E shtune, 27.04.2024, 04:03 PM (GMT+1)

Mendime

Esat Stavileci: Berja e shtetit te Kosoves

E shtune, 16.02.2008, 06:23 PM


Berja e shtetit te Kosoves

Nga Esat Stavileci

Vetë statusi i ri i Kosovës, "pavarësia e mbikëqyrur" e saj do të përbëjë njërën prej sfidave më të mëdha për Kosovën. Edhe pse thuhet se nuk ekziston mundësia e përsëritjes së UNMIK-ut nëpërmjet BE-së, është fakt i pamohueshëm se në Kosovë do të ketë një prani të fuqishme civile ndërkombëtare, e cila për kohën se sa do të jetë "e instaluar" në Kosovë, do të mund të krijonte "një mentalitet të ri varësie të saj". Nuk do të dëshironim që në Kosovë "të përsëritet shembulli i Bosnjës" dhe që ajo prani civile ndërkombëtare "të krijojë" nga Kosova një shtet jofunksional dhe, në mungesë të sovranitetit në kuptimin e tij të shprehur më lart, në Kosovë "të krijohet ndjenja e të qenit shtet", pa mundësinë e funksionimit të tij në kuptimin e plotë; "të krijohet ndjenja e të qenit i pavarur", pa mundësinë e shprehjes së saj në kuptimin e plotë; "të krijohet ndjenja e "të veshurit me pushtet", pa mundësinë e ushtrimit të tij në kuptimin e plotë.

Kosova do të ballafaqohet me problemin e shtrirjes së juridiksionit të institucioneve të saj, qoftë në Veriun e Kosovës, qoftë në enklavat serbe, për shkak "të presionit të pushtetit të Beogradit" për "padëgjueshmëri" ndaj të parave që do të mund të shpinin në "izolim të territoreve të Kosovës" ku jetojnë dhe ku do të jetojnë serbët, në bazë të projektit territorial dhe etnik të decentralizimit, duke "ruajtur varësinë nga Beogradi" dhe duke "mos e përmbyllur kapitullin" e pozicionimit politik të Serbisë ndaj Kosovës. Pra, sfidë më vete do të jetë si të vendoset zbatimi i ligjeve unike të Kosovës në ato "pjesë të territorit të Kosovës", nëse popullata në to do "të vazhdojë të jetë e kthyer me sy e veshë nga Beogradi", e jo nga "qendra" në Prishtinë.

Vrojtimet e para

Nëse të përkufizosh shtetin do të thotë "të shpjegosh ç‘do të thotë fjala shtet", problemi është i zgjidhur. Megjithatë, përkufizimi i shtetit është një problem shumë më kompleks, se në dukje të parë, ndërsa edhe më komplekse është bërja e shtetit, duke pasur parasysh faktin se "midis fjalës dhe asaj që tregon ajo, midis emrit dhe objektit, largësia është e madhe". Të gjera dhe të larmishme janë konceptet, si "mjete" ose "instrumente" për të kuptuar fenomenet në lidhje me shtetin dhe bërjen e tij. Ky mësim do të duhej të kihej parasysh edhe në Kosovë, e cila gjendet para "shpalljes së pavarësisë".

Përkufizimi

Të përkufizosh shtetin do të thotë, së pari, të caktosh "kufijtë" e tij, sepse "një koncept i papërkufizuar, është në radhë të parë, një koncept pa fund". Sipas Fjalorit Politik të Oxfordit (1996), shteti (state) është "një tërësi e dallueshme institucionesh politike, qëllimi i veçantë i të cilave është organizimi i sundimit, në emër të interesit të përbashkët, brenda një territori të caktuar". Brenda botës "njëjtësohet një numër i madh shtetesh" sipas epokave të ndryshme dhe sipas hapësirave të ndryshme historike që shpie te një përfundim i qartë se "shteti jashtë kohës dhe jashtë hapësirës nuk mund të kuptohet". Ç‘është e vërteta, koha "shpreh vazhdimësinë e ekzistencës së shtetit që nga lindja e tij", ndërsa hapësira "shpreh mënyrën e vendosjes së shtetit në një territor të caktuar".

Bërja e shtetit si proces

Asnjë shtet nuk ka ekzistuar para se të formohet si i tillë, ndërsa bërja e tij është një proces dhe Kosova "po kalon nëpër të". Para Kosovës po shtrohet pyetja: Si të bëhet shteti, që të funksionojë si i tillë? Pyetja shtrohet duke marrë parasysh, nga njëra anë, mundësitë, ndërsa, nga ana tjetër, kufizimet që po i bëhen Kosovës në bërjen e shtetit. Ç‘thotë teoria? Ajo thekson se shteti është, në radhë të parë, një organizatë shoqërore, që ka pushtetin, që shtrihet në territor të caktuar dhe që popullsia në atë territor sillet sipas rregullave që i përcakton pushteti shtetëror.

Siç u theksua, së pari, shteti është një organizatë shoqërore. Ky sqarim bëhet për të kuptuar faktin se "shteti nuk ka ekzistuar në të gjitha fazat e zhvillimit të shoqërisë", pra se themelimi i shtetit, vetvetiu, është një proces shoqëror. Nuk ka asnjë dyshim se "nëpër atë proces" po kalon sot edhe Kosova dhe se ai proces shoqëror "arsyeton bërjen e shtetit të Kosovës". Me këtë rast, duhet të kihet parasysh, gjithanshmëria dhe gjithëpërfshirja e njohurive të proceseve shoqërore në Kosovë dhe në lidhje me Kosovën, si në të kaluarën, ashtu edhe në të tashmen, veçanërisht realitetet e reja të krijuara në të.

Së dyti, u tha se një organizatë shoqërore nuk mund të veprojë pa pushtet. Në fakt, ajo edhe themelohet për të disponuar pushtetin. Pushteti përcakton formën dhe strukturën e saj. Pra, shteti, si organizatë shoqërore, është "bashkësi funksionesh". Pikërisht në këtë element të shtetit lindin problemet që mund të ngadalësojnë dhe vështirësojnë bërjen e shtetit në Kosovë.

Nuk ka shtet, në kuptimin e tij të plotë:

1. Pa marrjen e përgjegjësive të plota për të qeverisur me të

Misioni i OKB-së në Kosovë (UNMIK), që prej vitit 1999 "synon të krijojë institucionet shtetërore në Kosovë", edhe pse dhe vetë është ndodhur përballë kontradiktave lidhur me statusin e mandatit të vet. Në pyetjen se si "të pajtohen" këto dy skajshmëri, bashkësia ndërkombëtare mund dhe duhet të përgjigjet me kalimin e pushtetit në institucionet e Kosovës dhe, kështu, të përmbushë njërin ndër kushtet themeltare për bërjen e shtetit në Kosovë. "Rezervimi i pushtetit" në duar të bashkësisë ndërkombëtare dhe ushtrimi i një pjese shumë të rëndësishme të tij nga një mision i ri civil ndërkombëtar që do të zëvendësojë UNMIK-un, do të ngadalësojë dhe vështirësojë bërjen e shtetit në Kosovë. Pra, vetëm marrja e përgjegjësive të plota nga ana e institucioneve të Kosovës dhe ndërtimi demokratik i tyre do të mund "t‘i jepnin kuptimin e plotë" shtetit të Kosovës.

2. Pa sigurimin dhe garantimin e tërësisë territoriale

Një problem tjetër që mund të ngadalësojë dhe vështirësojë bërjen e shtetit të Kosovës është ai i dëmtimit të mundshëm të tërësisë territoriale të saj, nëse do të mungojë shtrirja dhe kontrolli i institucioneve të shtetit të Kosovës, qoftë në veriun e Kosovës, qoftë në "enklavat serbe", të etabluara si "komuna me shumicë serbe".

3. Pa supremacion të Kushtetutës ndaj rregullave të tjera

Në bërjen e shtetit, Kosova do të përballet me "një numër rregullash" që, gjithashtu, mund ta ngadalësojnë dhe vështirësojnë atë. Ato rregulla, në formë parimesh, të përmbledhura në Pakon e Ahtisaarit, dhe të zbërthyera si "të drejta dhe detyra" të institucioneve vendore në ligjet e Kuvendit të Kosovës me të cilat do "të mbikëqyret" pavarësia, nuk i sigurojnë Kushtetutës së Kosovës primatin e "aktit të parë dhe themeltar juridik", veçanërisht jo të aktit burimor të shtetit me të cilin shprehet vullneti i shtetasve të tij, në kuptimin e plotë.

4. Pa funksionalizimin e tij

Mungesa e funksionalizimit të shtetit mund të përbëjë sfidën tjetër që mund të ngadalësojë dhe vështirësojë bërjen e shtetit të Kosovës. Kosova ndien nevojën për shtet funksional, e jo për një shtet të "tipit të Bosnjës", që funksionon me shumë ngadalësi dhe vështirësi. Në Kosovë nuk do të mund të qëndronte një shtet i cili do "të prodhonte" kontradikta politike e shoqërore, por vetëm një shtet ligjor, thellësisht demokratik, në të gjitha përmasat e tij. Prandaj, në funksionimin e tij, shteti i Kosovës do të duhej të mbështetej në "bërthamën e demokracisë", e cila "balancën e koparticipimit të pakicës demografike" në pushtetin politik, do të mund "ta vendoste me respektimin e realitetit demografik të të gjithë territorit".

5. Pa sovranitet

Një shtet që "nuk mvishet me sovranitet" kërcënon me rrezikun që të prodhojë e të thellojë kundërthënie të ndryshme politike e shoqërore. Gjendja e sovranitetit, në fakt, konsiderohet si "pavarësi faktike e shtetit në marrëdhëniet politike me shtete tjera". Edhe pse sovraniteti sot nuk ka një "vlerë absolute", çfarë e kishte më parë, atë e karakterizojnë "pavarësia ndaj pushtetit të çdo shteti tjetër"; "mungesa e çdo kufizimi formal për pushtetin shtetëror në nxjerrjen e ligjeve"; "epërsia e pushtetit shtetëror, në territorin ku ai shtrihet, mbi çdo pushtet tjetër". Në të vërtetë, sovraniteti nënkupton kërkesën e shtetit për vetëqeverisje të plotë. Kosova do të përballet me "mungesën e sovranitetit", të shprehur në tri karakteristikat e tij, sepse institucionet e saj nuk do të jenë "autoritet i fundmë politik që nuk i nënshtrohen asnjë pushteti më të lartë për sa i përket marrjes dhe zbatimit të vendimeve politike", duke pasur parasysh një prani, relativisht të fuqishme ndërkombëtare, ushtarake e civile në Kosovë, me fuqi ekzekutive dhe me fuqi të interpretimit të mandatit të vet.

Shqetësimet

Edhe më parë, madje shumë herët (Revista "E drejta", Prishtinë, nr.1-2/2003), jemi shprehur skeptik ndaj projektit të decentralizimit dhe jemi deklaruar kundër decentralizimit territorial dhe etnik. Decentralizimi në Kosovë, "është menduar" të bëhet "me qëllim të integrimit të pakicës serbe në institucione", por "veshja e tij" me "petkun etnik" kërcënon me rrezikun që "të shpie nga ç‘integrimi". Modeli i decentralizimit do të duhej të ishte: shoqërisht i pranueshëm; politikisht i përshtatshëm; profesionalisht racional; organizativisht funksional, dhe, para së gjithash, dhe, mbi të gjitha, etnikisht i hapur. Pikërisht për shkak të projektit të decentralizimit, të ndërtuar mbi parimin territorial dhe etnik, Mitrovica dhe veriu i Kosovës do të mund të përbënin një problem më vete, pavarësisht nga statusi i ri i Kosovës. Gjendja në terren do të mund të kërcënonte me rrezikun e "përligjjes së saj". Nuk do të dëshironim që aty të ndodhte ndonjë "Republika Srpska" tjetër. Shembulli i Bosnjës është ende shumë i freskët dhe sinjifikativ. Pra, nëse Kosova do "të pavarësohej" me një etnitet serb në veriun e saj, ajo zgjidhje do të mund të përligjte, herët a vonë, ndarjen dhe do të mund të paraqiste një hap drejt "legalizimit të strukturave paralele shtetërore serbe në një pjesë të territorit të Kosovës". Kjo zgjidhje, në vend se të mënjanonte ose zvogëlonte tensionet ndëretnike, do "t‘i çonte ato" në "shkallën më të lartë".

Krijimi i zonave të mbrojtura për rreth "kishave dhe manastireve serbe" do të mund të përbënte një kapitull tjetër problemesh në "Kosovën e pavarur". Vendosja e zonave të mbrojtura për rreth "kishave dhe manastireve serbe" përkon me pikëpamjen e pseudoshkencës serbe për Kosovën si "djep i Serbisë dhe shtetit serb", edhe pse, siç e kemi argumentuar dhe faktuar edhe në shkrime të mëhershme, posesivizmi serb ndaj Kosovës nuk qëndron shkencërisht dhe është i pathemeltë, qoftë "në aspektin metodologjik të cilësimit të karakterit etnik kombëtar të territorit", qoftë "në aspektin e së vërtetës materiale historike".

Problem më vete në "Kosovën e pavarur" do të mund të përbënte dhe zbatimi i të ashtuquajturit "diskriminim pozitiv i minoriteteve", veçanërisht i pakicës serbe që, në të vërtetë, përmban një "katalog privilegjesh" të cilat, ndër të tjera, në rastin e aplikimit të procedurës së votimit të dyfishtë (sipas modelit të "Marrëveshjes së Ohrit") do të mund të prodhonin bllokadë të punës së Kuvendit të Kosovës, me implikime të rënda politike.

Niveli shumë i ulët i zhvillimit ekonomik është shqetësues për të ardhmen e Kosovës. Menjëherë pas vendosjes së statusit të ri, Kosova do të trashëgojë shifrat e tashmë shumë të larta të papunësisë (rreth 70%), me shkallë shumë të lartë të varfërisë. Kosova do të ballafaqohet me shpenzime shumë të rritura buxhetore, ndërkohë që do të ketë një buxhet që nuk ka ndryshuar shifrat disa vjet.

Vrojtimet mbyllëse

Kosova po jeton në pritje të statusit të ri politik të saj, përkatësisht të pranimit të sinjaleve nga SHBA-ja dhe BE-ja për "shpalljen e pavarësisë" nga ana e Kuvendit të saj. Qytetarët e Kosovës, veçanërisht klasën politike "e ka kapluar" euforia dhe ajo sikur më shumë është "e preokupuar" me "shpalljen e pavarësisë" se me "bërjen e saj", pa vrarë mendjen se bërja e shtetit të Kosovës është më shumë se deklarimi për të.

Vetë statusi i ri i Kosovës, "pavarësia e mbikëqyrur" e saj do të përbëjë njërën prej sfidave më të mëdha për Kosovën. Edhe pse thuhet se nuk ekziston mundësia e "përsëritjes së UNMIK-ut nëpërmjet të BE-së", është fakt i pamohueshëm se në Kosovë do të ketë një prani të fuqishme civile ndërkombëtare e cila, për kohën se sa do të jetë "e instaluar" në Kosovë, do të mund të krijonte "një mentalitet të ri vartësie të saj". Nuk do të dëshironim që në Kosovë "të përsëritet shembulli i Bosnjës" dhe që ajo prani civile ndërkombëtare "të krijojë" nga Kosova një shtet jofunksional dhe, në mungesë të sovranitetit në kuptimin e tij të shprehur më lart, në Kosovë "të krijohet ndjenja e të qenit shtet", pa mundësinë e funksionimit të tij në kuptimin e plotë; "të krijohet ndjenja e të qenit i pavarur", pa mundësinë e shprehjes së saj në kuptimin e plotë; "të krijohet ndjenja e "të veshurit me pushtet", pa mundësinë e ushtrimit të tij në kuptimin e plotë.

Kosova do të ballafaqohet me problemin e shtrirjes së juridiksionit të institucioneve të saj, qoftë në veriun e Kosovës, qoftë në enklavat serbe, për shkak "të presionit të pushtetit të Beogradit" për "padëgjueshmëri" ndaj të parave që do të mund të shpinin në "izolim të territoreve të Kosovës" ku jetojnë dhe ku do të jetojnë serbët në bazë të projektit territorial dhe etnik të decentralizimit, duke "ruajtur vartësinë nga Beogradi" dhe duke "mos e përmbyllur kapitullin" e pozicionimit politik të Serbisë ndaj Kosovës. Pra, sfidë më vete do të jetë si të vendoset zbatimi i ligjeve unike të Kosovës në ato "pjesë të territorit të Kosovës", nëse popullata në to do "të vazhdojë të jetë e kthyer me sy e veshë nga Beogradi", e jo nga "qendra" në Prishtinë.

Edhe një problem tjetër me të cilin mund të përballet "Kosova e pavarur" nuk bën të anashkalohet e të mos merret parasysh. Bëhet fjalë për mundësinë e ngadalësimit dhe vështirësimit të punës së Kuvendit të Kosovës në nxjerrjen e ligjeve, për shkak të kushtëzimit të miratimit të disa prej tyre me procedurën e "votimit të dyfishtë".

Më në fund, mungesa e një rezolute të re të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me të cilën do të zëvendësohej Rezoluta 1244 e tij do të mund ta ngadalësojë dhe vështirësojë "veshjen e Kosovës" me subjektivitet të plotë politik, juridik- kushtetues dhe ndërkombëtar dhe, për pasojë do të mund të zvarritej gjatë anëtarësimi i Kosovës në OKB, Bashkimin Evropian dhe NATO, që përbëjnë synimet e çdo shteti të ri. Mungesa e atij subjektiviteti, vetvetiu, do ta bënin pavarësinë, më shumë "të varur" se "të mbikëqyrur", dhe sovranitetin, më shumë "të synuar" se "të realizuar".



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora