Speciale » Karanxha
Ilia S. Karanxha: Giorgione dhe shqiptarët
E hene, 11.07.2011, 08:05 PM
GIORGIONE DHE SHQIPTARËT
(Një vepër e panjohur e Giorgione-s kometohet nga Dora D'Istria)
Nga Ilia S. Karanxha
Mes korifejve të artit botëror Leonardo Da Vinçit, Mikelanxhelos, Rafaelos, Tizianos reshtohet denjësisht prej shekujsh edhe emri Giorgiones nga Castelfranco (në dokumentat e kohës Zorzi, Zorzon ose Zorzo da Castelfrancho ose Chastelfrancho). Ai shfaqet më shumë si një mit se sa si një njeri...Gjithçka ose pothuajse (gjithçka) për të injorohet(...) emri i tij nuk është në ndonjë vepër.(..) E megjithëatë gjithë arti venecian ngjan të jetë prekur nga zbulimet e tij – me këto fjalë Gabriele d'Anuncio(Il fuoco
Dokumentat e drejtpërdrejta të kohës që e përmëndin atë kur ishte gjallë janë tepër të pakta (gjthësej 6, ndonjëra e dyshimtë)dhe vdekja e parakohshme e tij aty nga tetori i vitit 1510 në një moshë 32 ose 33 vjeçare kanë ngurtësuar gjithçka në erësirën e pllakosur nga një epidemi kolere. Pikërisht momenti i fundit tragjik është trasmetuar deri në ditët tona nga një korespondencë që markezja e Mantovës Isabela D'Este(1474-1539) ka zhvilluar me Tadeo Albanin( Thadeus Albanus)(+1517) tregëtar veprash arti, shqiptar dhe korespondent i markezes në Venedik.
Për raportet shumë të mira e të veçanta të markezes së Mantovës me shqiptarët e Viçencës apo të Venedikut kemi folur edhe në veprën Barleti apo Beçikemi? gjë për të cilën ajo shikohej me sy jo të mirë nga Sernisima. Isabela ishte një nga gratë më të shquara në Rilindjen italiane, koleksioniste e apasionuar e veprave të artit dhe përkrahëse e intelktualve dhe artistëve më të shquar të kohës. Aty nga tetori i vitit 1510 ajo ka mësuar diçka mbi vdekjen e Giorgiones dhe më tej se në shtëpinë e tij kishte mbetur si trashëgim vepra një natë . Ajo i shkruan Tadeo Albanos: Marim vesh se mes gjërave dhe në trashëgim të Giorgiones nga Castelfranco piktor gjendet një pikturë una nocte shumë e bukur dhe e veçantë (Intendemo che in le cose et heredità de Zorzo da Castelfrancho pictore se ritrova una pictura de una nocte molto bella et singulare)
Në fakt informacioni që ka Isabela është pak i vjetër se piktura para vdekjes të Giorgiones kishte kaluar në duar të tjera. Sidoqoftë për ne ka rëndësi fakti se personat që i kanë dhënë asaj këto informacione, për më tepër të vërteta, njihnin nga afër si Giorgionen, veprën e tij por me sa duket edhe ambientin e tij familjar.
Në një situatës të tillë Isabela, e thënë me terma moderne, angazhon një grup pune në krye të të cilit qëndron Tadeo Albani i cili ka detyrën e rëndësishme e delikate të hyjë në kontakt me familjarët, të gjejë veprën una nocte, të bëjë vlerësimet paraprake, të bëjë të mundur blerjen e saj, të japë çfarëdo lloj çmimi që do të kërkohet e të mos lejojë që vepra të kalojë në duar të tjera.
Ja pra këto ishin detyrat që i caktohen Tadeo Albanit i cili në momentet e duhura sipas rekomandimeve të markezez do të mertete edhe mendimin kopetent të Lorencos nga
Një detyrë të tillë të përafërt kishte kryer Tadeo Albani edhe më 4 maj 1506 kur e njoftonte markezen mbi vdekjen e koleksionistit të shquar venecian Michele Vianello veprat e grumbulluara të të cilit u shitën më tej në ankand dhe Isabela blevi disa prej tyre. Në rastin e Giorgiones është vetë markezja që e njofton Tadeon më 25.X.1510 të intresohet për veprën una nocte.
Nga përgjigjia e tij, e cila nuk vonoi më shumë se dy javë (7.XI.1510), mësohet se ai kishte folur me persona që e njihnin nga shumë afër Giorgionen e që kishin hyrë në mardhënje intensive pune me atë Këta persona, duket tregëtarë veprash arti, kishin qënë edhe miqtë e Tadeo Albanit. Ai i shkruan Markezes : Tani që i përgjigjem Shkëqesisë Suaj ky i qojtur Zorzo vdiq më shumë nga epidemia e kolerës dhe me që desha t'u shërbeja Juve kam folur me disa miqtë e mij, që kishin pasur praktika të mëdhaja me atë të cilët më pohojnë që nuk është më në trashëgimtarët ajo pikturë...(A che rispondo a V. Ex. che ditto Zorzo mori più di fanno da peste, et per voler servir quella ho parlato cum alcuni mie amizi, che havevano grandissima praticha cum lui, quali mi affermano non esser in ditta heredità tal pictura... )
Kush kishin qënë personat që i dhanë informacionin e duhur Tadeo Albanit nuk na bëhet e ditur por ndërkohë mësohet prej tyre se Giorgione kishte realizuar dy tabllo që mbanin emrin një natë. Njërën e kishte porositur Tadeo Contarini dhe tjetrën, që ishte edhe më e bukura, një i qojtur Viktor Bekaro mirëpo as njëri dhe as tjetri nuk kishin pasur ndermend t'i shisnin ato për më tepër që Bekaro nuk dihej as se ku kishte përfunduar. Identifikimi i këyre pikturave edhe sot mbetet një problem i hapur megjithëse shumica e studiuesve preferojnë të shikojë në dy tabllotë që trajtojnë lindjen e Jezu Krishtit pra Adhurimi i barinjve njëra në Vienë e tjetra në Washington referimet e Tadeo Albanit. Kështu përfundon kjo korespondencë dhe Tadeo Albani që ishte në dijeni të një informacion më të gjërë për jetën, familjen dhe veprën e këtij artisti të madh u kufizua vetëm në sqarimin e kërkesave të markezes të Mantovës Isabella D'Este.
Dora D'Istria dhe Giorgione
Tek shkrimi Venezia më 1867 Dora D'Istria na përmëndet aty një nga figurat më të shquar të kulturës veneciane në kapërcim të shek XV Pietro Bembo(1470-1547) tek i cili ajo shikonte një tip prefekt të Rilindjes dhe të frymës tepër të veçantë ekletike të kohës së tij. Ndërsa Bemboja ja detyronte veshjen e purpurtë të kardinalit e krypeshkopit të Bergamos papës Paolo III( Farnese) ky i fundit paraqitej si personifikimi i një epoke me tendenca krejt të ndryshme, që e thënë sipas fjalëve të historianit të shquar Leopoldo Ranke, u bë nxitësi i rindërtimin katolik, pra i luftës kundra reformës të nisur nga Luteri e Calvini dhe që u kurorëzua në Koncilin e Trentos (Concilio di Trento 1545/1563). Për Dora D'Istrian ky kuvend shënovi: fitoren e intolerancës spanjolle mbi shpirtin grek.
Kështu rymat politike të reformës dhe kundra-reformës nuk kishte si të mos influenconin artin në Rilindjen Italiane prandaj Dora D'Istria do të shkruajë: Në se mes tabllove të Giorgiones dhe portreteve të Tizianos fytyra ekspresive e “mbretërshës të Qipros” dhe fizionomia shpirtërore e Bembos nuk kanë asgje asketike, nuk është kështu tek ngjashmëritë e Paolo III të riprodhuara nga princi i shquar i shkollës Veneciane. Këto tipare -vazhdon Dora- janë tepër të spikatura mes atyre që u bënë “mbështetës të talenteve” e atij që thiri Koncilin e Trentos, miratoi statutet e Shoqatës të Jezuit, dhe rinovovi me bolën e tij të famshme “in cena Domini”[1]të gjitha pretendimet e Georgio(Grigorit) VII dhe të papëve diktatorë të mesjetës.
Në lidhje me mbretërshën e Qipros Caterina Coronaro(Katerina Koronaro - 1454-1510) e cila gëzon një ikonografi të pasur Dora na përmënd aktin e lëshimit të kurorës së saj dozhes Agostino Barbarigo. Kjo ceremoni është pasqyruar gjithashtu në një basoreliv mbi varin e saj por mbas abdikimit nga froni, le të themi pseudo vullnetar, Serenisima i njojti asaj në aktet zyrtare të gjitha titujt në rang mbretëror dhe ju lëshua për administrim, në vend të Qipros, Asolo me të njëjtat të drejta si dozhja i Venedikut. Aty ajo krijoi një oborr letrarësh e artistësh të shquar ku mes të cilëve bënin pjesë Giorgione, Lorenco Lotto, P. Bembo e shumë të tjerë. E kësaj periudhe është edhe vepra e parë poetike e B. Bembo-s Asolanët (Gli Asolani-1505)
Nga pikpamja ikonografike vlerësimet e Dora D'Istrias janë të drejta dhe kontrastet në botën shpirtërore të personave të portretizuar që na referon ajo janë mjaft të dukshme. Mirëpo nga citimi i mësipërm dalin në pah disa fakte e probleme ikonografike që nuk prekin në esencë konkluzionet e saj. Këtu del nevoja të sqarohet se cilat portrete të Katerina Koronaro-s të realizuara nga Giorgione apo nga Tiziano ka parë ajo më 1867 që bën pohimin e mësipërm? G.Vasari në lidhje me këtë argument do të shkruante më 1568 se Giorgione: Realizovi më tej nga natyra Katerinën mbretëreshën e Qipros të cilën unë e pashë në duart e zotit të nderuar Giovanni Coronaro[2] Carlo Ridolfi më 1648 konfermon thjesht faktin që Giorgione pikturovi Katerina Koronaro[3]. Sot nga studiuesit modernë(P. Zampetti 1968, T. Pignati 1971; ) kjo vepër e Giorgiones regjistrohet mes veprave të humbura të tij. Disa autorë (Cook 1900, Justi II 1926; Herman 1933) e indentifikojnë Katerina Koronaro me portretin e një gruja që të tjerët e mbajnë si portreti Schiavonia(Sllavja.). Autorsija e këtij portreti ka qënë gjithashtu objekt debatesh dhe herë refrohet si portret i Giorgiones herë si i Tizianos (Berson II 1932) dhe herë si i Giovanni Cariani-t(A. Venturi II 1928)
Së fundi një tabllo vaji në kanavacë (98.7x79.8) e titulluar Koncert jashtë Asolo-s që ndodhet në Antigham Park, National Trust[4] paraqet në sfond një peisazh që riprodhon Asolo dhe kodrat e saj. Në qëndër të tabllosë kemi një grup kavalierësh, zonja dhe lahutistë të cilët duhet të përbënin oborin e mbretërshës. Katerina Kornaro e ulur në mes të tyre mbete figura qëndrore e kësaj tablloje rreth të cilës zhvillohet e gjithë ngjarja. Në përgjithësi edhe kjo pikturë, që u ekspozua me këto atribute për herë të parë më 1954, konsiderohet më shumë një kopje sipas stilit të Giorgiones dhe me që ka pasur shumë replika bëhet i vështirë edhe atribuimi i saj.
Mirëpo siç shikohet të gjitha këto përpjekje të studiuesve për të gjetur konfermim me thënjen e Vasarit e Ridolfit mbi një portretizim të Katerina Koronaro nga Giorgione i përkasin shekullit që sapo kaluam. Atëhere Dora D'Istria më 1867 ka parë e komentuar një portret, apo disa portrete (me që flet në shumës) të mbretëreshës së Qipros, krejt të ndryshëm të cilat studiuesit e sotëm të Giorgiones nuk e njohin.
Ky portret apo këta portre ajo sigurisht i ka parë në koleksionin e Natale e Felice Schiavonit dhe konfermimi vjen nga lista që L. Sernagiotto referon më 1881 mbi veprat e Giorgiones që kishin mbetur akoma në Muzeun Schiavoni(Veneidik). Kështu si vepra të Giorgiones janë regjstruar : Mretëresha Koronaro me skllaven e saj të vogël - Rëmbimi i Sabinave - Portret - Portret – Portert – Milone nga Krotone[5].
Përsa i përket tabllosë të parë askush nuk e ka cituar në një formë të tillë ndërsa tre portretet e cilësuar në një formë të gjeneralizuar janë të paindifikueshëm. Mbeten gjithashtu interesante edhe dy veprat e tjera që i atribohen Giorgiones. C. Ridolfi edhe pse nuk i citon pikërisht ato na tërheq vëmëndjen për temat e shumta me karakter mitollogjik që ka trajtuar Giorgione nëpër vila të ndryshme.
Që këtu mund të themi se Dora në kohën e vet ka komentuar një portret të Katerina Koronaros të realizuar nga Giorgione apo ndoshta kopjen e ndonjë origjinali të cilën studiuesit e sotëm nuk e përmëndin fare në një variant të kësaj natyre. Për më tepër në koleksionin e Schiavones ekzistonte edhe një tjetër vepër ikonografike që paraqiste mbretëreshën e Qipros në aktin e dorëzimit të kurorës veçse të realizuar nga një tjetër autor i shquar Palma il Vecchio (i Vjetri).
Firenze 8.VII.2011
[1] Thuhet edhe Messa in coena Domini e festohet nga kisha katolike mbasditen e të ejtes së shënjë në kujtim të Darkës së fundit të Jezu Krishtit (Ultima cena del Signore) me 12 apostojt.
[2] Vasari, G. Le Vite, 1568, vol. IV, f. 99
[3] C. Ridolfi Le Meraviglie dell'Arte. (1648) Padova, Ed. seconda 1835, vol. I, f. 126
[4] P. Zampetti: Giorgione e i Giorgioneschi
[5] Luigi Sernagiotto : Natale e Felice Schiavoni. Vita, opere, tempi. Venezia 1881, p. 636