E shtune, 27.04.2024, 01:44 AM (GMT+1)

Mendime

At Vitor Demaj: Arben Puto, historinë e Fishtës nuk e shkruajnë kuqaloshët

E marte, 15.11.2011, 08:59 PM


Arben Puto, historinë e Fishtës nuk e shkruajnë kuqaloshët

 

Nga At Vitor Demaj, O.F.M.*

 

Sa randesi ka dija, kanë pas thanë motit, tue vu theksin në të hapun të mendes për kah dija e njoftunia. Më datën 9 nantor u botue në "Gazetën Shqiptare" nji shkrim plot vner kundra At Gjergj Fishtës prej Z. Arben Puto. Nji shkrim mjaft i ultë dhe aspak në naltësinë e fakteve dhe të aryetimit, të nji mendje të kthjeshtë dhe shëndosht e të paanëshme. Z. Puto, gabon te rreshtimi i ngjarjeve, dhe i referimit të autorit të naltpërmendun Italian. Dihet tashma, flas për ata që kanë gjykimin e shëndosh e nisen prej dëshirës për me nxjerr të vertetën, se historiani Roberto Della Rocca kje nji anti-françeskan, dhe se libri i shkruem prej tij "Nazione e religion in Albania- Feja dhe kombësia në Shqipni" asht i njianshëm, kundra klerit e françeskanëve. Prandej kush arsyeton me arsye dhe, jo i kushtuzuem prej "kuqaloshave" siç i thërret Koliqi në kohën e tij komunistat e Tiranës, din me dallue e me shkrue historinë ashtu siç asht. Fishta simbas Della Rocca asht nji figurë negative, por siç shifet edhe simbas Z. Puto po na del anti- kombëtar, e ku asht ma e keqja e bajnë edhe spiun në dam të bashkëvëllazenve të tij Françeskanë. Z. Puto gabon në pasqyrimin e fakteve, sepse merr për bazë, për me miratue qellimet të tija të mbrapsha, nji burim historik, e ai e din fort mirë se historia nuk shkruhet prej nji libri apo prej dëshirave të se dij se kuj, por historia shkruhet tue marr të gjitha burimet historike, arkivat, revistat e kryesisht jetën dhe aktivitetin politik dhe shoqnor të autorit në fjalë. Historia nuk shkruhet sikurse e shkruen z. Puto. Shihet se logjika e Z. Puto asht e kushtëzueme prej kuqaloshave, e që si shpreblim për Fishtën i shkatrruen edhe eshtnat e tij.

Nese Z. Puto nuk e din se cili kje kontributi i françeskanve, dhe i Fishtës për bashkimin dhe pamvarësinë e kombit shqiptar, asht punë për të, por ai nuk duhet t'i mëshojë instiktit por arsyes. Z. Puto si historian duhet me kenë i paanshëm në kërkim të së vertetes, me thanë të vertetën. Me thanë të vërtetën kjo asht puna dhe detyra e historianit të vërtetë. Rrugë tjetër nuk ka. Z. Puto duhet me marr në dorë e me shfletue të përkohshmen "Hylli i Dritës" e veprat e At Fishtës dhe të At Anton Harapit e të Françeskanve e ka me pa se programi i Fishtës dhe i krejt klerit katolik ishte Fe e Atdhe. Ket program Fishta e mbajti si idealin ma të shtrejt të tij, që kur i ri në Bosnje për kryemjen e studimeve. Ket program ai e bajti me nder dhe e deshmoi me fjalë, me vepra, me krejt jeten e tij. Por, nese Z. Puto nuk e di ket gja, i duhet të studioj, dhe të mos krijoj tymnaja të kota, dhe të çoj pluhun mbi Fishtën dhe mbi klerin katolik si antikombëtar. Nuk e rrëzon Fishtën Z. Puto me fantazi e trillime me nji shkrim të çuditshëm, pa asnji kriter logjik dhe pa asnji bazë historike.

Për me zgjue kujtesën e Z. Puto po rreshtoj datat ma të randësishme të jetës së Fishtë dhe mbsandej të gjykoj lexuesi se kush ishte dhe asht At Gjergj Fishta dhe se kush asht Z. Puto.

Që në vjetin 1899 Fishta bahet bashkëthemelues i shoqnisë letrare "Bashkimi", më në krye abatin Z. Prengë Doçi. Shoqnia letrare "Bashkimi" i kishe vu vetes si qellim me rigjall kulturën shqiptare, me anë të botimeve gjuhësore, krijimeve letrare, shkrimin dhe vumjen e gjuhës shqipe në shkolla. Kjo shoqni që në themelimin e saj e deri në vjetin 1908 u ba pararoj e kulturës shqiptare, që me botimin e abetares (1900) e deri në kompilimin dhe botimin e fjalorit të Bashkimit (1908). Në vjetin 1908 ose ndryshe vjeti i alfabetit shqip, Fisha tue pas nderimin e të tanë komisionereve xuni vendin e parë e i prini Komisionit per përcaktimin e alfabetit shqip me shkroja latine. Fishta që ne vjetin 1902 vuni gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare në shkollën fretnore në Shkodër. Këto atdhetarë, më në krye At Gjergj Fishtën e filluen rrugëtimin e tyne, tue marr pjesë në ngjarjet ma jetësore të kombit tonë. Nderkohë At Gjergji vazhdon tue botue poezi, satira e shkrime në prozë, fillon edhe Lahutën (1905) që i fali emnin Poeti Kombëtar. E bash në Lahutë Fishta nalton krejt shqiptarët mysliman e katolik, tue përjetsue si nji veçanti të popullit tonë, bashkëjetesën fetare. Lexoje Z. Puto veprën letrare të Fishtës e gjeje nëse mundesh antislamizimin e tij. Në agim të pamvarësisë së Shqipnisë, Fishta boton Hyllin e Dritës. Kjo revistë i vuni cak vetes me naltue shpirtinisht kombin shqiptar, si dhe me shkrue historinë e tij. Hylli shndriti në trollin shqiptar mbas nji errësine 450-vjeçare. At Fishta në ket revistë krahas shkrimeve të tjera, asht marr me formimin e karakterit të shqiptarëve, ka luftue zakonet e tradita aziatike pse ishin antishqiptare, pengojshin zhvillimin e vendit atë ekonomik e kultural. Ishin po ato tradita që u muerën si mjet zhvillimi prej kuqaloshave, e lanë Shqipninë si vendin ma të vorfën në botë, përkrah shteteve të vorfna afrikane. Janë po këto tradita, që nuk po e lanë Shqipninë as sot me përparue përkrah vendeve të qytenueme të Europës.

Që në vjetin 1914 kur Haxhi Qamili me shokë lypte kthimin e "Babes" u çue në luftë kundra princ Wied-it, ku përfaqsuesat e pushteteve evropiane në Shkodër po rrinin më duer kryq, Fishta çon zanin përpara këtyne padrejtsive që po e drejtonin vendin në nji mbrapambetje të pakthyeshme, shkruen shkrimin polemik në Hyllin e Dritës "Nji komedi e pandershme e XX qindvjetë". Me ket shkrim At Fishta mbrojti të drejtat e Shqipnisë, por po ky shkrim i kushtoj si denim largimi tij për 20 muej në Maltë. At Fishta e hetoj ket gja, e u nisë për në Troshan ku qendroi në kuvendin Françeskan të Troshanit pothuejse dy vjet rresht, pa pas mundësi me u kthye në Shkodër pse i denuem. E pse gjithë kta? Pse e deshti Shqipninë.

Po ashtu edhe në vjetin 1919 At Fishta me atdhetarë të tjerë shqiptar shkuen në Paris për me mbrojtë kufijtë e Shqipnisë. Këtu në Paris, tue e pa se çashtja shqiptare nuk ishte në hulli të mirë Fishta me mons. Bumçin mueren rrugët e Europes mbarë, zyrë më zyrë për me paraqitë çashtjen Shqiptare, tue fillue prej Papës e deri te neoskolastiku me famë, kardinali belg Mercier. Fjala e mbajtun me ket rast asht deshmi e atdhetarizmit fishtian. Ndoshta Z. Puto nuk e ka lexue ket fjalim.

Mbasi caktohen kufijt e Shqipnisë Fishta kthehet në Atdhe e fillon krijimarinë e veprimtarinë e tij, në shërbim të politikës dhe të zhivillimit kulturor të popullit shqiptar. Rishtas del Hylli i Dritës e deri në vjetin 1924 nëpër faqët e saj, Fishta shkruen për forminin dhe administrimin e shtetit të ri shqiptar, lirinë e mendimit e të mësimit, që jo rastësisht i bjen me themelue në vjetin 1921 të parin Gjymnaz klasik në Shqipni. Nderkohë i njohim veprat e tij të botuem në ket periudhë, si "Gomari i Babatasit", etj. Ahmet Zogu merr pushtetin, Noli largohet përfundimisht, Fishtes i duhet prap me marr rrugën e mërgimit për në Itali e Luigj Gurakuqin e vranë. E pse e gjithë kjo? Pse këta burra e deshtën Shqipninë. Vjen vjeti 1930 e "Hylli i Dritës" rifillon rrugëtimin e mbetun përgjysë deri në vjetin 1945 ku tashma jo të huejt por kuqaloshat e ndërpresin Hyllin. Qe në numrin e parë të vjetit 1930, Fishta shkruen artikullin tij "Kultura", për me thanë se krejt aktiviteti i tij qe nji ringjallje kulturore e shpirtnore të kombit shqiptar, e u tregoi rrugën shqiptarve për me u kap mbas dijes së vërtetë e qytetnimit europian.

Në vjetin 1930, 1931 e 1932 merr pjesë ne konferencën interballkanike tue u ba zani kryesorë për propozime e ide për rimkambjen e nji kulturë ballkanike, si dhe në mbrojtje të drejtave të shqiptarëve që kishin mbetë jasht kufijve të Shqipnisë. Po në vjetin 1932 merr pjesë si kandidat për çmim Nobel përkrah 60 vendeve të tjera të botës.

Në vjetin 1937 boton të plotë "Lahutën e Malcís, nji kryevepër letrare e njiherësh kombëtare.

Vijmë të vjeti 1939 ku Shqipnia pushtohet prej Italisë Fashiste. Historikisht dhe në bazë të dokumenteve, flas për dokumenta e dëshmi reale të atyne që jetuen atë kohë, e jo pë dokumentat e Della Rocca-s, a po të Z. Puto, se kryesia e Kishës Katolike e në veçanti Françeskanët Shqiptarë, kjen kundra pushtimit të Italisë e kundër humbjes së pamvarësisë. Ket gja e difton vepra e tyne kulturore, shoqnore e politike. Ket gja e vërtetoi edhe botimi i "Hyllit të dritës" gjatë atyne katër vjetëve. Normalisht dihet se regjimi i Zogut nuk përkoi me idealin e njasaj Shqipnie që deshti Fishta, Shantoja, Marlaskaj, Anton Harapi, Bernardin Palaj e françeskanët e tjerë shqiptar. Me ramjen e tij, u mendue nji zgjim kulturor e kombëtar. At Zef Pllumi shkruen për ket nyje të pazgjidhun të politikës shqiptare, si dhe të qëndrimit të françeskanëve përballë pushtuesit italian.

Emnimi i Fishtës si akademik nuk ishte nji tradhëti ndaj Shqipnisë, sepse Fishta kurr në jetën e tij, nuk veproi kundër Shqipnisë apo interesave të saj. Akademia e Italisë në atë kohë ishte e përbame me shkenctarë e njerëz të përmendun të kulturës italiane. Reforma në arsim, që pat ba Akdemia italiane në atë kohë, mbeti e paprekun prej shtetit italian deri në kohët tona. Ky nji fakt, por ka sa të duesh, për me diftue se çfarë randesije dhe cilët kjen njerëzit që e përbanin atë. At Zef Pllumi na dishmon se At Anton Harapi me provinçialin At Çiprian Nika, ishin të mbajtun peng në Itali, e shumë të tjerë nan nji vëzhgim të rreptë, pse kundërshtuan pushtimin italian. Kjo mosmarrveshje mes Françeskanve e përfaqsuesve të Italiasë Melone, Konti Ciano e Iacomoni në Tiranë, kishte krijue shumë probleme. Tue pa ket gja, dhe se ishte ne rrezik jeta e fretenve shqiptar, por edhe per me rujt nji autonomi të veten Shqipnia, Fishta shkoi në Romë e u takue me Papën, e mbas u takue me Musolinin, për me i mbrojtë bashkëvëllaznit e tij prej nji persekutimi të afert.

At Daniel Gjeçaj biografi ma i saktë sot për sot i Fishtës, shkruen mbi ket çashtje, e bjen tekstualisht fjalët e Fishtës: Këqyr bir'o, ndoshta ndokush tash apo ma vonë, kur unë s'kam për të mujtë ma me u mbrojtë, ka për të më fajisë për këtë "kokardë" që baj, gjoja - si thonë Toskët - se unë u jam shitë italianve apo, çka do të ishte edhe ma zi se unë jam ba; dije se Akademitë, edhe pse cilësohen me emen të atij kombi e të asaj qeverie, prej së cilës mbahen, janë gjithnjë e përherë katedra të përbotshme për dije e art. Suedia - shtonte - u ep çmimin Nobel të gjithë dijetarëve e letrarëve në shenj të botës dhe kurrkush s'thotë se i shpalluni Nobel asht ba suedez. Unë me këtë shenj, që s'asht fashist e që për mue ban gërme fillestare të "Albania", sot për sot mund të viej për Shqipni e për Provinçë ma fort s eme çdo mjet tjetër. Në luftë s'të pvetë kush se ç'fabrike janë armët, por se si i ke përdorë ato. "Për burrë çdo pushkë asht e mirë, mjaftë që t'i ndezë baruti" - thotë goja e popullit. (At Daniel Gjeçaj, Fishta Jeta dhe vepra, bot. II, Botme Françeskane, Shkodër, 2010, fq. 159).

Edhe At Zef Pllumi për emnimin e Fishtës akademik shkruen:

Si të gjitha diktaturat edhe ata kërkojshin duertrokitjet e popullit dhe përuljen e njerëzve të përmendun e me influencë. Shpërndajshin pare, shpërndajshin dekorata, shpërndajshin rybe. Në atê vit un ishem ndër klasat e nalta të liceut. U përhap fjala se edhe Fishtën e kishin emnue me dekret si "Akademik të Italisë". Mbas disa ditësh kje caktue që të gjithë pjestarët e Kuvendit Françeskan, të kolegjës, si edhe trupi mësimor i liceut "ILLYRICUM", të shkojshin bashkarisht te Arra e Madhe për t'i bâ urimet Fishtës. Na priti me karamele dhe kumel. Mbasi i paraqitem bashkarisht urimet, nji prej profesorave, P. Mëhill Miraj, u çue e i tha:

- Pater Gjergj, na këtu jemi të gjithë nxanësat tuej. Un këtu po shprehi mendimin e të gjithë kolegëve të mi dhe vllazënve tuej: aq sa na ra mirë emnimi yt si Akademik, aq na ka ra edhe keq. Na të gjithë prej teje kemi mësue se si duhet ta duem Shqipninë e se si duhet të jemi atdhetar. E gjithë Shqipnia, ashtu edhe fashistat italianë e dinë mirë se ti ishe kundra tyne. Bashkarisht kemi vendosë me të bâ këtë propozim: "njashtu si ti ktheve mbrapsht dekretin e dekoratës që të kje dërgue prej autoriteteve italiane, tue u thanë se "nuk âsht dekoratë për mue", po ashtu ktheje mbrapsht edhe titullin e Akademikut. Kaq dimë e kaq ta themi si vllazën, si nxanës e si bij tuej e mos na e merr kurrgjâ për të keq se ti je ndera e jonë".

Fishta gjatë këtyne fjalëve kishte ra në mendim.

- Ndigjoni, - tha, - o vllazën e bij të mi. Un nuk kam ndërrue, por jam ai Pater Gjergj që kam kenë gjithmonë. Ju e dini mirë se sa e kam dashtë un Italinë këtu. Kaq e gjâ e kan kuptue edhe fashistat vetë. Mos mendoni se këtë titull ma kanë dhanë për me më nderue, por ma kanë dhanë për me më internue. Latinët kanë nji aksiomë të vjetër të politikës së tyne: "Promoveatur ut removeatur" (t'i jepet nji nderim mâ i naltë veç për me e largue). Njashtu si po internojnë shumë shqiptarë tjerë, njashtu po duen me bâ edhe me mue, përsé në bazë të Statutit çdo akademik i rí e ka për detyrë me u sjellë për gjashtë muej tue mbajtë konferenca nëpër institutet e nalta të kulturës. Në këtë mënyrë ata duen punën e vet me e bâ e njikohësisht me i hjedhë pluhën syve botës, popullit shqiptár ashtu edhe mue. Un sot jam i plakun; sëmundja e zemrës më âsht randue shumë në këta muejt e fundit. Ato mësimet e mia që ju kam dhanë dikur kishem me dashtë që ju sot t'i shtini në veprim, ndërsá un nuk jam i zoti me përballue mâ as burgun, internimin apo arratinë. Por un po u premtoj ju se kurrë nuk do ta përuli para të huejve rodin e shqiptarit. Me të vërtetë sot na kanë okupue, si dikur Roma Ilirinë. Por un ndër konferencat e mia do t'ua përsëris italianëve pa ja dá, se me të vërtetë që Roma dikur e ka pasë namin e madh, por legjionet ilire dhe perandorët e mëdhaj ilirjanë ishin ata që kishin në dorë fatet e Romës. U bâj edhe nji premtim tjetër se përnji që ato konferenca do të kryejnë për gjashtë muej, siç i don rregullorja, un menjiherë do të kërkoj me ardhë në Shqipní.

Përmbi këtë moment të jetës së Fishtës âsht shkrue e folë shum, jo vetëm prej anmiqve të tij, të cilët këtu gjetën rastin e volitshëm për me spekulue e hjedhë shumë baltë përmbi figuren e tij atdhetare, por edhe prej disa tjerëve që e njoftën si atdhetar e Poet Kombëtar. Në Kanunin e Lekë Dukagjinit, i cili shprehë urtinë e naltë të trashigueme të popullit tonë, për çdo pleqní (gjykim) që bâhej thuhej ky parim: "po të bâj baras me veti" ose "vu vetin në kambë time". Këtë shprehje po e përsëris për të gjithë ata që duen me kërkue të vërtetën dhe jo për bojaxhijtë që i ndërrojnë ngjyrat si po i don. (At Zef Pllumi, Françekanët e mëdhaj, Bitmet Françeskane, Tiranë, 2001, fq. 14-17). Në artikull përflitet edhe për fugurën e At Anton Harapit si bashkëpuntor me gjermanët. E din populli e din historia se kush ishte At Anton Harapi. Vetem due me i thanë Z. Puto se At Antoni i pat të gjitha mundësitë me u largue prej Shqipnisë, kur hyni komunizmi barbar në token arbnore. Ai nuk u largue, sepse politika e veprimi shoqnor e letrar i At Anton Harapit kje për të mirën e popullit shqiptar. Ket gja ai e dëshmoi me jetën e veprën e vet. Atë e pushkatuen, e sot nuk dim as se ku e ka vorrin. Kur erdhën kuqaloshat në pushtet, ma s'parit eleminuen kundërshtarët tyne, u fillue me klerin e me të tjerë me rrallë. Gjatë komunizmit në Shqipni kemi ket shvillim të jetës shoqnore:

-Bashkëpuntorët e komunizmit, dhe komunistat;

-Vrasjet masive që u banë në klerin katolik si dhe në gjithë shqiptarët e ndershem;

-Burgosjen dhe internimin e shumë të tjerëve;

-Të "prekunit", kështu i thirrshin ata që ishin kundra regjimit, pse miq apo të afërm të persekutuemve.

-Kundërshtarët në heshtje kundër regjimit,

Tashti nji pyetje për Z. Puto: në cilin shtrese të jetës shqiptare jeni gjetë gjatë regjimi komunist?

Ka ikë koha e diktateve, të urdhnave, apo të zaptimit të katedrave në emën të njaj pseudo-shkence të marrun me gjakë e me dhunë, me eliminimin fizik, burgosje, fyemje e shkatrrime. Historia e Shqipnisë duhet rishkrue, e jo vetëm ajo por edhe ajo e Klerit katolik e Françeskanëve. E përsëris duhet rishkrue, e ka me u shkrue prej historianve të vërtetë, të kthjellt në mende, e jo prej mendeve dogmantike e kuqaloshe.

 

Shënim

* Titulli i shkrimit vënë nga autori ishte "Quanti est sapere - Sa randesi ka dija!" autori është përgjegjës i Bibliotekës Françeskane në Shkodër



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora