Kulturë
Cikël poetik nga Vullnet Mato
E marte, 06.09.2011, 04:24 PM
Vullnet Mato
MOS MA VRISNI YLLIN NË SHPIRT
Ju, mësues, që thoni se selektoni nxënës,
për shkollën e klasën e përparuar në mësim,
teksa zgjidhni ryshfetin e babait apo nënës,
dijeni se për mua bëni më të madhin gabim!
Ju, tregtarë, që shtrenjtoni në vjeshtë çantat,
duke ngritur çmimin për të fituar pa vend,
nga fëmijët e gjorë që numërojnë qindarkat,
dijeni se për mua bëni gabimin më të rëndë!
Ju, botues, që tekstet pa dalë i keni zhdukur,
të shiten nën dorë te tregu i pamoralshëm,
duke ua shpërndarë matrapazëve pa skrupull,
dijeni se për mua bëni gabimin e pafalshëm!
Sepse është krim të kërkoni pagesë të shtrenjtë
nga nipi vogëlush që kam te zemra më afër.
Mos ma vrisni në shpirt, yllin tim fatkeq,
ta ndjej qysh i vogël se ka lindur i varfër!...
PËRËNDESHA PROSTITUTË
Një nënë braktisi
tre fëmijët nën gjashtë vjeç
bashkë me atin e tyre,
për tu bërë prostitutë.
S’kuptoj si lind engjëj
një perëndeshë,
pastaj shkon ta përdorin
epshet e kanalit me mut!...
Kur nënat që kanë rënë
padashur në ato fekale,
zvarriten tmerrësisht
të dalin nga gjirizi i qelbët,
për të vdekur
me ëndrrën e tyre të madhe,
për të qenë perëndesha
të rrethuara me engjëj.
Se edhe perëndia,
që bëri gruan perëndeshë,
për të nxjerrë nga trupi
krijesa engjëllore,
nuk pati qëllim
tregtimin e seksin në shesh,
por riprodhimin familjar
të species njerëzore...
FRYMA QË KRIJON URAGANE
Mbrëmë mbylla dyert e atmosferës internetike,
i vrarë egërsisht nga fryma e një uragani brutal,
që priste te shtegu i bisedimeve mes miqve,
të rrafshonte trojet e komunikimit intelektual.
Më goditi befas grahma e këtij uragani injorant,
me stuhinë e plehrave prej fjalorit më banal,
që sot liria e fjalës e mundëson të ngrihet lart,
për të goditur verbtas pa ndonjë shkak apo hall.
Por vetëm se fryma e injorantit të shpërfillur,
arrin në temperaturat e vorbullimit fshikullues
dhe bëhet uragan të marrë përpara njerëz të ditur,
të kënaq veten me trazirë e pështjellim argëtues.
Dihet, se zhvillimi i homosapiensit të avancës,
s’mund të kthehet prapa te errektusi zvarranik,
po kur do arrijnë këta frymëqelbur të injorancës,
te barazimi me intelektin e mendimit kozmik?...
SHIU VRASTAR
Nga dita kur i lagur qull, ai guxoi ta shante pak:
“O shi, të dhjefsha renë që të nxori nga barku!”
Shiu nuk iu nda këmba-këmbës në asnjë çast,
për ta qullur dhe familjarisht, ç’i përmbante pragu.
Kur shtëpia pronë shteti i pikoi në disa tjegulla,
ai sërish shau brenda mureve të mos e dëgjonin:
“O shi, të përmjerrsha derën tënde me mjegulla!”
Po s’dinte se era i kish venë në tavan mikrofonin.
Shiu mblodhi nga pikat e çative ca shpifje të zeza,
dhe i hapi atij një dosje me kapak akulli të trashë.
Me gjyq bubullimash vendosi të ndiqej në tre breza,
dhe e mbylli në minierë me tela si urithin gjembaç.
Atje ai shau pa frikë, se s’kish ku e çonin më keq:
“Të shkërdhefsha racën aziatike, o shi gjirokastrit!”
U ridënua me dyert e qiellit të mbyllura nga retë:
pushkatim rrufeje dhe varrin mos ta dinin as minjtë.
“Si kryekriminel që deshi të përmbyste qiell beharin,
kapur në flagrancë, kur tentoi të vriste një re me shi.”
Farefisi ka njëzet e ca vjet që po i kërkon varrin,
në përrenj dhe zalle ku shiu po i lag të gjithë përsëri...