E premte, 26.04.2024, 10:24 PM (GMT+1)

Kulturë

Begzad Baliu: Poezia si përjetim historik dhe estetik

E diele, 03.07.2011, 07:59 PM


POEZIA SI PËRJETIM HISTORIK DHE ESTETIK

(Rreth dy vëllimeve me poezi të Sabile Keçmezit – Bashës)

 

Nga Begzad BALIU

 

Në vend të hyrjes

 

Çështja e parë me të cilën jam ndeshur kur kam vendosur të shkruaj një paraqitja për poezinë e Sabile Keçmezit - Bashës ka qenë dysia e saj në jetën tonë kulturore. Në kafen e mëngjesit, tek po u flisja kolegëve për paraqitjen që do t’i bëja poezisë së saj, më ka rastisur t’i dëgjoj jo më pakë se tri njohje të angazhimit intelektual, krijues e profesional të saj: brezi më i vjetër e kujton poeten që formohej në fushë të dijes politologjike, brenda historisë, e kjo do të thotë se konceptet politike i shikonte me sytë e historianes; një brez më i ri, e identifikonte me krijuesen që merret paralelisht me studime historike të periudhës së re dhe me poezi, mbase si reagim kundër pamjes së zymtë të historisë sonë; ndërsa një brez tashmë më i ri më fliste për poeten, e cila ‘duket se merret dhe e njeh edhe historinë’ shumë mirë, sepse më parë se sa me kujtesën historike, të cilën e reflekton në krijimtarisë letrare, merret me dokumentin, si dëshmi e përhershme e historisë. Parametra të tilla vlerësimi sigurisht nuk e thonë, e aq më pakë e reflektojnë, gjithë përmasën hulumtuese, vlerësuese dhe përcaktuese të biografisë së saj, e megjithatë përmbajnë elemente të cilat duhet nderuar në jetën tonë kulturore dhe shkencore.

 

Biografia letrare

 

Sot është vështirë t’ia përcaktosh vendin z.Sabile Keçmezi-Basha më shumë si krijuese apo studiuese në rrethet shkencore dhe kulturore dhe ky nuk është qëllimi ynë, në një kohë që vepra e saj shkruhet, botohet e vlerësohet paralelisht, pavarësisht nga njëra apo tjetra.

E, megjithatë, që në fillim dua të identifikoj pikërisht këtë rrjedhë. Profesoresha e historisë Dr. Sabile Keçmezi-Basha fillimet e saj krijuese i bëri në një kohë krijimi të karrierës dhe jetës së saj familjare. Ndoshta kjo është arsyeja pse veprat e saj fillestare poetike janë më intime, familjare, sociale, duke filluar me krijimet letrare të poezisë për fëmijë, e kjo do të thotë se fillimisht qëndronte larg prirjes për të parë botën me sytë e intelektuales dhe aq më pak të historianes. Fillimisht temat e krijimtarisë letrare të saj ishin të ndërlidhura përgjithësisht me temat jetësore, si dhe të përshkruara me elemente etnografike, të cilat shpalosen që në titujt e ballinave të veprave të saj: Nusja e gurtë (poezi), “Rilindja” 1989 dhe Dy lule ka mami (poezi), “Pionieri” 1993; për të përmbysur e errësuar idilën e saj jetësore, që vinte si rezultat i prishjes së imazhit për botën që e rrethonte, me titullin e vëllimit poetik Kohë epileptike (poezi), “Jeta e Re” 1996. Në këtë mënyrë krijuesja e ëndrrave fëmijërore dhe rinore, bëhet bartëse e paradigmave të temave të mëdha shoqërore dhe pse jo edhe kombëtare, me poezitë e vëllimit Ëndrrat e trishta (poezi), “Rilindja” 2000, me romanin Nata pa kornizë, LSHK 2008 dhe me dramën Hadi, një vepër fundamentale e reflektimit të dhunës në Kosovë dhe përjetimit të saj si univers historik. Në këtë rrjedhë, bota e saj krijuese e shtrirë brenda shprehësisë unike të krijueses do të stabilizohet vetëm me botimet e viteve të fundit: Malli për Itakën (poezi), LSHK 2008, Kodi i pritjes (poezi), LSHK, Prishtinë 2010, Metaforë iberike, (poezi), LSHK, 2011 dhe me vëllimin poetik Kujtesën e ka kapur skleroza (poezi), LSHK, 2011, dy prej të cilave po i paraqesim këtu, jo për të vlerësuar gjithë përjetimin dhe transponimin estetik të poetes, tashmë të shpërfaqur përtej krijimtarisë letrare të brezit të saj, po edhe për të përudhur e saktësuar referencat më të reja të poetikës së poezisë së saj.

 

Kujtesa, etnografia dhe historia

 

Vëllimi me poezi Kujtesën e ka kapur skleroza, ndoshta më shumë se poezitë e vëllimeve të tjera, përmbledh ato preokupime jetësore, konceptuale, krijuese dhe estetike të periudhës së parë dhe të dytë të krijimtarisë së saj letrare, në të cilat aq dendur shpërfaqen kujtesa, etnografia, historia dhe bota shpirtërore, që janë njëkohësisht disa nga përbërësit më të pranishëm të poezisë së saj. Në këtë vëllim që më shumë se sa dialog është komunikim i brendshëm me kipcin e saj si subjekt dhe me lexuesin njëkohësisht, bëhet biografia e kujtimeve të saj (e pasuruar me ornamente etnografike: unaza (Vizatoj unazën / në gishtin e djathtë, 10); fustani i nusërisë etj., dhe biografia e atdheut të saj, e pasuruar gjithashtu me shenja të gjeografisë e të historisë së tij:

-     Arbëria (Në Arbëri këto ditë / Ka pasur shumë furtunë /Dhe ka rënë skrrotinë e keqe, 34);

-     Kosova (Përtej Oqeanit / Më shkruante ATHDHEU/ (...) Nga Kosova, 69);

-           Çamëria (Kipci i Bilal Xhaferrit/Nëpër zaje të përflakura/Do të udhëtojë për Çamëri, 16);

-           Kufiri (Për çdo ditë të lume/ Ma luan kufirin, 8);

-           Molla e Kuqe: (Kujtesën e ka kapur skleroza/ Dhe harruar ka sytë e Atdheut/ Te Molla e Kuqe, 7);

-           Rozafa (Arkitektura e shpirtit përimtohej / e Rozafa më qante në prehër..., 7) etj).

Prej poetes, që në përditëshmërinë e saj identifikohet me profesionin e historianes së historisë bashkëkohore, pjeseë e së cilës ndonjëherë është bërë edhe vet, edhe nuk mund të pritej një mesazh tjetër. Vëllimin e përbëjnë ndarjet Kujtesen e ka kapur skleroza, Udhët e atdheut, Emrat që mungojnë, Anatomia e pritjes, Mëkati pa mëkat dhe Atdheu më shkruan letra.

Cikli i parë i poezive shtron problemin e zbehjes së kujtesës dhe ridimensionimin e saj në rrethana të caktuara, duke përfshirë këtu edhe brejtjen e kësaj ndërgjegje për tërësinë që tashmë kthehet në shenja referuese për objekte, identitete, monumente gjeografike, kufij etnografikë, ndërlidhje historike etj. Ky komunikim me historinë, ngjarjet, kontekstet, si dhe ndërlidhjet me përvojën dhe situatat e sotme individuale dhe kolektive. Në ciklin e dytë tema bartet në situatën aktuale, por motivi i shikimit të saj mbi përvojën historike ruhet dendur. Tashmë nuk ridomensionohet historia, por rrethanat e reja që përbëjnë, përkatësish rindërtojnë historinë: uni, hapësira gjeograike, vendlindja e tkurrur brenda një rruge dhe një kafeneje, si referenca ndaj përgjegjësisë historike: Veriu, Kroi i Vitakut, Prishtina, lagjja “Elita”, kujtesa e babait etj. Po këtë rrjedhë ka edhe cikli i tretë i poezive: veç se tani nuk identifikohen objektet, shenjat historike a gjeografike, por kryesisht situatat dhe përvoja vetjake apo rrethana të brendshme: kujtesa për situata të përgjithshme, zhvillimet shoqërore dhe sidomos rivlerësimi për përvojën historike, për të mos thënë mungesa e shenjave dhe ndikimi i tyre në ndërdijen tonë.

Cikli Anatomia e pritjes sikur lidh përvojën e temave të cikleve të mëparshme dhe të ndonjë sugjerimi për temat që do të pasvijnë në ciklet e mëpastajme Mëkati pa mëkat dhe Atdheu më shkruan letra, shoqëruar edhe me diskursin më emocional, për të mos thënë më lirik dhe më intim. Në ciklin e mëparshmëm historia bëhet strumbullar i identifikimit dhe i rrëfimit, ndërsa në ciklet në vazhdim historia e ruan statutin e shenjës, ndërsa intimja dhe lirizmi deri në vetërrëfim përshkojnë gjithë zhvillimin e strukturës poetike të poezive. Poezitë e këtyre cikleve, si ato: Desha të vij mbrëmë, Për pak ndodhi mosardhja apo Eh, sa shumë besova, qofshin veç e veç, qofshin si tërësi, plotësojnë mesazhet e poezive me karakter kryesisht reflektiv dhe refuzues për të kaluarën, apo poezive me prirje nostalgjike për veten dhe ‘tjetrin’.

Si të tilla poezitë e këtij vëllimi përfaqësojnë një tërësi motivesh përmbajtësore, strukturash ndërtuese dhe përmasash kuptimore jo vetëm të këtioj vëllimi po edhe të atyre që ka shkruar më parë dhe madje edhe të atyre që do të shkruajë më vonë.

 

Dalja nga hapësira historike e etnikumit

 

Vëllimi i fundit me poezi Metaforë iberike hap horizintin kërkues në poezinë e shkrimtares Sabile Keçmezi-Basha. Nuk është fjala këtu vetëm për kërkimet motivuese apo temat e karakterit jasht-historik të etnisë. Nuk është fjala as për kërkimet e brendshme që dalin si pjesë e largimit nga përvoja kombëtare e temave historike, një temë kjo mjaft e pranishme në poezinë e saj, por për reflektimin e dy botëve, dy kulturave dhe transponimin e tyre nga njëra te tjetra dhe përballë njëra-tjetrës.

Vëllimin Metaforë iberike e përbëjnë katër cikle: Pse me pikëpyetje, Atdheu më shkruian letra, Metaforë iberike, Të kujtohet baba dhe Kujtesë e grisur.  Shikuar nga aspekti i kërkimit dhe sidomos i strukturimit të poezive edhe ky vëllim poezish është vazhdim i vëllimit të mëparshëm, qoftë me mënyrën se si i percepton situatat e çastit, qoftë me mënyrën se si i transponon rrethanat paralele.

Cikli i parë hapet me tema dhe situata që ndërlidhin marrëdhëniet e krijueses me përvojën historike dhe bashkëkohore - me Kosovën, përkatësisht me lirinë e saj si proces dhe si përgjegjësi e ndërdijshme jona ndaj saj. Dhe, si për të përmbushur përgjegjësinë ndaj saj autorja ndërlidh largimin nga Kosova në një ambient tjetër - Spanjë, përkatësisht Iberi, po kaq afrues, me disa poezi (Kosova dhe Andora, 12; Kur të nisesh për udhë 15) dhe me referenca të tjera etnohistorike e gjeografike (Kuq e zi, 16; Në Katalonjë mbrëmë / çdo gjë ishte e kuqe, 13), të cilat bartin tash jo vetëm kipcin e narratores, autores apo edhe të heronjve të saj, po edhe gjithë atdheun (Në Andora / Atdheu im kishte ardhur para meje, 12), për t’ia bërë të mundur vazhdimin e kërkimit të unit të saj si të ishte brenda ambientit të Kosovës.

Pasi ka identifikuar disa nga shenjat bazike të njohura qoftë përmes historisë, qoftë përmes fushave të tjera të qytetërimit iberik, të cilat këtu, jo vetëm i ruajnë shenjat historike a simbolike, po disa herë marrin edhe karakter përafrues dhe ridimensionues, që autorja t’i kthehet edhe njëherë temës, të cilën e gjejmë edhe në vëllimin e parë: komunikimin me atdheun në distancë (Atdheu më shkruan letra, Vetmi, Desha të vij mbrëmë), një motiv ky përgjithësisht i munguar viteve të fundit, pavarësisht letërsisë shqipe të krijuar dendur në mërgim.

Cikli Metaforë iberike hap gjerësisht temën e kërkimit qytetar, intelektual, krijues dhe estetizues të botës iberike në poezinë e Sabile Keçmezit – Bashës. Në letërsinë shqipe nuk mungojnë temat e mëdha apo të thella të fytyrës Lindore a Perëndimore (europiane a orientale), kryesisht në udhëpërshkrime të ndryshme (Arbëreshët e Italisë, Kina, Lindja e Afërt etj.) apo vepra në fushë të prozës (Hasta la Vista, Koncert në fund të dimrit etj), por zor të gjesh një vepër letrare, përkatësisht një vëllim me poezi, që ta ketë paraqitur me kaq përkushtim fytyrën qytetëruese dhe estetike të një vendi a të një popullit sikur është vëllimi Metaforë iberike.

Pamjen përkushtues të temave dhe mesazheve të tyre në vepërn poetike të Sabile Bashës e përcaktojnë që më parë poezitë: Gernika, Në Barcelonë, La Rambla..., Andora, Kur të shkoni në Andorë etj. Fillimisht ato sjellin mesazhin e kërkimit, kërkimit kryesisht deskriptiv të temës (Mos më thuaj se ke bredhur nëpër botë/ Po që se nuk ke gjezdisur/ rrugëve të Barcelonës fosforeshente, 27), që do të përshfaqet në gjithë librin nga udhëtimet e saj në Spanjë, për të hyrë më tej edhe në botën estetizante të përjetimit të këtij udhëtimi (O zot, / Mos më fol për çmedurinë / Po që se nuk ke qeshur e qarë/ me Salvador Dalin/ duke pirë kafenë / në mëngjese të murrme, 27).

Në këtë rrjedhë të poezisë së saj autorja ka sjellë jo vetëm ambientin iberik (një dysi historiko-estetike të tij), si një vend i veçantë i Europës Perëndimore, ku bashkohen fuqishëm tragjikja dhe liria, pasqyruar njëkohësisht edhe në situata të tilla apo të përafërta me ambintin e Kosovës dhe me botën shpirtërore e materiele të krijueses sonë. Poezitë e këtij vëllimi janë përshkuar me shenja gjeografike e historike të hapësirës iberike, si dhe me simbole kombëtare, letrare e krijuese të këtij ambienti: Andora, Gernika, Barcelona, Pikaso, Salvador Dali, Van Gogu, Don Kishoti, Franko, Kosta Brava, Konti i Monte Kristos, Servantesi, Lorka etj, të cilave iu përgjigjen po kaq shenja referuese e identifikuese të atdheut dhe shenjave historike e etnike të krijueses:

-     Kosova (Kosova e dyzuar qëndron / Në kornizën e Gernikës, 46);

-     Mic Sokoli (... Stër-stër gjyshi im/ Kishte synuar ëndërrën e kuqe/ Në fushën  bukanike / Në gjoksin e Mic Sokolit, 28);

-     Gjyshi (Gjyshi im / Shumë kishte dashur / (...) Të ledhatonte Gernikën / Me fije bari, 29);

-     Adem Jashari (Bisedova gjatë / Me Gernikën / Nëse kishte vend / Për të nxënë / Adem Jasharin, 31);

-     Onufri (Dua ta takoj Onufrin / Më tha / Në kuqezi / Te Shegët mistike, 50);

-     Doruntina (Kush të solli/ /Në Katalonjën plakë / Doruntinë e lodhur ..., 57) etj.

Poezitë e këtij vëllimi do të mundë të shquheshin këtu edhe për dy arsye të tilla: e para, se kanë shënuar jo vetëm një përmasë shumë më të gjerë kërkimi të krijueses, të cilën e gjemë më pak në vëllimet e mëparshme, për të mos thënë se ajo jo vetëm ka ruajtur temën e përhershme të kërkimeve të gjertashme, por e ka shtrirë atë edhe në përmasa më të gjera universale; dhe e dyta, sepse autorja jonë ka arritur të ruajë me sukes një standard domosdo të përfillshëm të ndërtimit artistik të gjithë poezisë së saj brenda të të gjithë cikleve. Ndoshta kjo është arsyeja pse brenda këtij vëllimi ishtë botuar edhe njëra prej poezive më të bukura të saj Gernika dhe janë realizuar disa nga vargjet më emblematike të poezisë së saj.

Në vend të përfundimit

Dy vëllimet e fundit me poezi të shkrimtares Sabile Keçmezi-Basha, Kujtesën e ka kapur skleroza (2011) dhe Metaforë iberike (2011) shënojnë një hap cilësor në krijimtarinë artistike të saj. Përmasa e këtij vlerësimi mbështetet në disa nga premisat e krijitarisë së saj dhe të krijimtarisë artistike të poezisë së sotme shqipe përgjithësisht. Në radhë të parë poezia e saj e këtyre dy vëllimeve vazhdon temën dhe intencën e kërkimit, të cilën e ka filluar edhe në dy vëllimet e mëparshme, por tash me realizime shumë më të arrira artistike; ndërsa në radhë të dytë, tema si edhe ambienti i kërkimit zgjerohet jo vetëm në përmasa të gjeografisë kombëtare por edhe në përmasa të reflektimit të saj me tema dhe raporte të tyre gjeografike universale. Kjo ka të bëjë edhe me shenjat përkatësisht simbiolet e kësaj poezie, të cilat shfaqen e ridimensionohen jo vetëm brenda kodit kombëtar të përjetimit të tyre, por edhe në përqasje me referencat e tyre historike, etnografike, gjeografike e gjuhësore të popujve të tjerë.

Me të gjitha këtë elemente, si dhe me përbërës të tjerë brenda saj, poezia e botuar së fundi e shkrimtares dhe historianes njëkohësisht, Sabile Keçmezi-Bashës, përvijon një arrtje të re dhe një horizont të ri të pritjes nga lexuesi, gjithësesi.

Prishtinë, qershor 2011



(Vota: 10 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora