E premte, 26.04.2024, 01:15 PM (GMT+1)

Kulturë

Kalosh Çeliku: Rebelja që u rrok fytas edhe me zonjën vdekje

E shtune, 11.02.2012, 09:03 PM


REBELJA QË U RROK FYTAS

EDHE ME ZONJËN VDEKJE

 

(Kush e lidh sonte të shtatën plagë. Thashë).

Hida Halimi

 

Nga: KALOSH ÇELIKU

 

Arratisja e papritur e një poeteje rebele nga mesi ynë letrar, është një humbje e madhe për Letërsinë shqipe. E sidomos për familjen, miqtë, manifestimet poetike, Kosovën dhe Shqipërinë.

Hida Halimi herët ka qenë krahu ynë i djathtë i Luftës me penë në Manifestimin Kulturor Tradicional Ndërkombëtar “Ditët e Naimit”, në Tetovë. Kohë e vështirë ajo, kur vargu shqip ndiqej dhe dënohej hap pas hapi. Poetët merreshin në “biseda informative” në polici. Librat e tyre përfundonin si shtrigat në turrën e ndezur të druve. Vite, kur partitë tona politike shqiptare hoqën dorë nga Shkupi, “bënin politikë madhore” dhe strukeshin nëpër katundet e Tetovës, ne e futëm të parët vargun shqip në Bit-Pazar që jehonte nën Rrap deri në orët e mëngjesit duke pritur agimin.

Vite më vonë, kur vargu shqip më kishte hyrë në Shkup, Hida Halimi do të shndërrohet Zanë e maleve në Manifestimin Kulturor Ndërkombëtar: “Takime nën Rrap”, në Shkup. Vit për vit do ta ngrej zërin për liri. Rrugë do t’i hapë Skënderbeut në Qafë Thanë ta shalojë kalin edhe në Bit – Pazar. Poetë nga të gjitha trojet etnike shqiptare do t’i dalin para heroit legjendar me vargje ta presin edhe në Shkup.

Poezitë e saj rebele, moti e pushtuan Shkupin dhe lëshuan thellë rrënjë nën Rrap, qysh në kohën më të vështirë për shqiptarët: Luftën e Kosovës 1998 dhe 2001 -shit në IRJ të Maqedonisë. Atëherë, kur me vargje gjatë Orës madhe latrare i ulëm edhe tytat e tanksave në Saraj të Shkupit rrethuar si poetë nga të katër anët. Kohë e egër lufte ajo, kur vargu i Asdrenit ngriti krye:  Nuk duam gjë tjetër, nukë / vetëm ca armë dhe ca bukë.

Dhe, tashti në këtë ditë zie, ato armë të fuqishme paqësore kanë çelur në lulezjarre krah për krahu me Diellin. Përsëri si dikur nën Rrap e ngritën zërin: “Ia puthë këmbët, duart/ Dhe shenjën e hjekës humane./ Atë kryq druri/ Se shpëtimtari mungon”.

Poetja shtatë male larg e flug vargun: “Për ullishtet e tim eti tha/ U flijova perëndive/ Lojën me trimat e fshatit mbi fiqtë e pikur/ Në rërën e nxehtë/ ninullat e ëmbla mbi djep/ Paqen e pleqërisë së kotur mbi furkën me lesh/ Epitafin ku udhëtarët e lodhur nga jeta/ Do t’i kërkonin prehje trupit tim të derdhur”.

Dhimbjen e shprishjes së Atdheut, përkundër një pjese të madhe të poezive atdhetare plot zhurmë, patetikë e trimëri të shpifur, që kemi pasur rast t’i lexojmë sidomos në vitet e fundit, Hida Halimi përkundrazi, e këndon me një qetësi të hidhur: “Ia kënduan psalmet për bukurinë e gijotinës/ E ngushëlluan me dashurinë e mëshirës/ M’i thanë Ifigjeni, Rozafë.../ Një pëllëmbë shkrum ra mbi grafikën e Virgjëreshës Mëri.../ Kush e lidh sonte të shtatën plagë/ Thashë”.

Zëri kryengritës është ky, i poetes rebele që shpalon guximin e shpirtit të saj plot dashuri e etje për jetë dhe me sfidimin të pamëshirshëm ndaj botës së mbytur deri në fyt në batakun e konvencës e të hipokrizisë. Atdheu kur është në rrezik.

Zjarr e flakë nxjerr me vargjet: “Në ankthet e mëngjesit/ mos u fal për mua/ Nuk jam virgjëreshë e shenjtë / E virgjër është vetëm dashuria...” Hida Halimi, me zërin e çiltër të artistes, e rrëzon fare lehtë piramidën e moralit të rremë, ngaqë ligjet e egër vetë jeta i zbaton pikërisht tek gruaja, duke ia besuar dashurinë dhe pavdekësinë. E gjithë kjo më së miri artikulohet tek vjersha Etje dhe mall e ciklit: “Vendëlindjen e zgjedh unë”: ”Që kur e ngujova time bijë në mitër/ e di se s’jamë shterpë/ Më therin ijet/ E pres./ Në këtë natë të shastisur/ Desha ta shoh/ Ta prek/ Ta mbaj në gji/ Desha t’i them/ Arbëri si Beatriçeja”.

Vërtetë, papritmas e humbëm fizikisht një poete rebele të pazëvendsueshme të Rrapit, po ajo ende vazhdon të marrë frymë mes vargjeve, jetojë në mesin tonë të botës peotike. Ende i kemi gjallë nën Rrap Lulezjarret e saj, që do të shpërthejnë në të ardhmen edhe më me zjarr për çdo Pranverë…

 

HIDA HALIMI

 

DHE NISEM

 

Copë pergamene që lëkundesh në tymin e duhanit
Rrjetë e përhime e dyshimit të pabesë.
Ia pashë vetëm dorën në xhamin e dritares
Që i djersa me ethe vere.

Unë tha, e fsheha testamentin
Në gjinjtë e bardhë tambël
Të reve që hedhin shamitë e shpresës,
Ua përhumba shtrigave të natës që enden
Në dimrin shterpë pa borë
Përgjojnë zërat e fëmijëve të messhekullit  
Nën rrënjët tërthurë të shelgut plak brejtur Drini,
E lidha me mëgjitë e unazës sime, pa rrokje,
Atë natë kur Zeusi më zgjodhi për nuse
Në shkëmbin e thepisur të Risanit.

Guri i shenjtë

Në baletin e kaltër të nëntokës sime
Seancë spirituale.
Me gurin e Rrozetës në qafë
Edhe sonte loz për të gjithë Lordët e mi
Pikën në truallin e valë
Tërë natën e lume demonstroi
Enigmën e varur mes gjinjsh
Orë e madhe letrare. Qeshje sintetike,
Sens historik me paqe dhune.
Cilit shenjtor t’i falem o Zot, të gjithë janë
Fajdexhinj e pijanecë,
Kur vjen dita ikin në shtëpi, më lënë
Me Virgjilin që pat fërfëlluar pelerinën
Tek fsheh pjesët e plleshme me cilindër të zi,
Me Sokratin e tretur në lirinë e vetmisë
Që i pëshpërit kupës së fundit, mua apo Fedonit
I gënjyen këta fëmijë.

 

Profet i shthurur

Për një mijë vjet kurorë
Një herë bëmë dashuri
Si Zeusi me të bijën e Argut.
Ti deshe të më vrasësh.
Kur më shpure në
Kurdistan
Më shite e stërshite
Për një duç opium
Për një turrë hurma
Për një fjollë ëndrrash.
U shita me nder virgjëror.
Për dashurinë tënde Xhibril Farishta.

 

Natë gjyqi

Gjithë natën e lume
Desha të them
Lava tesha
Fshiva troha
Dhe bëra shtrat me dy Profetë.
Nuk të thashë
Shtrydhnin rrush e lëpinin verë
Në trupin tim
Kur heshtnin, nga unë.
Nga strehët e Madridit
Nga bursat e Bagdadit
I pashë tek vinin short
Natë varri është po
Nuk do të them
Isha qyqe vetëm
Binte Temza erë meiti.
Falma ferrin
Përbuzja më shkel në fyt.
Ndoshta s’heshtën, Imzot.

 

Nga libri: “Vendlindjen ma zgjodhe ti” (Prishtinë, 1993).



(Vota: 27 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora