E merkure, 11.12.2019, 10:08 PM (GMT)

Kulturë » Muzikë

Flora Durmishi: Intervistë me Rona Nishliun

E marte, 17.07.2012, 06:42 PM


Thjesht, e jashtëzakonshme!

Nga Flora Durmishi

E quajten Areta Franklin, Chaka Khan e, ajo është Rona jonë, Rona e shqiptarëve. Komentatori i Radio Televizionit Italian, thërriste për kujdes, po këndon Rona! Largoni gotat e kristalta nga dollapet se do të ju thyhen. Ndërsa një tjetër me plotë emocion thoshte: Rona Nishliu, momenti më i bukur i kësaj nate! Një super zë i mrekullueshëm. Një tjetër e vlerësoi si “zërin më shpërthyes të Eurovision-it”. Ndërkaq një tjetër komentator mundi të thotë vetëm dy fjalë: “Thjesht e jashtëzakonshme”! Komentatori spanjoll derisa po komentonte Erovizionin e përshkroi Ronën si një këngëtare të shkëlqyer, me shumë fuqi vokale, por edhe një  këngë e shkëlqyer që përcjell dramë. E, Graham Norton nga “BBC One”, e quajti Ronën “Zëri i jashtëzakonshëm i këtij viti. Dikush tjetër përvec zërit komenton edhe veshjen duke thënë : Shumë e përshtatur me të dhe veshja, me të cilën ajo përcjell një lloj misteri” Ndërkaq Radio Sarajeva pas gjysëm finales botoi një shkrim të cilin e ilustroi me foton e Ronës me titull: A është kjo fituesja e Euro song? Dhe ne, të dashur lexues, konsiderojmë se po, Rona jonë ishte fituesja e Eurovizionit.

Rona, suksesin tënd e kemi përjetuar si një gëzim jashtëzakonisht të madh kombëtar. Uroj të të hapen edhe rrugë të tjera në të ardhmen! Faleminderit që je sërish me mua në këtë bashkëbisedim!

Faleminderit shumë për këtë mundësi që më jepni. Faleminderit që më bëni pjesë të intervistave  tuaja. Faleminderit që më bëtë pjesë të programit tuaj atëherë kur unë kisha jashtëzakonisht shumë nevojë dhe kur kjo këngë kishte shumë nevojë për përkrahje. Ajo periudhë ka qenë bukur e vështirë dhe e tensionuar për mua. Megjithatë, ishin disa njerëz, në mesin e të cilëve edhe ju zonja Flora që më qëndruan pranë. Ju falënderoj shumë për mbështetjen dhe faleminderit për vlerësimin dhe mendimin tuaj që ky ishte një sukses I të gjithëve dhe jo vetëm I imi.

Rona, unë u kënaqa kur dëgjova këngën shqip, më pate premtuar në intervistën para Bakusë, se këngën, do ta bësh të pamundërën që, ta këndosh shqip dhe, e mbajte fjalën. Kishte skeptikë për këtë se, kënga mund të mos kuptohej. Por, kënga u kuptua shumë mirë, madje u përjetua. Atë e kënduan njerëz që kurrë më parë nuk kishin dëgjuar shqip ose nuk dinin asnjë fjalë shqip. Pra, kënga la gojëhapur jo vetëm profesionistët Cka, në të vërtetë, ka kjo këngë kaq të vecantë që të mbërthen sapo e dëgjon.!

Faleminderit sërish për vlerësimin. Në pozicionin që kam është e vështirë që unë të them cfarë vecantie ka kjo këngë e cila e bëri publikun të ndjente dicka megjithatë, mua më vjen jashtëzakonisht mirë me këtë që është arritur. Unë vërtetova edhe një herë një moton time dhe një gjë që, unë shumë kam besuar në muzikë, se muzika është padyshim gjuha më e bukur, gjuhë universale, dhe gjuha më e fuqishme e cila komunikon përtej shteteve, përtej racave e përtej kufijve. Më vjen mirë që, është dëshmuar, një kinez, I cili jeton në Finlandë, apo një turke e cila nuk di asnjë fjalë shqip ose një gjerman a Italian, të këndojë shqip dhe të ndjejë emocione pa kuptuar asnjë fjalë të tekstit dhe, për këtë jam shumë e lumtur.

Rona, konsideroj se kënga pati sukses ngase ishte shumë origjinale. Kam përshtypjen se, secili gjente dicka nga jeta e tij. Vetëm ky origjinalitet e bëri këngën që të arrijë këtë sukses. Pastaj, zëri I mahniti të gjithë. Madje, edhe ne që të njohim kaq mirë nuk e besonim. Na shkonin mornica trupit dhe lot gjatë interpretimit.

Rona qeshet

Rona, të quajtën Mbretëreshë e Këngës Shqipe. Këtë epitet e ka pasur vetëm zonja Nexhmije Pagarusha. Thonë që cdo 100 vjet lind nga një talent I tillë. Me këtë epitet duhet të jesh ndier  krenare!

Ndihem jashtëzakonisht krenare për vetë faktin qe, muzika për mua është gjithcka. Është jeta ime! Dhe, nëse kam bërë në cfarëdo sfere të jetës compromise, për të jetuar, sepse secili duhet të jetojë dhe jam munduar që ta ndërtoj jetën time në atë mënyrë që gjithcka tjetër që bëj do të më mundësonte që muzikën ta bëjë me pastërtinë më të madhe. Për mua është një gjë e jashtëzakonshme të marr vlerësime të tilla  aq më tepër duke e ditur që populli shqipar ka vlerësuar gjithmonë me meritë, ata që vërtetë kanë qenë meritor. Dhe, nëse mua më kanë atribuar atë epitet përulem para të gjithëve. Jam jashtëzakonisht e lumtur.

Këto ditë pra, kanë folur shumë për ty. Foli kritika, njerëzit e zakonshëm e edhe  kolegët e tu. Mund të na kujtosh fjalinë më të bukur që kanë thënë për ty, jo vetëm  shqiptarët por edhe të huajt?

Momentalisht jam duke jetuar mes realitetit dhe ëndërrës , dhe është shumë e bukur. Thjesht, jam si në ajër si në ujë…Nuk mund ta përshkruaj megjithatë, më vjen mirë që në pjesën dërrmuese të komenteve ajo që është  nënvizuar ka qenë thjeshtësia e sinqertë. Në momentin që kam marrë komente,vlerësime etj, dhe në mesin e gjërave të tjera është thënë edhe kjo pra “thjeshtësia e sinqertë”, kam qenë më e lumtura në botë.

Më duket Prenk Jakova ka thënë se ai autor I cili është I sinqert patjetër që do të kenë sukses, e kjo është vërtetuar edhe në këtë rast.

Po është vërtetuar por, nuk duhet harruar që ka patur me dhjetra muzikantë, jo vetëm te ne por edhe në botë  të cilët, ndoshta nuk jetuan në momentin e duhur dhe sinqeriteti I tyre nuk u shpalos deri në masën që ata deshën. Unë jam e lumtur që pata mundësinë ta ndaj me dhjetra mijëra të pranishëm në sallë  dhe me miliona spectatorë këtë tregim shumë personal, shumë të rëndësishëm përmes të cilit desha që të tjerët ta gjejnë tregimin e tyre.

Dhe e kanë gjetur!

Dhe po, më vjen mirë që shumë e kanë gjetur.

Shumë artistë nuk e kanë përjetuar famën në gjallje. Ti, kam përshtypjen se po e përjeton këtë famë. E ndjej këtë.

Rona sërish qeshet.

Ke vënë ndonjë kontakt me autorë të huaj të cilët kanë pikasur zërin tend,  ju ka bërë përshtypje ky zë? Ka pasur ndonjë tentative, sa ke qenë atje, për të bërë ndonjë kontratë ose për të krijuar vetëm për kualitetet e zërit tënd?

Personalisht kam qenë e fokusuar në detyrën time për të cilën isha deleguar nga Festivali i RTSH-së. Natyrisht që ka pasur mundësi të organizohen takime mirëpo, kam dashur që, për hirë të atyre që kanë besuar fuqimisht  në këtë, unë të jap maksimiumin tim dhe të mos shpërqëndrohem me gjëra të tjera. Megjithatë, kryetari I delegacionit të grupit shqiptar më ka thënë që pasi të qetësohet pak gjithcka, ka shumë gjëra që duhet t’I diskutojë me mua. Akoma dicka konkrete nuk kam por, për gjithcka do të ju informoj kur ta kuptoj edhe vetë.

Rona, dua të ta bëj një pyetje të cilën ndoshta duhej bërë të parën: E ke pritur këtë rezultat?

Jo, sepse të gjithë punën që e kam bërë për këtë këngë dhe prezantim, nuk e kam bërë duke qenë e orjentuar në rezultat ose duke synuar një rezultat të caktuar. Thjesht, nuk kam ndërtuar pritje të cilat ndoshta  sot do të mund t’I analizoja nëse janë arritur ose jo. Kam punuar pa asnjë kompromis me shumë dëshirë dhe dashuri për të dëshmuar se duhet të ndiqet zemra dhe duhet të besojmë në atë që e duam me shpirt. Më vjen mirë që kjo është vërtetuar. Kjo këngë, e cila fatkeqësisht është gjykuar jashtëzakonisht shumë menjëherë pas shpalljes si fituese në edicionin e 50 në Festivalit në RTSH, doli që, ishte e denjë edhe për një skenë e cila, ndoshta nuk karakterizohet me këngë të tilla. Por, gjithmonë nuk duhet harruar që, ka vend për diversitet, për llojllojshmëri.

Ishte shumë interesant votimi. Ishte jotradicional. Harta e votave ishte shumë e ndryshme nga ajo që ka marrë Shqipëria më herët?

Unë nuk kam qenë fanse shumë e madhe e Eurosongut dhe nuk e kam ditur si funksionon kjo pjesë. Ndoshta nuk do të mund të jepja një përgjigje të saktë për këtë punë. Ishte ekipi që ma qartësoi psh se Shqipëria nuk ka marrë ndonjëherë pikë nga Finlanda, nuk ka marrë ndonjëherë pikë nga Belgjika ose nga ky ose ai shtet. Ekipi ishte jashtëzakonisht shumë i kënaqur me këtë shpërndarje gjeografike. Ata thonin madje se, kjo do të jetë një shtytje edhe për vitet e ardhshme sepse I bie që këto vende ta marrin parasysh më shumë Shqipërinë në prezantimet e ardhshme.

Rona, u përfol shumë edhe veshja yte! Por, unë mendoj se edhe ajo ishte krejt origjinale. Ishte në funksion të këngës. Thonë që edhe veshja flet. Ti sigurisht fole edhe përmes saj!

Me këtë këngë, unë kam synuar që ta ndaj, me të tjerët drejtëpërdrejtë, dhimbjen. Pa marrë parasysh që ishte e vështirë të pranohej menjëherë sepse, është shumë e vërtetë dhe është shumë e rëndë. Dhimbja dhe vuajtja është një gjë që na ka karakterizuar ndër vite. Vajet, janë këngët më të bukura shqiptare dhe, së bashku me veshjen, dhe me cdo element tjetër, të asaj performance, shumë minimaliste si concept, dhe shumë të thjeshtë, unë desha që të dërgoj zë, të një kosovareje, që ka shumë shpirt shqiptar.

Interpretimi i natës së pare, me atë të finales, kishte dallim. Mbase, duke të njohur mirë, e vërejtja që ti ishe më e emocionuar. Ke pasur interpretime edhe më të mira. Nuk di a kam të drejtë apo jo?

Ptjetër! Kjo që thoni ju është edhe një dëshmi tjetër e asaj që unë e kam potencuar gjatë gjithë kohës. Të njejtën këngë, sot dhe nesër, sot kur ndjehesh shumë mirë dhe nesër kur mund të ndihesh shumë keq nuk mund ta interpretosh njejtë sepse, fundja ne nuk jemi robotë. Ne jemi shpirtëra të gjallë. Qëllimi im ishte që, të dëshmohet se emocioni përmes këngës së njejtë, nuk mund të jetë I njejtë gjithmonë. Rastisi, për fatin tim, të cuditshëm, që unë të këndoj në një ditë zie! Kur RTSH nuk e transmetonte ceremoninë, kur Shqipëria kishte humbur 13 shpirtra të rinj…

E dije ti këtë para performancës?

E dija para performancës. Tragjedia kishte ndodhur në provën gjenerale, për juritë profesionale. Kjo shërbente për semifinalen e pare ndërkohë që ekipi më ka kursyer. Prova e pare, për jurinë profesionale, ka qenë fantastike. Dhe, kjo ka ndikuar jashtëzakonisht shumë te vlerësimet të cilat, kanë dhënë ata, sepse ata fatmirësisht kanë votuar një natë më herët. Ndërkaq, publiku ka votuar, e gjykuar, nga performanca që u transmetua nga të gjithë transmetuesit publikë. Në jetën time, nuk kam përjetuar emocione më të mëdha se në ata 3 minuta të gjysëmfinales së pare. Po flisja me vete gjatë gjithë kohës se, si është e mundur, në një natë kaq të rëndësishme, të më ngarkohet edhe një barrë e tillë të cilën nuk do ta dëshironte askush në botë! Por, u mundova ta qetësoj veten  edhe desha që, këtë performance, si do që të dalin, t’ua dedikoj shpirtrave të humbur. Fatkeqësisht nuk dëgjohet në fund të interpretimit tim por, unë aty them: për shpirtrat e tyre, faleminderit, Than you! Pa dyshim që, ka pasur dallim në të dy performancat. Dhimbja ka qenë e shtuar, në performancen e pare, ndërkaq, ndjenja e përgjegjësisë, për t’I bërë krenarë të gjithë ata që pas gjysëmfinalës së pare, më mbështetën mua dhe këtë këngë, ishte shtuar. Unë mendoj që teknikisht është më e realizuar kënga në natën finale por emocionalisht dhe të cilën që ndoshta nuk arriti t’I rezistonte shumkush ishte ajo që mua më pëlqen më shumë, dhe ishte nata e parë. Patjetër që, unë emocionalisht veten e kam dëmtuar jashtëzakonisht më shumë natën e parë por për mua mbetet më e fuqishme dhe shumë më goditëse.

Rona, jam kurreshtare të di ku e ke ushtruar këtë këngë? Me zërin që ke do të nxirrje  fqinjët nga shtëpia. Ku ke punuar për këngën?

Të ju them të drejtën, shumë pak e kam ushtruar këtë këngë, qoftë kur jam parapërkatitur për Festival qoftë për Eurosong. Kjo është një këngë e cila, nuk mund të ushtrohet. Unë nuk mund ta ushtroj sepse, ka një rëndësi shumë të madhe për mua dhe është thjesht një mundësi për të ndarë me të tjerët një gjendje timen emocionale, një reflektim për një gjendje të cilën e kisha para shumë kohësh dhe këngën ia dedikova asaj periudhe dhe, pa marrë parasysh se dikush mund ta diskutojë, është realizuar ose jo, teknikisht mirë, për mua është emocioni gjëja më e rëndësishme dhe qenësore e kësaj kënge. Këtë këngë, ndodshta mund të mos e këndoj me aq shumë potencë, nuk e kam provuar ndonjëherë por, ndoshta mund të vijë një moment kur, për hirë të një problemi shëndetësor ose një ftohje, do të jem e detyruar ta këndoj në një skenë por edhe duke mos e kënduar aq fuqishëm  unë besoj që prapseprapë kjo këngë do ta ketë atë efektin e vetë sepse, është shpirti ai që komunikon me publikun që, do ta ketë rastin, ta dëgjojë.

Dua të të uroj edhe një herë  që na bëre të ndihemi krenarë me prezantimin tend në Eurovizion. Uroj të na përfaqësosh edhe herë tjetër kështu, denjësisht!

Faleminderit për besimin që keni pasur që në fillim të rrugëtimit të kësaj kënge. Më lejoni ta përsëris veten që, sidomos në atë periudhë (pas Festivalit të 50 të RTSH-së)për mua ka qenë e rëndësishme. Do të kthehem gjithmonë për të qenë pranë me audiencën e cila më ka mbështetur jashtëzakonisht shumë. Ju falënderoj juve që bëni të mundshme për mua që, unë të ju falënderohem atyre përmes kesaj interviste.

Sukseset e Ronës nuk kanë të ndalur. Në fillim të korrikut ajo fitoi cmimin e dytë në festivalin “Netët e Bardha të Shën Petersburgut”, një ngjarje që ka për qëllim mbështetjen, lansimin dhe spikatjen e zërave të ri premtues. Festivali ishte i natyrës garuese, ndërkaq Rona garoi në disciplinën e  interpretimit.
Më 20 korrik, Rona Nishliu, do të ketë koncert në Tirana Jazz Festival, ndërkaq shumë aktivitete e presin deri ne fund të këtij viti. Megjithatë ajo preferon që gjtihcka të zbulojë me kohë.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT