Mendime
Flet Ilir Çumani, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë
E shtune, 28.01.2012, 06:59 PM
KUR NJERËZIT VUAJNË PËR SHKAK TË KEQQEVERISJES
Flet ILIR ÇUMANI, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë: - “Mendoj se duhet filluar nga një zgjim qytetar, nga një emancipim i ndërgjegjes kombëtare, me qëllim që vendit t’i sigurohet demokratikisht promovimi i një lidershipi të ri politik me një mentalitet dhe vizion përcaktues europianizues të vendit, për të lënë pas një epokë që i përket së shkuarës dhe të rendim me hapa të shpejtë drejt fqinjëve tanë perëndimorë.…”
Ç’farë i shqetëson qytetarët sot ?
Sot qytetarët po vuajnë koston e lartë të sakrificave të mëdha për mbijetes, përmes varfërisë dhe skamjes totale, përmes një polarizimi të skajshëm mes shtresave të shoqërisë nga politika e keqe qeverisëse.
Në Shqipëri ka me qindra familje që nuk plotësojnë nevojat bazë të jetesës së përditshme, të ndodhura në kufijtë e ekstremit të varfërisë ku shumë prej tyre janë familje të riskut që rrezikojnë shkatërrimin e bërthamës familjare duke lënë edhe fëmijë jetimë.
Ngjarja e 4 fëmijëve - engjëj në Sukth të Durrësit që në rrethana absurde humbën jetën për shkak të mjerimit, është preludi i një realiteti rrëqethës për të kuptuar se ç'farë ndodh sot nëpër familjet e thjeshta shqiptare, të cilat s’kanë asnjë të ardhur dhe shteti nuk mundet ti asistoi nëpërmjet programeve sociale mbështetëse dhe ndihma ekonomike.
Është rast unik do të thosha në mes të rajonit dhe të Evropës, ku në mënyrë flagrante nga abuzimi me pushtetin, njerëzit e politikës nuk mendojnë seriozisht për fatet e qytetarëve, por për interesa të ngushta partiake e klanore, ku rrjedhimisht prodhojnë edhe kriza të rënda me kosto të lartë në kurriz të qytetarëve të vet.
A nuk mendoni se në një situatë të tillë, njerëzit durojnë, pasi nuk kanë asnjë rrugëdalje ? Sipas jush, nga ç’farë duhet të fillohet për një ndryshim thelbësor të situatës?
Po ti referohesh të Drejtës Ndërkombëtare, një nga detyrimet kryesore të qeverive në të gjithë botën demokratike është fakti që këto qeveri detyrohen me ligj të garantojnë një jetë të dinjitetshme për qytetarët që kanë një status të dobët social, ku hyjnë femijët jetimë, invalidët, të moshuarit e braktisur, të papunët dhe njerëzit e sëmurë. Për të gjitha këto kategori, në Shqipëri asnjëherë nuk është menduar seriozisht nga të gjitha qeveritë, nga e gjithë klasa politike shqiptare në tërësi. Përkundrazi. Edhe pas 21 vjetësh, (pasi kemi lënë pas një nga rregjimet më të egra totalitare që në mënyrë absurde dhe flagrante shkelte hapur Liritë dhe të Drejtat Themelore të Njeriut), ende sot e kësaj dite na ndjekin pas reminishencat e së kaluarës të keqqeverisjes dhe abuzimit me pushtetin në dëm të qytetarit, e veçanërisht në dëm të kategorive më vulnerabël të shoqërsië. Sigurisht, mendoj se është në ndërgjegjen popullore për të kërkuar një ndryshim rrënjësor të gjëndjes në të cilën ndodhet e gjithë shoqëria shqiptare, pikësëpari në kërkim të një lidershipi të përgjegjshëm që të mendoj për zgjidhjen e halleve dhe problemeve të qytetarëve. Qytetarët, nuk mund të vazhdojnë të zgjedhin të zgjedhurit e tyre në mënyrën tradicionale, që me votën e tyre të qeverisen nga njerëz të cilët pasi kane marrë në dorë fatet e qytetarëve, kanë prodhuar konflikte dhe kriza me kosto të lartë që e kanë goditur rëndë paqen sociale dhe cilësinë e jetës së qytetarëve.
Mendoj se duhet filluar nga një zgjim qytetar, nga një emancipim i ndërgjegjes kombëtare, me qëllim që vendit t’i sigurohet demokratikisht promovimi i një lidershipi të ri politik me një mentalitet dhe vizion përcaktues europianizues të vendit, për të lënë pas një epokë që i përket së shkuarës dhe të rendim me hapa të shpejtë drejt fqinjëve tanë perëndimorë.
Ç’farë roli po luan media dhe intelektualet në gjithë këtë ? Si e shihni rolin e tyre ?
Mendoj se media dhe intelektualët e vërtetë kanë luajtur një rol mjaft civil dhe kontribuitiv në opinionin e gjerë për ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe të mbarë shoqërisë. Një ndikim ata kanë patur në rritjen e shkallës së sensibilitetit të prezencës së huaj në vend por edhe të faktorit ndërkombëtar, sikurse nga ana tjetër, kam rezerva për një pjesë tjetër të medias, që për fat të keq prej vitesh e vitesh është kthyer në një megafon dhe instrument propagandistik të politikës, ku flitet me gjuhën e urrejtjes dhe ndasisë për shkak të bindjeve dhe mendimit ndryshe, ku institucionet e pavarura goditen pa të keq.
Mendoj se atë që nuk e ka bërë dhe nuk po e bën si duhet opozita e një vendi demokratik, duhet ta bëjë opozita e opozitës që është dhe duhet të jetë media e pavarur dhe mendimi intelektual i pavarur nga politika.
Jam tepër pesimist për sa kohë do të vazhdohet të qeveriset me këto mënyra arkaike që i përkasin një të shkuare e cila nuk ka lidhje aspak me të ardhmen dhe botën e lirë demokraktike.
Ç’farë duhet të ndryshoj tek njerëzit e politikës?
Pa dashur të hyj në politikë, më duhet të them se, është e domosdoshme që një nga mekanizmat që ka lidhje me frymëmarrjen e demokracisë dhe që do ta shpëtoj vërtet këtë vend nga mbajtja peng e politikës dhe institucioneve të kapura prej saj siç është drejtësia është zbatimi i disa standardeve që ka të bëjë me heqjen përfundimisht të imuniteteve të deputetëve, gjyqtarëve, prokurorëve dhe titullarëve të lartë të administratës shtetërore, të cilët, pa këtë imunitet nuk do të mund të kenë kurajo të shkelin kushtetutën, ligjet e këtij vendi. Pa këtë imunitet, ata do të duhet të tregohen të përgjegjshëm në ushtrimin e funksioneve të tyre kushtetuese dhe do të mund të ndjehen të dobët, të respektueshëm dhe të barabartë përpara ligjit kur ata e shkelin atë.
Kjo është një praktikë e njohur në përvojën botërore në vendet me demokraci solide. Në asnjë vend të botës demokratike, një deputet, një zyrtar i lartë apo një gjyqtar, kushdo qoftë, presidenti, kryeparlamentari, kryeministri apo prokurori i përgjithshëm, nuk e gëzojnë imunitetin për të siguruar në mënyrë ta pandershme përfitime personale ekonomike e politike duke shkelur ligjet dhe kushtetutën e vendit, porse ata me pozicionin e tyre i gëzojnë të gjitha beneficet jo me imunitet, por me ligjin dhe statusin që ata kanë duke garantuar kështu një normalitet në ushtrimit të funksioneve të tyre kushtetuese.
Ç’farë ju bën të ndiheni mirë në fund të ditës ?
Ndjehem mirë kur përballem me zgjidhjen e problemeve në favor të fëmijëve jetimë me të cilët unë dhe Instituti që drejtoj merremi prej kaq kohësh për të ndikuar në zbutjen e halleve të shumta që ata kanë në integrimin e tyre në shoqëri. Por, shpesh herë ndjehem i dobët dhe fajtor kur nuk mundemi të zgjidhim rastet që janë për t’u zgjidhur, për shkak të pamundësive dhe pengesave të shumta burokratike që na dalin përpara nga institucionet dhe njerëzit me mungesë ndjeshmërie që punojnë në administratën shtetërore .
Janë të shumta rastet e atyre familjeve që kërkojnë ndihmë nga Instituti ynë, për të ndikuar pranë Institucioneve të pushtetit vendor dhe të pushtetit qëndror, për t’ju asistuar me ndihmë këtyre familjeve, që dita ditës kërcënohen nga uria dhe të ftohtit, nga shëndeti i keq dhe mungesat jetike për të bërë një jetë me dinjitet.
Njerëzit që vijnë tek ju, për ç’farë trokasin ?
Janë shumë fëmijë jetimë nga komuniteti rom, që lypin rrugëve, keqpërdoren nga prindërit e tyre dhe ligji nuk vepron mbi këta prindër që do t’i konsideronim abuzuesit permanent të këtyre krijesave të pafajshëm.
Kërkojnë ndihmë nga ne për të ndikuar pranë institucioneve të adminstratës publike, që t’ju jepet dhe t’ju garantohet një ndihmë ekonomike, vijnë për të drejta studimi ku këta prindër kërkojnë dhe shpresojnë që ne të ndikojmë në sigurimin e bursave për shkolla të mesme dhe të larta për fëmijët e tyre, me qëllim që edhe ata të mund të sigurojnë një të ardhme të sigurt me një profesion që ti përgatit dhe integroj nesër për në tregun e punës. Kërkojnë të ndërmjetësojmë për një vend pune, apo edhe për zgjidhjen e problemeve shëndetësore, ku indiferenca e pushtetit lokal për raste të tilla është evidente.
Jemi ndjerë mirë kur këto probleme i kemi zgjidhur në favor të këtyre njerëzve, por ka patur raste që jemi ndjerë keq kur ndonjë rast nuk ka marrë zgjidhjen e duhur.
Gjatë punës suaj, cilat kanë qenë rezultatet më të rëndesishme që keni arritur
Mbi të gjitha sot Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë është një derë e hapur për jetimët në mbarë vendin, ka ngjallur dhe rritur shpresat për këtë kategori, për zgjidhjen e shumë problemeve dhe halleve të shumta që e shqetësojnë këtë komunitet.
Kemi mundur të sigurojmë një legjislacion shumë të mirë dhe të avancuar i cili përmirëson statusin e këtyre fëmijëve jetimë, siç është ligji i ri i birësimit që garanton një proces shumë cilësor dhe efektiv për fëmijët që birësohen brenda dhe jashtë vendit. Ligjin e kujdestarisë, i cili është një ligj bashkëkohor dhe me standarde evropiane, që parashikon mbështetjen sociale dhe ekonomike nëpërmjet programeve mbështetëse në komunitet të këtyre fëmijëve që kanë humbur kujdesin prindëror. Është një Projekt që po aplikohet në Durrës dhe në Shkodër, ku shumë fëmijë jetimë përfitojnë shërbimin e kujdestarisë në komunitet, ku për çdo fëmijë të braktisur u sigurohet një e ardhur mujore prej 9.000 Lekë të reja, si ndihmë ekonomike për nevojat e përditshme që ata kanë.
Kemi mundur të sigurojmë shkolla të larta për dhjetra e dhjetra të rinj në sektorin e arsmit universitar privat dhe atë shtetëror, dhe po bëhen të gjitha përpjekjet për të riformuluar një ligj të ri mbi “Statusin e Jetimit”, ku është hedhur ideja që statusi i ri, të perfshijë dhe t’ju vijë në mbrojtje edhe fëmijëve jetimë biologjikë, të cilët nuk kanë mundësi financiare dhe e kanë humbur kujdesin prindëror, edhe pse prindërit ata i kanë gjallë, por këta të fundit nuk janë në gjëndje t’ju përgjigjen ekonomikisht këtyre fëmijëve për shkak të problemeve të shumta sociale që kanë, si: sëmundjet, paaftësia dhe pamundësia për të përmbushur detyrën e prindërimit ndaj këtyre fëmijëve, duke marrë parasysh edhe shkakun kryesor që është varfëria e tejskajshme e cila u kërcënon dita ditës ekzistencën dhe jetën këtyre familjeve.
Cili është mesazhi në fund?
Është për politikën. Shtetarë dhe udhëheqës që drejtoni këtë vend i cili mban në shpinë një histori tragjike shumëshekullore, plotë padrejtësi e vuajtje të panumërta: Kini parasysh thënien e mendimtarit, filozofit dhe humanistit Konfuc, mbi filozofinë e të cilit është ngritur dhe qëndron sot historia e shtetit modern Kinez, kur thotë se: “Testi më i mirë për një udhëheqës, politikan, burrështetas, është fakti se sa ai ka ndikuar gjatë sundimit të tij në përmirësimin e cilësisë së jetës së njerëzve të zakonshëm. Tjetër test nuk ka…”.
E nëse kjo nuk ka ndodhur, atëherë këta burrështetas, politikanë, apo ç'farëdo tjetër, janë të destinuar të marrin me vete njollën e zezë të turpit dhe të krimit social, njollë e cila do t’i identifikojë si dështakë në histori, e padyshim, ata do të ikin të mbuluar njëhere e përgjithmonë edhe nga pluhuri i harresës për kohën kur ata kanë keqqeverisur në dëm të popullit të tyre, në dëm të interesave të vendit të tyre.