E enjte, 01.10.2020, 09:07 AM (GMT+1)

Editorial

Përparim Demi: Ç'ka qënë dhe ç'është Ballkani për Turqinë?

E enjte, 01.09.2011, 09:03 PM


Ç'ka qënë dhe ç'është Ballkani për Turqinë?

 

Nga Përparim Demi

 

Këto ditë ministri i jashtëm i Turqisë,  Ahmet Davutoglu, bëri një vizitë të gjatë në vëndet e Ballkanit me një piksynim të qartë për tu mbushur mëndjen qeverive ballkanike se Turqia u ofron një të ardhme. Se jo vetëm Europa por dhe Turqia mund të jetë një perspektivë. Këtë ide e gjejmë të copëzuar në përshëndetje të shumta në çdo vënd ndalim të tij, në çdo bashkbisedim me homologët e tij ballkanikë, por më të plotë dhe më hapur e gjejmë në diskutimin e tij me titull – ”Një vizion largpamës për Ballkanin”. Davutoglu është ideator i promovimit të politikave pretenduese turke në Ballkanin Perëndimor, njofton INA.

Kurreshtja më shtyri ta lexoj me vëmëndje diskutimin e tij. Çfarë më ra në sy më tepër – baza dhe piknisja për të ardhmen e Ballkanit, sipas tij, është tek haresa e historisë së tij. Të harojmë, mos ta kujtojmë gjënë e keqe, të shëmtuar, të hidhur, të dhimbëshme, ajo duhet mbuluar mos e shikojmë më. Pastaj pasi ta harojmë të gjitha problemet tona zhduken si me magji dhe bëhemi të lumtur, kapemi dor për dore dhe hedhim valle. Si në dasëm. Veç dasmën ta ngrefi Turqia, ne të tjerët do jemi të ftuarit e saj që vijnë me peshqeshe. Pra sërb e malazez, bosnjak e kroat, kosovar e shqiptar, grek e bullgar, plus dhe populli pa emër që jeton në RFMJ, kapur dor për dore ndjekin zotin Davutoglu, që tund shaminë në krye të vargut, drejt perspektivës ballkanike.

Shumë bukur, e shkëlqyer ideja, ëndër fare. Të gjith bashkë, me qingja, me ujq, me dhën e dhi, pulat me dhelprat, e ariu me lepurin, të gjith tok në një sofër iftari, duke ngrën bakllavanë turke. Turqia që e ka sherin në shtëpi me kurdët dhe se gjen dot llafin, e do na pajtoj krejt Ballkanin – një të thënë e një të bërë. Shumë i zoti ky djalë. Kushedi sa ka menduar dhe sa ka kërkuar deri sa ja gjeti çelsin derës së mbyllur që nga paqja e Shën Stefanit.

U thotë sërbëve ta harojnë Kosovën, u thotë grekëve ta harojnë Vorio-Epirin dhe Qipron, u thotë bullgarve ta harojnë Maqedoninë lindore, u thotë shqiptarve ta harojnë Çamërinë. Shumë po na thoka ne shqiptarve ky zotëri diplomat. Të harojmë tokat, të harojmë pronat, të harojmë të vrarët dhe të shpërngulurit, të harojmë luftrat dhe genocidet, të harojmë Turqinë!!! Kur grekrit dhe sërbët bëjnë plane të na pushtojnë, ne duhet ti harojmë! E qartë, veç një gjë nuk e morra vesh e du me ma shpjegu ma holl ky zotëria, të gjitha këto duhet me i haru krejt apo pjes pjes, duhet me i haru të gjith përnjëherësh, apo në fillim të harojnë shqiptarët, pastaj të tjerët me rradhë dhe në fund turqit. Pra si është siraja? Po sikur ndonjëri mos i haroj krejt, psh greku apo sërbi, ne të tjerët që i haruam të parët si tja bëjmë? Apo do na i kujtoj prap Turqia që ka arhivat e Stambollit?

Prap, diçka duhet me bë, duhet me u pajtu, se ka keq diplomati. Puna është se Europa ka 12 vjet që përpiqet dhe nuk po mundet me na pajtu. Turqisë sa vjet do i duhet ta bëj këtë, e di kush? Unë e kuptoj mirë qëllimin dhe pozicionin e zotit Davutoglu. Me që Turqia s'po gjen vënd në Europë, po don me bë një Europë të vogël këndej nga nahija jonë. Plus meqë nga ekonomia po i ecën, i duhen dhe ca tregje, por i duhen dhe ca vasal politik që ti ndihet zëri në rajon dhe ta begenisin. Nejse dhe ashtu siç jemi, Thaçi me Salën janë tu e begenis boll për zotin, mos qahet se është gjynah. Me ne kot po e lodh gjuhën, ai të shohi punën me grekët dhe sërbët, se ne na ka në xhepin e vogël. Me grekët është në luftë për do ishuj dhe për Qipron, kur në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni po e mbush me xhamija si ja do qejfi, na vjen dhe për iftar në vizit. Punë të ngatëruara këto.

Nuk e di si qe puna e shtabit të ushtrisë turke, pse dhanë dorheqjen në grup? Mos ishte gjë të bënte me fe-politikën apo u shkelën ca regulla që i vuri Ataturku i shkret në atë kohë, e tani nuk po bëjnë më lazëm. Ne shyqyr që na u bë një shqiptar i Preshevës komandant i madh i Turqis dhe hop iku. Pa fat. Fjala e vjetër ”kur bën dasëm jevgu, çahet daullja”. Nejse kemi qe kët diplomatin e mënçur që do na pajtoj të gjithve dhe do i regulloj krejt punët e Ballkanit. Do shkoj në origjinë, 500 vjet i gaditi punët e Ballkanit turku si s'ka ma mirë, tani që e pa se Europa për një shekull s'po e qullos dot, do me e marr prap në dorë edhe për nja 500 vjet të tjera.

Unë për vehte nuk mund ti haroj çamët e shkulur dhe të degdisur në Turqi në 1925, as qindra mijë kosovarë të shkulur nga Nishi për ti degdisur në Turqi. Nuk haroj Plavën dhe Gucin, nuk haroj dot shën Numin, nuk haroj dot sa kusure na ka Turqia. Ky farë diplomati para se të na tregoj perspektivën ballkanike lej të vij si burrat të na kërkoj falje në emër të vëndit të tij, të vej të vëj një lule në varet e heronjve tanë, e pastaj të bisedojmë për gjëra të tjera. Sa na kanë bërë sërbët dhe grekët në shekullin XIX dhe gjysma e parë e shekullit XX, kanë pasë dorën e turkut mbrapa. Gjen firmën e Turqisë në të gjitha prapaskenat diplomatike që e coptuan Shqipërinë, e sot na flet për perspectivë. Për perspektivën e kujt flet ky zotni, për të vetën, si diplomat i madh? Ballkani për Turqinë ka qënë dhe është një „lopë e majme” që duhet vjel mirë, këtë mundohet me na shpjegu zoti Davutoglu me diskutimin e tij. Unë të paktën këtë kuptova, nga gjithë ato fraza të gjata të këtij diskutimi „programatik” që përmbanin foljen me haru të zgjedhuar në të gjitha mënyrat, kohët dhe vetat.

 

(Bukuresht, 30.08.2011)



(Vota: 11 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora