E premte, 19.04.2024, 04:50 PM (GMT+1)

Editorial

Ahmet Selmani: Makiavelizmi i Rexhep Qosjes

E merkure, 08.06.2011, 08:04 PM


Në shënjestër

 

MAKIAVELIZMI I REXHEP QOSJES

 

Shkruan: Ahmet Selmani

 

Sa herë që e has emrin e “babait të kombit”, pra Rexhep Qosjes, më bie ndër mend edhe libri i tij stalinist “Morfologjia e një fushate”, më saktësisht, më kujtohet sulmi i tij kundër disa krijuesve e intelektualëve të Kosovës. Të them të drejtën, atëherë kur e pata lexuar librin në fjalë, nuk i njihja aq shumë emrat e atyre që i sulmonte, ose thjesht kisha lexuar vetëm dy ose tre libra të tyre. Por, një gjë e dija sigurt; ta zëmë për Ali Podrimjen, qoftë edhe vetëm me librin e tij poetik “Lum Lumi”, kisha bindjen se nuk ishte një poet disido, e aq më pak, një krijues ndaj të cilit duhej të zhvillohej një fushatë aq e egër e aq tendencioze, siç kishte bërë Rexhep Qosja me atë libër. E megjithatë, A. Podrimja prapë mbeti poet në kuptimin e plotë të kësaj fjale, madje arriti t’i kapërcente shumë më tepër kufijtë që kurrën e kurrës nuk i kishte dëshiruar R. Qosja.

 

Tani, shkas për t’i thënë këto gjëra të dikurshme, u bë edhe një intervistë e R. Qosjes që u botua këto ditë në gazetën “Telegraf”, dhënë drejtorit të saj Engjëll Musai. Duke e ditur paraprakisht se ç’farë mund të thoshte ky akademik patologjik, prapëseprapë, e lexova me një kureshtje të veçantë. Dhe, ç’të them? Gjithnjë e më tepër po bindem se ky njeri po sillet si armik i kombit; thjesht nuk i ka mbetur më asnjë fije e arsyes së shëndoshë, vjell helm e vrer kundër të gjithë atyre që përpiqen të bëjnë diçka për këtë komb kaq të përvuajtur e tragjik.

 

Ajo që bie në sy aty, është vetë akti i intervistës, paraqitja e tij si “ndër mendjet më të ndritura të kombit shqiptar”. Me sa duket Engjëll Musai e paska ngatërruar dritën me errësirën. Pra, e vërteta është se vendi ku bën pjesë R. Qosja është shumë i rrëshqitshëm;  edhe atë dritë që ka bërë dikur për të mirën e letërsisë, kulturës dhe kombit shqiptar, fatkeqësisht tani po e zhvendos drejt një errësire të plotë.

 

S’do mend, edhe në këtë intervistë, ai zbraz marrëzinë e tij të skajshme kundër të gjithë atyre që nuk po i lënë të ngrenë krye forcat komuniste e neokomuniste në mbarë hapësirën shqiptare. Kundruall kësaj është i bindur se e ka gjetur “diagnozën e saktë”, siç e quan ai, prandaj tani po e shpall edhe “terapinë përkatëse”. Unë e di përgjegjësin, thotë ai, por nuk e kam fuqinë ligjore ta shpallë atë, angërdufet dhe ankohet njëkohësisht. Po të kisha fuqi që ta shpall, do të merrja edhe masat përkatëse, shton më tej ai me një bindje absolute.

 

Merre me mend çfarë do të kishte bërë ai po të kishte vetëm pak mundësi. Sipas tij, përgjegjës është regjimi shqiptar, protagonisti i tij, sundimtari i tij, kryeministri Sali Berisha. Dhe, pse na qenka i tillë? Ngaqë është “pushtetmbajtës”, “sundimtar”, se i ka në duar të gjitha “levat e pushtetit”, se është “autokrat”, madje i tipit më “anakronik” etj., etj.

 

Mendja e tij shkon aq larg sa për këtë e fajëson edhe bashkësinë ndërkombëtare e cila, sipas tij, na paska “sjellje të lara e të lyera”, “të mëndafshta”, “të figurshme”, “poetike”, ndaj po e çudisin aq shumë sjelljet e tyre “toleruese ndaj regjimit autoritar në Shqipëri”. Thjesht, është i hidhëruar edhe me të huajt pse nuk i bashkangjiten për t’i marrë të njëjtat masa të rrepta ndëshkuese që mendon Rexhep Qosja.

 

Gjithsesi, përgjatë intervistës ai nuk e harron edhe çështjen kryesore; situatën lidhur me zgjedhjet e fundit vendore në Shqipëri. Pra, dufi i tij nuk do të kishte kuptim pa komentimin e kësaj. Së pari na e “rikujton” se më 21 janar janë vrarë katër protestues, sipas tij, krejt “të pafajshëm dhe të varfër”, paçka se ata gjuanin me gurë mbi policët që i mbronin institucionet e shtetit shqiptar, se ata ndiznin barbarisht makinat nëpër rrugët e Tiranës, se i ndiznin edhe pemët zbukuruese përgjatë bulevardit, se suleshin si kamikazë duke e shpërthyer derën e hekurt të Qeverisë së Shqipërisë, se e hidhnin flamurin shqiptar nën këmbët e policëve etj. Këto gjëra i di fort mirë edhe R. Qosja, por nuk ka guxim t’i thotë.

 

Mbase tani e ka qëllimin diku tjetër, ta diskreditojë Lulzim Bashën i cili, sipas tij, nuk mund të kandidohet për kryetar bashkie, për shkak se, shprehet ai, “në çastet kur janë vrarë katër qytetarë të varfër thuhet se ministri Lulzim Basha gjendej në ndërtesën e kryeministrisë së Shqipërisë”. Sado që këtë gjë nuk e di me saktësi, e rëndësishme është që “thuhet” nga dikush ose nga askush se ai paska “urdhëruar” të vriten ata fatkëqinj. Por këtu harron thirrjet e Edi Ramës një ditë para se të ndodhte ajo rrëmujë e turpshme, fjalët e tij për “kalimin mbi kufoma” etj. Po ashtu, i harron edhe cilësimet nekrofilike të Spartak Ngjelës se “asgjë nuk janë” këta të vrarë, do të vriten “edhe trembëdhjetë mijë”... Pra, qëllimi është të rrëzohet pushteti aktual, pavarësisht nga vullneti që kanë shprehur votuesit, me çka do të mposhtet edhe Sali Berisha. Veçse këtë makiavelizëm kaq të ulët, assesi nuk guxon ta përmendë Rexhep Qosja, sepse ashtu nuk mund t’i shërbejë “kauzës” aq të përfolur.

 

Sipas mendjes së tij, sintezë e pandershmërisë në politikën shqiptare është Sali Berisha, sepse ai “gënjen”, “fyen”, “cenon lirinë” etj. Ndaj, nuk e ka për turp të thotë se “largimi i Sali Berishës prej politikës shqiptare është kushti i parë që të mund të mbahen zgjedhje të lira e të ndershme”. Pra, qëllimi është shumë i qartë: politika dhe shteti shqiptar kanë kuptim vetëm pa Sali Berishën. Kështu R. Qosja dëshmon qartë se është zëdhënës shumë i mjerë i Partisë Socialiste të Shqipërisë. Të njëjtën gjë që e thotë Edi Rama në Tiranë, ai vetëm e rrotullon në Prishtinë. Sllogani i Edi Ramës, “Në zgjedhje vetëm pa Saliun”, është kopja origjinale e kësaj politike të mbrapshtë, ndërsa thëniet e Rexhep Qosjes janë vetëm imitime ose kopjime të zbehta të tij. Megjithatë, Rexhep Qosjes nuk i pengon të bëhet borizan i zellshëm, madje edhe të paraqitet me një agresivitet të paparë.

 

Është tepër hipokrit dhe paradoksal kur përpiqet të tregohet parimor teksa thotë: “Nuk kam asgjë kundër Sali Berishës për shkak të Sali Berishës, por kam kundër Sali Berishës për shkak të Shqipërisë dhe shqiptarëve. E dua Shqipërinë, prandaj nuk e pranoj Sali Berishën në politikën shqiptare”. Pra, dihet a priori se shpëtimi i Shqipërisë nga kjo murtajë e zezë, sipas Rexhep Qosjes, fillon vetëm kur “Sali Berisha të largohet prej politikës”. Por, meqë ai “vetë nuk largohet”, atëherë medoemos “duhet larguar”.  Pra, edhe këtu lexohet qartë makiavelizmi i frikshëm i tij: Sali Berisha duhet të largohet me çdo kusht, madje me të gjitha mjetet, pavarësisht nga çmimi që do të paguhet. Kjo logjikë kaq armiqësore, nuk është edhe aq e panjohur, e kemi parë edhe në vitin 1997 kur Shqipëria u shemb si kullë prej letre. Në vend se t’i dënonte rrënuesit e vërtetë, veprimet e tyre pa pikë turpi ai i quajti “revolucion i vonuar demokratik”. Tani po “vajton” mirë për katër protestuesit e vrarë, por i harron ndodhitë e dikurshme, pra “policët e lyer me benzinë dhe të djegur të gjallë” në sheshin e Vlorës.

 

Më tej R. Qosja merret edhe me disa gjëra të tjera, të cilat dëshiroj t’i komentoj pak. Kur është aq i ashpër ndaj Qeverisë së Shqipërisë, këtë nuk e bën edhe ndaj Qeverisë së Kosovës. E pse e bën këtë? S’do mend, kjo është e nënkuptueshme, të paktën për ata që i përcjellin ngjarjet që zhvillohen në shtetin e posakrijuar. Sado që Partia Demokratike e Kosovës, që e kryeson Hashim Thaçi ka bërë një plojë zgjedhore, R. Qosja nuk guxon të bëjë as gëk e as mëk. Për të mos e turbulluar ujin, R. Qosjes ia financuan me një shumë marramendëse botimin komplet të veprave të tij, Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës me direktivë ia dha shpërblimin për vepër më të mirë etj. Gjithsesi, këtu as që vlen të përmendet honorari i majmë që mori. Kur i merr parasysh këto, është krejt afër mendsh që pushtetmbajtësit e Kosovës t’i duken të matur, të qetë, me kulturë, të sjellshëm etj. Dhe, pikërisht si rezultat i kësaj, ai shkon aq larg sa thotë se “Shqipëria ka se ç’të mësojë prej Kosovës sot”. Vetëmse harron t’i komentojë pakëz aferat financiare, korrupsionin marramendës, aferat lidhur me vrasjet politike etj.

 

Kështu, Rexhep Qosja lufton për “kauzën” kombëtare; për hir të mërisë personale ose klanore që ka ndaj Sali Berishës, Ismail Kadaresë, Ibrahim Rugovës etj., nuk ngurron ta zhbëjë edhe Shqipërinë, vetëm e vetëm që atyre të mos u dëgjohet më zëri. Mbase në këtë mënyrë do t’ia plotësonte dëshirën e sëmurë Edi Ramës, për të cilin Rexhep Qosja thotë se “ka një mendje të kthjellët” dhe “që di se çfarë bën”. Gjithsesi, ai e di shumë mirë se çfarë po bën Edi Rama, e di edhe vetë R. Qosja se çfarë po bën, por e keqja është se nuk mund të heqin dorë, sepse nuk dëshirojnë të dështojë platforma e tyre djallëzore e armiqësore që po ia ha shpirtin Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve anekënd.



(Vota: 14 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora