E shtune, 27.04.2024, 12:09 AM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Revista Shqiptari - Sadulla Daja

E shtune, 28.07.2012, 04:19 PM


Revista Shqiptari kushtuar legjendës shqiptare të Suedisë, Sadulla Zendeli-Daja

Nga Baki Ymeri (Bukuresht)

E botuar me kontribute vullnetare, revista e Nikolla Naços me traditë 124 vjeçare të botimit me ndërprerje, vazhdon të dale sot e kësaj dite në qytetin që mban emrin më të bukur të të folurit shqip, siç e karakterizonte Lasgushi Bukureshtin e rilindësve tanë. Në faqet e para, pas ballinës dhe disa veprimtarëve të zellshëm të kësaj kolonie, jepen portretet e Gjergj Kastriotit dhe Adem Jasharit, dy figura legjendare që përfaqësojnë simbolin e Bashkimit Kombëtar.

Në kuadrin e artikullit “Drita shqiptare e mërgimtarëve tanë”, bëhet fjalë për librin e Nehat Jahiut kushtuar Sadulla Zendeli Dajës me fragmente si: “Titulli përcakton vendin në gjeografinë e ndjenjave, ndërsa mendimi derdhet në vargje që dëshmojnë se poezia është një guxim i mveshur me vesën e sinqeritetit dhe luciditetit. Jeta dhe vepra e protagonistit të kësaj poeme del nga tiparet e një tensioni që krijohet nga një botë e reflektuar në gjeografinë e mallit. Nehat Jahiu vjen para opinionit me një vepër të re kushtuar njërit nga veprimtarëve më të shquar të diasporës shqiptare në Skandinavi. Në këtë poemë bëhet fjalë për ngjarje të ngjara në brigjet e atdheut dhe pranë polit të veriut, në një siujdhesë nordike ku mërgimtarët tanë e ndjejnë veten si në shtëpinë e vet, apo si në atdheun e tyre të dytë, siç shprehet Ismet Hasani në një poezi të tij. Libri nuk ka karakter personal, por në faqet e tij, që nga vargjet e para defilon shpirti i madh i një atdhetari që justifikon faktet e apostujve që lindin dhe shkrihen për komb e atdhe.” Dhe më tej:

Krishti i drejtohet Shën Palit për shpërndarjen e krishtërimit në Iliri dhe Nehat Jahiu e konsideron personazhin e këtij libri si një misionar të lindur me dashuri patriotike, intelektuale e atdhetare, si një intelektual me ide përparimtare, siç kemi patur fatin ta njohim edhe ne para disa vitesh në një panair të librit në Tetovë, me një libër ballinash të mrekullueshme kushtuar gjuhës shqipe dhe lexuesve të saj. Jeta dhe vepra e Sadulla Zendeli Dajës është një jetë martirësh që dit/e/natë mendojnë për Shqipërinë e bashkuar në totalitetin e Saj historik, etnik dhe gjeografik. Sipas autorit të kësaj poeme të gjatë, ai është një shpirt i ndjeshëm dhe poet “zemërkallur e zemërprush/ dashurinë për vendlindje nuk ta ndali askush”.

Para nesh kemi një vepër briliante që shkëlqen me një përmbajtje të strukturuar në bazë të afirmimit të shpirtit tonë në diasporë. Sadulla Zendeli-Daja nga Vrapçishti i Gostivarit, bën lobi për afirmimin e gjuhës së bijve të shqipes në veri të Europës, duke na i përkujtuar rilindësit tanë që luftuan me vetëmohim të rrallë për përhapjen e shqipes së shkruar e të kulturës në gjuhën amtare, për zgjimin dhe përforcimin e ndërgjegjes patriotike të masave, dhe sidomos të rinisë, për organizimin e lëvizjes së çlirimit shqiptar nga sundimi osman. Sadulla Zendeli-Daja, ky njeri vlerash të jashtëzakonshme morale, kulturore, patriotike dhe shpirtërore, inkorporohet në spektrin e poetëve, publicistëve dhe shkrimtarëve që u përpoqën të çelin udhën e letërsisë së re, përkrah shkrimtarëve dhe poetëve më të njohur që ka bota shqiptare në trojet e Skandinavisë.”

