E diele, 28.04.2024, 12:45 PM (GMT+1)

Mendime

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, në emisionin “Përballë” të gazetarit Lutfi Dervishi

E shtune, 02.02.2008, 10:12 PM


“Si do ta festojmë pavarësinë e Kosovës” 

Hashim Thaçi
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për TVSH-në, tregon hapat e fundit drejt vendosjes së pavarësisë dhe shkëputjes totale nga Serbia. Thaçi gjithashtu flet për masat që po merren për organizimin e festimeve me rastin e pavarësisë, si dhe vendosjen e simboleve të një shteti të ri. Ai gjithashtu tregon marrëdhëniet që ka dhe që pret të ketë me Shqipërinë.

Zoti Thaçi, jeni në një moshë të re, sapo jeni zgjedhur Kryeministër, por thinjat po ju shtohen me shpejtësi. Çfarë po ndodh?

Natyrisht, që ky dhjetëvjeçar ka qenë 10-vjeçari i angazhimeve të mëdha dhe i angazhimeve shtetbërëse të Kosovës, i luftës së madhe që kemi zhvilluar për çlirimin e plotë të Kosovës, gjatë viteve 98-99, në rezistencën në kontinuitet dhe në këtë periudhë kohore kam marrë për herë të dytë të udhëhequrit e qeverisë së Kosovës. Pas vitit 1998-1999 kam qenë Kryeministër i qeverisë së përkohshme nga uniteti i spektrit politik të atëhershëm dhe tani natyrshëm me fitoren e zgjedhjeve politike të 17 nëntorit, ... paksa jam thinjur, por mendoj se gjërat kanë ecur përpara për Kosovën.

Në luftë i keni patur flokët e zinj, tani po zbardheni. Kaq e vështirë qenka paqja?

I ka vështirësitë, pengesat, ballafaqimet çdo kohë, por me rëndësi është që kemi fituar çdo sfidë dhe unë e kam deklaruar se tre objektiva kam patur në jetën time, objektiva politike dhe nacionale. E para, çlirimi i vendit, që është arritur në vitin 1999 me largimin e ushtrisë serbe; tani objektivi i dytë i pavarësimit apo zyrtarizimit të realitetit të ndërtuar që prej vitit 1999, që do të thotë të zyrtarizimit të pavarësisë së Kosovës dhe njohjes ndërkombëtare; dhe objektivi i tretë është fillimi i zhvillimit ekonomik, paralelisht me integrimin në strukturat e Bashkimit Evropian dhe në NATO. I ka vështirësitë dhe pengesat edhe paqja, i ka vështirësitë dhe pengesat edhe lufta, por Kosova, populli i Kosovës, ka fituar edhe luftën, edhe paqen dhe tani ecën i sigurt drejt integrimit të sigurt.

Winston Churcill, Kryeministri i Britanisë, në momentin e shpalljes së luftës me Gjermaninë tha se “e gjithë jeta ime më ka përgatitur për këtë moment”. Z. Thaçi, sa jeni i përgatitur për momentin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës?

Të them të drejtën, si lidershipi politik i Kosovës, për nga mosha jam më i riu, por nga përvoja politike jam me stazh më të gjatë. Kemi favor që kemi një përvojë të gjatë politike, kemi përvojë të gjatë diplomatike, kemi përvojën e duhur të mjaftueshme dhe kredibël me gjithë ato ekipe të tëra që kam mbledhur rreth vetes, ekipe të ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë për të qeverisur mirë. Është e vërtetë se veprimet e mia politike kanë qenë sfiduese apo ballafaquese për popullatën e Kosovës, por kanë qenë ballafaquese në kuptimin më të mirë të mundshëm; edhe kur e kemi filluar rezistencën në vitin 1992, kemi qenë një grup i vogël i njerëzve, atdhetarë dhe intelektualë të rinj të asaj kohe, por në të njëjtën kohë kemi patur mbështetjen e plotë të qytetarëve. Kemi filluar, jemi organizuar, riorganizuar, forcuar, mobilizuar, masovizuar, kemi fituar mbështetjen e gjithë popullatës së Kosovës dhe të botës demokratike dhe kemi fituar. Ndoshta reagimet e para politike ndonjëherë liderit nuk i kuptohen shpesh në opinionin publik, por me rëndësi është që gjithmonë objektivi të jetë në të mirën e vendit dhe të qytetarëve. Edhe veprimet e mia politike kanë qenë gjithmonë sfiduese, gjithmonë pretenduese në kuptimin shumë të avancuar, ndoshta me realitetin që ka qenë në Kosovë, por ndihem shumë mirë që koha, rrethanat, faktorët dhe rezultati, më kanë dhënë të drejtë dhe për këtë ndihem shumë mirë dhe krenar.

A do të ketë ndonjë domethënie data e shpalljes apo.. më mirë një orë e më parë?

Të them të drejtën, personalisht mendoj se unë dhe qytetarët e Kosovës emocionin më të madh e kemi pasur me çlirimin e Kosovës, kur u larguan policët dhe administratorët e Serbisë nga Kosova. Prishtina ka qenë e përgatitur që në atë kohë për pavarësi. Kemi pritur ndërkombëtarët, kemi kaluar këtë tranzicion demokratik në mënyrë të suksesshme bashkërisht: Kosova, UNMIK dhe NATO, ndërsa tani do të kemi zyrtarizimin. Do të jetë një ngjarje historike, por në kuptimin emocional, emocioni më pozitiv për çdo qytetar të Kosovës ka qenë rikthimi i tyre në shtëpitë e veta, në Kosovën e lirë dhe dalja nga shtëpitë e tyre në hapësirën e lirë. Për herë të parë në historinë e Kosovës që populli jeton i lirë, pa frikë pa represion, pa dhunë, pa vrasje dhe t’i thotë njëherë e përgjithmonë lamtumirë qëndrimit të dhunshëm të Serbisë në Kosovë.

Zoti Kryeministër, ndoshta nga momenti i shpalljes na ndajnë orë, ndoshta ditë. Fituesit ndonjëherë gjykohen nga mënyra se si festojnë. Si do të pëlqenit ju si Kryeministër të bëhej festa në Prishtinë dhe në të gjithë Kosovën?

Do të jetë një festë e rëndësishme, do të jetë festë e një organizimi protokollar shtetëror edhe të prezencës ndërkombëtare. Unë nuk do të flisja me orë, por dua të potencoj se tashmë është ndërtuar korniza kohore e organizimit dhe shpalljes së pavarësisë, është ndërtuar edhe kapaciteti i plotë i unitetit Uashington-Bruksel për fillimin e njohjes së fuqishme ndërkombëtare të pavarësisë. Në të njëjtën kohë, ne duhet të dërgojmë sinjalet më të qarta se politika kosovare, se qytetarët e saj, se qytetarët minoritarë serbë që janë në Kosovë të ndihen rehat, të ndihen të qetë, të ndihen mirë, të mos kenë frikë, por vendimi për pavarësi, shpallja e pavarësisë të jetë një vendim për të mirën e çdo qytetari të Kosovës, për rendin dhe paqen në Kosovë, për fillimin e zhvillimit ekonomik, të perspektivës integruese dhe të jetë në të njëjtën kohë një sinjal për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Zoti Kryeministër, ju jeni për një atmosferë ngadhënjyese apo të përmbajtur?

Unë jam për respektimin e protokollit shtetëror. Tashmë protokolli është në fazën finale të ekspertëve që kemi angazhuar, vendorë dhe ndërkombëtarë, një protokoll që do të jetë institucional, një protokoll të shpalljes dhe natyrisht do të ketë një axhendë të njohjes së pavarësisë së Kosovës, do të jetë një axhendë festive, madhështore, me thirrjen e personaliteteve të rëndësishme nga bota perëndimore, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga Shqipëria, nga diaspora, në mënyrë që të festojmë dhe të jenë në festë të gjithë ata njerëz që kanë kontribuar për çlirimin e Kosovës, të gjithë të jenë pjesë e festës dhe e gëzimit...

Sigurisht, ju nuk prisni që serbët këtu të festojnë?

Jo, nuk pres që serbët të festojnë, por nuk pres as që serbët të reagojnë. Është obligim i yni, i imi, i qeverisë së Kosovës, i gjithë institucioneve të vendit të punojmë dhe të jemi pranë tyre për çdo nevojë.

Por besoj që ju prisni që Beogradi të reagojë?

Beogradi mund të mos e njohë pavarësinë, do të mund të reagojë si zakonisht, por qëndrimet e tyre do të kalojnë në një thjesht mbajtje inati dhe nuk do të jenë reflektuese dhe të rëndësishme për askënd në botë, përpos Rusisë.

A është përgatitur qeveria juaj në rast të një bllokade ekonomike të paralajmëruar në mënyrë të përsëritur nga Beogradi?

Qeveria e Kosovës, UNMIK-u dhe NATO-ja e kanë planin preventiv, e kanë planin e përgatitur dhe për çdo situatë jemi të përgatitur. Natyrisht, pavarësia ka patur çmimin e vet, do të kemi vështirësi të cilat do të jenë mirëkuptuese nga qytetarët e Kosovës, por qytetarët e Kosovës duan pavarësinë dhe nuk presin asgjë të mirë nga Beogradi.

Cili shtet prisni t’ju njohë i pari?

Do të kemi fillimin e njohjes fillimisht nga SHBA-ja dhe pjesa dërrmuese e shteteve të Bashkimit Evropian. Në kuadër të kësaj njohjeje fillestare të shpejtë dhe të fuqishme, unë besoj se do të jetë edhe Shqipëria në këtë fazë, në fazën e parë.

Shqipëria do të jetë në fazën e parë, por nuk do të jetë vendi i parë. A do të jetë ambasadori i parë i Kosovës në Shqipëri?

Shqipëria në fakt, është e para që e ka njohur pavarësinë, sepse e ka njohur vullnetin e qytetarëve të Kosovës për pavarësi, (viti 1991) megjithëse në ato rrethana e ka njohur si republikë dhe kanë qenë rrethana interesante në atë kohë, por Shqipëria do të jetë në fazën e parë, do të jetë në hapin e parë të vendeve të fuqishme perëndimore, do të jetë pjesë e atij vendimi ndërkombëtar, ndërsa se ku do ta emërojmë ambasadorin e parë kur të zhvendosemi në institucionet e ardhshme, shumë shpejt do të kemi emërimin dhe dërgimin e misionarëve tanë në zyrat diplomatike edhe në Uashington, edhe në Nju-Jork, edhe në Bruksel, por edhe në Shqipëri edhe në vende të tjera aty ku besohet se është e domosdoshme, e nevojshme dhe emergjente. Por relacionet Prishtinë-Tiranë nuk janë emergjente, kemi relacione të shkëlqyera. Unë kam raporte si Kryeministër shumë të mira edhe me Kryeministrin Berisha, kam raporte shumë të mira edhe kontakte të shpeshta edhe me Presidentin Topi dhe në të njëjtën kohë kam raporte të shkëlqyeshme edhe me opozitën dhe falënderoj, mirëkuptoj dhe përshëndes qëndrimin unik të Tiranës për Kosovën.

Momenti i shpalljes së pavarësisë, të paktën që prej vitit 2006, kur u mor vendimi për të hapur negociatat për statusin e Kosovës, ka mbetur peng i zgjedhjeve dhe zhvillimeve politike në Beograd. Çfarë u keni thënë bashkëbiseduesve ndërkombëtarë kur ata kanë kërkuar kohë në pritje që në Serbi të fitojnë forcat moderatore?!

Statusi i Kosovës nuk varet nga emri i Presidentit apo Kryeministrit të Serbisë, nuk është e varur e ardhmja e Kosovës nga regjimet e Beogradit. Çdo regjim i Beogradit ka ushtruar dhunë dhe represion, çfarëdo emri që ka patur autoriteti në Serbi, gjatë gjithë shekullit të qëndrimit të Serbisë në Kosovë. Prandaj ne e duam demokracinë në çdo vend të rajonit, edhe në vendin fqinj Serbinë, por në asnjë rrethanë, në asnjë mënyrë nuk është ndërlidhur statusi politik, pavarësia e Kosovës, me atë se kush vjen në pushtet në Beograd. Unë marr përgjegjësinë që më takon për ndërtimin e raporteve të mira me të gjitha vendet përreth, edhe me Maqedoninë që kemi raporte shumë të mira, edhe me Malin e Zi, dhe në të njëjtën kohë edhe me Serbinë në të ardhmen si dy vende demokratike me pretendimin për integrimin në struktura euroatlantike. Megjithëse ka komente të tilla, gjëra të tilla janë të paqëndrueshme, prandaj Kosova ka rrugën e vet, ka kornizën e vet edhe kohore dhe procedurale dhe mendoj se kjo gjë do të përfundojë shumë shpejt.

Si i shihni marrëdhëniet me Serbinë, të themi pas 10 vjetësh?

Këtu e 10 vjet do të jenë relacione mendoj normale të dy vendeve të pavarura.

Në Organizatën e Kombeve të Bashkuara bëri përshtypje shtrëngimi i duarve me Presidentin e Serbisë, z. Tadiç. Çfarë domethënieje pati për ju ky takim?

Unë nuk kam ndonjë paragjykim për lidershipin që del nga vota e qytetarëve të lirë të një vendi. Ne kemi qenë aty në cilësinë ai të Presidentit të Serbisë dhe unë të Kryeministrit të Kosovës dhe natyrisht se unë e respektoj axhendën, e respektoj procedurën, respektoj dhe gjithë atë hapësirë dhe rreth diplomatik të lartë botëror me përshëndetje që mendoj se as ai s’ka humbur, as unë s’kam humbur, as Serbia s’ka humbur, as Kosova nuk ka humbur, por ka qenë një gjest pozitiv, një përshëndetje më tepër, një përshëndetje kontakti dhe as që është diskutuar për status apo për diçka tjetër.

Ishte thjesht një gjest civil komunikimi...

Po, dhe nuk është as në etikën time personale apo kulturën time familjare dhe as e përgjegjësisë institucionale shtetërore t’ia kthej shpinën një lideri të një vendi të caktuar.

Nëse do të ketë një aktivitet ndërkombëtar në Beograd... do të shkoni atje?

Raportet e mia me Beogradin janë të njohura për opinionin shqiptar dhe botëror...

Këtej e tutje Kosova do të gjykohet për sjelljen ndaj minoriteteve në përgjithësi dhe atij serb në veçanti. Çfarë garancish jepni ju si ish-drejtues i UÇK-së ndaj serbëve në Kosovë?

Kosova nuk është punë e luftëtarëve të UÇK-së. Parimet dhe vlerat e shoqërisë tonë nuk janë punë e një kategorie të saj. Luftëtarët e UÇK-së janë nderi i kombit, veteranët e luftës janë ata që kanë dhënë gjithçka për lirinë e vendit, invalidët e luftës kanë dhënë gjymtyrët e tyre për lirinë e Kosovës dhe do të kenë përkujdesje afirmative institucionale në rend të parë. Unë kam qenë udhëheqësi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe askush më mirë se unë nuk e ndjen në shpirtin e vet përkushtimin për ta dhe angazhimin për ta, por me rëndësi është që gjithmonë kemi zhvilluar luftën kundër uniformës ushtarake policore dhe administratës së dhunshme serbe në Kosovë, por në asnjë rrethanë, as në vitin ‘98, as në vitin ’99, nuk kemi lejuar të ndodhë ndonjë incident apo dhunë ndaj civilëve serbë të Kosovës, prandaj ne po ndërtojmë një Kosovë të pavarur, sovrane, demokratike me të drejta të garantuara për të gjithë qytetarët e Kosovës, në kuptimin më afirmativ të mundshëm edhe për serbët qytetarë të Kosovës. Unë do të jem pranë tyre. Do të punoj me ta për të mirën e tyre dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Ju e morët stafetën e Kryeministrit nga një ish-komandat i UÇK-së, z. Agim Çeku. Sa i ka dëmtuar politika miqësitë personale apo miqësitë e farkëtuara në kohën e luftës?

Në fakt, ju e dini historikun tim me zotin Çeku. Ne e kemi sjellë zotin Çeku këtu gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s dhe unë e kam përshëndetur edhe në Kuvend për shërbimin e tij që ka bërë dhe për miqësinë që ka treguar. Unë nuk ndërtoj relacione me asnjë personalitet kosovar me skema partiake apo individuale, por në bazë të vlerave që përfaqëson.

Zoti Kryeministër, një problem që do të mbetet në Kosovë edhe pas shpalljes së pavarësisë do të jetë Mitrovica e veriut. Jepni garanci se gjatë mandatit tuaj si Kryeministër do të shtrini autoritetin e qeverisë tuaj në këtë hapësirë të Kosovës?

Misioni i ri ndërkombëtar, NATO-ja, por edhe institucionet legjitime të Kosovës, do të fillojnë të veprojnë dhe të funksionojnë dhe të ushtrojnë autoritetin e tyre në tërë territorin e Kosovës. Nuk do të ketë Mitrovicë veri-jug, por do të jetë një Mitrovicë. Do të jetë qytet i bashkuar. Integriteti territorial i Kosovës është i paprekshëm dhe i garantuar dhe i njohur ndërkombëtarisht. Unë e vizitoj shpesh veriun e Mitrovicës dhe do të investojmë dhe do të kemi data konkrete me kryetarin e kuvendit komunal të Mitrovicës, zoti Bajram Rexhepi, që e ka mbështetjen e plotë të qeverisë, e ka mbështetjen e plotë timen e ka mbështetjen e plotë të Uashingtonit dhe Brukselit për të ndërmarrë hapa konkretë që të ndikojnë edhe në integrimin e qytetit, dhe në integrimin etnik, të mos ketë ndarje etnike, por të jetë një qytet i integrimit dhe një shembull i një jetese të mirë. E di se ka pretendime Beogradi për të bërë gjëra jo të mira në atë territor, por territori i Kosovës do të jetë territor i kontrolluar, i menaxhuar dhe do të ketë siguri të plotë dhe mbikëqyrje të autoriteteve të Prishtinës dhe të NATO-s.

Ju përmendët dy etnitë në Mitrovicë. A keni takuar së fundmi një qytetar serb?

Kam takuar, kam biseduar dhe ata janë plotësisht në konfuzion, sepse janë nën ndikimin më negativ të strukturave të caktuara të Beogradit, por është me rëndësi që qeveria e sotme e Kosovës është qeveri multietnike, ka dy ministra serbë dhe unë dua të besoj se edhe ata qytetarë do t’i kthehen Prishtinës dhe ta kuptojnë dhe ta respektojnë si kryeqytet të tyre.

Kur do të takoheni me kryepeshkopin Artemije?

Unë e kam takuar më herët dhe nuk kam ndonjë paragjykim dhe do ta takoj përsëri në çdo rrethanë që të krijohet.

Qeveria e koalicionit të madh ishte një ide që erdhi nga partnerët ndërkombëtarë për shkak të momentit të shpalljes së pavarësisë apo ka qenë ide e klasës politike në Prishtinë?

Ka qenë plotësisht në autoritetin tim të zhvilloj negociata dhe konsultat e domosdoshme me spektrin politik kosovar. Kam gjetur në kuptimin më të mirë të mundshëm mundësinë më të mirë që të ndërtoj në këto rrethana historike për Kosovën stabilitetin politik dhe qeverisjen multietnike. Unë i kam miq edhe partnerë në të gjithë skenën politike kosovare dhe i kam integruar të gjithë sot në angazhimet për shtetin e Kosovës, brenda këtyre strukturave për organizimin dhe shpalljen e pavarësisë për zgjedhjen e Kushtetutës, të simboleve, të grupeve të tranzicionit demokratik janë integruar të gjithë. Madje, kam përgjegjësi, sepse qeveria ime është votuar edhe nga opozita demokratike me mbi rreth 88 vota.

A pati reaksion nga baza e partisë tuaj për këtë koalicion?

Unë mund të them se ka ide interesante, ka zhvillime, ka patur opinione interesante, por unë falënderoj elektoratin tim që i beson përcaktimit dhe vizionit tim se gjithçka e bëj për të mirën e vendit dhe të gjithë qytetarëve. Nuk jam njeri hakmarrës, nuk jam njeri i revanshit, nuk jam njeri i paragjykimeve. Nëse ka patur arsye dikush të mos hyjë me LDK-në, kam patur arsye unë personalisht, por i kam tejkaluar të gjitha vështirësitë dhe pengesat që janë paraqitur në të kaluarën vetëm e vetëm për hir të vendit dhe interesave madhore të qytetarëve të Kosovës.

Ky koalicion diktohet edhe nga situata e veçantë që po kalon Kosova. Besoni se ky koalicion do të jetë jetëgjatë edhe pas kalimit të momentit të pavarësisë?

Unë dua të besoj që po, por në çdo rrethanë ne do t’i marrim përgjegjësitë bashkërisht dhe do të kalojmë në hapa të tjerë konkretë të domosdoshëm edhe për implementimin e dokumentit të Presidentit Ahtisari, edhe për ushtrimin e autoritetit në gjithë territorin e vendit, fillimin e reformave demokratike në politikë, në legjislacion dhe në ekonomi, në edukim. Unë dua të besoj në qeverisje të qëndrueshme, të fortë me lidership të ri, me vizion të ri dhe perspektivë të sigurt.

Këto ditë ishte përvjetori i vdekjes së presidentit të ndjerë Rugova. Pse nuk pati asnjë aktivitet përkujtimor të organizuar nga qeveria që ju drejtoni?

Ne kemi patur organizim shtetëror dhe ka qenë nën patronatin e Presidentit dhe prandaj është respektuar axhenda e Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe gjithë axhenda është përcjellë me përkushtime të përbashkëta të Presidentit Sejdiu dhe prej meje si Kryeministër dhe anëtarëve të tjerë të qeverisë.

Sipas planit Ahtisari, administrata e OKB-së do t’ia lerë vendin misionit të Bashkimit Evropian që ju sapo e përmendët. Sa kohë mendoni se i duhen Kosovës për t’u shkëputur plotësisht nga varësia ndërkombëtare? A i druheni sindromit të Bosnjës?

Nuk mund të bëjmë paralele mes Bosnjës dhe Kosovës. Kosova ka arritur progres të madh....

Por ka qenë, është dhe do të jetë nën praninë ndërkombëtare...

Me prezencën e pranisë ndërkombëtare dhe jo nën praninë ndërkombëtare. Roli i ri i misionit të ri ndërkombëtar, jo vetëm i BE-së, se do të jenë edhe amerikanët në misionin e ri, do të jetë patjetër frytdhënës dhe i përcjelljes dhe mbikëqyrjes së punës që ne do të bëjmë në Kosovë, para së gjithash i respektimit dhe garantimit të të drejtave të minoriteteve, para së gjithash të serbëve.

Ka disa modele flamurësh të propozuara për Kosovën. Ju keni ndonjë preferencë tuajën?

Mund të kem preferenca, por rëndësi ka që të kalojmë një propozim që të jetë i pranuar nga të gjithë; besoj se do të jetë një propozim që do të pranohet nga shqiptarët edhe nga komunitetet e tjera, një flamur që në mënyrë simbolike do të unifikojë integritetin territorial të Kosovës, që identifikon dhe e respektojnë qytetarët e vendit. Kosova do të ketë identitetin e vet shtetëror, të demokracisë qytetare dhe në këtë drejtim do të jetë një simbol i respektuar nga të gjithë, edhe flamuri edhe stema, edhe himni..., por flamuri më i dashur do të jetë flamuri kombëtar.

Do të jetë në zyrën tuaj flamuri kombëtar?

Sigurisht, edhe në familje, edhe në zyrë.

Zoti kryeministër, jeni shprehur për marrëdhënie të mira me të gjithë vendet fqinje. A i druheni faktit se Maqedonia mund të ndërmarrë ndaj Kosovës të njëjtin veprim që tentoi të ndërmarrë ndaj Shqipërisë për vendosjen e regjimit të vizave?

Në fakt, unë vlerësoj se vendimi i qeverisë së Maqedonisë ka qenë një veprim jo i studiuar mirë, aksidental dhe krejt i panevojshëm. Ne kemi diskutuar edhe në Bruksel me zotin Solana, me zotin Ren dhe me zotin Rupel edhe për vendimin e qeverisë së Maqedonisë. Unë mendoj se do të tejkalohet, por mendoj se duhet të jetë një qëndrim i qartë dhe shumë i prerë edhe i Tiranës. Unë i kam dërguar mesazhe të qarta zotit Gruevski se duhet të ketë kujdes në veprimet. Ai mund të fitojë elektorat diçka në Maqedoni, por përgjigjja e zotit Gruevski ka qenë se nuk do të ketë ndonjë lëvizje në drejtim të Kosovës në këtë plan. Ne kemi raporte të mira si kryeministra. Ka qenë i nxitur që të marrë diçka të tillë edhe me Shqipërinë, edhe me Kosovën; kjo do t’i shtonte disa vota te maqedonasit, por do të reflektojë shumë keq kur Kosova rrezikohet nga embargoja me Serbinë vënia e vizave nga autoritetet e Shkupit. Duhet kuptuar se ka kaluar koha e rrahagjokësisë kryeministrore prej kujtdo qoftë.

Një tjetër problem i Kosovës me Maqedoninë është çështja e kufirit. Jeni optimist se do ta zgjidhni?

Kjo çështje do të zgjidhet përmes raporteve tona të drejtpërdrejta të autoriteteve të Prishtinës dhe Shkupit me ndërmjetësinë e NATO-s.

Zoti Kryeministër, edhe në vizitën e fundit që Presidenti i Shqipërisë realizoi në Prishtinë, por në mënyrë të përsëritur sa herë ka vizita të nivelit të lartë, potencohet fakti që marrëdhëniet janë të shkëlqyera, do të thellohet bashkëpunimi, do të ketë një port Kosova, do të bëhet rruga Durrës-Morinë, por nuk përmenden plane të detajuara, në mënyrë që të bëhet e mundur që biznesi të ketë më tepër nxitje për të ardhur në Kosovë apo anasjelltas biznesi i Kosovës të shkojë në Shqipëri, bëhet fjalë për standardizim rregullash... A ka qeveria juaj një plan konkret që ekonomitë e dy vendeve të jenë më kompatibël?

Në fakt, ka patur vizita të shkëlqyera më tepër se bashkëpunim efektiv mes Tiranës dhe Prishtinës.

Kaq të nevojshme i kemi vizitat e shkëlqyera?

Tani duhet të kalojmë në një fazë të re, fazën e re të bashkëpunimit konkret. Të gjithë ministrat e mi kanë marrë obligime përkatëse që të kemi një objektiv të përcaktuar prioritetesh të bashkëpunimit ndërministror, por edhe autoriteteve komunale u kam rekomanduar që me të gjitha vendet fqinje, e në këtë kuadër edhe me Shqipërinë, të kenë prioritete të bashkëpunimit me autoritetet lokale. Prandaj unë dua të kalojmë në një kulturë të re bashkëpunimi dhe komunikimi mes institucioneve të Kosovës me ato të Shqipërisë, që të kalojmë nga faza e vizitave spektakolare, të shkëlqyera e të mrekullueshme që janë organizuar dhe natyrisht që këto vizita kanë qenë të domosdoshme, por të kalojmë në veprime konkrete bashkëpunimi për interes të të dy vendeve, të qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë, dhe unë dua të besoj se do të hapet një perspektivë e bashkëpunimit shumë konkret dobiprurës me interes për të dy vendet tona por edhe për të gjithë rajonin. Shqiptarët janë një mundësi e madhe. Kosova është vend i mundësive dhe gjithë njerëzit e Shqipërisë janë të mirëseardhur për të investuar, ashtu si kanë investuar dhe kosovarët në Tiranë, rreth Tiranës dhe në gjithë Shqipërinë.

Rruga Durrës–Kukës në Shqipëri cilësohet si një projekt i shekullit për nga përmasat dhe fondet buxhetore që kërkon. Ju keni ndër mend të vizitoni këtë rrugë gjatë ndërtimit apo do të jeni pjesë e përurimit në vitin 2009?

Natyrisht, që do të jem pjesë e përurimit. Unë nuk do të përzihem në zhvillimet politike të Tiranës. Paksa kjo rrugë është politizuar. Edhe Kosova, edhe Shqipëria duan që kjo rrugë të përfundojë. Më vjen mirë për qëndrimin unik të Tiranës se rruga duhet të ndërtohet, duhet të përfundojë, ndërsa zhvillimet e brendshme aty le të mbesin në Tiranë. Ne vetë e kemi kryer studimin e rrugës Vërmicë-Merdare dhe besoj se do të fillojë ndërtimi shumë shpejt.

Jeni kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Kryeministër. Në Shqipëri, z. Berisha është kryetar i Partisë Demokratike dhe Kryeministër i vendit. Çfarë ju bashkon me zotin Berisha përveç ofiqeve të përbashkëta?

Ne kemi patur bashkëpunim të përhershëm. Unë gjithmonë bashkëpunimin me Shqipërinë e kam ndërtuar në raporte dhe linjë institucionale. Jam mirënjohës për kontributin dhe angazhimet e jashtëzakonshme në kontinuitet të autoriteteve në Shqipëri që nga koha e Ramiz Alisë, pastaj të autoriteteve të tranzicionit në ‘92-’96-n, të Presidentit Berisha në atë kohë, të qeverisë së ‘98-‘99 zotit Nano, Majko, Meta, të Presidentit Meidani që ka bërë një punë të mrekullueshme për Kosovën. Me zotin Berisha tani jemi në pozicione të njëjta si dy parti demokratike, si dy forca demokratike me legjitimitet të plotë qytetar dhe kemi bashkëpunim të shkëlqyer si dy kryeministra të dy vendeve. Kemi prioritete të njëjta për dy vendet tona dhe një vizion të qartë për integrim në strukturat euroatlantike, në BE dhe NATO, në implementimin e reformave demokratike, por në të njëjtën kohë unë kam raporte shumë të mira edhe miqësore dhe institucionale me liderin socialist, me z. Rama dhe gjithashtu me z. Meta dhe gjithë liderët e tjerë të spektrit politik në pozitë apo opozitë. Të gjithë kanë ndihmuar Kosovën dhe unë e potencoj se UÇK-ja është formuar në Kosovë, ka qenë një lëvizje origjinale, autoktone, por në vitet ‘98-‘99 është ndihmuar fuqishëm nga Shqipëria dhe dua të potencoj dhe falënderoj të gjithë qytetarët e Shqipërisë për mikpritjen që i bënë popullit të Kosovës në vitin 1999, ndërsa gjithashtu theksoj se pa rolin e Shqipërisë, Kosova nuk do të ishte e lirë.

Pas dy muajsh Shqipëria shpreson të marrë ftesën e anëtarësimit në NATO. Ju kur e shikoni Kosovën në NATO?

Unë dua të theksoj se Kosova do t’i kryejë të gjitha obligimet dhe ky tranzicion 8-vjeçar ka qenë tranzicion edhe i ndërtimit dhe funksionimit efektiv të institucioneve të rendit, të krijimit të një rendi të ri demokratik, por edhe të një procesi të reformave të rëndësishme që do ta ndihmojnë Kosovën për t’u integruar në strukturat euroatlantike. Dua të potencoj se Kosova nuk do të jetë e para që do të integrohet në strukturat e Bashkimit Evropian dhe në NATO, por do të jetë paralelisht, ndoshta me axhendë më të shpejtë.

Do të kërkoni hapjen e bisedimeve me Brukselin për marrëveshjen e asociim–stabilizimit?

Shumë shpejt.

Zoti Thaçi, cili është këshilltari juaj më i afërt që ju e dëgjoni më tepër?

Në fakt, unë para dhe pas fushatës kam patur një ekip të fuqishëm këshilltarësh, edhe vendorë edhe ndërkombëtarë, ekip këshilltarësh që nuk janë identifikuar vetëm me Partinë Demokratike të Kosovës, por zëra autoritarë që edhe më kanë kritikuar më herët, por tani janë pjesë përbërëse e ekipit tim. Kam gjithashtu edhe këshilltarë ndërkombëtarë, ata funksionojnë si ekip, prandaj me emër jam identifikuar unë, ndërsa ekipi i këshilltarëve funksion si formacion i vetëm.

Besoni apo dyshoni në këshillat që ju japin?

Unë besoj dhe vlerësoj këshillat, por vendos vetë vazhdimisht.

Domethënë dyshoni nga pak?

Unë respektoj dhe vlerësoj shumë këshillat dhe kaloj shumë kohë së diskutuari problemet me ta, por në fund është përgjegjësia ime dhe vendos unë.

Marrë me shkurtime nga TVSH - Metropol



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora