Speciale » Karanxha
ILIA S. KARANXHA: IKONOGRAFIA E ADHURIMI I ZONJËS SË SHKODRËS NË VENEDIK
E merkure, 01.08.2012, 08:33 PM
IKONOGRAFIA
E ADHURIMI I ZONJËS SË SHKODRËS NË VENEDIK
NGA ILIA S. KARANXHA
Shkolla e shqiptarve në Venedik (Scuola degli Albanesi)
Zanfillat
e këtij institucioni mund t'i shikojmë
qysh më 21 qershor 1368 kur Këshilli i
të Dhjetëve në Venedik ju lëshon lejën
disa 'personave të devotçëm' për
të krijuar një 'schuola' që do t'i dedikohej Shën Gallos në kishën e
Shën Severit mirëpo pas disa muajsh më 1 nëntor të po atij viti leja u
tërhoq. Këta të devotshëm kishin qënë
drishtanë (L. Nadin 2008) të cilët me shumë ngjasa duhet të kenë vazhduar veprimtarinë e tyre si
bshkëvllazëri edhe pse zyrtarisht nuk ju njoh kjo e drejtë.
Hipoteza e vazhdimësisë apo e organizimit të shqiptarve qysh nga viti 1368 gjejnë një farë
konfermimi nga zhvillimet e mëvonshme në po atë vënd. Kështu më 22 tetor të
vitit 1442 lëshohet përsëri një lejë në favor të një grupi shqiptarësh, po në atë famulli për të nisur një bashkëvllazëri e cila do t'i dedikohej Shën Gallos, mirëpo pa mbushur akoma viti më
10 shtator 1443 leja anullohet. Arsyeja zyrtare kësaj radhe u gjet se këto
'bashkëvllazëri ju lejohen vetëm venecianëve'. Në fakt Serenisimës nuk i pëlqeu aspak
entusiasmi i menjëhershëm i më se 200 shqiptarve për të formuar bashkëvllazërin
e tyre e në dokumentin përcjellës
arsyeja e vërtetë ishte “që
këta të mos guxojnë më të mblidhen në të ardhmen.” (G. Valentini: Acta
Albania Veneta p.III, t. 18, doc. 5029/ P. Xhufi : Dilemat e Arbërit
Mirëpo insistimi i shqiptarve, por
ndoshta edhe ndryshimi i situatave politike në Shqipëri, bënë që më 21
shkurt të vitit 1448 Këshilli i të Dhjetëve t'ju lejonte shqiptarve të trasferoheshin nga
Shën Severo në kishën e Shën Mauricio-s duke filluar kështu jetën
bashkëvllazërija e tryre që është e njohur me emrin 'Scuola degli
Albanesi'. Pavarsisht nga këto data në listën e shqiptarve të Venedikut që na referon B. Imhaus gjejmë më 1439 një
Andrea nga Shkodra që cilësohet si 'nënkryetar' ('vicarius') por edhe lista e
kryepleqve e nënkryetarve që janë
shënuar në rregulloren e shkollës
Del e
domozdoshme të sqarohet këtu se termi schuola në Venezien e dozhëve është përdorur për të treguar çdo lloj
shoqërie të qytetarve të organizuara për qëllime 'devozioni' e asistence
të administruara nga laikë nën kotrollin
vigjilent të gjykatave veneziane të cilat kishin lëshuar lejat e kishin
aprovuar statutet apo regulloret (mariegole) e tyre. Nga shek XIV deri në
fillim të shek XIX kanë vepruar aty me periudha të ndryshme kohe deri më 925 shkolla të vogla (scuole piccole). Veç
tyre ishin edhe shkollat e mëdha (scuole
grandi) ekonomikisht e politikisht më të forta të cilat influenconin edhe në vendimet e Serenisimës. Kështu ideja që ka zenë vend në disa tekste
akademike në Shqipëri si: institucioni arsimor më i vjetër shqiptar jashtë vendit apo se aty kanë dhënë mësim Marin Barleti e Marin Beçikemin dalin jashtë kuadrit historik me që kuptimi modern
i fjalës scuola nuk ka të bëjë aspak
me konceptin e asaj kohe.
Do të
jemi shumë më afër të vërtetës në se do
ta konsiderojmë institucioni i parë
fetar ku u mbajtën shërbesat në gjuhën shqipe. Janë një sërë treguesish
që mund të provojnë se Gjon Buzuku ka jetuar në Venedik, veprën e tij e hartovi mes shqiptarve në Venetik,
e botovi po në Venetik dhe e përdori për shërbesa fetare në gjuhën
shqipe po në Venedik e pikërisht në këtë Shkollë ku devocioni i jashtëzakonshëm për shën Mërinë mblidhte rreth vehtes adhurues të shumtë si
nga Shkodra po ashtu edhe nga viset e tjera.
Spostimi
i shqiptarve në famullinë e re veç devocionit për Shën Gallon tani do t'i
dedikoheshin edhe Shën Mauricios dhe më vonë mer një peshë të madhe adhurimi edhe i Shën Mërisë. Të tre këta
shënjtorë aty nga viti 1530 do të
skaliteshin në fasadën e shkollës së bashku me basorlievien e mermertë që kujtonte rrethimet e Shkodrës me qëllim
që Shkolla të mos
'duket si punishtja i ndonjë
artizani të keq'. Ndërsa mbishkrimi
në lapidari mbi rrethimet e Shkodrës kujtonte se: Shkodranët e vendosën në
kujtim të përjetshëm të besnikërisë së tyre të sprovuar drejt Republikës
veneciane dhe të përkujdesit të veçantë të Senatit venecian drejt tyre”
Në
rregulloren që rruhet në Arkivin e Shtetit në Venedik nuk duket që në fillim bashkëvllazërija të jetë e orientuar
drejt kultit marian me ndonjë prirje të veçntë. Më 1448 preçizohet që vendi i
kryeplakut (gastaldo) të shkollës do të vendoset në anën e majtë të altarit kur
të jepet meshë 'për njërin ose për tjetin shënjtor mbrojtës' e më poshtë
se mesha do të këndohet të djelën e tretë të çdo muaji duke 'shkëmbyer të dy
shënjtorët mbrojtës' pra duhet të jenë shën Gallo e shën Mauricio ndërsa
çdo të martë bëhej një meshë përshpirtje (në kujtim të personave të vdekur).
Duke ju referuar gjithmonë regullores vërehet se antarët duhet të mernin pjesë edhe në festa të tjera fetare por ama
për 'pendesën e kungimin e Pashkëve secili duhej ta bënte në kishën e tij'.
Pra
është e qartë që kemi të bëjmë me shqiptarë të shpërndarë në gjithë
Venecien e mes tyre veç shkodranëve
takojmë shumë durrsakë, lezhianë, ulqinakë, antivaras, drishtanë e tek tuk
ndonjë vlonjat apo tiranas. Në shoqatë
mernin pjesë aktive edhe gratë për të cilat në një pikë të regullores më
1448 mësojmë se ato kishin kryetaren e tyre (la gastalda) e duhej të
ishin të pranishme sidomos gjatë ceremonive për dy mbrojtësit e Shkollës.
Në fillim bashkëvllazëria përdorte me qira dy dhoma të cilat ja u
kishte lëshuar ikonomi i kishës por nga fundi i shekullit të XV u ndërtuan
lokale të reja e në regullore më 1491 e më 1497 flitet
për shtëpiza e për një spital të vogël. Në këto data ju tërhiqet
vemëmdja antarve për vizitën që dozhja i bënte Shkollës një herë në vit me rastin e shënjtorve Kozmo e Damiano.
Më 13
prill 1567 mësojmë se shkolla është në
vështirësi për mungesë antarësh dhe kërkon që shoqata t'i hapë dyert edhe
italianve. Duke filluar nga shekulli i
XVII vetë istitucioni i shkollave në Venedik
kishte humbur vlerën e rëndësinë e dikurshme. Krijimi i shumë
bashkëvllazërive abuzive e jashtë kontrollit shtetëror shvleftësonte mjaft
seriozitetin e tyre të dikurshëm. Shoqata e shqiptarve edhe pse nga jashtë deri
në fund për traditë e për prestigjin e dikurshëm ruajti emrin si Shkolla e
shqiptarve brënda saj u rit së tepërmi numuri i të huajve. Më 1677 bëhet një
bilanc i të regjistruarve ku teorikisht
figuronin 120 antarë por pjesa më e madhe e tyre nuk dihej në se ishin akoma
gjallë. Nga fundi i shekullit të XVIII dukej se kishte ndryshuar gjithçka si
përbërja po ashtu edhe karakteri i shoqatës që gradualisht ishte shndruar nga
një shoqatë kombëtare fetare e asistenciale në një shoqatë e artizanëve e tregëtarve
të vegjël bukëshitës.
Përpjekja
e fundit për ringjalljen e frymës devocionale
e nacionale ishte urdhëri i Papa Albanit më 22 prill 1701 i cili
kërkonte që altari i Shkollës të
privilegjohej çdo të hënë. Ky urdhër u mirëprit dhe u vu menjëherë në zbatim.
Brenda kishës së Shën Mauricios, altari
i shkollës paraqiste në një 'pikturë antike' Shën Mërinë e Shën Gallon
dhe nderimi i veçantë i saj çdo të hënë
të javës duket ka shkuar përpara për
disa vjet. Më 1709 kemi ripohimin e zbatimit të urdhërit të Papa Albanit por me
sa duket nxitja e re fetare nuk dha rezultatet e kërkuara të ringjalljes së
kultit marian të lidhura me historinë e dikurshme e të lavdishme të popullit
shqiptar. Shkolla e shqiptarve kishte mbetur pa shqiptarë ose me far pak të cilët
pas më shumë se dy shekujsh e kishin të pa mundur të bënin lidhjet e duhura
fetare e kombëtare apo të kuptonin qëllimet e mira largpamëse e të urta të Papa
Albanit. Problemet e bashkëvllazërisë nga mezi
shekullit të XVIII janë të tjera. Tani flitet për bukëpjekës, bukëshitës
apo shitës abuzivë të cilët ndiqen e ndalohen nga punonjësit e komunës. Brenda shkollës historitë e Virgjëreshës
Mari, vepra të Vittore Carpaccios, kishin
mbetur si një dekoracion i rastësishëm, të injoruara, të haruara
dhe pa asnjë lidhje me frymën e re të artizanëve ndërsa bazorelievet e jashtëme të
fasadës vazhdonin të tramsetonin
tek kalimtarët akoma momentet e një
ngjarje të lavdishme shkodrane-veneciane të fiksuar nga Shkolla e shqiptarve.
Pikërisht në këtë kohë kur në Shkollën e Shqiptarve gjithçka shkonte drejt një identiteti historik të asimiluar kemi shpërthimin apo ringjalljen e kultit marian lidhur me ikonën e Shën Mërisë të Shkodrës në Gennazano(Roma) i njohur në të gjithë Italinë tashmë me emrin Madonna del Buon Consiglio (Nëna e Këshillit të Mirë). Lind edhe në Venedik një Shkollë e re në kishën e shën Basso më 1756 me emrin 'Shkolla e Virgjëreshës së Bekuar të Këshillit të Mirë' (Scuola della Beata Vergine del Buonconsiglio) e cila sipas rregullores ka vepruar për disa dhjetvjeçarë. Ajo i ishte dedikuar pikërisht Shën Mërisë. Në lidhje me origjinën e antarëve të kësaj bashkëvllazërie nuk bëhet fjalë por në rregulloren e saj theksohet fakti se ata bëjnë pjesë në 'Lidhjen e Shënjtë të Gennazanos' e adhurimi i Shën Mërinë konsistonte në mrekullinë e ardhjes të imazhit të shënjtë nga Shkodra në Gennazano. Ringjallet memoria historike shqiptare në një kontekst e në një formë te re prapa të cilës qëndron mëndja, vepra e parashikimi gjenial i papa Albanit.
Pajimet e ikonografia e Shkollës së Shqiptarve.
Veprimtaria
e shoqatës ishte e lidhur ngushtë si me
aspektet ikonografike që zbukuronin ambientet e saj po ashtu edhe me ato
objekte (libra e orendi kishtre) që ajo përdorte për kryerjen e cremonive por
që fatkeqësisht informacioni është tepër i pakët e pjesa më e mdhe e tyre kanë humbur.
Në
rregullore flitet për një kryq të ri prej argjendi për të cilin kish pasur
kërkesa edhe nga Shkolla të tjera mirëpo kryesia vendos me një nyje të veçantë
që këto orendi fetare duhet t'u
jepen hua vetëm famulltarëve të
Shëm Mauricios. Më 1477 mësohet se shoqata kishte pasur shumë kërkesa nga
priftërinj të ndryshëm që të shërbenin aty
por ajo vendosi që të pranoheshin vetëm dhjetë. Sidoqoftë një numur i madh
që indirekt tregon për një veprimtari intensive të shoqatës.
Informacione
më të plota ka në lidhje me
“dokumentacionin” e “librat” fetare të shkollës. Më 1477 regjistrohet një
urdhër ish- patriarkut Maffeo
Contarini i cili kërkonte që një shkrues i posaçëm duhet t'i mbajë në
rregull librat e shkollës. Më 1499 nën
kryepleqësinë e Nikollës të Pietros rregullorja vishet me kadife e më 1507
Mbikëqyrsit e Komunës kontrollojnë e ripranojnë kapitujt e saj.
Më 1552 mësohet se u hartua
një rregullore e re me shumë
minjatura (ben miniato) dhe e veshur me argjend prej priftit
kaligrafistit breshian Giovanni
Vitali i cili ishte nënpunës në Kancelerinë Dukale. Me sa duket shoqata i ishte
borçli atij për kujdesin që kishte treguar më parë edhe për librat koralë të
bashkëvllazërisë. Asnjë nga këto
dokumenta të rëndësishme nuk ka
mbritur deri tek ne veçse mësojmë se më 1750
shoqata vendos të bëjë një tjetër kopje të regullores
'me që në të vjetrën ishin shkëputur dy fletë' . Pra kjo e
fundit ka mbritur deri sot.
Paralelisht
me realizimin e fasadës që e përmëndëm
më lart flitet edhe për një altar prej guri në
ambientet
e brëndshme të katit përdhes të Shkollës. Mbi këtë vepër njoftimet e mëvonshme
që e përmëndin janë tepër përgjithësuese. Giovanni Picini më 1697 duke folur
për kishën e Shën Mauricios thotë se aty është: Shkolla e Sakramentos dhe e Virgjëreshës të Bekuar (pra e
shqiptarve) dhe se ..konventua e Shën Gallos me shkollën e shqiptarve ka pesë
altarë. Të jetë fjala për ambientet
brenda kishës apo brënda Shkollës?
Më
1736 po mbi këtë argumet nga Pacifico
Pier Antonio kemi një informacion disi më të detajuar :
'Jashtë
portës që është në fund të kishës, ngrihet fill pas saj shkolla e të
përmëndurve shqiptarë që gjithashtu vlen të vizitohet për pikturat e ndryshme
prej dore antike' (e më tej se)
'Altari i Virgjëreshës së Bekuar dhe i Shën Gallos në 'pikturë antike'
është e shqiptarve apo epirotëve, bashkëvllazëria e të cilëve është nga më të
vjetrat'.
Ky
duket dallon dy ambietet e ndryshme atë të Shkollës nga ai i Kishës. Pikërisht
me alltarin e Virgjëreshës së Bekuar brënda kishës ishte
i lidhur edhe urdhëri i Papa
Albanit. Në një doracak të vitit 1745 përsëritet gati i njëjti informacion. Të parët studiues (G.Ludwig e P. Molmenti) që
ju kushtuan seriozisht veprës të Vittore
Carpaccios në Shkollën e shqiptarve nuk e konsideruan këtë pikturë antike mes
gjashtë tabllove të tij.
Me
shtimin e numurit të shkodranëve brënda shoqatës edhe koncepti i adhurimit u
lidh me shën Mërinë e qytetit të tyre. Me kujtesën historike të një periudhe të
lavdishme e cila në ato momente e vuri
Shkodrën në qëndër të vëmëndjes evropiane.
Qëndresa dhe trimëria e shqiptarve
u bë një nga tiparet
kryesore të karakterit të tyre në
mbrojtje të lirisë e të krishtërimit.
Më 17 mars 1498 një nyje e
regullores thekson se shkolla duhet të rrijë e hapur në këto
katër festa mariane : Lindja e shën
Mërisë, Lajmërimi, Pastrimi (Thuhet edhe
paraqitja e Shën Mërisë në Tempulli) e Marrja në Qiell.
Kulti
marin tashmë ishte bërë parësor brenda shoqatës dhe shkalla adhurimit të
Virgjëreshë së Bekuar nuk
reflekton aty në ndodonjë inkonë të
vetme apo të posaçme por me një
cikël të plotë prej gjashtë tabllosh që paraqesnin jetën e
Shën Mërisë realizimi i të cilave ju
besua piktorit të shquar venecian
Vittore Carpaccio(1465-1526)
Asnjë
dokumet i kohës, asnjë referim i drjtpërdrejtë ose i tërthortë nuk bën fjalë
për këtë angazhim të Carpaccios. Veprat e tij mbetën krejt të pa njohura nga
studiuesit e artit deri sa më 1784 inspektori padovan Mengardi (Giovanni
Battista Mengardi) që kishte marë detyrën nga Këshilli i të Dhjetëve të bënte
regjistrimin e të gjitha veprave të artit që ndodheshin në kishat,
bashkëvllazëritë
(scuole) dhe në vendet e tjera publike e private me entusiazëm njoftote më 1
qershor se kishte zbuluar në shkollën e 'Pistorve'( Bukëshitësit i ishin
bashkuar shkollës të shqiptarve) në Shën Mauricio 6 tabllo 'eccelenti' të
Vitore Karpaçios.
Të
gjitha tabllotë Mengardi i gjeti të vendosura njëra pas tjetrës në anën e majtë
të murit të brëndshëm të shkollës të cilat më vonë na i shënon sipas kësaj
rradhe : 'E para paraqet lindjen e Marisë së Virgjër. E dyta paraqet vajtjen e
Marisë në tempull. E treta paraqet martesën e Marisë me Shën Jozefin. E katërta
paraqet Lajmërimin e Maries...E pesta paraqet vizitën e Maries tek Shën
Elisabeta. E gjashta paraqet vdekjen e Marisë...' Ka shumë
të ngjarë që pjesë e kërij cikli
të kenë qënë edhe dy vepra tjetër e
Carpaccios “Arratisia në Egjypt” sot në Washington Gallery of Art dhe “Adhurimi i fëmijës me dy bamirësit” sot në Lisbona Muzeo i Fondazionit Calouste Gulbenkian. Pëmbajtaja dhe dimesionet e këtyre tabllove shkojnë në të njëjtat linja me ciklin e
mësipërm.
Mirëpo
njoftimi publik i Mengati nuk përmblidhte të gjitha veprat e artit që
ndodheshin aty mbasi më 1808, viti i
çmontimit e shpërndarjes së veprave të Carpaccios nga lokalet e shkollës, u
gjendën aty edhe 43 vepra të tjera të cilat u konsideruan
nga Pietro Edward me 'fare pak vlerë' dhe akoma të tjera nga 'ato më
të poshtrat'. Përsa i përket
veprave të Carpaccios ato: Hynë në listën e objekteve të arteve të bukura të zgjedhura në dispozicion
të Lartësisë së Tij Perandorake Eugenio
Napoleone.. me porosinë e Zyrës së Përgjithëshme Ushtarake të pasurive të Kurorës nga delegati
Pietro Edward.. Kështu vlerësimi në
total e disi i nxituar i këtij eksperti
të artit kishte karakter kryekëput
estetik e nuk merte fare për bazë vlerat
historike që ato mund të kishin aq më tepër që shumë prej tyre siç na refron Pacifico Pier
Antonio më 1736 ishin prej dore antike.
Kritika e artit për ciklin e Virgjëreshës të Carpaccios ka tërhequr një numur shumë të madh studiuesish e paraqitet mjaft e debatuar. Me gjithëatë duhet të theksohet se aspekti historik e fetar i lidhur me komunitetin e shqiptarve në Venedik është mjaft i varfër në studimet e ndryshme. Askush nuk citon Marin Beçikemin (Barletin) i cili më mirë se kushdo ka sintetizuar luftën e popullit shqiptar mbi bedenat e Shkodrës si një luftë të vërtetë perëndish duke parë tek luftëtarët e atyshëm si forcën fizike po ashtu edhe atë shpirtërore: “...Që më sot të gjithë popujt e të gjithë kombet -shkruan Beçikemi- për hir të trimërisë suaj me të drejtë do ta quajnë Shkodrën mburojë e shtyllë të mbarë fesë së vërtetë...” Të gjithë ishin adhurues të flaktë të Shën Mërisë e pikërisht kur shkruheshin këto fjalë Carpaccio pikturonte historitë e Virgjëreshës së Bekuar. Në art, në letërsi e brenda shpirtit të tyre u stampua e kaluara e lavdishme e një kombi në robëri. Ishin shkëndijat e para të ruajtes së kujtese historike që do të shpinin në rizgjimin e një populli të cilat Kisha e Romës e prelatët më të shquar shqiptarë nuk i lanë të shuhen.