Faktikisht, këto ishin disa nga fragmentet e njohura që defilojnë në veprën respektive. Pason një shkrim me titullin “Tungjatëjeta, Sadulla Zendeli-Daja”, i autorit Murat Gecaj (publicist e studiues-Tiranë), sipas të cilit “Kur atij manifestimi entuziast po i vinte fundi dhe Daja i kishte kryer më së miri detyrat e njërit nga “të zotët e shtëpisë”, erdhi çasti të ndaheshim. Se ai do të udhëtonte përsëri për në vendbanimin e tij, ku e prisnin bashkëshortja dhe njerëzit e tjerë të familjes. Duke u përqafuar së bashku, jo pa mallëngjim dhe me emocione, i uruam atij shëndet të plotë, begati e arritje në punë dhe lumturi në familje. Dajën e kam të fiksuar ashtu të buzëqeshur në kujtesë, që na përshëndeste nga larg dhe në dorë mbante një çantë, mbushur me libra të dhuruar. Por aty kishte edhe “Mirënjohje”, nga QKSH “Migjeni” dhe kryesia e Shoqatës së Arsimtarëvë të Shqipërisë, për veprimtarinë e tij të shquar: atdhetare, arsmiore e kulturore etj.”

Ate që e bënin bijtë e shqipes dikurë, duke kërkuar krijimin, botimin dhe shpërndarjen e teksteve të mësimit, abetare, gramatika, libra të këndimit dhe të shkencave, e bën viteve të fundit Sadulla Zendeli Daja në diasporë. Nehat Jahiu shkruan për mallin e dashurisë në shpirt e në sy, duke e përkujtuar Suedinë si “shtet me vlerë” që i tha poetit “Eja te ne e futu brenda në bibliotekë!” Sadulla Zendeli Daja u mor me kultivimin e gjuhës dhe traditave kombëtare. Sipas autorit, ai hapi shkollën e parë shqipe për fëmijët shqiptaë, që ishin atje në Suedi me prindrit si mërgimtarë. Dhe jo vetëm, kaq, ai hapi “edhe një shkollë tjetër me burbuqe”, në Emmboda, dhe një në Kalmar, e në qendra tejra, dhe kështu “ia filloi mësimi në gjuhën shqipe për herë të parë/ fëmijët shqiptarë që ishin në Suedi mërgimtarë.”

Pason një parathënie me titullin “Kosova si mburojë kreshnikësh me piramidë dashurie” kushtuar Zyrfete Kryeziu-Manajt, që vjen në arenën e jetës shqiptare me uraganin e dhembjes dhe dashuri magjike, duke na ofruar një buqetë të bukur këngësh lirike të mbujtura me emocione në peshoren e zemrës me sytë e qiellit. Brenda kornizës së inspirimit të saj, shkrep zjarri i ndjenjës me peshën e mendimit dhe shpirtin e fjalës. Koha, fjala, dielli, lumi, valët e jetës dhe meditimi. Brenda kopertinave të librit të saj, shkrep dashuria me rezet e diellit, ndërsa koha përflak rrjedhën e jetës me meditime të çiltra dhe blerim zemrash. Sytë e qiellit, sipas saj, s’mund të ndahen “nga vargu im”, sepse jeta është një uragan dashurie me syrin magjik që të josh që në shkim të parë: “Në peshoren/ E zemrës/ Vendosa/ Fjalët e krisura/ Dhe dashurinë” (...).

Revista Shqiptari del në kolor me rreth 50 faqe. Prof. Murat Gecaj shkruan mbi Dorelën dhe Gadishullin e Skandinavisë. ”Populli i këtij vendi i do shumë shqiptarët dhe disa nga këta kanë shkuar  atje emigrantë. Për fëmijët  e tyre janë çelur kopshte e shkolla, ku e mësojnë edhe gjuhën tonë të bukur shqipe. Por shqiptarët kanë edhe një klub të tyrin, i cili e ka emrin e poetit tonë të madh kombëtar, “Migjeni”. Aty mblidhen shqiptarët e moshave të ndryshme dhe në ballë të sallave të tij kanë vendosur Flamurin tonë Kombëtar, me shqiponjën dykrenare. Sidomos me raste festash, ata recitojnë, këndojnë e kërcejnë, sipas traditave tona popullore. Kur po i flisja për këto dhe për gjëra të tjera për Suedinë, Dorela u kujtua që unë i pata treguar se në Tiranë kishin ardhur dy shkrimtarë nga ai vend, pra miqtë e mi Sokol Demaku e Bahtir Latifi.

Më pas, më dërguan edhe disa numra të revistës në gjuhën shqipe, “Dituria”,  e cila botohet në qytetin Boras, ku banojnë ata. Por ajo më kishte parë, se i kisha derguar përshëndetje  me anën e Internetit edhe një shkrimtari tjetër, të cilin të gjithë e njohin atje me emrin  Daja (Sadulla Zendeli).   Kështu kishte ndodhur edhe me studiuesin e gjuhës shqipe (albanologun) dhe mikun e  Shqipërisë,  suedezin Ulmar Kvik, me të cilin tani kam shkëmbim mesazhesh, përmes Internetit.” Pasojnë fotografi të ndryshme, në njërën nga to, nga e majta: Mr.Sadulla Zendeli-Daja, Prof. Bedri Paci, Prof. Murat Gecaj, Rrahman Rrahmani, Hajdin Selaci, Hysen Ibrahimi, albanologu Ulmar Kvik, Mursel Shkupolli, Prof. Viron Kona, Miftar Havolli dhe Prof. Fetah Bahtiri (Boras-Suedi, më 14 prill 2012).

Ju dua më shumë se vetveten

Është një vështrim i Viron Konës kushtuar vëllimit poetik “Ditari i dhimbjeve”, të Sadulla Zendeli – Daja. Nga mottoja kuptojmë se kur hyn në shpirtin suedez thellë, të japin forcë, fuqi, ide…Nëse hyn në shpirtin suedez, gjen gjëra shumë të mira. Por kemi edhe ne shqiptarët gjëra shumë të mira dhe këtu bëhet pikëtakimi.” Më tej vlen të theksojmë se shkrimin respektiv e kanë botuar Zemra Shqiptare dhe Dituria. Sa për ilustrim që shkon në favor të librit, vlen kjo konsideratë: “Sadulla Zendeli – Daja, përdor mjeshtërish, një figuracion të pasur metaforik, madje të mrekullueshëm në gjetje artistike, të dhimbshëm në përmbajtje: “Qengjat e braktisur blegërijnë,/ Gjaku mbi barin e njomë pikturon,/ peizazhin e pranverës”. Theksi i poezisë së Sadulla Zendeli – Daja, është atdhetar. Atij i qan zemra për Kosovën martire, por është edhe krenar, sepse ajo e fitoi pavarësinë, me forcën dhe mundin e vetë, me gjakun vetë…Dhe, ja, si vjen refreni: “I bini çiftelisë,  atë dëgjojnë malet tona,/ Këndoni këngën e lirisë, Këngën e pavarësisë…”

Sokol Demaku bën fjalë për një fjalor të dobishëm, zbavitës dhe me një përdorim të thjeshtë. Autor i fjalorit me titull “Fjalori im i parë i ilustruar”, është Sadulah Zendeli – Daja me banim në qytetin Färjestaden të Suedisë emigrant që nga vitet gjashtëdhjeta thotë: -Erdha në mërgim, po si të flija i qetë! Çfarë të bëja për kombin tim? Përveç profesionit bibliotekar u bëra edhe mësues dhe... mësuesi ka detyrë fisnike. Prandaj pa u vonuar bëra çmos që të hap tunele drite dhe të bëja edhe të pamundshmen që fëmijët tanë të mos e harrojnë gjuhën dhe atdheun.” Kaq për momentin, pa e ridhënë krejt portretin e Sokolit për Dajën dhe veprimtarinë e tij të bujshme në fushë të leksikografisë dhe albanologjisë, gjë për të cilën do të bëjmë fjalë në numrin e dytë të Shqipatrit kushtuar këtij shqiptari të palodhshëm. Në vazhdim jepet ballina e revistës Kosova, një fotografi me shqiptarë të Bukureshtit para Kishës Shqiptare Më Një Ditë (1938), Inaugurimi i bustit të Naum Veqilharxhit në Braila të Rumanisë.

Pason Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton dhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, Laura Rushani në Klubin Diplomatik të Bukureshtit pranë Flamurit kombëtar (28 Nëntor 2011), Afërdita Dauti-Xheladini, një hijeshi e rrallës shqiptare në Gjermani, kujtime të bukura nga Rugova, ekipi i Televizionit të Kosovës në Bukuresht (2008), poezia „Fjalëndrituri” e Nehat Jahiut, „Liqenjtë e Sharrit ndriçojnë Skandinavinë tonë” e Sadulla Zendeli Dajës, kushtuar albanologut suedez Ullmar Qvick, me vargje si: „Shtrojmë sofrën e mikpritjes kombëtare/ Për ta nderuar e madh të shqiptarëve./ Këtu jemi pranë Jush o mik/ Mirëse vjen në gjirin tonë/ O i madhi Ulmar Kvik!/.../ Miku i mirë është porta e  Parajsës/ E miqësia dhunti e rrallë./ Ke ligjëruar dhe shkruar të vërtetën/ Miqësinë shqiptare dhe suedeze/ E bëre të hareshme/ Dhe përjetë të pavdekshme!”



(Vota: 22 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora