E premte, 26.04.2024, 10:11 AM (GMT+1)

Mendime

Ramiz Lushaj: Për 9 muaj lind një fëmijë, pas 9 vjetëve Kosova Pavarësi

E marte, 05.02.2008, 06:07 PM


PËR 9 MUAJ LIND NJË FËMIJË, PAS 9 VJETËVE KOSOVA PAVARËSI

Nga Ramiz Lushaj

Për 9 muaj, si rregull gjenetik jetësor, lind një fëmijë.

Po Kosova?

Ka 9 vjet, që e pret pavarësinë nga Lufta e Prekazit të Adem Jasharit më 6 mars 1998 e deri më 2008-n.

I ka mbushur 9 vjet, që është “shtatzënë” me lirinë e fituar nga gryka e Pushkës.

Diplomacia, që është “mjeku” i saj, po thotë se është gati të lindin pavarësinë...

Serbët kanë dashtë me e “dështue” që në “embrion”, në atë mars 1998, por Kosova kjo nanë dardane i sfidoi, ashtu si edhe më 15 janar 1999 në masakrën e Reçakut, edhe me spastrimin etnik më 1999, edhe më 24 mars 1999, me ndërhyrjen e NATO-s, edhe me 10 qershor 1999, kur OKB-ja doli me rezolutën 1244 për ta lanë të “Lirë” këtë nanë legjendare për të ecur drejt lindjes së pavarësisë së saj.

Lindja e saj është e sigurt se, aty pranë, rreth saj, ka shtete kolose, si Amerika, Britania, Gjermania. Franca, Italia, që kujdesen për tokën e saj, për pritjen e lindjes së pavarësisë.

Rusia e Serbia e deshtën dhe e duan dështimin e kësaj lindjeje nga kjo nanë legjendare dardane, por vetë këta janë dështakë...

Tashmë Kosova nuk pret më shumë. I ka mbushur 9 vjet.

Kjo nanë dardane nuk mund ta vdesin pavarësinë në “barkun e vet”, as me “vdekje klinike” të dëshiruar nga Beogradi e Moska, as të presin “serume” nga disa shtete që nuk e mirëpresin lindjen e saj.

Autorët klasikë antikë kanë shkruar tash mbi 2 mijë vjet se nana dardane e lindte fëmijën e vet në kambë, jo në shtrat...

Nana dardane Kosovë asht në kambë për ata që ia mendojnë apo duan vdekjen e pavarësisë së saj.

Nana dardane Kosovë asht në kambë për të lindur fëmijën e saj në një nga këto ditë...

Ndoshta më 9 shkurt 2008.

Kjo nuk është rastësi kohore.

Për më tepër është një mundësi reale që Fuqitë ë Mëdha të ndreqin padrejtësitë e tyre historike ndaj shqiptarëve më 1878, më 1913 dhe më 1919.

Më 9 shkurt 1919 në Konferencën e Paqes në Paris, vetëm 21 ditë pas nisjes së punimeve të saj, u diskutua në tavolina pune edhe copëzimi i Shqipërisë dhe Kosova dardane u la në fatin e keq, e kolonizuar nga Serbia.

Shqiptarët çuan dërgatat e tyre në këtë Konferencë dhe patën mbrojtjen e madhe Uillsoniane, të aleatit tonë strategjik e mikut të madh, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Atëherë, këto shtete, që sot të mandatuara nga OKB-ja e kanë në administrim sektorial Kosovën dardane, e drejtonin këtë Konferencë: SHBA, Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe, Franca e Italia, kurse Gjermania ishte në palën e jofitimtarit.

Tashti, pas 90 vjetësh, ka ardhur koha që këto shtete kolosë dhe aleancat e tyre, ku bëjnë pjesë, të korrigjojnë padrejtësitë historike të së kaluarës.

Ende mbetet aktuale sot, më 2008-n, edhe për Papa Benediktin XVII në Vatikan, thirrja shqiptare që iu bë Papa Benediktit të XVI për të na ndihmuar ne, pasardhësve të Konstandinit të Madh e të Skënderbeut.

Dhënia e pavarësisë së merituar e të vonuar Kosovës dardane, në këtë rend të ri botëror, do të dëshmojë se sa shumë ka ndryshuar bota në shek. XXI.

Ne, shqiptarët, nuk jemi Versajistë, nuk kemi triumfuar kurrë me pushtime e me copëtime ndaj fqinjëve tanë ballkanik e evropianë nga periudhat Pellazgo-Ilire e deri më sot në kohën e anijeve kozmike e internetit.

E drejta historike është më ne shqiptarët e Ballkanit, me Kosovën, në këto çaste vendimtare.

E drejta diplomatike e juridike është me Kosovën edhe në këto ditë, është vet pavarësia e Kosovës.

Ndoshta më 9 shkurt 2008 Kosova do të jetë shteti më i ri në hartën e botës.

Shqiponja shqiptare ka një histori të lashtë sa vet toka e saj, ku e ka folenë mijëravjeçare.

Një luftëtarë ilir po kthehej nga një vend i largët, ku atje kishte marrë një nuse të bukur. Rrugës, nëpër Iliri, fluturon mbi kokat e tyre një shqiponjë për t’i përshëndetur gjatë rrugës. Nuses nga vendi i huaj i bie të fikët kur u pa shqiponjën gjigante mbi kokën e saj. Djaloshi ilir i drejtohet me shigjetë dhe e plagosë rëndë.

Kur kthehet në shtëpinë e vet, me nusen e bukur, ua tregon historinë e dhimbshme të shqiponjës.

Njerëzit e tij të vendlindjes i ndërpresin ritualet e dasmës së nisur dhe shtegtojnë për tek foleja e shqiponjës.

Çuditen kur e shohin. Një shqiponjë tjetër, për t’ia ndalur rrjedhën e gjakut, i bashkëngjitë trupin e vet. Ato do të qëndronin aty, së bashku, gjersa të ndërronin jetë të dyja.

Ilirët i morën me vete shqipet.

Dikush, që kishte talent për pikturë, i vizatoi ato mbi një rrasë të madhe guri, ashtu të bashkangjitura bashkë.

Ilirët vallëzonin rreth asaj pikture në gur.

I ati iu drejtua të birit, në mes të dasmës, duke i thënë:

- Biri im, as një zog mali të vendit tënd të mos e vrasësh për një të huaj dhe as një të huaj të mos e lejosh të vrasin as një zog mali të vendit tënd...

Nga ajo ditë e deri më sot, dy shqiponjat mbetën të lidhura bashkë përjetësisht, si në legjendën e tyre, në vizatime...e mbi të gjitha në flamurin kombëtar shqiptar.

Vende të tjera, që na e rrëmbyen shqiponjën tonë edhe për simbol të tyre na kanë sulmuar përgjatë historisë, por edhe sot, siç janë sllavët, siç është Rusia dhe Serbia e ndonjë tjetër fqinjë.

Ne, shqiptarët, si shqiponja, kemi mbrojtur trojet tona.

Na ndanë në mes tokën shqiptare, me traktate e konferenca ndërkombëtare, ata, që e kishin forcën, por shqiponjën shqiptare nuk e ndan dot në mes...

Ajo mbeti përsëri me dy krerë: Me Shqipërinë dhe me Kosovën dardane.

Shqiponja është në flamurin kombëtar të shqiptarë.

Ashtu, madhështore.

Me dy krerë.

Me nga 9 flatra në të dy krahët.

Ajo do të fluturojnë edhe këto ditë mbi Kosovën e pavarur, duke nisur nga Mitrovica

Ajo nuk kërkon t’i bashkojnë kufijtë se është vet e bashkuar.

Ajo nuk pranon as t’i ndahen kufijtë e sotëm të Kosovës, se është vet e pandashme...

Shqiponja do të fluturojë në qiellin e kohës, në këtë kohë tjetër...

Ndoshta, e pse jo, pikërisht më 9 shkurt 2008.

Ajo do ta jetë lajmësja e madhe:

Kosova e lindi pavarësinë.

Kosova është shteti më i ri i botës. 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora