Kulturë
Daniel Gazulli: Kam nevojë
E merkure, 06.07.2011, 07:58 PM
DANIEL GÀZULLI
KAM NEVOJË
Kam nevojë për dashuninë tande, grua a vajzë qofsh ti,
ma shumë se bima për shi,
ma shumë se për qumshtin e valë e për ajrin,
kam nevojë për tanden dashuni,
grua a vajzë qofsh ti.
Kam nevojë për dashuninë tande, grua a vajzë qofsh ti,
për përkëdheljet e dorës tande nga rrjedh e ngrohtë dashunia,
për belin tand që këputet në krahun tim,
për prushin e buzëve –
Kam nevojë për tanden dashuni.
Kam nevojë për dashuninë tande,
dashuninë t’pafrikë e pa dyshime,
për dashuninë që s’njeh veç zemres të tjera pengime,
për dashuninë që rrjedh e pastër nga burimi në derdhje
e andrrat vaditë
e i ban të lulëzojnë të shëndetëshme.
Kam nevojë për dashuninë tande, grua a vajzë qofsh ti,
që në ditet e gëzueme të më shtojnë lumtuninë,
që në ditët e trishta hidhnimin t’ ma paksojnë.
Kam nevojë –
për tanden dashuni.
Ptuh! – mbi tokën dhe bimën dhe gruan që dashka shterpësi!
Lavdi asaj që do,
asaj që lind,
asaj që ban dashuni!