E merkure, 03.03.2021, 12:41 PM (GMT)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Defteri i pestë

E shtune, 08.10.2011, 04:59 PM


Defteri i pestë

 

…ose  …(Nono pilurjoti vajton Thomain)

                                         

Fragment  nga novela “Thomai që mbolli kripë”

 

Nga Timo Mërkuri

 

Disa gra e vajza dolën te dera dhe zgjatën kokat të vështronin nga rruga,ku vërtet po vinte një njeri me kalin të mbajtur për dore e me vaj në buzë. Fjalët e vajit nuk dëgjoheshin, po kjo s’ka rëndësi. Domethënë po vinte vërtet një njeri i huaj te shtëpia e Thomait dhe ky burrë po vinte me vaj.

E shoqja dhe e bija dolën në obor ta prisnin vëllamin, se duhet ngushëlluar veçmas ai, pasi konsiderohet tepër i afërt me të ndjerin, bile  i afërt si djali a vajza. Pjestarët e familjes e kishin për detyrë ta prisnin vëllamin, ta ngushëllonin, ta ulnin ne qoshe të odës  së burrave dhe t’i bënin të gjitha nderet që i bëhen një të gjalli, si të ishte i  shënjtë.

Sepse vëllami është  si një shënjt a si një zot, dhe jo vetëm kur të vjen në shtëpi .

Kur e nderon kësisoj në kasabanë e Delvinës,  psh , apo të Janinës, mendo si do ta nderosh kur të vjen në shtëpi. Por tani ai erdhi në mort të vëllamit të tij dhe ajo që ka më shumë rëndësi, është se erdhi me vaj në buzë.

Me vaj erdhi dhe me vaj do pritet.

Ndajë e shoqia dhe e bija e Thomait dolën në obor dhe zunë vajin me ulërima;

 

Ngrehu o baba nga varri/I ziu baba.Korba o baba

Se të ka ardhur vëllami/I ziu baba.Korba o baba.

 

Instiktivisht, gratë e tjera i qenë shtuar grupit të vajtoreve duke u mbajtur vajin me rënkimet e tyre. U haruan rromuzet e qefmbetjet.

Po vinte një i huaj nga larg të nderonte të vdekurin e shtëpisë në fshat të tyre.

Dhe, o çudi për tu çuditur, ai ecte e vajtonte duke i rënë gjoksit me grusht.

Ariti te porta e hapur e oborit dhe në vënd që të ecte përpara, ndaloi pak hapin, e pa njëherë mirë e mirë portën, e qëlloi nja dy herë më grusht dhe ja nisi vajtimit të improvizuar aty për aty;

 

Moj  porta me zavëza./O i ziu im vëlla

 

Zërin e kish të lartë dhe fjalët dëgjoheshin qartë. Po në qoftë se te fjalët që i drejtohej portës, godiste atë me grusht, butësisht vetëkuptohet, te vargu i dytë qëllonte gjoksin me të dy grushtat dy herë.

Në herën e tretë godiste kokën pak mbi tëmtha.

Kështu me dy reshta, në tre goditje bëri vetëm dy hapa përpara.

Ndaloi pak, sikur po mendohej dhe hodhi sytë mbi grupin e grave që kish ngelur e shastisur në vënd, si një grup statujash gojëhapur.

I pa si shkarazi, sikur nuk shikonte fare ato dhe ja nisi vargut tjetër të vajit;

 

Ç’ka Minusheja që qa/O i ziu  im vëlla.

 

Gruaja e Thomait nuk quhej Minushe, por kjo s’ka rëndësi fare. Emrin Minushe e përdornin  me përkëdheli, kryesish nëpër këngë dashurie për vajzën që dashuron, për nusen e bukur, për gruan nikoqire që nderon burrin etj etj. Njësojë siç përdorej emri Vitë, apo Lule.

Gruaja e Thomait u shkreh në vaj.

Një fjalë të ëmbël s’ja kishte thënë Thomai këto vitet e fundit, po dhe në mortin e tij, asnjë grua s’ja qau hallin. Si kishte kaluar jetën me të ziun e si do ja bënte tani pa të. Asnjë llaf, zëje se s’qe fare. Ti lëmë mënjanë romuzet e thëna e gatitjet për sher e shamata. Ajo kish qëndruar  aty, në mes të dhomës dhe s’pushonte së vajtuari vetë apo duke shpoqëruar vajtoret e tjera, dhe me disa ndërhyrje të vogëla që bënte nëpër vajtime aty këtu, përpiqej të largonte vëmëndjen nga inati  i fshatit me të ndjerin, burrin e saj.

Edhe të bijës i ndërhyri nja dy herë në vaj, që tja zbuste zemërimin vajzëror për nja dy vajtime me hidh e prit. Mirë i ziu  që iku, po të paktën,  fshati të mos u mbante  inatin fëmijëve. Vajza qe për tu martuar, dhe një llaf  koti të kërrenin gratë e fshatit, dhëndurët ndëronin udhë. Të tëra ua fali grave të fshatit, po të dëgjojmë vëllamin që qan e qaset te grupi i grave, që qenë më pranë, sepse burrat që kishin dalur nga dhoma, kishin mbetur si të hutuar në shkallë të shtëpisë.

Po si thotë në vaj,si thotë për të Thomaitë;

 

Qan e lotët dot s’i mba/O i ziu im vëlla

Se trimin  këtu s’e ka/O i ziu im vëlla

Kush do mbaj’ këtë kala/O i ziu im vëlla

Se një djal të vetëm ka/O i ziu im vëlla

 

Gruaja dhe e bija e Thomait nuk duruan më po u sulën te i huaji dhe me ngashërime mbështetën kokën në gjoksin e tij. Ai u përkëdheli  shaminë mbi kokë dhe, duke mbajtur duartë mbi supet e tyre, ja nisi vajtimit prapë duke ecur drejt shkallëve dhe duke i ngjitur ato, i shoqëruar nga grupi i grave e plakave robazeza;

 

Motër me kokën mënjanë/Aman motëro/Korba motëro/E zeza motër

Thuamë ku kam vëllamnë/Aman motëro/Korba motëro/E zeza motër

 

Nuk kishte më grua e plakë që të mbante  ngashërimin, po dhe burrat që rinin në shkallë, duke parë këtë skenë, e sidomos duke dëgjuar këto fjalë, nisën të fshinin lotët që u ridhnin mbi mustaqe.

Po dhe mënyra sesi ligjëronte ky burrë ishte e pa parë ndonjëherë në këtë fshat.

Nuk i binte më gjoksit, se duart i kish mbi supet e  të bijës dhe të shoqes së Thomait, duke krijuarë kështu padashje një kompleks njerëzor që rezatonte dhimshuri.

Lëkundtte kokën sa majtas djathtas dhe i zvariste  rokjet, që të thuash se fjalët i nxirte nga thellësia e shpirtit, ashtu siç nxiret uji  me çikrik nga thellësia e pusit.

Kur nxiret uji e kini vënë re që rjedh nga të carat e kovës.

Ashtu ridhnin rokjet vajtimtarë nga fjalët e vajtorit të largët.

E thoshte të plotë e të saktë, që të dëgjohej mirë vargu ‘’Motër me kokën mënjanë’’. Ama,aty te ato vargjet që përsëriten gjithënjë,aty është shpirti o xhan.

Vërja veshin si i ligjëron pjesën ‘’Aman motëro.Korba motëro’’. E bën dot ti  o xhan këtë vaj? E si të rishë pa t’u dredhur  shpirti aty tek dridhen  fjalët me një;

 

-Aman motërooo,o aman motëroooo.E zeza motër.E korba motër.Korba motërooo,e motër  zeza,e motër  zeza.O korba motërooooo.E zeza motër.

 

Dhe të mendosh se vetëm një varg i këtij vaji donte  gati dy minuta, pa mendoni vetë kohën që mbante një vajtim. E të vështrosh një burrë që qan në mes të burrave apo grave, qoftë edhe në mort, kjo nuk ndodh gjithënjë dhe sidomos në këtë fshat të mbyllur në mes të maleve dhe të ushtrive të Pashait, ndajë le ta dëgjojmë të ziun vëllam nga Piluri, tek qan Thoma vëllamin e i thotë të shoqes së tij;

 

Lajmi që dëgjova vetë/Aman motëro/Korba motëro/E zeza motër

Thuajm që s’ësht’ i vërtetë/Aman motëro/Korba motëro./E zeza motër

 

Vëllai i Thomait dhe i biri sikur u zgjuan nga gjumi kur panë që miku po ngjiste shkallët me vaj në buzë, duke mbajtur   të shoqen e të bijën e Thomait  nga supet, apo më mirë duke u mbajtur në supet e tyre.

Nuk dihej kush e mbante njeri tjetrin, por nderi dhe detyra e kërkonte që i biri dhe i vëllai të dilnin e ta prisnin mikun që te porta e oborit.

Nuk e bënë këtë, nga hutimi e jo nga tjetër gjë, dhe siç u pa, asnjë nuk ua mori për ters. Asnjë bashkëfshatar po e po, po ajo që ka rëndësi është fakti  se edhe miku nuk ua llogariti  për keq, se ndryshe nuk do i kishte ngjitur shkallët.

Po ç’ne, ai qënkish vëllami, pra ishte i shtëpisë.

Ndajë vëllai dhe i biri i Thomait, pasi  miku mbaroi vajin që kish në buzë e morën lehtë lehtë nga supet,duke larguar me marifet  të shoqen dhe të bijën  dhe u drejtuan për  në odën e burrave.

Po aty në mes të shkallëve, miku ndaloi, hoqi duart nga supet e  vëllait dhe të birit të Thomait,dhe duke ngritur dorën e mbledhur grusht drejt strehës së shtëpisë, ja nisi vajit përsëri;

 

O moj kalaja e lartë/O vëllam o zëmëro

Të daltë flaka të daltë/O vëllam o zëmëro

 

Tani, se e shndronte në kala këtë shtëpi, ku kati i parë  qe ndërtuar me gurë dhe kati i dytë qe me lëndë druri, pra këtë shtëpi që asgjë se afronte me kalanë, këtë e pranuan të tërë. Miku lartëson mikun, dhe kështu lartëson dhe veten.

E dyta është, se kalanë nuk e përbëjnë gurrët e muret, por burrat që luftojnë nëpër to.

Kala mund të jetë edhe një shkrep a një majë mali që i dëfton gjoksin dovletit, e sidomos pashait të Janinës. Pra miku kish të drejtë, dhe po ta shohësh hollë hollë, kur quante kala shtëpinë e Thomait, që bashfshatarët nuk e quanin as shtëpi, mendo si do i quante shtëpitë e tyre, me gurrë të latuar e ngritur tre kate, si saraje pashai.

Po dale ta dëgjojmë, more aman, si i kërren kështu këto llafe ky burrë;

 

Të daltë flaka në majë/O vëllam  o zëmëro

Që nuk më mbajte vëllamnë/O vëllam o zëmëro

 

Miku u ul ku i thanë dhe nisi të fshijë lotët me një shami që e nxori nga xhepi i pantallonave të leshta. Ata që e pane, e ulën shikimin gjer te kupa e gjurit, se gjer aty zgjateshin pantallonat e leshta të  mikut . Më poshtë gjer te opingat me xhufka, qenë ca çorrape të leshta, me ca lulka e bulka të lezetëshme. Xhufkat mbi opinga tregonin  shkallën e lartë të  tij në fis, si të themi, ose kryebari ose i parë i fisit. Ai që ka të drejtë të marë vendime e të flasë në emër të fisit. Tani, kjo veshje pak a shumë si e tyrja ishte, vetëm se në kokë nuk kish qeleshe, por një kapele si me majë para e prapa, feste kishin dëgjuar se i thoshnin, dhe nuk qe prej leshi dhie apo dele, siç qenë  pantallonat dhe xhamadani, po prej një robe allafrënga, që i thoshnin kadife.

Përballë mikut, rastësisht ndodhej Barba Spirua.

Po dhe të mos qe, do e ngrinin e do ta vinin  në krye të vëndit.

Kush do e priste dhe sajdiste  mikun veçse më i moshuari  i pranishëm.

Ndajë, dhe Barba Spirua, pasi e la të qetësohet pakëz miku, kur i sollën gotën e rakisë, ju drejtua me fjalët e zakonëshme në këto raste;

-Mirëse na urdhërove o mik dhe të faleminderit për nderin që na bëre duke ardhur në këtë mort.  Ta shpërblefshim në gëzime në shtëpinë tënde e ndër miq e dashamirë.

Miku, për çudi e mbajti gotën në dorë dhe vështroi njëherë të pranishmit reth e qark dhe e përqëndroi shikim te Barba Spirua, e..pastaj pyeti;

-Zotrote, në mos gabohem je Barba Spirua i Xuxe.

-Më njeh zotrote o mik, se po njihemi, mos më le të turpërohem tani në pleqëri.

-Nuk jemi njohur Barba Spiro, mos ki merak. Po unë të njoh nga  të thënat e vëllamit tim të ndjerë. Këtu ta themi, se ai s’na dëgjon, ai të çmonte shumë. Është burrë me katërqint derhem-më thosh kur binte llafi.

Miku pa që këto fjalë bënë shumë përshtypje te të pranishmit, ndajë vazhdoi qetësisht;

-E di që s’më njihni, se nuk e ka prurë rasti të vija  te vëllami sipas zakonit e sipas adetit, po edhe ne na gjeti belaja me atë dreq Kara Pashanë e Janinës. Na kërkon dhe ne taksa dhe kërkon që ti bëjmë xhami ato kishat tona, ndajë na sulmoi, na dogji e na përvëloi.

Vuri veshin vetë bëmave të të ligut, vetëm në një fshat varri në degë të ullirit  tetëmbëdhjetë  kapedanë. Ja kemi këtë borxh Jusuf Arapit, dobiçit të arrapkës, ja kemi.

Po ne, s’i kemi dhënë taksa Sulltanit të Qabesë e jo t’i japim nashtinë të birit të Hanko Kapesë.

Mjaftoi kjo fjalë që miku të fitonte simpatinë totale të të gjithë të pranishmëve.

Si tha, si tha;-i biri i Hanko Kapesë. Domethënë i biri i Hanko lavires.

Tamam ashtu është.

Ja tha dhe Miçua atëherë,ja tha.

Ja ku e thotë dhe një tjetër tani.

Po Jusufin e Zi apo si i thonë, Arapi, se arap i zi  është dhe nga surrati dhe nga shpirti, si e quajti?

Dobiçi i arrapkësë, ë?

Se llafi kishte ardhur edhe në fshatin S. që Jusufi i Zi, që të lemeriste  vetëm emrin ti dëgjoje, pa le më që ta shikoje, pra ky Jusuf na qënkish  vëlla nga babai me Pashanë e Janinës, bërë me një zezake , që s’dihej nga erdhi.

-Unë more miq, quhem Nono-vazhdoi vëllami-Andon si i thoni ju dhe jam nga Piluri i Himarës, në e kini dëgjuar. Jam bërë një mot e ca vëllam me Thomanë, në kasabanë e Delvinës, do jua mollois më pas si e qysh.

Po duke qënë se jam vëllam, më takon bashkë më të birin e Thomait dhe vëllanë e tij këtu, t’ju mirëpresim o miq për ngushëllimet që na  bëni dhe ua shpërblefshim në gëzime. Në shtëpitë tuaja dhe të dashamirësve tuaj, o miq, dhe vetëm për të mira.

-Na e vuri kufirin te thana ky vëllami i panjohur i Thomait, por i jep hakë zakoni, mendoi Kiçua dhe me bisht të syrit vështroi Barba Spiron i cili e miratoi në heshtje fjalën e mikut.

-Po qysh erdhe rrugës o vëllam-ndërhyri në bisedë vëllai i Thomait, i cili detyrimisht do ta mbante e do ta respektonte si vëllamin e tij tani që vdiq Thomai dhe domosdo që në këtë mort do t’i jipte edhe fjalën,-a u lodhe,a pate pengesa.  Se dhe koha…

Nuk ariti të mbaronte fjalën kur Nono pilurjoti u ngre në këmbë e filloi vajin;

 

Ç’u gremisa bregut-o/Turbull lumi turbullo

 

Këtë herë nuk godiste kokën e as shkulte mjekrën, po i kishte kryqëzuar duart në gjoks dhe lëkundej sa majtas djathtas. Lëkundjet qenë sipas ritmit të vajit.

Burrat mbetën të habitur. Në fshatin S. nuk qe zakon të vajtonin burrat, dhe ca më tepër me ligje. Bile bile, ata nuk dinin të vajtonin fare kësisoj.

Më të moçmit, dinin ca histori shumë të moçme, për ca burra që vajtonin për miqtë e bijtë e vrarë, që mallëkonin hënën e diellin e porositnin zogjtë e malit të mos bënin zhurmë kur të shkonin andejë se i zgjonin nga gjumi, porositnin lisat e malit të mbanin  në degët e tyre shpatat e mburojat e trimave etj etj.

Po këto qenë histori të moçme.

Shumë ujë kishte rjedhur që nga vajtimi i fundit i burrit të fundit të fshatit të tyre.

Ecejaket në Delvinë e në Janinë i kishin zbutur  burrat aqë  sa  të haronin disa zakone. Ndër to edhe vajtimin.

Dhe ja ku vjen tani nga legjendat apo nga përrallat ky Nono Pilurjoti e zë e qan me ligjet e haruara, vëllamin e tij të porsavdekur.

Dhe si e tha;-U gremisa tha apo jo. Nuk tha eca bregut e as shkova bregut.

Allosoj të folur kanë këta pilurjotët, more vëlla.

Po si u bëkan vargjet te këto vajtime të burrave, le ti dëgjojmë;

 

Pëjes zogjt’ e malit-o/Turbull lumi turbullo

Mo’  ma pat’ vëllamin-o/Turbull lumi turbullo

 

Duke vajtuar eci drejt dhomës së grave të cilat qenë mbledhur reth gruas së Thomait, si  të qe Pashesha e Pashait. Kur panë që vinte drejt dhomës vëllami i Thomait duke vajtuar ,ato u çuan në shënjë respekti, duke menduar se ai do ulej mes tyre të vajtonte.

S’kishin faj të varfërat, ku ta dinin ato se burrat nuk ulen në dhomën e grave, bile  edhe kur venë të vajtojnë, por vajtojnë në këmbë siç vajton Nonua nga Piluri kur thotë;

 

Më thonë ka ikur-o/Turbull lumi turbullo

Larg e larg gjesdisur-o/Turbull lumi turbullo

Edhe më kurr’ s’do ta sho/Turbull lumi turbullo

 

E bija e Thomait ja dha  ulërimës me kuje pas këtij vargut të fundit.

E pa që babanë e futën në gropë, po nuk e besoi se s’do ta shihte prapë.

I dukej sikur sa të vente në shtëpi, ja do ti dilte përpara babai dhe do ti thoshte me atë të folurën e rrëndë të tij;

-Shko e mbushëm një kotruve ujë të ftohtë. Dhe ajo do vraponte të burimi aty afër  menjëherë, por këtë radhë më me gëzim. Do qe e gëzuar se e gjithë ajo që hoqi, gjithë dhimbja  e saj prej bije, gjithe lotët e derdhur, vajtja në varreza dhe varimi i …, obobo, mos e thuaj, pra dhe varimi paskëshin qënë një ëndër e keqe.

Por ja që u kthye në shtëpi dhe asnjë s’doli siç e mendonte. Dhe ja tani, në vajin e tij të çuditshëm, ky vëllami pilurjot i babait të saj i thoshte se ai s’kishte për ta parë më vëllamin e tij. Vetkuptohet as ajo babanë e saj. E po kjo nuk durohej. Të kishte pritur së paku sa të martohej ajo njëherë, pastaj tjetër muhabet.

Ndajë ja dha ulërimës me një dhimbje të dyfishtë, për babanë e vdekur dhe për fatin e saj të zi, që s’dihej se ç’rrokullimë do të mirte.

Alivania i vinte rrotull.

Tamam siç rrotullohej tavani i shtëpisë mbi kokën e saj.

E zverdhur u këput e ra mbi prehërin e grave vajtore, të cilat ja dhanë ulërimës.

U hodhën mbi të nja dy gra e nisën ti bëjnë fresk me duar.

Njëra bërtiti;

-Po sillni ujë moj, se na iku vajza.

S’u pa kush e pruri kanën e lamarintë, të cilën ja derdhen të tërë mbi kokë vajzës dhe filluan ti përkëdhelin kokën.

Plakat e gratë  shoqëronin vajtimin e  Nonos, i cili nisi të kthehej për te oda e burrave me vaj në buzë;

 

Do mbetem i vetëm-o/Turbull lumi turbullo

Gurr i rrokullisuro/Turbull lumi turbullo

Honeve gremisur-o/Turbull lumi turbullo

 

Ky është vëllam mbi vëllamër.

Si tha,si e tha këtë herë?

Do mbetem si gurr i rrokullisur e honeve gremisur.

Të gjithë parafytyruan gurin që bie honeve dhe askush se sheh se ku ndalon rrokullimën. Shtoi kësaj faktin që gjatë rrokullisjes guri thyhet e shkërmoqet. Dhe mendo tani të kam rixha, se ai që rrokulliset nuk është një gur  mali, po është një burrë zakoni, dhe sidomos një burrë nga Piluri.

E parafytyron dot përfundimin.

Dhe të gjithë këtë skenë ai e dha me  dy vargje ose me katër fjalë.

Këto vetëm një dhimshuri e dashuri e madhe mund ti krijojë.

Vetëm një mik përmbi miq mund ti thotë.

Dhe sidomos në vajtim.

Dhe sidomos te ky vajtim që i rënqethi të tërë në daç nga fjalët e në daç nga tingulli.

Ama duhet të themi se Kania e Vangjelit, njohëse e mirë e vajtimit, e dëgjonte dhe e shikonte me shumë vëmëndje këtë pilurjot, që vajtonte si ai. E vërteta është që edhe Nica, vejusha e Kolës së Maçajve, ja kishte ngulur ca si shumë sytë këtij Nono Pilurjotit, po kjo dihej pse. Kish tri vjet e gjashtë muaj pa burrë, derrëzeza, ndajë do ti lutej këtij deli burri nga Piluri, ta shpinte  gjer në  Delvinë për të bërë ca psonira në Pazar.

Tani, pse do e shinte tek do e shpinte, kjo nuk qe punë e fshatit, ndajë dhe ne nuk po e zgjasim këtë muhabet.

Po Kania e Vangjeli e shikonte pak më me vëmëndje, me një shikim ca si pjertas.Sikur po mendophej  për ato që shikonte e dëgjonte, më shumë se sa shikonte e dëgjonte vajtimin e tij. Jo se kishte gjë kundër  vajtimit të tij,  po se si i dukej moj xhane ky të vajtuarë. Ta themi p.sh, si zhurma e ujit që rjedh në përrua dhe jo si zhurma e ujit kur buron te burimi. Se një largësi nga shpirti e kishte ky vajtim. Dallohej te dridhja e zërit kjo gjë. Dukej që qe një si dridhje e jashtëme more xhan. Ama, këtu ta themi e këtu ta lëmë, fjalët e vajtimit qenë si do zoti vetë. Të zgjedhura me dorë e të vëna me sira. Dhe në kish ndonjë  dobësi te zëri a te burimi i zërit, fjalët e vajit i mbulonin të tëra mangësitë. E kini parë si i mbulon suvaja  mangësitë e murit. Ja, shih një gur të shtrëmbërë a ndonjë tullë të vënë brinjazi që ta vret synë në të parë. Hidh mbi të suvanë, fërkoje e lëmojë dhe do bëhetë muri i shtëpisë tënde  më i bukur se  sarajet e Pashait në Janinë.

Ama ai guri apo tulla e vënë shtrëmbërë, aty është, po hajde shihe ti, të kam rixha.

Ku ta gjëshë se.

Tani, që vajtimi i Nono pilurjotit do kishte ndonjë mangësi dhe që këtë mangësi e shikonte vetëm Kania e Vangjelit, si ustalleshë që qe, kjo nuk ja uli vlerat pilurjotit vajtimtar në sytë e të pranishmëve. Bile dhe në sytë e Kanisë së Vangjelit, me gjithë mangësitë që vetëm ajo i shihte, ky pilurjot ngrihej e fluturonte si ëngjëll me krahë.

Se domosdo që vajtim burrash ishte, dhe dihet që burrat, s’dinë ti bëjnë tamam ca punëra të kësaj bote.

Dhe ky pilurjot që di të qajë kaqë mirë, doemos që do dijë shumë gjëra të tjera, të taksura nga zoti. Ndajë e vështron ca si shumë edhe  vejusha Nicë.

Eh ç’na bëri të derdhim lotë për Thomanë, ky  vëllami pilurjot. Ky dreqopilurjot.

Shtrydh e shtrydh shaminë e lagur nga lotët, e lotët të pushuarë s’kanë.

Ah more Nono ç’na bëre. Ç’na bëre o Thoma.

Mirë që erdhi mbrëmja o xhan, se nuk durohet më një vajtim tjetër si këto që dëgjuam.

Dihet që,  pas perëndimit të diellit nuk vajtohet më i vdekuri, se dhe ai do pakëz qetësi atje ku është.

Jo vetëm vaje e vaje.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora