| E merkure, 11.07.2012, 07:50 PM |
Vangjush
SARO
“Dardanjani”
Tregim hunoristik
Atëherë ne
ishim katër. I pari Dardanjani. Ai quhej Landi, por ne e thërrisnim kështu,
pasi gjithnjë na përralloste sikur gjyshi i tij paskej qenë mosketier dhe pat
luftuar krah Dardanjanit. I dyti e kishte nofkën Byreku. Babai i tij punonte në
një mulli dhe me sa dukej, aty gjithmonë tepronte diçka për trastën e tij. Në shtëpinë
e tyre gatuhej përherë byrek, të paktën njëherë në dy ditë. I treti, isha vetë.
Ngaqë recitoja në shkollë, shokët më thërrisnin Poeti. I katërti, por jo i
fundit, vinte Dinshumi.
E kështu,
ne gjithnjë rrinim bashkë. Lojërat ishin, si ta themi, me sezone, por edhe
sipas filmave që shikonim. I rëndomtë dhe i përhershëm ishte vetëm futbolli. Por
ne pëlqenim edhe historitë, sidomos kur ato ishin të mbushura me aventura. Zakonisht
pas lojës dëndeshim me ujë te Çezma e Shetros. (Më parë, sokakëve të qytetit
tim kishte kudo çezma.) Pastaj mblidheshim tek porta e shtëpisë së Dinshumit. Ishte
një gur shtufi i stërmadh atje, na nxinte të gjithëve. Kështu shpërthenin
historitë. Të tilla tregonte pa fund Landi-Dardanjani. Edhe unë nuk mbetesha
pas, por ai kishte dhuntira të çuditshme. Kur tregonte, lëvizte i gjithi, sikur
do të xhironte ndonjë skenë filmi; ulte dhe ngrinte duart, i grahte kalit,
godiste “me shpatë”, mbrohej, përpiqej të ngjitej tek muri i avllisë. Dhe gjatë
gjithë kohës fliste. More, na e bëri mendjen dhallë: gjyshi i tij kishte qenë në
Francë, kishte qenë mosketier, madje kishte luftuar përkrah Dardanjanit.
-Gjyshi
im mbante një kokore me pendë palloi, - thoshte ai - Shpatën e kishte kaq të gjatë,
kaq të gjatë, sa që i takonte në tokë. Mirë që vetë ishte naaa...dy metro edhe
ecte kështu...S’kishte burrë t’i afrohej.
-
-E si
mundet? - s’përmbahej Dardanjani - Ai e kishte porositur në një punishte në Spanjë.
Ç’them edhe unë, porositur... Atij ia kishin dhuruar kur shpëtoi mbretin e
Francës.
-Kardinali
Rishëlie... - ndërhyri Dinshumi që mësonte më shumë nga të gjithë ne; (prandaj
edhe ia kishim ngjitur atë nofkë).
-Tamam, -
vazhdoi Dardanjani - Edhe sot e kësaj dite e mban në brez atë shpatë...Tani ai
rri në fshat. - e mbylli duke tundur kokën si për të thënë më tej: “O nëne, o nëne!”
Kështu. Nuk
kishte rast që të luhej me shpata dhe të mos zihej goje gjyshi i Dardanjanit. Sapo
që uleshim për t’u çlodhur pak, ai ia fillonte nga e para.
-Njëherë këta
të Roshforit iu kishin zënë pusi pranë një ure. Gjyshi sapo kishte dalë nga një
pijetore. Ai dhe Dardanjani pinin shumë verë.
Por si, me kotruve, jo me shishe. Gjyshi edhe sot e kësaj dite, vetëm verë pi. Edhe
kështu, dolën nga shkurrret këta... Nja dhjetë a pesëmbëdhjetë po.
-Me sa? -
e pyeta unë.
-Si me
sa?
-Mosketirët
ishin tre, - tha Byreku.
-Bile me
gjithë Dardanjanin bëheshin katër, - shtoi Dinshumi - Atos, Partos, Aramis dhe...Dardanjan.
-Ashtu
ashtu...por kjo ka ndodhur më vonë, - u përdrodh Dardanjani ynë - Pra, siç po
ju thosha, dolën këta nga shkurret. Më të ka filluar një përleshje - më të filloi
edhe vetë ai duke u hedhur sa andej këtej - Prau! Përtau! Gjyshi im luftonte me
dy shpata. Pastaj hoop(!) i ngatërronte ata me pelerinën e vet...Dank(!) njërit
me shkelm, dënk(!) tjetrit me bërryl. Shpata heu...dy-tre figura në ajër dhe veç
t’i shikoje kundërshtarët se si shtriheshin sa andej këtej. Pastaj një t’i
hipur kalit nga mbrapa. Hajde, hajde! Atë kalin e ka edhe sot e kësaj dite më duket.
-
-Mund të jetë
nga ajo racë e kam fjalën...
Ne kishim
parë skena kësoj në të gjithë filmat e kohës, “Tre mosketierët”, “Kapiteni”, “Fanfan
Tulipan”, etj. Mirëpo kur ai tregonte, na dukej sikur gjithçka kishte ndodhur
dje. Dhe gjyshi i tij erdhi e u bë një çudi e madhe për ne. Punë kalamajsh!
?
Kaloi kështu
një kohë e gjatë me historira dhe aventura të sajuara. Një mbrëmje, ishim ulur
si përherë përpara portës së Dinshumit. Kur ia beh aty një plak i shkurtër, i
dobët, një fshatar i rrëgjuar që mezi mbante për kapistalli një gomar të leqendisur.
-Si u
ngrysët, o djema?, - na përshëndeti plaku.
-Mirë,
gjysh. A u lodhe?, - ia ktheu Byreku.
-Lodhur,
thua? Ky budalla mezi mban veten tani...Të shumtën e kohës, më këmbë, që nga
Drenova këtu...
-Drenova është
fshati i Asdrenit, - tha Dinshumi.
-Kurse unë
jam gjyshi i Landit, - shtoi plaku.
Ne u
shushatëm. Vështronim njëri-tjetrin dhe nuk flisnim. Gjyshi çapiti ngadalë-ngadalë për tek Çezma e
Shetros. (Tani, më duket, ajo nuk është më). Hapi rubinetin e çezmës, zgjati
dorën që e kishte të lirë dhe u përkul e piu ujë një copë herë të gjatë. Pastaj
ia liroi disi kapistallin gomarit të lodhur më keq se i zoti. Edhe e vuri të pinte
ujë tek baseni, aty ku derdheshin tepricat.
-Bëfshi
natën e mirë, o djema!, - tha plaku pas pak.
Pastaj u
kthye dhe mori përpjetë rrugicës. Drejt edhe te shtëpia e Dardanjanit. Nuk
ishte i gjatë. Nuk kishte shpatë. As kalë. Dhe piu ujë sa u shemb.
Një copë herë
pllakosi një heshtje e trishtë. As flisnim, as lëviznim. Na vinte inat jo aq
pse ishim gënjyer, se sa që historia e bukur ishte mbyllur me kaq. Nuk mbaj
mend sa kohë qëndruam ashtu të nemitur. Paçka. Ne e dinim se shpejt do të vinte
Dardanjani dhe me siguri do të fillonte të sajonte ndonjë histori tjetër. Jo atë
mbrëmje. Mbase as të nesërmen. Një ditë...kur të ishte bindur se e kishim
harruar gjyshin e tij nga Drenova.