e shokëve të rënë dhe të mbetur
jetimë, të cilët ajo i kishte marrë përsipër t’i rriste dhe t’i edukonte me
frymën atdhetare. Me shpresën se do të gjente mbështetjen e mbretërisë së Ahmet
Zogut, ajo u zhgënjye shumë shpejt nga sjelljet e tij mospërfillëse. Shota nuk
e dinte se ai ishte borxhli ndaj Krajlit
të Serbisë, i cili e kishte strehuar, armatosur dhe kthyer nga hotel Bristoli i
Beogradit në karrigen e mbretit të Shqipërisë, duke e rrëzuar të parën Qeveri
Demokratike në Ballkan, Qeverinë e Fan Nolit!
Në këto
rrethana, pasi kishte dëmtuar rëndë pas 12 vjet lufte Lëvizjen Kaçake të Kosovës
së bashku me prijësin e saj, Azem Galicën, Krajli i Serbisë kishte kërkesa
shtesë pranë mbretërisë zogolliane, që të asgjësoheshin edhe rrënjët e kësaj lëvizjeje
në Shqipëri, ku Shotë Galica i kishte nën përkujdesje!...
E përballur
me tmerrin e varfërisë, e rrethuar nga harresa, varfëria, mjerimi dhe
inferioriteti i regjimit zogollian, ajo i shkroi një letër mbretërisë në fjalë,
ku thoshte: “Unë jam Shote Galica, gruaja e Azem Galicës, prijësit të Lëvizjes
Kaçake të Kosovës. Gjendem në katundin Shullaz të Krujës, ku kam dhe katër fëmijë
jetimë me vete. Janë fëmijët e luftëtarëve të vrarë për çlirim të Kosovës. Jam
e shtrënguar të ju vë në dijeni se jam duke vdekur nga uria, së bashku me fëmijët
jetimë!”...
Shota, po
ndeshej me vdekjen dhe vdekja e saj, në atë moshë kaq të re, më shumë pati për
pasojë moskujdesin njerëzor ndaj saj, ky moskujdes i qëllimshëm i një regjimi
mbretëror antikombëtar kurorëzoi kushtet e një vdekjeje të parakohshme dhe të panatyrshme
të një gruaje, që quhej Shote Galica, e cila ishte vetëm 32-vjeçare!...
E sëmurë nga
plagët e marra në luftë, në kushte të tilla të vështira ekonomike e shëndetësore,
Shota pati ardhur në fshatin Derven të Fushë-Krujës, me shpresën se do të ndihmohej,
nga shteti i asaj kohe, por e zhgënjyer thellë, e tradhëtuar dhe e braktisur
mizorisht, ajo vdiq më 20 korrik 1927. U varros sipas porosisë së vet, aty ku
ishte qendra e Fushë-Krujës dhe rruga, që lidhte Shqipërinë me Kosovën.
Pas çlirimit
të Atdheut, shteti shqiptar, duke e vlerësuar lart mdihesën dhe sakrificat e
Shote Galicës, i dha asaj titullin e lartë “Heroinë e Popullit”. Më vonë emri i
saj është përjetësuar në shkollën e mesme të Fushë-Krujës, si dhe është shpallur
“Qytetare Nderi” e Fushë-Krujës.
Është në nderin
e Fushë-Krujës, ku Shote Galica jetoi çastet e fundit të jetës së saj, vdiq dhe
u varros këtu, duke sjellë me vete historinë e heroizmin saj të pashoq, për të cilat
dhe është vlerësuar lart nga gjithë spektri politik, që si qytet, si
institucione shtetërore e organizata shoqërore, si komunitet e qytetarë të thjeshtë,
që brez pas brezi ta kujtojmë e nderojmë jetën dhe veprën e saj, luftëtare e
idealeve të mëdha kombëtare shqiptare dhe model për edukimin e brezave të rinj.
Në mbyllje
të këtyre radhëve e ndiej për detyrë qytetare e atdhetare, që të theksoj nevojën
e një vlerësimi e angazhimi më të madh e të vazhdueshëm, jo vetëm të institucioneve,
të organizatave e të komunitetit të Fushë-Krujës, por dhe të Qarkut Durrës e të
institucioneve qendrore të Shqipërisë e Kosovës, për ta mirëmbajtur e shndërruar
vendvarrimin e saj në një vënd të përshtatshëm, plotësisht të merituar e të vizitueshëm
për publikun e gjërë shqiptarë.
Lavdi të përjetëshme jetës dhe veprës së Shote Galicës!