Mendime
Sabir Krasniqi: Gëzuar pavarësinë Kosovë martire
E diele, 17.02.2008, 12:45 PM
Nga Sabir KRASNIQI
www.sa-kra.ch
GËZUAR PAVARËSINË KOSOVË MARTIRE!
Mbi supet tua qëndron barra shekullore. Barra e rëndë e padrejtësive të mëdha, që u bënë mbi ty Kosovë.
Barra e padrejtësive historike;
Barra e padrejtësive politike;
Barra e padrejtësive demokratike;
Barra e padrejtësive gjeografike;
Barra e turpit të kohës që la gjurmë të rënda mbi trupin tënd Kosovë.
Kosovë e vuajtjeve të mëdha.
Ti asnjëherë nuk u nënshtrove, asnjëherë nuk u përkule, asnjëherë nuk u mposhte, asnjëherë nuk u gjunjëzove... Sfidove fuqishëm e me dinjitet rrebeshet e pandërprera që u vërsulën pamëshirshëm mbi truallin tënd Kosovë.
Kosovë toka jonë e shenjtë.
E stërvuajtur e munduar, e ndarë e gjymtuar, por ballëlartë e krenare rezistove ndër shekuj. Rrugëtove përmes rrugëve të vështira.
Kosovë me plagë;
Kosovë me Gjak;
Kosovë me lot, për një ditë si kjo sot.
URIME KOSOVË!
Nga gjiri yt nxore legjenda që ndryshuan histori; Nënat që në djepin tënd të përkunden si fëmijën. Ato që me lotët e tyre t’i pastruan plagët në trupin tënd Kosovë, ti më i miri vend; Trima që më gjakun e tyre ujitën rrënjët e lirisë; Kokat e mençura që me penat e tyre trasuan rrugën e pavarësisë.
URIME KOSOVË!
Kosovë ti nuse, ndër më të rejat për krah nuseve të Evropës e botës.
Kosovë amaneti i nënëlokes!
Kosovë tokë Ilire, tokë Dardane, tokë SHQIPTARE. Kosovë e Lidhjës së Prizrenit, e Isa Boletinit e Idriz Seferit, e Hasna Prishtinës e Haxhi Zekës, e Shotës e Azem Galicës, e Jusufit, Kadriut e Bardhoshit, e Afrimit Zhitisë e Fahri Fazliut, e Zahirit, Edmondit e Hakifit, e Fehmi e Xhevë Lladrovcit... Kosovë e njeriut. Ti tokë e kuqe, ti tokë e bardhë. Kosovë e Adem Jasharit Komandantit legjendar.
Ngadhënjeve gjithherë, për tu stolisur më në fund me Kurorën e Pavarësisë.
Urime shqiptarë, anë e mbanë botës.
GËZUAR PAVARËSINË KOSOVË MARTIRE!
Por për as një çast mos harroni vëllezërit tanë, mbetur për tej kufiri!