E shtune, 27.04.2024, 12:56 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Gjykata: Limaj në arrest shtëpiak prej 30 ditësh, i konfiskohen dokumentet e udhëtimit

E enjte, 22.09.2011, 06:37 PM


Nga Express

 

(E plotesuar) Gjykata ka venduar masën e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh ndaj deputetit Fatmir Limaj, ka njoftuar avokati i tij, Tahir Rrecaj.

 

“Kjo masë e arrestit është propozim i Prokurorit. Gjyqtari është pajtuar me këtë, për shkak se e ka vlerësuar gatishmërinë e Limajt për t’u paraqitur para Gjykatës sa herë ka pasur nevojë”, ka thënë Rrecaj.

 

“Nuk i dimë ende arsyet”, është përgjigjur Rrecaj në pyetjen se pse është marrë një masë e tillë.

 

Ai ka thënë se pala mbrojtëse nuk do të ankohet ndaj këtij vendimi.

 

“Limaj dhe unë e respektojmë këtë vendim”.

 

Fatmir Limaj, pas seancës, është shoqëruar me veturat e EULEX’it për në shtëpinë e tij.

 

Një zëdhënës i EULEX’it tha për ExpressOnline se gjykatësi, pas shqiptimit të masës së arrestit shtëpiak, ia ka konfiskuar dokumentet e udhëtimit deputetit Limaj.

 

EULEX: Sonte vendoset për çështjen e arrestimit të Limajt

 

Misioni Europian për Rend dhe Ligj, EULEX, ka njoftuar se Fatmir Limaj është ftuar në Gjykatë lidhur me çështjen e paraburgimit të tij.

 

Një zyrtar për informim i EULEX’it tha për ExpressOnline se gjykatësit janë mbledhur për të marrë vendim për këtë çështje.

 

“Gjykatësit do të vendosin nëse ai do të paraburgoset apo jo. Kjo merr pak kohë, sepse duhet të shtypet vendimi, të përkthehet e më pas të shpallet”, ka thënë zyrtari për informim i EULEX’it, përmes telefonit.

 

Aktgjykimi i Kushtetueses hyri në fuqi, Limaj thirret në Gjykatë

 

Gjykata Kushtetuese ka shpallur aktgjykimin rreth çështjes së imunitetit të zyrtarëve të lartë publikë.

 

Aktgjykimi hyn në fuqi menjëherë, çka i jep mundësi organeve të drejtësisë që të arrestojnë zyrtarët për të cilët tashmë ekzistojnë aktakuza.

 

Burime të Express thonë se menjëherë pas shpalljes së aktgjykimit, deputeti Fatmir Limaj është thirrur në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.

 

“Tash e një orë, Limaj është në Gjykatë. Duket se EULEX dëshiron ta implementojë vendimin në lidhje me aktakuzën që tashmë ekziston ndaj z. Limaj për krime lufte”, ka thënë një avokat i tij në kushte anonimiteti.

 

Sipas tij, ende nuk dihet nëse Gjykata do të vendos masën e arrestit ndaj Fatmir Limajt.

 

“Aktualisht po mbahet seanca paraprake e cila mund të përfundojë me nxjerrjen e një vendimit për t’i shqiptuar Limajt masën e arrestit shtëpiak apo edhe paraburgimin”, ka thënë burimi i gazetës.

 

Tash e disa muaj ekziston një fletëarrest për Fatmir Limajn në lidhje me disa akuza për krime lufte që lidhen me një “qendër paraburgimi” që thuhet të ketë ekzistuar në fshatin Kleçk.

 

Më parë, EULEX nuk ka mundur ta arrestojë atë për shkak të paqartësisë rreth çështjes së imunitetit.

 

Ky ngërç u zgjidh pasi që Qeveria e Kosovës, nën trysni të bashkësisë ndërkombëtare, e çojë këtë çështje për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. Dy ditë më parë, Gjykata sqaroi se deputetët nuk i mbron imuniteti nga arrestimet e mundshme rreth padive penale apo civile.

 

Tash, kur aktgjykimi i Kushtetueses ka hyr në fuqi, rruga e EULEX’it për ta arrestuar Fatmir Limajn është çelur.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora