Kulturë
Arsim Halili: Shtegtime poetike në shërbim të së djeshmes
E merkure, 22.06.2011, 07:58 PM
Vështrim letrar
SHTEGTIME POETIKE NË SHËRBIM TË SË DJESHMES
( Kujtesën e ka kapur skleroza” Prof .dr Sabile Basha. LKSH. Prishtinë 2011)
NGA ARSIM HALILI
Në ecejaket e saj krijuese poetja dhe shkencëtarja prof .dr Sabile Basha, mbase për vitin 2011 ishte mjaft produktive. Natyrshëm duke sjell edhe vepra cilësore duke sjell para opinionit lexues vepra të fushës historike dhe letrare . Vokacioni i saj krijues edhe në shkencë edhe letërsi dëshmon punën e saj vetëmohuese si një zë i arsyeshëm dhe artikulues në letërsinë e sotme shqipe . Pranvera e luleve solli një tufë të bukur me përmbledhje poetike me një titull metaforik “ Kujtesën e ka kapur skleroza” autore Prof dr Sabile Basha, botues Lidhje e shkrimtarëve të Kosovës. fq 84 Prishtinë 2011.
Ajo se çfarë ndodhi në fund shekullin e kaluar dhe ajo që po ndodh këtu e dhjetë vjet më pas duket se autoren e rebelojnë, ndjenja e saj psikologjik, vjen si një trazim shpirtëror, tek e cila binomi i harresës sot dhe kohës së vlimeve historike dje, vijnë në kundërvënie njëra me tjetrën. Shtrohet pyetja e gjithë kjo bëhet me qëllim për ta zhbërë sa më parë të kaluarën apo vjen në konsideratë ndonjë faktor tjetër, si do që të jetë e rëndësishme që poetja ngrit zërin dhe proteston përmes fjalës së saj poetike .Autorja përmes poezisë së saj ec nëpër vite dhe natyrshëm tërheq paralele me ditët e sotme. Ajo e kthehen shikimin mbrapa u bë shumë për këtë vend, por sa ne jemi në gjendje që në kujtesën tonë të rifreskojmë, jo për të ngjallë urrejtje, ndaj popujve tjerë, nuk kërkon poetja një gjë të tillë, por kërkon të vetëdijesohemi që mos ngulfaten proceset historike. Deri sa pritjet rrodhen si një trajektore që lëviz nëpër një mjegullnajë, për të cilën pikë referimi ishte sakrifica dhe dalja nga kjo skëterrë, tani bëhet pyetje: A dolëm nga kjo mjegullnajë?
A lëviz kjo trajektore natyrshëm në binarët e kohës?
Sigurisht se në një fare mase kjo akoma lë për t’u dëshiruar e që poetja më së miri shprehet përmes vargjeve:
KUJTESEN E KA KAPUR SKLEROZA
Në organogramin e pritjes
Askush nuk blinte pritje
Të kohës mjegullnajë
Poetja kërkon që mjegullnaja të hiqet , të shihet pastër në dritën e diellit në shkëlqimin e tij. Mbase edhe një sprovë psikologjike do të thosha, po aq edhe metaforike “skleroza” si sindromë harrese e që për poeten Basha është një fuqi e imazhit sa artistik aq edhe psikologjik e social, aftësia e saj intelektuale për të medituar në mënyrë krejt individuale, ndaj fenomeneve të prekshme historike e që për pasojë sot, gjenden në mesin e një shoqërie, pala aktive dhe jo aktive, ndaj proceseve që kaluam nëpër kohë.
Rrugët e atdheut janë të hapura, por ndonjëherë ka aq shumë rrugë dhe cilës duhet t’i adresohemi, por jo të gjitha rrugët të dërgojnë tek më arsyeshmja.
UDHËT E ATDHEUT
Sa shumë udhë
Sa shumë ura
Për të arritur
Te një vetme udhë
Dhe të vetme urë
O zot
Idetë e brezit të sotëm përballen me një aktualitet që në dukje është e zakonshme herë e ngarkuar me jetën politike, sociale ekonomike, një veçanti për të cilën kjo fillesë e shekullit XXI, deshëm ose jo ka një fillesë të re, ndryshe nga ajo siç ka ndodh dje, e që janë fillesa identifikuese të një Kosovë më ndryshe se dje, e që poetja Basha, i konverton shumë qartë në figura metaforike duke na ofruar informacione përmes poezisë së saj.
NË PRISHTINË
Në Prishtinë
Qyteti bisedon
Me pelegrinët e vonuar
Dhe u rrëfen për çdo ditë
Të njëjtin tregim
Me përfundim të lumtur
Me sa shihet poetja Basha lexuesin dhe opinionin e gjerë e përgatitë mjaft mirë, se si të gjendet përballë situatave emocionale , të një shkuare jo të largët me për plotë skena tmerruese, por gjithë një duke synuar që të modeloj një arkitekturë të qëndrueshme shpirtërore, se djeshmja i takon të djeshmes, gjithsesi ta vlerësojmë dhe ta çmojmë atë veçmas himnizimi e prijatarëve të lirisë.
Sabile Basha përmes poezisë së saj bëhet një analizuese e mirë retroaktive , Ajo shoshit mirë vargun e hedh në letër, jo për ta përmbush një shpërthim emocional, por ajo e mbarështon qartë dhe bukur në dy rrafshe në rrafshin historik dhe atë letrar bashkëkohor dhe ky korrelacion jep një simetri të qëndrueshme përballë njëra tjetrës, sepse ajo varijon me vargun, jo vetëm duke teorizuar me të, por duke përcjell mesazh edhe artistik edhe ideo-estetik.
E po a mund të përjashtohet nga ky recension një nga poezitë më të bukura e cila pikërisht është ndërtuar në dy rrafshe historik dhe letrar.
Për poeten shpesh pritjet janë të padurueshme të dhembshme, atdheun tonë e mbulon terri e tmerri sa here bëhen ngrehina historike, sa here bien ato për tokë, çdo tentativë për depërtim nga errësira në dritë, fundoset në rrugëtime të shumta gjatë shekujve nga koha e Lidhjes së Prizrenit, pasojat e Shqipërisë londize, pasojat e Shqipërisë dhe Kosovës të gjakosur nga djajtë e kuq, megjithatë shekulli i ri bartën edhe shpresën e fillim- fundit një anatomie gjysmë organike e cila sa do pak kurorëzohet e drejta e nëpërkëmbur ndër shekuj, vjen si një nuse e re në mes të Evropës, e cila po kjo Evropë dikur e kishte viktimizuar fatin e shqiptarëve, sot i jep bekimin më të mirë, poetja bukur i kristalizon këto vargje:
ANATOMIA PRITJES
Me 2008
Historia pëson metamorfozë
Anatomia e pritjes u shndërrua
Në nuse hyjnore
Mu në zemër të Dardanisë
Shihet në librin e saj i cili është ndarë në gjashtë cikle: Kujtesën e ka kapur skleroza, Udhët e atdheut Emrat që mungojnë, Anatomia e pritjes Mëkati pa mëkat Atdheu më shkruan letra, identifikohen përmes një emëruesi të përbashkët shqetësimet historike nëpër kohë, e veçmas ajo ka frikën se duke harruar gjithçka të çmuar dhe sakrifikuese që ka ndodhur në të kaluarën nga skleroza e tepërt mund të mos ecim në trajektoren e duhur drejt qëllimeve madhore. Përmbledhja e poetes Sabile Basha” Kujtesën e ka kapur skleroza” nuk kap shumë motive, por që ajo duke pas edhe si koncept kauzativ sklerozën, qoftë duke shikuar në rrafshin psikologjik, sociologjik e historik dhe së fundi edhe letrar , mund të them se poetja, përmes vargut jep një dritësi shprese, por edhe duke përcjell revoltë të saj energjike, përmes vargut duke përçuar mesazhin e saj, sa të qartë, po aq edhe qortues, ne duhet të dimë kush kemi qenë, kush jemi, vetëm kështu do të qëndrojmë të pamposhtur erërave tmerruese nga do që vijnë ato. Andaj në përmbyllje do ta sjell nj citat të Johan Wolfgang Gete “ Fatkeqësia e riformulon njeriun dhe detyron ta njoh vetveten” Ta njohim pra vetën të marrim si mesazh poezinë e poetes prof. Sabile, poezia e saj reflekton megjithatë shpresën për të ardhmen më të mirë, pavarësisht kapërcimeve historike, ajo gjen shtegdalje.