E shtune, 27.04.2024, 05:45 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Përdhosen varrezat e hebrenjve në Prishtinë

E enjte, 01.12.2011, 09:01 PM


 

Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë ka dënuar fuqimisht përdhosjen e varrezave hebraike në lagjen Velania të Prishtinës.

 

“Kjo vepër e urrejtjes përbën fyerje jo vetëm ndaj familjeve të të varrosurve aty dhe ndaj komunitetit hebraik në Kosovë dhe përtej, por po ashtu është fyerje ndaj shtetit dhe shoqërisë shumetnike kosovare. Kjo është një vepër e përbuzjes së normave më themelore të tolerancës, bashkëjetesës dhe respektit dhe nuk mund të tolerohet”, thuhet në komunikatën e ambasadës amerikane në Prishtinë, që e transmeton Radio Evropa e Lirë.

 

Kohëve të fundit, thuhet në komunikatën e ambasadës amerikane, “studentët e Universitetit Amerikan kanë marrë pjesë në një projekt të restaurimit të varrezave dhe ne e shohim këtë vepër të përdhosjes së varrezave si sulm ndaj veprës së tyre të miqësisë dhe vullnetarizmit”.

 

Ambasada Amerikane iu ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që të kryejnë hetime të hollësishme lidhur me këtë incident dhe sjelljen e përgjegjësve para drejtësisë.

 

Me tone të ashpra kundër përdhosjes së varrezave hebraike ka reaguar edhe kongresisti amerikan Eliot Engel, që është edhe bashkë-kryetar i grupit të Kongresit për çështjet shqiptare.

 

Në një deklaratë për media kongresisti Engel i bëri thirrje qeverisë së Kosovës të ndëshkojë autorët e aktit në formën më të rëndë që parashikon ligji.

 

“Jam i indinjuar nga ky akt i urryer i përdhosjes së varrezës së hebrenjve në Prishtinë. Prekja e vendit të prehjes së anëtarëve të komunitetit të vogël hebraik në Kosovë është një akt urrejtjeje që nuk duhet të lejohet të hedhë rrënjë. I bëj thirrje qeverisë së Kosovës të hetojë imtësisht vandalizmin dhe të ndëshkojë autorët siç parashikohet me ligj”, ka thënë kongresisti Engel në deklaratën e tij.

 

Ai ka kujtuar se ka vizituar këtë varrezë me ish presidentin Ibrahim Rrugova në vitin 2005.

 

“E kisha për nder që së bashku me të të shprehja respektin për komunitetin hebraik të Kosovës, të cilin ai e kishte përqafuar si pjesë të historisë dhe trashëgimisë së Kosovës”, ka nënvizuar kongresisti Eliot Engel, që njihet si mik i madh i shqiptarëve.

 

“Ky akt në varreza është edhe më tragjik pasi vetëm kohët e fundit ajo ishte vendi i një projekti pune vullnetare të kryer së bashku nga studentët e Universitetit Amerikan të Kosovës dhe Kolegjit Dartmouth në Shtetet e Bashkuara. Shpresoj që puna e tyre e mirë të mos humbasë nga ky akt përdhosjeje dhe varreza të restaurohet dhe të mbrohet që të gjithë në Kosovë ta dinë se sa njerëz kanë banuar dhe vazhdojnë të jetojnë në këtë tokë”, thuhet në fund të deklaratës së kongresistit Eliot Engel.

 

Ndaj këtij akti ka reaguar edhe Zëvendëskryeministri, Behgjet Pacolli.

 

“Zv.Kryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, z. Behgjet Pacolli dënon ashpër veprimet e shëmtuara të vendosjes së mbishkrimeve në Varrezat e Hebrenjve në lagjen “Velania” të Prishtinës. Akte të tilla të shëmtuara nuk i përkasin shoqërisë kosovare dhe në asnjë mënyrë nuk përfaqësojnë atë”, thuhet në komunikatën e Pacollit.

 

Sipas zv/kryeministrit, veprime te tilla të papërgjegjshme janë dënueshme dhe të papranueshme për Institucionet dhe popullin e Kosovës.

 

“Ata që kanë prekur Varrezat Hebraike në Kosovë, nuk kanë lënduar rëndë vetëm ndjenjat e popullit Hebre por kanë cenuar vlerat tona kombëtare, kulturën dhe traditën e vendit tonë”.

 

Zv.Kryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli shprehë shqetësimin e tij të sinqertë lidhur me këtë ngjarje të shëmtuar dhe njëkohësisht kërkon që organet e drejtësisë dhe hetuesisë të veprojnë fuqishëm për gjetjen dhe vendosjen para drejtësisë të kryesve të këtij akti të shëmtuar.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora