E shtune, 12.10.2024, 10:20 PM (GMT+1)

Editorial

Ramiz Bojaj: Kah po shkon Shqipëria?!

E hene, 23.05.2011, 08:05 PM


Kah po shkon Shqipëria?!

 

Luftënxitja për atentat mbi demokracinë në Shqipëri (kërcënimi socialist se nuk do të njohin rezultat tjetër përpos fitores në Tiranë), mbetet kërcënim serioz i stabilitetit të Shqipërisë. Në fakt një lojë e tillë po e dërgon shtetin shqiptar në udhëkryq tepër të skajshëm: ndalimin e rrugës integruese për në BE, dhe kthim në shkallën zero (sindromi i 97-tës). Një pozicion anarkie për Shqipërinë, do të thotë ‘kurajo’ dhe ‘guxim’ të ndezjes së mendësisë mesjetare antishqiptare sllave (planet serbe për ndarjen e Kosovës, dhe shpërfillja e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni). Praktikat kanë dëshmuar se rrjedhat ekopolitike në Shqipëri, janë të ndërlidhura drejpërdrejt me situatën në Kosovë, Maqedoni dhe shqiptarët në Kosovën Lindore.

 

Shkruan: Ramiz BOJAJ

 

Shqipëria është në rrezik. Jo nga agresioni i jashtëm, por nga flakëvënësit e brendshëm. Zgjedhjet lokale (bashkiake) në Shqipëri si dhe barometri i rezultatit për të parin e Tiranës, (gati 50 me 50, pavarësisht matematikës 10 për ose 100 kundër), pasqyron duelin e baraspeshuar se kandidatët e majtë dhe të djathtë, duhet ndarë pikët. Pavarësisht se demokracia lejon udhëheqje edhe me fitore minimale. Mirëpo, kërcënimet e Edi Ramës, ‘se nuk do të njeh rezultatin final të KQZ-së, as qeverinë e institucionet aktuale’, nëse nuk ia ‘falin’, fitoren atij, mbetet kërcënim serioz i stabilitetit të brendshëm politik të Shqipërisë. Në fakt një lojë e tillë mund ta dërgojë shtetin shqiptar në udhëkryq tepër të skajshëm: ndalimin e rrugës demokratike e integruese për në Bashkimin Evropian, dhe kthimin prapa në në kohë (sindromi i 97-tës), vit ky i cili shënon anën më të errët të historisë së demokracisë në Shqipëri.  Praktikat kanë dëshmuar se rrjedhat ekopolitike në Shqipëri, janë të ndërlidhura drejpërdrejt me situatën në Kosovë, Maqedoni dhe shqiptarët në Kosovën Lindore. Në fakt atentati mbi demokracinë në Shqipëri do të thotë ‘kurajo’ për ‘guxim’ të ndezjes së mendësisë mesjetare antishqiptare slave, të cilat së fundi tingëllojnë aq zeshëm edhe nëpër qendrat e medha të diplomacisë ndërkombëtare (pavarësisht injorimit si ide).

 

Dhuna demton të ardhmen e Shqipërisë evropiane

 

Pavarësisht rezultatit final për të parin e Tiranës, fitorja prej 10 ose 100 votash nuk është as fleksibile e as kredibile, mirëpo ligji i demokracisë duhet vlerësuar dhe respektuar në përpikëri. Ky është rezultat i votës së lirë, të cilën e vërteton transparenca e numërimit të votimeve: fjala e popullit është fjalë e Zotit. Prandaj të parët janë votuesit e pastaj vijnë politikëbërësit. Fakti kur politikanët kërkojnë fitore tejmatematikore me rezultat më pak se 1 me 1, tingëllon tejet absurd. Për mua tingëllon disi  quditshëm kur politika e rrugëve e ndjekur nga Edi Rama, mori kaq shumë vota, pikërisht në Tiranë. Pa dashur të ndërhyjë në vullnetin e votuesve, por, Shqipëria (edhe pse e përfshirë nga protesta të dhunshme dhe kërcënuese të opozitës), ka shënuar sukseset më të mëdha në historinë e saj, (liberalizimi i vizave dhe qëndrueshmëria ekonomike, pavarësisht krizës globale). Në një farë mënyrë kjo mund të tingëllojë edhe si mos mirënjohje ndaj vlerave dhe progresit të brendshëm. Dhe pas kësaj vijnë në shprehje qe të tjerët (ndërkombëtarët), të ofrojnë pakte mes vete, (vëllezërve të të një shtepie).

 

Diplomatët më të lartë botërorë: evropianë, amerikanë e në veçanti ata nga etnia shqiptare, më shumë se rezultat majtas-djathtas, kërkojnë stabilitet politik në shtetin shqiptar.  Në këtë kontekst ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, Philip Gordon, nënvizon se retorika e dhunës përbën kërcënim serioz për të ardhmen e Shqipërisë. "Politikanët shqiptarë duhet të përqendrohen në shkëmbime konstruktive, në vepra që i shërbejnë një vendi me një të ardhme në Bashkimin Evropian dhe jo tek retorika apo veprimet negative, që vetëm e denigrojnë këtë proces". Ndërkaq, Eduard Kukan, zyrar i lartë i PE-së tërheq vemendjen se "zhvillimet e fundit rreth zgjedhjeve lokale rrezikojnë seriozisht fatin e shqiptarëve. Populli shqiptar meriton qeverisje stabile dhe të përgjegjshme. Për shkak të zhvillimeve të fundit jam tejet i dëshpëruar". Ndërkaq, Sabine Freiser, drejtuese për Evropën në GNK (Grupin Ndërkombëtar të Krizave), vlerëson se pavarësisht epërsisë minimale të kandidatëve për Tiranën (Basha-Rama), në fakt një garë kaq e ngushtë realisht do të thotë barazim. “Një garë kaq e ngushtë për të parin e Tiranës, praktikisht do të thotë barazim”. Së fundi letra e shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadaresë, dërguar Lulzim Bashës për tërheqje nga gara për Tiranën, nuk duket të jetë krejtësisht e paanashme. Dhe kjo për faktin se Basha është bartës i vullnetit të votuesve që përbejnë gjysmën e Tiranës, po kaq sa ka edhe taborri socialist i Edi Ramës. Prandaj, z. Kadare, ose është dashur të kërkojë tërheqjen e dy lidervë Rama-Basha, (parimi i paanshmërisë) ose të asnjërit. Duke precizuar se ai që ka pushtetin duhet lëshuar pe, (dedikuar Bashës), duket jo shumë ifleksibil, për faktin se Rama është pikërisht pushtetari, ai që kërkon ripozicionim të pushtetit të tij për Tiranën. Po ashtu, Rama mbetet akteri kryesor i kërcënimit të stabilitetit të Shqipërisë. Po të bëhej garë për pushtetin qendror, ndoshta citimi i Kadaresë do të dukej me më shumë vend. “Propozimi për tërheqje mund t’ia bëja secilit prej jush, por mendova se tërheqja do të ishte më e lehtë për ju (z, Basha) që jeni në pushtet, sesa për tjetrin(Edi Rama), që është shef i opozitës. Gjesti i juaj do të jetë një mesazh emancipimi dhe shprese për brezin e ri shqiptar, duke perfshirë edhe atë të politikanëve. Për shkrimtarin gjithë bashkëkombasit janë, në radhë të parë, lexuesit e tij, ndaj ai e ka vështirë të jetë me njerën gjysmë kundër tjetrës”.  Por, Lulzim Basha argumenton me të drejtë se “duke u tërhequr, unë fyej votuesit, komisionerët, ligjvënësit, ligjet, gjykatat dhe vetë demokracinë”, dhe se me tërheqjen “për shkak të presioneve politike, i bie të mos bëhen më zgjedhje në Shqipëri”. Pavarësisht ecurisë së situatës së krijuar për kryeqytetin shqiptar, nuk duken sinjale të qarta se Shqipëria do të këndellët lehtë nga zgjedhjet bashkiake (rasti i Tiranës), jo pse nuk ka rrugëzgjidhjeje, por mungon vullneti i paanshmërisë dhe përgjegjësisë politike e qytetare.  Pavarësisht rrjedhave dhe ngjyrimeve politike, Shqipëria duhet të përqafojë progresin e jo regresin, integrimin e jo denigrimin, rrugë për të cilën është përcaktuar kombi shqiptar.

 

Kompromisi fitore e vetme e politikës shqiptare

 

Shqipëria në vitet e fundit (edhe pas recesionit ekonomik global), ka ditur të ecë suksesshëm në rrugën e zhvillimit ekopolitik (autostrada e kombit, qendrueshmëria financiare dhe hyrja në liberalizim vizash), duke ndërtuar ose rikthyer imazhin e një shteti stabil dhe prosperues. Në fakt Shqipëria në vitet e fundit, pothuajse, ka plotësuar kriteret kryesore për anëtarësim në BE.

 

Imazhi i stabilitetit politik dhe ekonomik e ka ranguar Shqipërinë një hap më afër evenimentit evropian, duke kapërcyer klishetë e shteteve tjera në Ballkan, të cilat vazhdojnë të ndeshen me ngërçe reale për anëtarësim në bashkësinë e kombeve europerëndimore.  Pra krejt në fund, mund të konkludojmë se gjetja e një kompromisi është e vetmja fitore për demokracinë në Shqipëri. Formulën e udhëheqjes me Tiranën,  e ka ndërtuar vota qytetare, e cila nuk promovoi fituesin absolut, pavarësisht se Basha ka shënuar rritje të përkrahësve të vet në kryeqytet. Prandaj rezultati kaq i ngushtë për dhjetëra votash, ka sprovuar demokracinë në tërë shtetin shqiptar. Po të ekzistonte diferencë prej njëmijë ose dhjetëmijë votash, çdo kontest rezultati mund të cilësohej rrugaqëri, ose “teori kaçakçe” të politikëbërjes. Por rezultatet tregojnë se Tirana nuk ka fitues liderësh, por ka vetëm fitore të demokracisë (votimi i qytetëruar dhe numërimi korrekt i fletëvotimeve). Në këtë kontekst duhet respektuar edhe epersia qoftë edhe prej një vote të vetme(të njihet rezultati përfundimtar), për faktin se duke i mbetur korrekt sovranit (mendoj votuesit) kësaj radhe, më shumë se kurrë do të ndihet pasha qe ka qytetari për të ardhmen e vet. Pra, për zgjidhjen e këtij problemi, përpos kulturës dhe përgjegjësisë qytetare, kërkohet qasje tejet pragmatike ndaj problemit në fjalë. Gjithashtu, është i pakuptimtë kontesti i rezultatit përfundimtar për Tiranën, ngase vet përfaqësuesit e mazhorancës dhe ata të opozitës në KQZ, kanë bërë numërimin e votave duke përfshirë edhe ato që konsiderohen si të vlefshme, por që janë hedhur në kutinë e gabuar ditën e zgjedhjeve. Problemet teknike nuk mund të privojnë asnjë votues, pavarësisht verdiktit të tij për kryetarin e vet. Nga këndi im më duket se Edi Rama ka një qëndrim kontravers sa i përket qasjes ndaj kutive të votimet. Rama ishte po ai lider i cili gati sa nuk e “kalli” Shqipërinë demokratike për t’i hapur ato kutitë të cilat ky i cilësonte si të ‘kontestuara’, ndërkaq, tash kërcënon po me ‘ndezje flakë’ të shtetit,  që mos të hapen kutitë. Jo vetëm, Edi Rama, por edhe  askush tjetër nuk mund të censurojnë votën e asnjë shqiptari. Ndryshe veprimet për nxjerrje me dhunë të rezultatit, ose mosnjohje të verdiktit të popullit, mund të cilësohen si atentat ndaj demokracisë dhe lirisë qytetare.  Në këtë kontekst, ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu vlerëson se në këtë fazë të procesit zgjedhor kanë rëndësi dy elemente; puna brenda një kornize ligjore dhe ruajtja e votës së lirë qytetare, të cilat janë të ndërlidhura me qetësinë qytetare. Pavarësisht, se vëzhguesit e OSBE/ODIHR-it, kanë vlerësuar se “baza ligjore për hapjen e 60 kutive, për të numëruar votat e vlefshme por të hedhura gabimisht, nuk kanë bazë ligjore”, kjo i jep më shumë të drejtë KQZ-së, për të numëruar deri në fund votën e çdo qytetari.Kodi Zgjedhor në Shqipëri, nuk ofron procedura se si duhen trajtuar votat e gjetura në raste të ngjashme. Por, me këtë vakuum kanë hy në garë të gjitha palet politike në Shqipëri.

 

Vakuume të tilla mund të tejkalohen në bazë të vullnetit politik në Komisionet Parlamentare dhe në Kuvend, e jo të merren si nismë për rikthimin e Shqipërisë në 97-tën. Kjo uverturë jo vetëm se kishte rrënuar imazhin e Shqipërisë, por për shumë vjet shteti shqiptar mbeti në shkallën zero rreth këndelljës dhe rimëkëmbjes nga goditja e asaj katrahure. Dhë krejt në fund mund të theksojmë se askush nuk ka të drejtë ta ‘kallë’ Shqipërinë dhe institucionet e saja, për dhjetë,  njëqind as për një million vota. Shqipëria është shtet demokratik dhe demokracia duhet mbrojtur nga planprishësit. Luftënxitja për atentat mbi demokracinë në Shqipëri (kërcënimi socialist se nuk do të njohin rezultat tjetër përpos fitorës në Tiranë), mbetet kërcënim serioz i stabilitetit të Shqipërisë. Në fakt një lojë e tillë po e dërgon shtetin shqiptar në udhëkryq tepër të skajshëm: ndalimin e rrugës integruese për në BE, dhe kthim në shkallën zero (sindromi i 97-tës). Një pozicion anarkie do të thotë ‘kurajo’ dhe ‘guxim’ të ndezjes së mendësisë mesjetare antishqiptare sllave (planet serbe për ndarjen e Kosovës, dhe shpërfillja e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni). Praktikat kanë dëshmuar se rrjedhet ekopolitike në Shqipëri, janë të ndërlidhura drejpërdrejt me situatën në Kosovë, Maqedoni dhe shqiptarët në Kosovën Lindore. Prandaj, shqiptarët kërkojnë stabilitet, zhvillim dhe integrim në BE, të shtetit amë Shqipërisë, pas të cilës janë mbështetur të gjitha pjesët tjera të etnisë shqiptare.

 

(Autori është publicist, analist dhe drejtor për marrëdhënie me publikun në Institutin për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike).



(Vota: 22 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora