Kulturë » Kozeta
Keze Kozeta Zylo: Ju ndriçoni, ndriçoni nga qielli dhe plas nata serbe në ferr
E merkure, 22.06.2011, 08:02 PM
Ju ndriçoni, ndriçoni nga qielli dhe plas nata serbe në ferr
(Homazh për Dardaneshën e Lirisë, Nekibe Kelmendin)
Nga Keze Kozeta Zylo
Në ditën e ikjes tënde, o Dardanesha e bukur shqiptare, ndjeva dallgët e oqeanit me krah pulëbardhash të rreshtuara njera pranë tjetrës të cilat dukeshin sikur bënin homazh për ty motra ime prej Kosove!
Ndërsa përgjatë Manhattanit në kerthizë të botës, një shatërvan në mes të OKB-s ndali rrjedhjen e ujit, aty ku mijëra shqiptare mblidheshin herë pas here për të denoncuar genocidin serb dhe për të demonstruar para botës kërkesat tona për Pavarësinë e Kosovës, që ti e doje aq shumë!
Por ju edhe pse po largoheshit nga kjo botë se ç’pata një ndjesi se po vazhdonit të na dhuronit buzëqeshje hyjnore, buzëqeshje që ta dhurojnë vetëm lulet bozhur si ty, që hapën petalet gjithë aromë vetëm në ditën e Lirisë së Kosovës.
Ju ishit e plagosur në shpirt, ende kishit pikla gjaku të pathara të bashkëshortit tënd, ish avokatit të mirënjohur Bajramit dhe djemve të tu Kushtrimit dhe Kastriotit të vrarë e masakruar nga kucedra serbe.
Ata dhe gjithë martirët e Kombit si yje qielli spërkatin me pikëza drite Kosovën martire, e në këto pikëza u bashkove dhe ti sokoleshë Pejane, ndaj dhe unë më duket sikur i lexoj më qartë enigmat e shumta...ato duken të kthjellta në bebëzat e syrit tënd.
Ikja tënde e shpejtë la plagë të çelura ende të pashëruara, ndaj duke hyre në palcën e fjalës tënde në sa e sa mediume kombëtare dhe ndërkombëtare, më doli si feniks burri i madh shqiptar, IBRAHIM RUGOVA!
Brenda gjoksit tuaj dëgjova ca tinguj të përvajshëm që rënkonin tutje nëpër erën e Ilirisë. Rënkonin për bijtë e vrarë, për mijëra të zhdukur… Ishin trimat e Kosovës dhe ti Drenushë e Lirisë që mbollët ëndrrat me sythe shprese.
Edhe pse kujtimet e makthshme i përjetove kudo, dhe pe me sytë e tu fatin tragjik të familjes dhe të Kombit, ju përsëri nuk e shuajtët ëndrrën, ëndrrën e bukur të Lirisë. Ju u shkritë si qiriri i Naim Frashërit, si një zonjëz e rrallë e Kombit, për t’i dhënë atij pakëz dritë...
E kjo dritëz ndizet si pishtar e bëhet flakërrimë për Kosovën, ku zambakët e bardhë të Prizrenit pikojnë bukuri mëngjezore.
“Vizioni juaj mbeti Republika e Kosovës shtet demokratik i të gjithë qytetarëve pa dallim, e integruar në strukturat evropiane dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Liri, pavarësi, demokraci ishin parimet themelore të zonjës Nekibe Kelmendi dhe të të gjithë lëvizjes gjithë popullore, për idealet e së cilës zonja Kelmendi u angazhua me gjithë potencialin e saj, duke u shkrirë dalëngadalë për këtë ideal”, ka thënë presidentja e Kosoves, zonja Jahjaga, sipas Kosovapress.
Ju ikët para kohe dhe në ikjen tuaj m’u duk sikur pëllumbat e Manhattanit më çukitnin në xhamin e dritares dhe sillnin pranë amanetin tënd të fundit: “M’i bëj të fala Kosovës”. Eshtë amaneti tënd që s’e tret as dheu, amanet që u dha në gjithë botën ku frymojnë shqiptarë, u tha me lot në sy nga bija juaj me emrin Kosovare, me emrin më të bukur në botë.
Amaneti tënd: “M’i bëj të fala Kosovës”, më është bere si refren duke e pëshpëritur në buzë herë pas here, është një refren që do të jetojë gjatë, është kënga e shpirtit të një Zane si ne legjenda që e donte me jetën e saj Kosovën!
Ju tashme flini e qetë, sepse siç thotë poeti i madh Din Mehmet në poezinë e tij: Gjërat më të shtrenjta i dhatë për Kosovën/ dhe dashurinë tuaj e shënuat në çdo lule/ në çdo gur, në çdo rrugë...
Ju prehuni e qetë, o Teutë e bukur shqiptare. Ju jeni si një degë e blertë plot sythe në pemën e madhe të Lirisë!
Tani ju ndriçoni, ndriçoni nga qielli dhe plas nata serbe në ferr...
21 Qershor, 2011
Staten Island, New York