E premte, 26.04.2024, 07:53 AM (GMT+1)

Kulturë

Skënder Zogaj: Distanca e saktë ndërmjet zemrës dhe fjalës

E marte, 21.02.2012, 08:56 PM


Distanca e saktë ndërmjet zemrës dhe fjalës

 

(Baki Ymeri, Poema të mëndafshta, Tipo Moldova, Jash, 2012)

 

Nga Skënder Zogaj

 

Baki Ymeri, ky “mëkatar” i prekjes së luleve! Këngëtar fluturak  i paskrupullt që hap kurora dhe shfeton petale e pastaj, si një princ magjik, nxjerr nektarin e poleneve shumëngjyrëshe, për të përmbushur gurrat e dashurisë njerëzore me mjaltin që vetëm një ëndrrimtar, zemërndjeshëm si ajri dhe i tejdukshëm si rrezja, din të gatuajë dhe t’i ushqejë psherëtimat përshpëritëse të zemrës së prekur nga magjia e frymave hyjnore, që me shekuj e mëkojnë ëndrrën mëkatare të Adamit dhe Evës! A s’më thua, kush ta solli dridhjen kaq të ëmbël të buzëgazit dhe stërpikjen e lotit kaq të përvëluar për prekje buzësh të flakta? Kush? Pse? Si? Mos më thuaj asgjë, të gjitha i di, sepse të pash në lëndinat e frymëzimit me ishuj plot dritë, tek u zgjove nga ëndërra ndër rafte librash dhe thirre: ”E dashur,/ Eja të bëhemi fqinjët e dritës!/ Eja/ E hapi këto libra të lashta/ Dhe lermë/ Të ta përkëdhel trofenë!” (Fqinjët e dritës).

Poeti Baki Ymeri e meriton xhelozinë e lexuesve ziliqarë, të cilët duke mos e pasur fatin e tij, sado zemërakullt që të jenë, do t’i ngacmojë ndjenjat lakmitare ndaj gurrës së vargjeve të mëndafshta, që të mbërthejnë që në shikim të parë dhe të mbajnë fort shtërnguar deri në fund të librit. Fillim e mbarim ndodhesh në një atmosferë magjepsëse, me: “Dhoma të magjepsura,/ Fjalë magjepsëse,/ Vasha të magjepsura” të cilat poeti edhe kur nuk i ka ende të njohura, i pandeh: “Ma merr mendja se ato janë/ Porsi lulet e magjepsura/ Që i ka kafshuar dashuria/ Apo shija e padurimit/ Për t’u përkëdhelur.” Kjo është vjersha Mendimet, në strofën e fundit të së cilës poeti, me sharm prej xhentëlmeni të vërtetë, magjepsjen apsolute e shijon: “Madje edhe Fontana e oborrit/ Pëshpërit/ Në vargje të dashurisë.” i vetëdijshëm se aventurat dashurore nuk janë të lehta, megjithatë sypatrembur shpreh ambicien e tij: “Ndërsa unë,/ Që nuk e dija aq mire/ Se prej nga / Mund të fillojë disfata,/ Kisha lakmi të mbetem.”

Lakmia për t’iu rrekur magjepsjes është këmbëngulëse, pavarësisht nga disfata, dhe këtu, Baki Ymeri na e kujton Biblilin e gjuhës shqipe, Naim Frashërin e pavdekshëm, i cili në magjepsje, prante që të bëhej baltë e pluhur, për ta shkelur këmba e saj... I paepur - me zemër kristali në dorë e me shpirtin e florinjtë në buzë, porsi Ovidi, edhe heroi lirik i Poemave të mëndafshta, ka vajtur në qytetin e kapitjeve të ëmbla, për ta ndjerë ritmin e brendshëm të shtatit të hijshëm, që i përngjan një fushe të bukur me dredhëza të ëmbla. Kemi këtu një apostrofim aristik jashtëzakonisht përsonifikues, që reflekton përjetim të thellë ndjenjash të sinqerta të një bote të pasur dhe të pastër shpirtërore, e cila bukurisë i gjegjet pa hezitim kur e dëgjon lutjen: “Eja edhe njëherë/ I dashur/ T’i shijosh dredhëzat/ E buzëve të mia/ Porsi në mesverrë”.

Në mjeshtrinë e të shkruarit të Baki Ymerit ndjenja e përgjegjësisë që arti të jetë në funksion të lumturisë së vërtetë, është vazhdimisht e theksuar dhe e shtruar qartë: mirëkuptim reciprok, larg pasionesh të shfrenuara dhe devijimesh morale, që e lëndojnë dashurinë e devotshme. Kur ky kriter nuk zbatohet, acarohen inater, dhe domosdo manifestohet ndjenja e hakmarrjes: “Tani është radha jote/ Të vraposh pas meje/ Dhe s’do t’i gjesh flatrat e mia/ Ngase aq shpirt kam vënë në to.” (Kaltrina). Bredharakut të pandalshëm, dashnorit të madh rebel dhe lozonjarit të ëmbël, në çast i pikon zemra sapo shfaqet engullit dhe gjiuthë afsh pyet:  “Kush është ky ëngjël / Që po pret në dritare/ E pyeta hënën/ Dhe ajo m’u përgjegj/ Më mirë është mos ta dish!” (Fryti i ndaluar).

Dëshira për lumturi është jetike dhe gjithënjerëzore, por nuk është mirë që të arrihet me çdo kusht. Autori e sugjeron si mënyrën më të drejtë të arritjes së lumturisë individuale, në kuadër të lumturisë shoqërore, ku duhet të sundojnë rregullat e drejta dhe obligimet e ndërsjella njerëzore. Këtë fenomon Baki Ymeri e elaboron thjeshtë dhe saktë, duke apeluar ndërgjegjësim të njerëzve që ta kuptojnë se: “Asgjë nuk na ndihmon/ Në shqyrtimin e problemeve/ Të ndërgjegjes/ Porsi ndërgjegja”,  sepse “Brutaliteti i burrit./ Besnikëria e gruas,/ Lazdrimi i lahurisë// Janë gjithfarë problemesh// Që na bëjnë telashe.“ (Probleme të ndërgjegjes). Kjo është krejtësisht normale, sepse, janë një varg faktorësh që e determinojnë ekzistencën tonë duke i dhënë dimensione magjike qenies njerezore, që nuk mund t’i ketë kurrë dy njerez plotësisht njësoj. Mbase pikërisht kjo veçanti apsolute e shquan dhe e bën jetën njerëzore kaq të ëmëbël dhe të bukur. Prandaj poeti kritikon shkëputjen ekstreme, e cila është e keqe dhe krijon telashe. Qëndrimi ters nuk le vend për dashuri: “Krejt bota flet për dashuri/ Vetëm ti flet/ Për mjaltën e mashtrimit.” (Brishtësi).

Udha e Poemave të mëndafshta shpie tek fontanat shqiptaro-vllahe ku, Gratë e bukura, qepalla mbyllura qëndrojnë përmbi foshnjet e përgjumura dhe luten “Jepma Zot qetësinë!” Poetit gjithë përmallim i kujtohet fëmijëria e tij dimërore, nëna që i flet për dimrin dhe krojet, vëllëzërit që i njeh nga trokitja në portë, babai duke ofsharë sa herë që shprehte një mall në gjuhën shqipe... Në këtë varg vjershash lexuesi e ndjen peshën e një brenge të gjallë, të thellë, të zjarrtë t’ia ngacmojë krahërorin. Mirëpo, poeti nuk e pranon përuljen as ndaj vuajtjes, dhe shpërthen: “Hidhe trishtimin hyjneshë!/ Merre përsëri trajstën, shigjetat/ Dhe nisu gjurmave të gjahut/ Do ta gjuash bukurinë./ Hidhërimin/ Zhyte në burimin e lumtur/ Që shikon kah ti!/ Merri sërish: trajstën, shigjetat/ Dhe nisu gjurmave të gjahut/ Për ta gjuajtur bukurinë/ Që na e turbullon mendjen! »

Poeti çlirohet nga ankthi i rastit dhe vazhdon shpalimin e kujtimeve. I shfaqet vllahinka e bukur:  “Porsi zoçkë e vjedhur je/ Nga erërat përmbi dhe.”, ndërkohë që bën një Deklaratë dashurie për dilemën ku qëndron: “Distanca e saktë/ ndërmjet zemrës dhe fjalës”. Pason Finalja e madhe që ia mundëson takimin me Bukurinë e Mrekullisë së gjallë, në gjinjtë e së cilës frymëmarrja i prehet dhe, e thotë Fjalën e fundit dhe hidhet “Në dritën e përjetshme”. Këtu përfundon Zjarri i Shenjtë i vëllimit Poema të mëndafshta, (i botuar këto ditë edhe në gjuhën rumune, me titullin “Poema të pushta”), që pa fije dyshimi në shqip tingëllon më bukur “Poema të mëndafshta”. Përshtypjet që po ia drejtoj lexuesve, lënë shumë për t’u dëshiruar, sepse gjerësia tematike dhe thellësia artistike e krijimeve të këtij libri, janë për një qasje shumë më të mirëfilltë analitike. E meriton kjo vepër dhe autori, që krahas bukurosheve të Bukureshtit, të Konstancës e të Brailës, e kanë frymëzuar edhe zanat e Dardanisë, me zjarrin dhe guximin e të cilave ka realizur krijime të shumta vlerash të çmueshme letrare dhe artistike.



(Vota: 17 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora