E premte, 26.04.2024, 08:14 AM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: O Suzi... a të kanë pushue shpatullat..?

E hene, 11.07.2011, 07:58 PM


O  SUZI… A    KANË  PUSHUE  SHPATULLAT..?

 

Nga Fritz RADOVANI

 

Dje kishin ikë një grup djelmësh të rijë... – Po, kishte ikë edhe djali... – Paskan mujtë me shpëtue...të lumtë ata!?  Janë plot 65 vjet që shqiptarët mundohen me “shpëtue”!...

Një foto e pejsazhit të bukur të Tepelenës më kujtoj ata vite “shpëtimi” të shumë e shumë familjeve shqiptare...ndër kampet e shfarosjes e të interrnimeve anë e kand Atdheut...

Në shumë gazeta asht shkrue për motivet e atyne interrnimeve, që komunistët kanë ba, e ka edhe nga ata që kujtimet e veta i kanë përmbledhë ndër libra. Një ndër ta asht një zonjë e nderueme në Shkodër, Fatbardha Mulleti (Saraçi), që ka ngritë një monument për Ata Martirë, që ndoshta shumica edhe mund t’ ishin harrue deri tashti...Po vetem një e dy volume me “Dhimbje” janë vuejtjet e Nanave e Motrave tona, o Vllazën Shqiptarë..?

Sa volume do të mbusheshin vetëm me listat emnore të atyne shqiptarëve që kanë vuejtë në Tepelenë, Lushnje, Vlonë, Berat e ku nuk kishte baraka me të interrnuem?

U interrnuen familjet e atyne që ikën në nandorin e 1944... U interrnuen familjet e atyne që rrokën armët kunder komunizmit e ishin ndër male... U interrnuen ata familje që djelmët e tyne mujten me u ikë nga “prangat” e sigurta arrestimit të sigurimit të shtetit...U interrnuen edhe ata familje që djelmët e tyne ikën nga burgjet komuniste...U interrnuen edhe shumë nga “Ata” që nuk u riedukuen ndër burgje...ose ma mirë me thanë qendruen burrnisht dhe vdiqën ndër kampe të interrnimit pa u njollosë me deklarata bashkpunimi me sigurimin e nuk ishin pak! Janë interrnue mija e mija njerëz të thjeshtë nga malet e fushat, se nuk u pajtuen kurrë me kolektivizimin dhe spijunllekun, apo me masat e komunistëve kundër besimtarëve... Janë arrestue dhe interrnue e zhdukë ndër burgje e kampe shfarosjeje njerëz vetem se kanë dijtë gjuhën angleze, ose janë dergue në spitale çmendije ku gjetën vdekjen ma mizore tue u shkye copa – copa nga të çmendunit me “bluza të bardha”... Ma mirë se kushdo për këto vuejtje mund të fliste dhe shkruente piktori Cin Lezhja, që i ka provue këto tortura Ai vetë dhe mbet gjysë njeriu!

Jam kenë shumë i ri kur kam njohë z. Maria Topalli me vajzen e vet Suzin...Nana i përshëndeti dhe u bani urimet e kthimit në Shkodër.., nuk e kujtoj vitin, po janë mjaft!

Në vitin 1993 njeriu i parë që më ka tregue vuejtjet e vajzave të reja shqiptare në kampin e mnershem të Tepelenës, asht kenë At Giakomo Gardin, që pat ardhë nga Italia, kur u rihap shkolla e jezuitëve në Shkoder. Ai ruente kujtime të veçanta për mija Nanat e Vajzat Shqiptare të masakrueme në kampin e Tepelenës... Më shpjegonte një ditë sesi një klerik italian nuk i besonte kur Ky i tregonte atij se si mundoheshin me punë të randa dhe liheshin pothuej pa u ushqye gratë, vajzat dhe fëmijët e mitun ndër kampet e interrnimit shqiptare. Kur asht takue heren e parë me Papën dhe i ka tregue se ka provue kampet e shfarosjes ndër ma të vështirat e vendeve komuniste të Lindjes, ata të Shqipnisë, Papa asht çuditë se si kishte shpëtue për mbrekulli nga vetë dora e Zotit, mbasi “shumë pak kanë mujtë me ardhë nga rrethimi i atyne vendeve prej perdes së hekurt komuniste!”. At Gardini i kishte dhurue një kopjo të librit “10 vjet burg në Shqipni 1945 - 1955”, liber të cilin e kam edhe unë kujtim prej Tij. Në faqe 72 kam veçue një fjali: “...Na lejojshin kanjëherë me marrë frymë.”

Më kujtohet kur At Gardini përshkruente vuejtjen dhe dhimbjen që kishte ndje kur atëherë në Tepelenë, Suzi Topalli, një vajzë e re, ngarkohej me rrasa guri të lidhuna me një litar në shpinë, të cilat do t’i çonte në maje të një kodre...e, shpesh, polici që ndodhej atje në maje i thonte: Jo, nuk vlejnë këto..., uli poshtë e sill ca të tjera.... E Suzi, e ngarkueme me po ato rrasa që kishte çue nalt, do t’i zbriste prap poshtë... Po polici që ishte poshtë nuk ishte i knaqun me zbritjen e tyne, prandej Suzi do t’i çonte prap nalt edhe njëherë po ato rrasa...

E vargu i njerëzëve si milingonat ulnin e çonin ndër ato kodra rrasa prej guri!

Ngarkoheshin me rrasa të lidhuna me litarë në shpinë...dermisheshin shpatullash...

Shikeshin kambësh, laheshin me gjak e as nuk bahej fjalë për mjekime plagësh, thaheshin etjet...nuk ngopeshin as me ujë as me bukë të thatë...nuk kishin forcë as me tërhjekë jo vetem rrasat e ngarkueme, po as shkarpat e veta...e, ashtu, prap nesër do të përsëritej ajo rrugë Kalvari e pafund....U mundonte Nana me ndihmue vajzën që ishte endé e re, e atje ma andej mundohej vajza me ndihmue Nanën plakë... Po secila mbi shpatulla do të merrte sasinë e caktueme të rrasave nga “polici” katil... të rrasave prej guri... apo ngarkesën me dru...apo copa trungjesh të laguna ...në borë, akull e vapë...

Ishte një mal që do të lëvizej vendi... Ishte një rrugë që do të vazhdonte 47 vjet!

Ishte një Popull Shqiptar...që do të lëvizte kodrat e malet mbi shpatullat e veta...

Ishte një Rini që do të thante kënetat...do të shponte malet e do të nxirrte metale e minerale me i eksportue....se të hollat e tyne i duheshin diktatorëve tanë komunistë...

Ishin mbi 2 miljon skllavë Shqiptarë, që mbushnin xhepat e diktatorëve me dollarë, tue u robtue ndër ferma, kooperativa bujqësore, minjera, këneta e krypore, tarraca e fidanishta, vneshta e pemtore...e fabrika apo punishta, ishin ma shumë skllavë në Shekullin e XX, sesa në kohën e Turqisë, që punonin për sulltanët komunistë  të Popullit Shqiptar në Tiranë...Enver Hoxha e Ramiz Alia, por edhe për me ua sigurue të ardhmen e “lumtur” edhe trashigimtarëve barbarë të këtyne kriminelëve gjakatarë ndër bankat e shteteve të Perëndimit...ku i kanë edhe sot.

Ishin Nanat e Vajzat Shqiptare mu në mes të Europës, që hipnin e zbrisnin përditë mbi “piramidat moderne” të faraonëve marksistë – leninistë kriminelë të Trojeve tona...për 47 vjet rresht...

E sot, nëpërmjet Asaj Vajzës së Ré të vargut pafund të Nanave e Motrave tona në malet e Tepelenës...e fushat e Lushnjes apo të Vlonës...e gjithandej në Tokat Shqiptare , po ua drejtoj këte pyetje:

 

O “Suzi”, a Ju kanë pushue endè shpatullat..?

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora