E premte, 26.04.2024, 09:48 AM (GMT+1)

Kulturë

Mikel Gojani: Intervistë me studiuesin Pjetër Nikolla

E merkure, 25.07.2012, 08:05 PM


INTERVISTË  ME STUDIUESIN E MIRËNJOHUR  NGA TIRANA, Z.  PJETËR NIKOLLA

DARDANIA ANTIKE, OSE KOSOVA E SOTME, ËSHTË TRUALL I BEKUAR DHE  PJESË SHPIRTËRISHT E PANDARË E SHQIPËRISË ETNIKE

Intervistoi: Mikel GOJANI

Këto ditë, në Tiranë,  bëmë këtë  intervistë me studiuesin e mirënjohur, prof. Pjetër Nikolla, i cili kohë më parë  nxori në dritë librin historik “Trojet e dardanëve”, që, njëherësh u bë shkas edhe për realizimin e kësaj interviste.

Z. Nikolla, konsideroj që është me interes për lexuesit të na jepni një letërnjoftim tuajin.

- Lindur në Mirditë më 1936. Kam zbritur  me prindërit në Laç të Krujës më 1946.  Shkollën e mesme dhe të lartë e kam kryer në Tiranë. Më pas kam kryer  specializim për filozofi, etj. Kam punuar në Bashkimet Profesionale (në sindikatë) në rrethin e Krujës për shumë vite, me detyrën e sekretarit në Krujë dhe të kryetarit në Kurbin. Kam punuar si drejtor i postave dhe telekomunikacioneve në Krujë e në Kurbin. Jam dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të Shqipërisë me medalje dhe urdhra pune. Me fillimet e tranzicionit kam shkuar me banim në Tiranë ku vazhdoj dhe sot. Fillimet  për të shkruar janë të hershme me ato publicistike në shtyp e në tregime. Më pëlqente të shkruaja në “Tribunën e Gazetarit”, organ i Forumit të Bashkimit të Gazetarëve të Shqipërisë. Që herët jam marrë me përkushtim e pasion me studime në fushën e historisë, letërsisë, folklorit,etnologjisë, mitologjisë etj dhe kam vazhduar pa ndërprerë, krahas detyrave administrative, gjë që pasqyrohet në botimet periodike në vijueshmëri si: “Kanuni shqiptar i Lekë Dukagjinit”, “Princët Dukagjinë”, “Doket e traditës shqiptare”, “Gjurmë të Mitologjisë Shqiptare”, “ Fiset e 12 bajrakëve të Mirditës”, etj. Si fryt i kësaj pune të lodhshme studimore erdhën në dritë dhjetëra libra të fushave të mësipërme midis të cilave: “Dukagjinët”, 2002, ”Nëpër shina”  2005”, “Përshëndetje, o Mirditë” 2007, “ E vërteta e Mitologjisë Iliro-pellazge” (Poezi), 2008,”Mirdita dhe Identiteti Kombëtar”, 2009,”Kosova për Ndrecë Ndue Gjokën”  2010,” Trojet e Dardanëve” 2012 etj. Shumica e tyre i përcjellë lexuesit edhe në përkthim anglisht. Kam gati libra të tjerë për botim në prozë e në poezi.

Ka kohë që ju merreni me krijimtari letrare,si në poezi, prozë(tregime) etj, por dhe me studime në fusha të ndryshme. Cila është fusha juaj më e preferuar dhe cilat janë disa nga arritjet tuaja?

- Drita Pelingu, aktore, që është një ikonë e teatrit dhe kinemasë shqiptare thotë: “Aktori nuk ka ç’të bëjë në një film pa skenarë të mirë” Kështu nuk mund të shkruhet, as në prozë, as në poezi, apo në gjini të tjera,  pa një subjekt të gjetur mirë. Sa më i mirë dhe i gjetur subjekti, aq më hapësirë ka autori për të ndërtuar një vepër me vlera artistike. Pra, zgjedhja e temës dhe e  subjektit kanë qenë të rëndësishme për mua. Kur shkruaj mendoj lexuesin “mësues”, sepse shkruaj jo për vete, por për njerëzit, për ata që kam përshkruar çdo gjë të bukur të tyre.  Më pëlqen fusha e historisë, që përcillet në prozë (tregime),  ashtu dhe në poezi. Dua t’u lë atyre që vinë pas nesh të shënuara ngjarjet historike. Sa i përket arritjeve të mia: Çdo gjë e bukur që shkruaj më duket se nuk është imja, port e lexuesit, atij i përkasin dhe i shërbejnë. Natyrisht, është satisfaksion për mua kur kolegët dhe lexuesi i thjeshtë me kanë vlerësuar stilin e të shkruarit qartë.

Në fushën e krijimtarisë letrare ju keni shkruar libra me tregime, si “Dukagjinët” 2002,”Nëpër shina” 2005, “Përshëndetje, o Mirditë” 2007, “E vërteta e Mitologjisë Iliro-pellazge” (vëllim poetik) 2008 etj. Çfarë  ngërtheni në këto libra me tregime dhe poezi?

- Të më falë lexuesi sepse është shumë e kufizuar mundësia që në këtë intervistë të tregohet vetëm për njërën nga librat. Për librin“Dukagjinët” duhet theksuar se ajo dinasti  ka zotëruar shumicën e territorit të Shqipërisë së Veriut dhe gjysmën e Kosovës së sotme. Ishin me dhjetëra e dhjetëra princër Dukagjin  që sundonin në këto treva. Dukagjinët ndaheshin në dy degë: Dukagjinët e Lekës që përfshinin: Zadrimën e Sipërme ( pjesë e Mirditës së Poshtme), Mirditën e Sipërme, gjithë rrafshin e Dukagjinit, përfshirë Krasniqe,Gjakovë, Prizren, me epiqendër në Ulpianë e në Orosh. Dukagjinët e Zadrimës, përfshinin Lezhën, Pukën, Fanin, Selitën, etj, me epiqendër Lezhën dhe Perlatin në Mirditë. Princët kryesore të degës së parë ishin: Pal Dukagjini (Pali i urtë), që mori pjesë në Kuvendin e Lezhës më 1444 bashkë me Nikolll Dukagjinin. që përfaqësonte degën e dytë, atë të Zadrimës. Në Këtë degë shquhet dhe Gjergj Dukagjini, i cili quhej dhe Gjergji i Zadrimës, i cili disa herë ka sunduar edhe Drishtin e Shkodrën. Ndërsa për Degën e parë, që përfshinte Mirditën dhe gjithë Rrafshin e Dukagjinit sundonin Pal Dukagjini dhe i biri Leka III Dukagjin (Lekë Dukagjini i famshëm i Kanunit) dhe princat pasardhës të dy degëve ku janë shquar dy Tanushët, Tanushi i Madh që jetoi në Shkodër, por që ka zotëruar dhe Lezhën dhe Tanushi i Vogël që ka zotëruar Perlatin (në Mirditë) i cili ka qenë për një kohë kryeqendra e Dukagjinëve. Duhet shënuar se Kosova e sotme (dikur dardanët) ishte e lidhur me Pirustët, të cilët gjithashtu ishin Dardanë nga territori i të cilëve sigurohej dalja në det. Pa u zgjatur kuptohet mjaft qartë sa e vjetër dhe e fortë është lidhja midis Kosovës,Mirditës e Lezhës.  Sa i përket librit tjetër me titull “Nëpër shina” qëndron ideja që njeriu i qytetëruar duhet të ecë gjithnjë me ekzigjencë, duke zbatuar të gjithë rregullsinë e ndërtuar nga shoqëria, nga shteti,nga ligjet,nga zakonet e mira,nga traditat e trashëguara që janë një mrekulli e harmonizimit të jetës shoqërore. Vetë njeriu e ka në dorë: do të ecë në rrugë të drejtë, të mos humbë ekuilibrin, sepse lokomotiva e shoqërisë do të ecë përpara përjetësisht. Ato që përshkruhen në libër, si jashtë shinave, janë qindra e mijëra-marrëzira, qindra-mijëra keqbërje, vjedhje, grabitje, vrasje dhe tragjedi  të tjera, bartësit e të cilave nuk dinë se po nxitojnë drejt errësirës, krahas atyre që ecin drejt dritës, përparimit e qytetërimit evropian, në truallin tonë shqiptar të bukurisë hyjnore pranë gjithë të mirave që na ka dhuruar Zoti.   Libri me titull “ Përshëndetje, o Mirditë” është një shtysë interesante. Në një emision para disa vitesh në “RAI  UNO”, Itali, për gjetjen e emrave “Enigmë” Në studio ishin disa studentë dhe personalitete të  kulturës italiane, të cilëve iu shtrua pyetja: “ Quale è il posto in Europa che tiene  un nome salutante” (Cili është një vend në Evropë që ka emër përshëndetës). Pas një pauze të vogël midis tyre kërkon të përgjigjet personaliteti i kulturës italiane Maik Buongiorno. Ai, duke buzëqeshur  përmes heshtjes dhe kureshtjes, thotë: “Është mbiemri im, Buongiorno” (me banim në qytetin Qervinja kufi me Zvicrën) dhe vazhdon: “Buongiorno  in Albania (Mirdita në Shqipëri) Të gjithë u ngritën në këmbë dhe përshëndetën “ Buongiorno Albania”. Moderatori i emisionit u tregoi të pranishmëve historinë e Mirditës martire, e cila gjatë 500 vjetëve të pushtimit osman nuk u islamizua dhe u vetëqeveris pa shtet, pa ushtri, pa polic, por me ligjet e kujtesës jetësore të harmonizuar aq bukur, që zbatoheshin me urtësinë më qytetëruese.  Në këtë libër, pasqyrohet etnologjia dhe etnografia, traditat, folklori, duke përfshire fiset e nënfiset për dhjetëra e qindra fshatra të 12 bajrakëve të Mirditës. Vlen të theksohet se çdo familje mirditore aty gjen vetveten. Në librin studimor mbi mitologjinë, (Poezi) me titull “E vërteta e Mitologjisë Iliro-pellazge”, duke parë mohimin e historisë Mitologjike Pellazgo-Ilire nga historianë të ndryshëm grekë, romak etj, nga lashtësia e këtej, më shtynte dëshira që të zbuloj e të argumentoj mjaft të vërteta të kulturës e të qytetërimit të lashtë shqiptar.  Hulumtimet i kam mbështetur në të dhëna shkencore nga historianët e shkrimtarët më të shquar të Lashtësisë siç janë: Herodoti, Straboni, Tit Livi, Turkididi, Virgjili, Sofokliu, Pausania, Pindari, Diodori, Demosdeni, Plini Plaku, Euripidi, Orfeu e shumë të tjerë.   Këto të  dhëna i kam ballafaquar me ato arkeologjike për qytetet antike kryesore të vendit  ku jam ndalur sidomos në atë të Finiqit dhe  të fshatit aty pranë, Palavli, ku janë rrënojat e qytetit të Kronit (Babai i Zeusit) dëshmuar me toponimet vërtetuese mjaft interesante dhe shkencore; por edhe jashtë Shqipërisë si atë për Akropolin, Athinë, Dodonën pellazge afër Janinës,etj.  Më pas m’u desh asimilimi në hollësi për të  shpalosur mendimet në vargje; punë e vështirë, por jo e paarritshme dhe doli në dritë më 2008 libri me poezi në këtë fushë.

Në fushën publicistike dhe studimore kontributi juaj është tejet i frytshëm, cili është ai motiv kryesor që ju ka nxitur t’i qaseni këtyre fushave dhe të nxirrni vlera të mirëfillta, të cilat do t’u qëndrojnë kohërave?

- E kam të vështirë të përgjigjem shkurt, por ritheksoj, se shtysa dhe nxitja kryesore ka qenë për të thënë të vërtetën. Shkrimtari francez Bomarshe thekson: “Kuraje për të shkruar të vërtetën”, sepse, siç tërheq vëmendjen Rexhep Qosja, “ Detyra e shkrimtarit nuk është të shkruajë si i pëlqen dikujt, por si është realiteti”. Për nivelin e të shkruarit mendimin e përpunoj dhe e ngjesh si brumin për të bërë diçka të dobishme për lexuesin, për njerëzit, për shoqërinë. Publicistika mendoj se përgjithësisht është larg së vërtetës. Ajo po bëhet (në mjaft raste) se i pëlqen dikujt.  Kam bërë zërin tim real në rrallësinë e së vërtetës së kohës. Në të shkruarit kam vetëm një interes, atë të atdheut e të kombit shqiptar. Të dhënat etnologjike, etnografike, folklorike, të ballafaquara me optikën reale, të verifikuara në vend, për mua kanë qenë gjëja më e çmuar e jetës. Ato kanë qenë busulla, por me ballafaqime  me njohës të mirë të këtyre fushave. Kritikat, vërejtjet e këshillat për mua janë të rëndësishme.

Kohë më parë keni botuar monografinë të titulluar “Kosova për Ndrecë Ndue Gjokën”, çfarë  mund të na thoni rreth kësaj monografie?

- Libri kushtuar pishtarit të dritës, Mësuesit të Popullit Ndrec Ndue Gjoka ishte detyrim për shkrimtarët e sotëm për ta fokusuar këtë figurë emblemë të arsimit shqiptar në aktualitet, sepse vlerat e veprës së tij janë të paarritshme. Mendoj se vlerat e mirëfillta të kësaj monografie janë, jo vetëm ngritja e shkollave në masë prej tij,por sjellja në vëmendje e një mësuesi model si në mësimdhënie dhe në lidhjen e punës së mësuesit e të shkollës me popullin, me prindërit, me jetën e njerëzve. Ndihma e dhënë aso kohe nga Shqipëria me arsimtarë dhe mjete të tjera shkollore për vëllezërit kosovarë është një shembull pozitiv që duhet vazhduar edhe sot. Mendoj se me vlerë është, sjellja në fokus e përvojës metodike dhe mësimdhënëse nga një plejadë mësuesish më të mirë të kohës së heroit dhe të vazhdimësisë së arsimit, bashkë me historinë shumëshekullore të arsimit kombëtar shqiptar.

Kohëve të fundit keni botuar librin studimor”Trojet e Dardanëve”,  çfarë mund të na thoni rreth këtij libri,që konsiderojmë se është një libër me vlerë, i cili duhet të tumiret si një ndihmesë e madhe për receptuesin shqiptar?

- Për historinë e Kosovës e të Dardanisë janë shkruar shumë libra edhe nga autorë të shquar shqiptarë edhe të huaj. Unë jam përpjekur të përzgjedh pjesët më të mira të historisë e të lavdisë së Dardanisë Antike, madje edhe më herët e shtrirë deri te Dardanët e Trojës e të Dardaneleve. Pra të pasqyroj një pjesë të mozaikut më të mirë të kohërave të lavdishme të trimërisë, burrërisë, luftës për të mbrojtur trojet e veta dhe  aftësisë së këtij populli për të lëvizur dhe për t’u stacionuar në vendet më të bukura të Egjeut, si pasardhës pellazgë-ilirë dhe për të lënë atje gjurmët më legjendare sipas poetit të lashtësisë, Homerit të madh. Aty kam pasqyruar madhështinë e lartësisë intelektuale dardane me paraqitjen e dhjetëra  perandorëve të Romës me origjinë dardane që nga Kostandini i Madh e deri te Justiniani, apo me dhjetëra shenjtorëve të lavdishëm dardanë që nga Niket Dardani e deri te Nënë Tereza të cilët janë krenaria e shqiptarëve. E pastaj kam lëshuar entuziazmin se si u realizua ëndrra e shqiptarëve dhe profecia e Fishtës për çlirimin e Kosovës, deri te parashikimi gjenial i tij, ngritja e monumentit mermeri të shpëtimtarit të popujve të shtypur dhe të mbrojtjes së demokracisë përfaqësuar nga ish-presidenti i  SHBA, Bill Klinton. Bashkimi i shqiptarëve në libër shtjellohet si një detyrë madhore që duhet realizuar shkallë-shkallë, sipas të drejtave ndërkombëtare, pa cenuar askënd,vetëm e vetëm që shqiptarët të jenë të lire dhe të bashkuar si çdo komb tjetër.

Për subjektin e Dardanisë janë shkruar shumë libra të tjerë nga studiues shqiptarë dhe të huaj të cilët kanë shpalosur pikëpamje nga më të ndryshmet, madje-madje ndonjëherë edhe me qasje kontradiktore,që do të thotë se subjekti dardan paraqet një temë mjaft të ndjeshme shkencore. Sa keni arritur t’i qaseni i këtij problemi esencial, që ekziston, për të paraqitur argumentet më autentike të kësaj teme bosht?

- Vërtet ka pasur pikëpamje, jo vetëm kontrakditore, por edhe mohuese për ta paraqitur Dardaninë me prejardhje jo Ilire, por Thrake. Mbas disa ballafaqimeve shkencore,në shek  XX u arrit një përafrim që i konsideronte Dardanët një popull të përzier, një popull Iliro-thrak  etj. Argumentet shkencore që vërtetojnë se dardanët janë  një fis ilir janë zbulimet e shumë monumenteve epigrafike me material të bollshëm gjuhësor onomastik. Dijetarja, Fanula Papazoglu, ka deklaruar se studimi i emrave të zbuluar vërteton se Dardanët janë Ilirë të mirëfilltë. Që nga Franc Nopça e deri te studiues shqiptarë e veçanërisht të dardanologu nga Kosova, Dr. Zef Mirdita, siç pohon edhe studiuesi i shquar Dr. Moikom Zeqo, kanë vërtetuar shkencërisht se etniciteti i Dardanëve si popull ilir është i padiskutueshëm (bazuar edhe në të dhënat arkeologjike, filologjike, në dimensionin e mitologjisë ilire) etj. Objektet arkeologjike antike ilire dardane, historia e kulteve vendase epikorike me kryehyjneshën dardane, me mbishkrimin “Dardania Sacrum” (Dardania e Shenjtë), dokumentohet  arkeologjikisht se kultura dardane është e njëjtë me atë të zbuluar në trojet e Shqipërisë së Sotme, është substancë shqiptare. Edhe në historinë modern  banorët e Dardanisë (Kosovë e Sotme) janë i njëjti etnicitet, e njëjta kulturë dhe qytetërim me kombin shqiptar. Pra është në thelbin e këtij kombi.

Zotëri Nikolla, mund të na tërhiqni një paralele të  kohës së ideologjisë komuniste dhe asaj të sotme? Sa ishte  “i lirë” shkrimtari, studiuesi të shprehte atë që ndjente?  A mund t’i shmangeshe kurtheve që krijonte ajo ideologji si një ideologji ekstreme,ku shkrimtari, studiuesi, privohej për motive ideologjike?

- Pavarësisht nga censura dhe autocenzura ideologjike, për hir të së vërtetës, në fushën e Letërsisë e të Arteve dolën një plejadë e fuqishme artistësh, shkrimtarë, poetë,  piktorë, skulptorë, skenaristë,  regjisorë,  dramaturgë,  muzikantë  etj, emrat e të cilëve janë të njohur dhe kontributi e vepra e tyre janë të pamohueshme. Kishte një Lidhje Shkrimtarësh, një Akademi Shkencash, akademistë të shquar, Dr. Shkencash e Profesorë, të cilët  kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e kulturës, letërsisë dhe arteve në Shqipëri. Me gjithë hermetiken e Realizmit Socialist, vlera dhe kontributi i tyre  mbetet i pazëvendësueshëm, i dobishëm edhe për gjeneratat që do të vinë. Nga ana tjetër kufizimet ideologjike dhe censura pati dhe martirët e vet që nga Plenumet famëkeqe komuniste, të cilët për shfaqje të ideologjisë borgjeze burgosën edhe kuadro të lartë  që përkrahnin reforma në fushën e Artit e të Kulturës si Fadil Paçrami e Todi Lubonja, apo që u burgosën mjaft artistë e shkrimtarë të njohur,  madje u arrit deri në masakra makabre si ato të poetëve martirë Trifon Xhagjika, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka deri te më i fundit, Avzi Nelaj.  Fitorja e shprehjes së lirë në letërsi dhe art  gjatë tranzicionit të stërzgjatur solli një vërshim të shkruari pa limit, krahas mjaft shkrimtar e poet, Akademistë e Profesorë bënë të mundur arritje të reja me vepra të niveleve moderne e bashkëkohore. Duhet theksuar se është mirë që dënojmë të shkuarën e hidhur, por nuk është aspak serioze që shpesh politizohen revista, gazeta prestigjioze, organizohen çmime për çmime me burokraci politike për vepra artistike.  Kjo duket qartë, veç të tjerash, në panairet e zhvilluara, në çmimdhëniet, etj. Pra, letërsia dhe arti shpesh herë ndjehen ende  nën ndikimet zyrtare e politike.  Dhëntë Zoti që “elita” politike dhe intelektualët ta kuptojnë se kjo po e dëmton  kulturën e qytetërimin shqiptar.

Sa i keni përcjellë zhvillimet letrare e shkencore në Kosovë dhe ç’përshtypje keni për to?

- Zhvillimet në fushën e kulturës e të arteve  në Kosovë janë pak më të veçanta se në Shqipëri.  Në Kosovën e ish-përfshirë me popujt e Jugosllavisë ka qenë jo vetëm censura ideologjike në kornizat hermetike të realizmit socialist, por edhe përballja me inkuizicionin ushtarako-policor me modelin hegjemonist sllav. Artistët kosovarë kanë përballuar me vetëmohim mbrojtjen e etnicitetit kulturor shqiptar, në rrjedhën  mizore të persekutimeve, burgosjeve dhe  deri me flijimet e tyre si martirë të kombit. Me gjithë presionet makabre të dyfishtë , arritjet ishin të gjithanshme ku spikatën shkrimtarë, historianë, poetë, piktorë, skulptorë, skenaristë, koreograf, muzikantë etj, të cilët, me prodhimtarinë e tyre letrare artistike cilësore, ngritën më tej shkallën e kulturës në Kosovë. Të njëjtën gjë po bëjnë edhe pas  pavarësisë së Kosovës për arritje cilësore moderne bashkëkohore, për të vënë edhe më mirë letërsinë dhe Artin në brazdën autentike kombëtare.  Në veprimtarinë kulturore artistike (me sa kam lexuar) edhe në Kosovë vihen re ndikime politike dhe trysni administrative  e shtetërore, gjë të cilat duhen  kritikuar si mjaft të dëmshme. Mendoj se puna e akademikëve, profesorëve dhe personaliteteve të tjera të kësaj fushe është e angazhuar për  vlera cilësore në rritje. Pozitiv është edhe bashkëpunimi i strukturave të Arsimit, Kulturës dhe të Arteve në dy anët e kufirit për të harmonizuar gjithë punën letrare, artistike dhe arsimore me fizionomi të mirëfilltë kombëtare.

Para se ta përfundojmë këtë bisedë edhe diçka për preokupimet tuaja momentale; pra ç’ka pret lexuesi nga ju?

- Kam disa ide e subjekte mjaft interesante që i kam nëpër duar të filluara e të keqtrajtuara. Se cila prej tyre del në plan të parë, nuk siguroj , por dëshiroj që lexuesin të mos e zhgënjej.

Ju faleminderit!

Qofshi me nder!



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora