Mendime
Agron Gjekmarkaj: Nocioni “malok” në tri kohë
E marte, 29.05.2012, 07:17 PM
Nocioni “malok” në tri kohë
Nga Agron Gjekmarkaj
Në ligjërimin
e përditshëm, në atë politik, mediatik, artistik dhe popullor, ndeshim jo rrallë
nocionin “malok”. Fjala malok është një epitet fyes, i cili për përdoruesit nënkupton
ata banorë që vijnë në Tiranë nga Veriu i vendit, madje edhe ata që nuk vinë,
por që jetojnë atje ku janë në punën e tyre.
Rrënjët e
saj emotive janë të hershme dhe kanë origjinë politike.
Termi ka
pësuar evoluimin e tij në varësi të sistemeve qeverisëse dhe lidershipit që i
ka kryesuar ato. Ai shfaqet që në fazën e parë të organizimit të shtetit
shqiptar, në periudhën e parlamentarizmit, 1920-1924, kur klika e kryesuar nga
Eshref Frashëri shihte se si Partia Popullore dhe qeverisja e vendit çdo ditë e
më tepër dominohej nga Ahmet Zogu. Në fillim si luftë brenda llojit, Zogu pas
shpine thirrej “maloku”, pastaj edhe një pjesë e kundërshtarëve të tij në emigrim
i shtonin edhe nominativët “i pabesë”, “gjakatar”, “vrasës” etj. Me konsolidimin
e pushtetit dhe shpalljen e Mbretërisë, Zogu do të qeveriste me të besuarit e
tij, njerëz me temperament, si Tafe Kaziu, Osman Gazepi në rrethet e Jugut apo
Lalë Krosi në Tiranë, të cilët do të akumulonin një lloj pakënaqësie që shfryhej
me sharjet nën zë: “malokët”.
Dëshmi e
një lloj antagonizmi ndërmjet gegëve dhe toskëve në këtë periudhë është edhe
historia që lidhet me kryeveprën satirike të Fishtës, “Gomari i Babatasit”, të cilën
poeti vendos ta shkruaj i nxitur nga një letër miqësore shpotitëse që kryetari
i Parlamentit i dërgon, pasi e kishte mundur në një lojë shahu. Fishta i përgjigjet
“Hë Toskë, Toskë, tash ke me e pa kush asht Gega” dhe fillon e shkruan “Gomarin”.
Ndërsa Faik Konica, i cili i kishte shërbyer Zogut si ambasador për 13 vjet,
nuk heziton që para këtij shërbimi e pas largimit nga pushteti, ndër të tjera,
ta quajë një malok “të egër” e të “pacivilizuar”.
Termi,
edhe për vetë natyrën e pushtetit të Zogut, si dhe nivelin mediatik të zhvillimit,
ishte i kufizuar dhe përdorej vetëm në intimitet dhe kryesisht nga një klasë feudale
nga Jugu, me pushtete të mëdha në kohë të Turqisë.
Ndërsa
diktatura pati nevojë ekzistenciale të sajojë një armik të konturuar edhe
gjeografikisht, një armik, prezenca e të cilit ishte një kauzë dhe mundësi
kompaktësimi forcash për të ruajtur pushtetin e marrë dhunshëm. Këtë perceptim,
të krijuar qysh në kohën e Mbretërisë, sistemi diktatorial e shndërron në doktrinë
pushteti.
Ndarja
ishte kaq e qartë, sa emisari anglez Xhuljan Emeri, tek kujton takimin e fundit
me Abaz Kupin në vjeshtën e vitit 1944, shfaq habinë se ai krejt i qetë i thotë:
“Deri tani qeverisëm ne gegët, tash asht radha e këtyre, e prapë do të vijë radha
jonë”. Kjo radhë krahinore ishte e pashpjegueshme për anglezin, por jo për
Kupin, që pas 5 vitesh luftë, e njihte më së miri realitetin dhe tendencën. Komunistët
nuk kërkuan bashkëjetesën se ajo i rrezikonte, por antagonizmin me çdo kusht. Thyerja
ishte dramatike, dhe për ta jetike. Gjithashtu, Veriu i konsideronte pushtues
dhe jo si çlirimtarë komunistët, njësoj si italianët dhe gjermanët. Por, dhe
vetë komunistët donin të shiheshin ashtu.
Gjuha e
propagandës konsideronte kryesisht Jugun përparimtar dhe Veriun reaksionar, të lidhur
me “mbeturinat” e regjimit të vjetër, me klerin dhe kanunin. Sa për ilustrim,
lexuesi mund të lexojë komentet në media të njëfarë “profesoreje” në Universitetin
e Tiranës, e cila edhe sot pohon pa asnjë hezitim dhe pa márre se Jugu “përparimtar”
dhe “fitimtar” kishte të drejtën e vendosjes edhe të standardit gjuhësor!!!
Krahas
represionit ushtarak, përpjekja e parë ishte që Veriu të shkëputej nga brendia
e vet e shkëlqyer kulturore.
Kjo
traditë ishte e përfaqësuar nga kleri katolik me shkrimtarët e vjetër e modernë,
filozofët, me shkollat, revistat e gazetat, si dhe me intelektualët laikë, që kishin
bërë emër në vitet ’30 në Shkodrën si metropol kulturor. Shkollat u mbyllën,
shkrimtarët dhe letërsia u ndaluan. Tradita u shpall heretike. Kështu shqiptari
verior konsiderohej pa trashëgimi dhe se duhej të kompleksohej negativisht prej
saj. Ai është lëndë e parë për propagandën, është gjahu i saj si model i “njeriut
të vjetër”, prej të cilit “njeriu i ri” duhej të merrte distancë kulturore,
ideologjike e kombëtare.
Në kujtimet
e At Zef Pllumit, “Rrno vetëm për me tregue”, rrëfehet se si rimodelohet “maloku”
si koncept prej komunistëve, se si ai i blatohej urrejtjes partiake.
Në kulturën
zyrtare malësori, veriori, të përfshirë brenda “malokut”, zinin vendin e “nderit”
si personazhe negative në letërsinë e realizmit socialist, në filmat, dramat, e
madje edhe operat e baletet e tij. Qysh në dukje, emrat e personazheve, sipas
një industrie detraktimi, duhej të shkaktonin ilaritet dhe përbuzje. Mjaft të kujtojmë
emra “diversantësh”, xhandarësh, apo zyrtarësh, si “Cubel Ndreca”, “Dash Cungeli”,
“Pjetër Rrukakeqi” etj., për të kuptuar thelbin e shëmtisë përçarëse.
Vetë gjuha
e ndaluar, dialekti geg, u lihej në gojë bujarisht personazheve negative,
kryesisht priftërinjve, të cilët paraqiteshin gjithmonë imoralë, antishqiptarë,
të ligj dhe, pse jo, edhe të shëmtuar.
Ndërsa “Ligori”
apo “Stavri” ishin zakonisht sekretari i Partisë apo komandanti i kufirit që luftonin
të keqen. Për ta bërë më të theksuar diferencën kompleksuese, Partia e “Punës” dërgonte
grupe grash nga Smokthina, Bënça, Progonati, Çorrushi, Krutja etj. për të “emancipuar”
gratë e Shkodrës, Lezhës, Krujës, për t’i “mësuar” të gatuanin, të mbanin “pastërti”,
të qëndisnin. I mësonin si të bëheshin edhe revolucionare të “mbara”, duke nënkuptuar
që civilizimi vjen nga Jugu dhe prapambetja gjendej në Veri.
Veriorët,
që lejoheshim për të jetuar në Tiranë, numëroheshin me gishta, ndonëse Tirana në
mënyrë sistematike për 46 vjet furnizohej me popullsi besnike nga Jugu i Shqipërisë
dhe tiranasit autoktonë as mund të ankoheshin, por duhej të duronin edhe
thumbat. Një veriori i duhej një përpjekje apo fuqi imponimi disafishe për të arritur
diçka në profesionin e tij në Tiranë. Administrata, në masën e saj më të madhe,
kompozohej me prurje nga Jugu. Komunizmi ia doli të ndërtonte një diferencë dhe
një marrëdhënie mosbesimi në raportet ideologjike ndërmjet Jugut dhe Veriut.
Ligjërimi
i mediave në diktaturë, duke qenë totalisht i kontrolluar, në sipërfaqe përpiqej
të përdorte një gjuhë të kamufluar në dukje korrekte, e cila në thelbin e saj
stimulonte denigrimin e veriores, sepse detraktonte të gjitha vlerat
referenciale që ndër shekuj vinin nga Veriu.
Rezervati
njerëzor kryesor për të peshkuar armiqtë ishte kryesisht në Veri, burgjet e
tmerrshme gjithashtu.
Pas rënies
së diktaturës, në kushtet e lirisë së shprehjes, shohim një rilindje të termit “malok”.
“Elitat” postkomuniste, të lidhura ngushtë me diktaturën, në kërkim të riciklimit
politik dhe kulturor, janë gjeneratori i këtij nocioni dhe aspak populli i
Jugut të vendit, i cili nuk shquhet për kurrfarë ksenofobie.
Shprehje
të tilla me karakter social, si “maloku”, “na mbytën malokët”, “çeçenët”, ose të
tjera të tipit “shiko se unë kam respekt për veriorët”, “jo të gjithë veriorët
janë njësoj”, “ti je ndryshe”, “të vinin në Tiranë, por në mënyrë të kontrolluar
apo të përzgjedhur”, duke nënkuptuar një superioritet qytetërimor, ndihen rëndom
në Parlament, gazeta, TV, kafene dhe rrugë.
Ndonëse
veriorët në Tiranë kanë ardhur me paratë e tyre, duke blerë shtëpi apo toka,
dhe askujt nuk i kanë marrë vilën apo shtëpinë si në 1945-n, duke futur edhe
dhitë në to, prapë duket se kjo gjë i shqetëson disa.
Gjithashtu,
edhe pas ’90-s ndihej rezistenca kulturore shumë e fortë në emër të zgjedhjeve
kulturore të së shkuarës, kur tentohej rehabilitimi i Fishtës, botimi dhe
studimi i Koliqit, Harapit, Shantojës, Zadesë, Zorbës, Camajt, Pipës etj.
Një kastë
e kohës së diktaturës, aktive në denigrimin e tyre, e gjithashtu aktive në periudhën
postkomuniste me parulla të tipit “ndonjë gjë që kanë me vlerë mund të botohet”
ose “mund të jetë bërë ndonjë gabim i vogël”, kërkonin legjitimim për veprimet
e tyre, por shprehin edhe frikën e ballafaqimit dhe të ekspozimit si “gjenocidistë”
në kulturë. Në thelb, gjithçka lidhej me ndryshimin politik dhe lidershipin
politik, me terrenin e humbur dhe dëshirën për ta rifituar.
Nocioni “malok”
shprehte gjendjen emocionale të trashëguar nga komunizmi në kushtet e lirisë së
shtypit, si një strategji komunikimi për të ndikuar politikisht në zonat më urbane
të vendit. Në vitin 1997 thyerja mori nota dramatike me stimulime politike të tipit
“po vijnë malokët” “po na pushtojnë çeçenët”. Deri aty mbërrihej, sa ndonjë politikan
hidhte në tryezat e gazetarëve propozime të tipit “malokët duhet të hyjnë me
vizë në Tiranë”.
Një program
aktual mjaft popullor humori zgjedh emra të tillë si “Gjin”, “Kolë”, “Pashuk” etj.,
për të nxitur të qeshurat e publikut të tij, si dhe përdor dendur termin “malok”,
duke u shfaqur si zëdhënës të një “realiteti shqetësues”.
E thjeshtë!
Humoristët, si dhe ajo pjesë e publikut, e marrin klishenë të mirëqenë nga e
kaluara. Kështu duket sikur kinse i ekspozojnë shoqërisë një problem të madh, “fenomenin
e malokëve” si anakronikë, të rrezikshëm për emancipimin, progresin dhe vetë demokracinë.
Ky mentalitet bartet edhe sot në funksion të politikës dhe ushqehet prej saj. Krahinorizmi
në politikë dhe në shtet ngjall paragjykime, komplekse e ndasi të pashërueshme,
dhe është primitivizëm atavik. Një gjë është e sigurt që sot nocioni “malok” ka
prapavijë ideologjike dhe kushdo që e përdor e identifikon përdoruesin si
nostalgjik të diktaturës, si përçarës, si antikosovar dhe natyrisht jo “misionar”
i civilizimit.
Male dhe
malësorë Shqipëria ka pasur dhe ka shumë. E vërteta është se të tillë, në kuptimin
e mirëfilltë, ka më shumë Jugu i vendit, për shkak të vetë gjeografisë, e cila
e ka bekuar Jugun me një reliev të mrekullueshëm malor dhe me banorë që po aq
mrekullisht janë përshtatur me jetën në male. Male dhe malësorë ka po ashtu
edhe Veriu i Shqipërisë.
Ndërsa “malokët” janë krijesa të një shtrese impotente sociale, e cila në pamundësi për të kuptuar dhe për të pranuar energjinë e jashtëzakonshme kulturore, ekonomike, politike dhe patriotike, që ka buruar dhe buron nga malet e Shqipërisë dhe qytetet e tij, është përpjekur për denigrimin e saj përmes etiketimit dhe përbuzjes. Në qoftë së në rrethana të caktuara historike kjo përbuzje ka rezonuar me interesat antishqiptare dhe ka gjetur mbështetje prej tyre, tash duket se historia e ka bërë punën e saj të mrekullueshme: Malësorët e Veriut dhe të Jugut janë prezentë dhe përballë tyre, stereotipi mjeran i “malokëve”, bashkë me autorët e tij, duket se nuk ka se ku të struket më.