Kulturë
Kristaq Turtulli: Sytë e virgjëreshës
E premte, 04.05.2012, 06:30 PM
KRISTAQ TURTULLI
SYTË E VIRGJËRESHËS
Tregim
-
Ndërpreva
me bezdi punën, lëshova krahët të preheshin të qeta dhe mbylla sytë ngadalë të ndaloja
marramendjen. Kur i hapa dhe u
rrotullova në dërrasat e skelës, dallova fytyrën e rrumbullakët si meshë e
murgut të vogël Oshma. Nervozohem kur më shkëputin vëmendjen dhe më detyrojnë ta
lë punën në mes aq më tepër kur pikturoj sytë e Shën Mërisë. Ka ditë dhe net që
më mundojnë sytë e virgjëreshës Mëri. Portretin e kisha realizuar, vetëm sytë e
saj ngelën pa përfunduar aq sa mjeshtri Vrami më ndiqte me vështrim të paduruar.
Më intrigojnë sytë e Nënës, dua të realizoj një ngjyre pikante, ndryshe nga
pikturat rutinë murale bizantine. E vizatova dhe fshiva disa here, skela kërciste
me zhurmë dhe kubeja më dukej sikur do me shtypte. Mbrëmë, përgjatë dremitjes
mu përvijua ngjyra e kaltër me koloritin e qiellit, pak ton në të gjelbër, me
një shkëndijim rrezatues, miklues. Nuk më pritej sa të fekste mëngjesi të hipja
në skelë dhe të filloja punën. I mbërthyer prej frymëzimit në realizim të ngjyrës
së dëshiruar vjen e më shkëputën nga puna murgu rrumbullak Oshma.
Mjeshtri
Vrami më pranoi në punë para tre vjetësh me një kontratë pesë vjeçare dhe pagë të
kënaqshme, në ngritjen, suvatimin, pikturimin e Katedrales të Shën Mërisë. U
ngrita ndenjur, rrëmbeva një leckë dhe fshiva duart. Murgu Oshma si një brumbull
i vogël humbi pas derës. Ai është tejet i zellshëm, siç janë zakonisht çirakët,
të ngatërrohet nëpër këmbë, fut hundët kudo, aq sa të mërzit dhe detyrohesh ta
zbosh.
Kthina e
mjeshtrit Vrami gjendet në krahun veriperëndimor të katit të parë të katedrales
dhe për të shkuar deri aty duhet të kalosh nëpër një monopat të ngushtë të ngarkuar
nga të dy anët me materiale të ndryshme. Prej nxitimit gati sa nuk përplasa me
kryepeshkopin hijerëndë, lëkurëbardhë Johan dhe shpurën e tij. I hutuar u hapa
udhë kokulur, sa nuk u bëra rrafsh pas arkës së madhe me blloqe mermeri të bardhë.
Kryepeshkopi Johan më pa me bisht të syrit, më përshëndeti ftohtë me kokë dhe bëri tutje. Klerikët e lartë me siguri
duhet të kishin ardhur për të ndjekur nga afër përshpejtimin e punimeve të katedrales.
Qëndrova
një hop palëvizur derisa ata humbën përtej monopatit, pastaj trokita lehtë në derën
portative me kompensatë dhe sa dëgjova: ‘hyrë,’ shtyva derën dhe hyra brenda. Mjeshtri
Vrami gjendej në mes një rrëmuje të madhe, cigarja e qullur e shuar i varej në buzë.
Kapela e grirë e lyrosur i
-Hë, i përfundove
sytë e virgjëreshës?- më foli Vrami vrazhdë përmes togut me letra.
-Pothuajse,
- fola ultas.
Mjeshtër
Vrami s’ më ktheu përgjigje, humbi sërish
mes vizatimeve e skicave të katedrales dhe më la mua në këmbë, një metër larg
tavolinës. Prishte, kruante kokën me inat dhe hiqte vija të reja. Katedralja po
ndërtohej trekatëshe e lartë me kollonata, piktura murale dhe kapitele të gdhendura.
Minutat ikin dhe unë qëndroja si vuv në këmbë. U kollita prej padurimit, ai
ngriti kokën i bezdisur, gati për sherr pastaj i ra ballit me pëllëmbë.
-Këtu je
akoma ti, të harrova fare,- tha dhe fshiu me mëngën e xhaketës buzët e lagështa.
Ngrita
supet pa ditur ç’ ti thosha.
- Gjithë dita
sot më shkoi për dreq me intervista për të gjetur një punëtor të kualifikuar,
me eksperiencë, së fundi siç e pe inspektimi i Kryepeshkopit dhe shpura e
shushunjë e priftërinjve. Uh, po më shpërthen koka! Nuk të thirra për këtë,
murgu Oshama më tha se ka mbetur dhe një kandidat për punë dhe ky është nga
vendi yt, por nuk e flet mirë anglishten. Të thirra për përkthyes, dale prit
emrin e ka..,- mjeshtri kërkoi me nervozizëm mes shkresave të shumta dhe ngriti
mbi kokë disa fletë formati të shkruar me shkrim të imët, -Ja, tek është. Majkëll
e ka emrin, Majkëll Susta, e njeh?
Ngrita
supet me indiferentizëm. Nga mjegullina e largët e viteve ku kujtua Maliq Susta
dhe përnjëherësh mu krijua një shije të athët në gojë. Mbase do jetë ndonjë kushëri
i largët i tij, sepse me sa më kujtohej Maliqi ish djalë i vetëm. Mjeshtri nuk
më la të tirrja mendimet gjatë, por thirri çirakun Oshama dhe i tha të lajmëronte
pritësin të vinte brenda. Mbas disa minutash në zyrën e mjeshtri u shfaq trupi
i gjatë dhe kockor dhe me veshë llapush i Maliq Sustës. Ai u shtang, u zverdh
kur më pa, qëndroi i mbërthyer pas derës përshëndeti me kokë dhe murmuriti
mbytur. Të dy u mpimë prej takimit të papritur në zyrën e mjeshtrit Vrami mijëra
kilometra larg atdheut.
-Këtu në rezyme
keni shënuar plot gjëra-i u drejtua mjeshtri Maliqit. Unë përktheva, Maliqi
hapi gojën të fliste. Vrami ngriti dorën të heshte dhe e pyeti:- Keni punuar në
ndërtimin e kishave dhe katedraleve?
-Kam përfunduar
shkollën e lartë të arteve të bukura. Kam punuar vite me radhë në muzeun e
artit mesjetar, të gjitha informacionet e keni të shkruara në rezyme...
-Keni
punuar në ndërtimin e kishave dhe katedraleve?- e përsëdyti pyetjen Vrami.
-
Mjeshtri
u kujtua të flakte bishtin e cigares së qullur, me duar të dridhura nxori një gjysmë
cigare e lagu me pështymë në majë dhe më pas e ndezi.
-Ne
besojmë më shumë në përvojën dhe eksperiencën tone. E keni vënë në rezyme adresën
dhe numrin e telefonit apo jo?
-
-Okay, do
të shqyrtojmë të gjitha kërkesat e ardhura dhe po të vendosim tu pranojmë do t’ju
njoftoje Adriani- foli mjeshtri me zë të mbytur dhe i bëri me kokë Maliqit të dilte
nga zyra.
Hipa në skelë
dhe vështrova një copë herë sytë e papërfunduara të Virgjëreshës, të cilat
kishin nevojë për disa penelat të lehta për tu dhënë shkëndijimin dhe reflekset
që dëshiroja. Përzjeva ngjyrat pa e pasur plotësisht mendjen aty. Maliq Susta! Maliq
Susta u shkund prej mjegullës së dendur të viteve dhe erdhi në cep të botës, ku
punoj në ngritjen dhe zbukurimin e një katedrale. Nisa të punoja me vrull, sytë
e Virgjëreshës morën gjallëri por sepse më vështronin me dyshim dhe trishtim...
‘ ...Kur
nëna më shoqëroi tek stacioni i autobusit ora ish dy e gjysmë pas mesit të natës.
Stacioni qe i shkretë, mbështjellë me cipën e hollë të dëborës dhe ish mugëtirë.
Autobusët e udhëtimeve të gjata qenë parkuar anës trotuareve dhe ngjanin si
breshka të mbledhura, të mërdhirë. Në cipën
e hollë të dëborës që mbulonte asfaltin dalloheshin shkoqur gjurmët tona. Nëna
dëshironte me gjithë shpirt të më shoqëronte në kryeqytet por nuk mjaftonin hollat të shkonin së bashku. Nëna
mbërtheu kopsën e parë të fustanit, ngriti jakën e xhaketës, mbështolli veten
dhe mua me shallin e leshtë.
Bënte ftohtë
dhe binte dëborë e imët si e situr në sitë. U shtymë drejt kthinës së vogël në të
djathtë të stacionit të autobusëve, ku era ndjehej më pak dhe dëbora shkiste rrëshqanthi.
Hukatëm duart të ngroheshin dhe mbështetëm supet tek njëri tjetri. Pritja në të
ftohtë është më e lodhshme se ecja. Shyqyr që shalli prej leshi i nënës ish i
madh dhe i trashë.
-Më fal
biro, të zgjoj nëna herët. Kështu është kur nuk ke orë,- murmuriti nëna. Na
duhej sikur ngroheshim me frymëmarrjet e njëri tjetrit
Fërkova
mjekrën pas thekëve të shallit të nënës, s’fola. Isha zgjuar kur nëna më beri zë
të ngrihesha dhe të vishesha. A mund të flija gjatë kur isha përpara konkursit,
shpresës në realizimin e ëndrrën së madhe? ‘Bëhu piktor i mirë biri im, nuk të mungon
talenti.’ më tha babai përpara se të vdiste. Dola i pari në konkursin e pikturës
që u zhvillua në qytetin e lindjes. Tani më duhej të konkurroja në konkursin e
madh në kryeqytet për fituar të drejtën e shkollimit për pikturë në liceun
artistik.
Shoferi i
autobusit të linjës për në kryeqytet erdhi me vonesë dhe nisi të bërtiste:
-Kush është
për në kryeqytet të luajë këmbët.
Udhëtarët
e përgjumur hynë me ngutje në autobusin e ftohtë akull dhe fërkonin duart e këmbët
të ngroheshin. Përqafova nënën dhe hyra në autobus. Makina u nis dhe nëna mbeti
pas e mbështjellë me mugëtirë dhe dëborë të imët si miell.
Më rrihte
zemra prej emocionit dhe një copë herë qëndrova në shkallinën e parë të godinës
tre katesh të liceut artistik për tu qetësuar dhe rregulluar frymëmarrjen. Vendosa
dorën në stomak dhe ndjeva një prerje të lehtë. Përgjatë udhëtimit volla dy herë
dhe stomakun e ndjeja akoma të trazuar prej kthesave të forta, ngjitjeve - zbritjeve,
në rrugët e përdredhura në faqet e maleve dhe prej karburantit të rëndë të makinës.
Ish rrugëtimi i im i parë për në kryeqytet, por nuk ish koha për qullosje dhe
plogështi, duhej të shkoja në sekretari të regjistrohesha.
Në sekretarinë
shkollës më priti ftohtë një grua e re me flokë korb të zeza, me vetulla si
shtizë, të mbërthyera mbi hundë dhe me vështrim te vëngër. Banaku ish i lartë,
u ngrita në majat e gishtërinjve dhe i thashë emrin. Sekretarja duke kthyer
fletët me zhurmë kërkoi me bezdi emrin e tim në listën e pjesëmarrësve në konkurs
dhe pa e pa ngritur kokën i tha:
-Salla e
konkursit është në katin e dytë nga e majta, por lëviz këmbët, je me vonesë.
Doja ti
thosha se vija prej së largu, kisha udhëtuar gjatë dhe se makina pati dy
ndalesa të paparashikuara, por ajo më ktheu shpinën. U shkunda, dola me të shpejtë
nga sekretaria dhe ngjita shkallët prej granili me vrap. Në krye të shkallëve qëndrova,
u përpoqa të rregulloja frymëmarrjen dhe eca drejt derës së hapur të sallës së konkursit.
Gjëja e
parë që më ra në sy ish Maliq Susta, qëndronte i krekosur në karrige, me
kavaletën përpara dhe lëvizte si rosak kokën katrore me veshë llapushë.’Çdo
Maliq Susta këtu!’ gati sa nuk fola me zë. Ai u kthye ballas nga unë dhe u zgërdhi.
Maliqi doli më i dobëti në konkursin lokal, në vend të krijonte hije me laps e
nxiu vizatimin me leckë, e bëri skëterrë.’ Kryetari i jurisë më uroi me
dashamirësi. Emri im ish në krye të listës së konkurruesve dhe fitova të drejtën
për të konkurruar në kryeqytet për të hyrë në liceun artistik.
U ula në stolin
bosh që ndodhej në krah të Maliqit. Nxora prej xhepit lapsin dhe fshirësin dhe
i përhumbur vështrova modelin, një plak i shukët, ballin e rrudhur, hundën si
shkabë, mjekrën çekiç dhe me pellgore të vogël poshtë syrit. E kisha në gjysmë profili.
Më tërhoqi qysh në fillim portreti interesant i plakut të imët dhe mu bë për një
moment sikur çapitesha në rrudhat e thella si monopate të modelit.
- Nuk gjetën ndonjë model prej allçie por na
sollën këtë plak të shpifur,- mërmëriti zë grindur Maliqi dhe kafshoi lapsin me
dhëmbë.
U dha
shenja fillimit e konkurrimit. Qysh në fillim më bëri për vete portreti i veçantë i plakut flokëbardhë me kapelë të zbardhëllyer
dhe me vështrim të lodhur, të hutuar, ardhur rastësisht në këtë sallë të madhe
konkurrimi pas një udhëtimi të gjatë. Rrëza qafës së modelit qëndronte e mbledhur
e rrudhosur, por kur çlirohej, syri i shkëndijonte dhe mjekra çekiç i dridhej
lehtë. Punoja i përqendruar dhe nuk vija re pjesëtarët e jurisë që na vinin vërdallë
për të ndjekur vizatimet tona. Vizatoja, fshija, vizatoja përsëri pa ngritur
kokën të vështroja përreth. Në sallën e konkurrimit ishin vetën dy veta, unë dhe
modeli, që më dukej sikur në sytë e tij fshihej një brengë e madhe. Dikush më vuri
butë dorën mbi shpinë. U drodha dhe ngrita kokën me vrull. Fare pranë meje pashë
një trup të hollë të gjatë plaku me buzëqeshje të ëmbël.
-Si
quhesh ti bir?-më pyeti ai.
-Adrian
Belushi.
-Mirë,
vazhdo kështu se je në karakter,- më tha ai dhe shkoi më tej.
Maliqi u
ndeh nga ana ime dhe më pëshpëriti.
- E njeh këtë plak që të foli?
- Jo.
- Është Abdurahim Shpuza, piktori më i mirë.- Ia
bëri Maliqi gjithë zili.
Ngrita
supet pa ditur çfarë ti thosha. Vazhdova të punoja. Më dukej sikur plaku model
ngjante diçka gjyshin që vdiq para një viti, disa muaj pasi doli nga burgu. Pothuajse
e njëjta hundë, i njëjti vështrim i përhumbur me pellgoren e lotit poshtë syrit
të rrudhosur me të pathënën e madhe në shpirt. Gjyshi ish njeri i dashur, i pëlqente
të shkonte në pyll dhe të qëndronte aty symbyllur. Koha ikte me nxitim dhe nuk
dëgjova kur thanë të ndërprisnin punë se koha e caktuar përfundoi.
-Mos
harroni të shënoni emrin dhe mbiemrin në fund të punës tuaj dhe nesër në mëngjes
do të merrni rezultatet e konkurrimit,- foli njëri prej drejtuesve të komisionit.
Shënova në
fund të vizatimit me shkrim të kujdesshëm emrin, mbiemrin dhe adresën. U ngrita
me përtesë, gjyshi i pikturuar ish aty përpara meje dhe më dukej sikur më përshëndeste.
Maliqi duke u grindur u ngrit në këmbë. Fshiu duart e nxira pas pantallonave
dhe shtyu stolin me zhurmë. Vështrova nga puna e tij, kish bërë një karikaturë,
një llahtarë.
Atë natë qëndrova
për të fjetur tek një kushëri i nënës. Ata ishin ngushtë dhe më vunë të flija në
aneks në një shtrat të vogël portativ. Gjatë natës portreti i modelit më ngatërrohej me fytyrën e dashur
të gjyshit. Në mëngjes u ngrita herët lava fytyrën tek pusi dhe dola me vrap
jashtë. Koha ish e vrenjtur dhe frynte një erë e lagësht. Shtëpia përdhese e
kushëririt në nënës ish në anën kundërt të qytetit. Kalova urën metalike të lumit
të Lanës dhe eca mes përmes bulevardit të gjerë. Ngjita me vrap shkallët e
liceut artistik dhe pyeta sekretaren nursëze se ku ish afishuar lista e
fituesve të konkursit.
-Në stendën
e murit përballë, nuk e pe?- më foli ajo ftohtë.
Dola me të
shpejtë në korridor dhe sakaq u gjenda përpara stendës. Zemra më rrihte me
vrull dhe sytë me veshën me avull. Fshiva sytë me shpinën e dorës dhe përqendrova
vëmendjen. Kërkova me padurim emrin tim. Lista mu duk tejet e gjatë dhe me
germa të përdredhura. Trupi po më mpihej dhe ballin po ma mbulonin djersët. Në rreshtin
e tretë ish shënuar emri i Maliq Sustës dhe emri im nuk dukej askund. Nuk u
besoja syve të mia e lexova sërish, se mbase ish lojë e nxituar e syve. Emri im
nuk figuronte në listën e fituesve. Germat nisën të shkisnin nëpër fletë dhe po
binin përdhe. Lotët nisën të më rridhnin, u mbështeta në mur, këmbët nuk më mbanin,
shpina më shkau dhe trupi mu lëshua, u lëshova si thes në pllakat e ftohta të korridorit.
Mbështeta kokën më krahë dhe nuk e di sa qëndrova ashtu. Fshiva sytë me inat u
ngrita në këmbë dhe nisa të zbrisja shkallët ngadalë. U mëshoja hapave ngaqë më
dukej sikur ecja mbi shkallina akulli dhe kish rrezik shkarje e rrëzimi. Befas
pashë që po ngjiste shkallët ngadalë piktori plak Abdurahim Shpuza. Ai ndaloi në
mes të shkallëve, fytyra i qeshi dhe më foli
që larg.
-Hë bir,
të uroj?-dhe priti që të afrohesha.
Ula kokën
ngadalë dhe lotët rrodhën prej syve të mi. Fytyra e plakut u zverdh:
-Nuk është
e mundur, i lexova emrat me kujdes?- pyeti dhe vështroi përreth i menduar.
Më ish
mbledhur një lëmsh në gjoks dhe nuk mund të flisja. Piktori plak Abdurahim
Shpuza më mori për dore dhe ngjitëm shkallët së bashku. U drejtuam nga stenda
ku ishin afishuar emrat e fituesve. Vuri syzet, lexoi njëherë dy herë, tre herë,
mblodhi buzët me inat, luajti kryet. Më porositi të prisja dhe hyri me nxitim në
zyrën e drejtorit të shkollës. Pas pak doli nga zyra e drejtorit me kokë të varur,
të menduar dhe u drejtua nga unë me hapa të ngadalta. Më vuri dorën në shpatull
dhe u përpoq të vinte buzët në gaz.
-Mos u mërzit bir, je
shumë i ri, i talentuar dhe jam i
sigurt se do fitosh një ditë,- më tha.
Doja ti thosha se e kisha fituar konkursin, por është
tjetër gjë të fitosh një konkurs dhe tjetër të japin të drejtën të ndjekësh
shkollën, sepse e kisha një kleçkë dhe kjo ish biografia. Ai si ti mi kish blerë
mendimet, më shpupurishi flokët, më ktheu shpinën dhe iku me të shpejtë. Dola
jashtë, sytë më zunë Maliq Sustën, i cili ish kapardisur në ndenjësen e parë në
makinën e të atit, Meltias Sustës, drejtorit të bankës së qytetit tonë. Maliqi
zgjati kokën nga dritarja e makinës u zgërdhi dhe më nxori gjuhën...
-Adrian,
burri i gjatë, prej vendit tënd me emrin Majkëll, pret akoma jashtë, në errësirë,
në shi,- më shkundi zëri i hollë i murgut rrumbullak Oshma.
U shtriqa, arrëza e qafës më kërciti. Shpinën e ndjeja të ftohtë, nuk e di sa kisha qëndruar ashtu i përhumbur, në dërrasat e skelës. Ndjehesha i lodhur, kish muaj që punoja jashtë orarit. Me përtesë brodha shikimin përreth. Murgu Oshma i kish ndezur të gjitha dritat e abazhurët dhe katedralja rrëzëllente. U përqendrova në sytë pothuajse të përfunduara të Virgjëreshës Shën Mëri. Sytë i realizova me ngjyrat, koloritin dhe ekspresivitetin e duhur por se pse më dukej sikur në vështrimin e saj endej një tis i lehtë dyshimi dhe mendimi, më shkaktoi një pështjellim të turbullt...
KRISTAQ
TURTULLI
Maj 2012