Kulturë
Hilmi Saraçi: Monografi për shkollat e mesme të Vushtrrisë
E enjte, 23.06.2011, 07:57 PM
Monografi për shkollat e mesme të Vushtrrisë
Emin M. Fejza – Ferit B. Dibrani :” Shkollat e mesme në Vushtrri”, 2008- Prishtinë
Nga Hilmi Saraçi
Ka kohë që Emin M. Fejza dhe Ferit B. Dibrani kanë filluar të merren me veprimtari publicistike, historiografike dhe letrare. Në këto fusha, tani janë duke u angazhuar me sukses të veçantë. Pas një punë të palodhshme , dolen para lexuesit me librin monografik “Shkollat e mesme në Vushtrri”. Libri përmban një histori të gjatë të punës dhe të veprimtarisë së shkollave të mesme në Vushtrri, me të gjitha përpjekjet dhe angazhimet që janë bërë për themelimin dhe mbajtjen gjallë të tyre deri në ditët e sotme. Prandaj për autorët hartimi i këtij libri ka qenë me përgjegjesi dhe mjaft i vështirë.
Periudhë e vështirë e zhvillimit të arsimit në gjuhën shqipe.-
Kjo fushë e gjerë e zhvillimit arsimor, edukativ dhe politiko shoqëror në shkollat e mesme të Vushtrrisë prej fillimit deri me tash, gjithashtu shënon një përpjekje modeste të autorëve për të paraqitur gjerësisht vështirësitë që egzistonin gjatë kësaj periudhe të fillimit dhe të mëkambjes së shkollave në gjuhën shqipe, në veçanti pengesat dhe përpjekjet për ta mdaluar procesin arsimor edukativ në gjuhën shqipe nga pushtuesi serb. Ishte kjo periudhë kur mungonte lokali shkollor , kuadri arsimor edukativ në gjuhen shqipe , ku mësimin e zhvillonin edhe arsimtarët serb në paralelet shqipe në këto shkolla me ndërhyrje dhe paraqitje nacionaliste dhe shofeniste . Ishte një nismë dhe ndërhyrje e pashmangshme e popullatës shqiptare për hapjen e shkollave të mesme, në veçnti në vitet e 60 –ta . Në këtë periudhë filloi edhe arsimi i mesëm në gjuhen shqipe në Vushtrri –theksojnë autorët, për tu ndalur në periudhën e vitit 1981 ku pas demostratave të rinisë shqiptare kundër pushtetit okupues serb edhe në këto shkolla si në të gjitha të tjerat në Kosovë, filloi procesi i diferncimit politik dhe trajtimi diskriminues dhe shovenist ndaj arsimtarëve shqiptarë . Megjithatë arsimtarët dhe punëtorët tjerë të shkollave e tejkaluan me vëndosmëri dhe guxim të paparë këtë periudhë , duke mos u luhatur asnjëherë nga ndjenja e misionit të tyre të lartë kombëtar-theksojnë autorët. Duke u ndalur në periudhën tjetër edhe më të rëndë në këto shkolla të mesme (1981- 1999) , kur haptas paraqitet segregacioni, diskriminimi nacional, largimi nga lokalet shkollore , ndërhyrja në plan prrogramet mësimore , helmimi i nxënësëve , dhuna ndaj prindërve, arsimtarëve dhe nxënësve , sidomos keqtrajtimet dhe vrasjet e arsimtarëve dhe nxënësve , janë një kapitull i vaçant i historisë së shkollave të mesme të Vushtrrisë dhe të mbarë Kosovës . Është kjo koha më e rëndë e punës së arsimtarëve nëpër shtëpitë shkolla dhe mbajtja gjallë e shkollës shqipe përkundër të gjitha këtyre vështirësive, pëngesave dhe ndjekjeve nga policia kriminale serbe .
Vepër autentike dhe më shtrirje objektive.-
Ky libër është i shkruar, në kohën kur Kosova u bë shtet i pavarur dhe sovran dhe i mirëseardhur për lexuesin, në veçanti për lexuesin e komunës së Vushtrrisë , me një përkujdesje të lartë teknike , gjithashtu me kujdes të veçantë , njohuri profesionale dhe dashuri të madhe për edukimin dhe arsimin e gjeneratave të reja në gjuhen shqipe . Autorët e veprës Emin Fejza dhe Ferit Dibrani ishin, përherë, në rrjedhat e zhvillimit arsimor, edukativ, kolturor, shoqëror, politik dhe kombëtar në qytetin e Vushtrrisë , respektivisht në këto shkolla të mesme për të cilat bëhet fjalë , prandaj vepra është autentike, me shtrirje objektive, me një matërjal të vjelur dhe të radhitur me kujdes, me një stil të rrjedhshëm, e kapshme dhe tërheqëse për lexuesin, e paraqitur me të dhëna argumentuese, të përfshira me një kujdes, respekt dhe dashuri për shkollën shqipe, rrjedhat e vështira të zhvillimit gjatë sundimit dhe pushtetit okupues serb, përpjekjet dhe sakrificat e arsimtarëve, nxënësëve dhe punëtorëve të tjerë të shkollave për ta mbajtur gjallë dhe për ta afirmuar dhe zgjeruar deri në ditët e sotit diturinë, arsimimin, edukimin dhe krenarinë tonë kombëtare . Natyra e veprës ka qenë e tillë , ndoshta për këtë arsye në disa tema të përfshira në libër ka munguar sa duhet aspekti i thurjes artistike, i rrjedhshmërisë gjuhësore dhe i sistematizimit të lëndës…
Tema të ngjeshura mirë dhe përherë të parë të publikuara.-
Autorët duke bërë një histori të këtyre fushave- të shkollave të mesme në Vushtrri që nga fillimi e deri në ditët sotme të lirisë dhe pavarësisë kombëtare, janë përpjekur që lëndën e hulumtuar për shkollat e mesme të Vushtrrisë ta mbarshtrojnë kronologjikisht pa ndonjë luhatje dhe pa ndonjë mbështetje subjektive. Në këtë rrafsh para vetës kanë pasur matërjal të gjerë , të njohur edhe nga puna e tyre si punëtorë të zellshëm të arsimit në këto shkolla. Prandaj kjo e bënë tërheqse veprën për lexuesin dhe e nxitë ta lexojë me kujdes dhe ta vlerësojë lartë këtë vepër. Mirëpo sikur ka munguar mundësia që vepra të begatohet me hulumtimin e dokumenteve arkivore , më një qasje më të përkushtuar, pasi që deri dikund kjo ka munguar…
Megjithatë vepra përmban shumë tema të ngjeshura mirë, të panjohura, për herë të parë të publikuara para lexuesit, shumë ilustrime, fotografi të shkollave , të arsimtarëve, përsonelit arsimor dhe të nxënësve- me biografi ( fotografi) të arsimtarëve dhe nxënësve me një përfshirje të gjerë ( mëndoj se nuk është dashur që të mbushet libri me të gjitha këto fotografi , biografi të arsimtarëve, nxënësëve dhe të tjerëve të cilat e ngarkojnë pa ndonjë nevojë veprën) - lëvizjet dhe përpjekjet e tyre për dituri dhe për pavarësi kombëtare . Të gjitha këto e orientojnë dhe e nxisin lexuesin për ta lexuar me dashuri dhe respekt këtë libër.