E premte, 26.04.2024, 04:30 AM (GMT+1)

Kulturë

Vangjush Saro: Dardanjani

E merkure, 11.07.2012, 07:50 PM


Vangjush SARO

“Dardanjani”

Tregim hunoristik

Atëherë ne ishim katër. I pari Dardanjani. Ai quhej Landi, por ne e thërrisnim kështu, pasi gjithnjë na përralloste sikur gjyshi i tij paskej qenë mosketier dhe pat luftuar krah Dardanjanit. I dyti e kishte nofkën Byreku. Babai i tij punonte në një mulli dhe me sa dukej, aty gjithmonë tepronte diçka për trastën e tij. Në shtëpinë e tyre gatuhej përherë byrek, të paktën njëherë në dy ditë. I treti, isha vetë. Ngaqë recitoja në shkollë, shokët më thërrisnin Poeti. I katërti, por jo i fundit, vinte Dinshumi.

E kështu, ne gjithnjë rrinim bashkë. Lojërat ishin, si ta themi, me sezone, por edhe sipas filmave që shikonim. I rëndomtë dhe i përhershëm ishte vetëm futbolli. Por ne pëlqenim edhe historitë, sidomos kur ato ishin të mbushura me aventura. Zakonisht pas lojës dëndeshim me ujë te Çezma e Shetros. (Më parë, sokakëve të qytetit tim kishte kudo çezma.) Pastaj mblidheshim tek porta e shtëpisë së Dinshumit. Ishte një gur shtufi i stërmadh atje, na nxinte të gjithëve. Kështu shpërthenin historitë. Të tilla tregonte pa fund Landi-Dardanjani. Edhe unë nuk mbetesha pas, por ai kishte dhuntira të çuditshme. Kur tregonte, lëvizte i gjithi, sikur do të xhironte ndonjë skenë filmi; ulte dhe ngrinte duart, i grahte kalit, godiste “me shpatë”, mbrohej, përpiqej të ngjitej tek muri i avllisë. Dhe gjatë gjithë kohës fliste. More, na e bëri mendjen dhallë: gjyshi i tij kishte qenë në Francë, kishte qenë mosketier, madje kishte luftuar përkrah Dardanjanit.

-Gjyshi im mbante një kokore me pendë palloi, - thoshte ai - Shpatën e kishte kaq të gjatë, kaq të gjatë, sa që i takonte në tokë. Mirë që vetë ishte naaa...dy metro edhe ecte kështu...S’kishte burrë t’i afrohej.

-Po a nuk ishin njësoj shpatat në atë kohë? - e pyeti Byreku.

-E si mundet? - s’përmbahej Dardanjani - Ai e kishte porositur në një punishte në Spanjë. Ç’them edhe unë, porositur... Atij ia kishin dhuruar kur shpëtoi mbretin e Francës.

-Kardinali Rishëlie... - ndërhyri Dinshumi që mësonte më shumë nga të gjithë ne; (prandaj edhe ia kishim ngjitur atë nofkë).

-Tamam, - vazhdoi Dardanjani - Edhe sot e kësaj dite e mban në brez atë shpatë...Tani ai rri në fshat. - e mbylli duke tundur kokën si për të thënë më tej: “O nëne, o nëne!”

Kështu. Nuk kishte rast që të luhej me shpata dhe të mos zihej goje gjyshi i Dardanjanit. Sapo që uleshim për t’u çlodhur pak, ai ia fillonte nga e para.

-Njëherë këta të Roshforit iu kishin zënë pusi pranë një ure. Gjyshi sapo kishte dalë nga një pijetore. Ai dhe Dardanjani pinin  shumë verë. Por si, me kotruve, jo me shishe. Gjyshi edhe sot e kësaj dite, vetëm verë pi. Edhe kështu, dolën nga shkurrret këta... Nja dhjetë a pesëmbëdhjetë po.

-Me sa? - e pyeta unë.

-Si me sa? Po dy more, sa thua ti? Dy. Gjyshi dhe Dardanjani.

-Mosketirët ishin tre, - tha Byreku.

-Bile me gjithë Dardanjanin bëheshin katër, - shtoi Dinshumi - Atos, Partos, Aramis dhe...Dardanjan.

-Ashtu ashtu...por kjo ka ndodhur më vonë, - u përdrodh Dardanjani ynë - Pra, siç po ju thosha, dolën këta nga shkurret. Më të ka filluar një përleshje - më të filloi edhe vetë ai duke u hedhur sa andej këtej - Prau! Përtau! Gjyshi im luftonte me dy shpata. Pastaj hoop(!) i ngatërronte ata me pelerinën e vet...Dank(!) njërit me shkelm, dënk(!) tjetrit me bërryl. Shpata heu...dy-tre figura në ajër dhe veç t’i shikoje kundërshtarët se si shtriheshin sa andej këtej. Pastaj një t’i hipur kalit nga mbrapa. Hajde, hajde! Atë kalin e ka edhe sot e kësaj dite më duket.

-Po pse kaq shumë rrojnë kuajt?

-Mund të jetë nga ajo racë e kam fjalën...Po kur i ndoqën tek ura...Dardanjani vinte këtej; një tufë me kundërshtarë e kishin rrethuar. Të mos kishte qenë gjyshi...oho vate puna. Një të kërcyer mbi parmakë, nja katër a pesë prej tyre, bëlldumb(!) në ujë...Ehe, e mori veten Dardanjani, hopa! I flaku edhe ai nja katër a pesë në lumë.

Ne kishim parë skena kësoj në të gjithë filmat e kohës, “Tre mosketierët”, “Kapiteni”, “Fanfan Tulipan”, etj. Mirëpo kur ai tregonte, na dukej sikur gjithçka kishte ndodhur dje. Dhe gjyshi i tij erdhi e u bë një çudi e madhe për ne. Punë kalamajsh!

?

Kaloi kështu një kohë e gjatë me historira dhe aventura të sajuara. Një mbrëmje, ishim ulur si përherë përpara portës së Dinshumit. Kur ia beh aty një plak i shkurtër, i dobët, një fshatar i rrëgjuar që mezi mbante për kapistalli një gomar të leqendisur.

-Si u ngrysët, o djema?, - na përshëndeti plaku.

-Mirë, gjysh. A u lodhe?, - ia ktheu Byreku.

-Lodhur, thua? Ky budalla mezi mban veten tani...Të shumtën e kohës, më këmbë, që nga Drenova këtu...

-Drenova është fshati i Asdrenit, - tha Dinshumi.

-Kurse unë jam gjyshi i Landit, - shtoi plaku.

Ne u shushatëm. Vështronim njëri-tjetrin dhe nuk flisnim.  Gjyshi çapiti ngadalë-ngadalë për tek Çezma e Shetros. (Tani, më duket, ajo nuk është më). Hapi rubinetin e çezmës, zgjati dorën që e kishte të lirë dhe u përkul e piu ujë një copë herë të gjatë. Pastaj ia liroi disi kapistallin gomarit të lodhur më keq se i zoti. Edhe e vuri të pinte ujë tek baseni, aty ku derdheshin tepricat.

-Bëfshi natën e mirë, o djema!, - tha plaku pas pak.

Pastaj u kthye dhe mori përpjetë rrugicës. Drejt edhe te shtëpia e Dardanjanit. Nuk ishte i gjatë. Nuk kishte shpatë. As kalë. Dhe piu ujë sa u shemb.

Një copë herë pllakosi një heshtje e trishtë. As flisnim, as lëviznim. Na vinte inat jo aq pse ishim gënjyer, se sa që historia e bukur ishte mbyllur me kaq. Nuk mbaj mend sa kohë qëndruam ashtu të nemitur. Paçka. Ne e dinim se shpejt do të vinte Dardanjani dhe me siguri do të fillonte të sajonte ndonjë histori tjetër. Jo atë mbrëmje. Mbase as të nesërmen. Një ditë...kur të ishte bindur se e kishim harruar gjyshin e tij nga Drenova.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora