E premte, 26.04.2024, 06:19 PM (GMT+1)

Mendime

Gazmend Kapllani: Shënime nga Kosova (II)

E diele, 27.01.2008, 08:28 PM


Shënime nga Kosova (II)

Nga Gazmend Kapllani*

Në sheshin qendror të Prishtinës, bora është e shumtë dhe kalimtarët të pakët. Shoferët e taksive të shumta, duke pritur klientët që nuk duken, përpiqen të mbrohen nga acari duke u strehuar brenda taksive të fikura. Pasojat e krizës globale energjitike arritën edhe këtu. Çmimi i naftës dhe benzinës ka arritur kulmin dhe shoferët përpiqen të kursejnë sa të munden.

Në trotuarin përballë, një mesoburrë qëndron para një stende me libra të çdo lloji: patriotikë, shkollorë, kryevepra të letërsisë botërore. Pas kurrizit të tij ndodhet reklama, paksa e grisur, e një politikani që u sugjeron njerëzve të krenohen me Prishtinën. Nuk kanë kaluar as dy muaj, që në Kosovë u mbajtën zgjedhjet parlamentare e lokale. Pjesëmarrja në zgjedhje kësaj radhe ishte shumë e ulët. Banorët e Prishtinës dhe Kosovës mund të jenë krenarë për vendin e tyre, por nuk duket të jenë edhe aq krenarë për politikanët e tyre. Sa për serbët, ata ndoqën këshillën e Beogradit dhe i bojkotuan zgjedhjet. Zërat e pakët të serbëve që ishin për pjesëmarrje, mbetën krejt jetimë.

***

Në anën e përparme të stendës me libra, varen harta të Kosovës dhe Prishtinës. Janë harta të reja, të sajuara pas vitit 1999 dhe ikjes së ushtrisë Serbe. Janë, thotë zotëria, hartat e shtetit të ri që po lind. Emigrantët që kthehen për festa në Prishtinë janë blerësit më të devotshëm të hartave të Prishtinës. Për arsye patriotike, por edhe praktike. Emrat e rrugëve kanë ndryshuar.

Emrat serbë janë zëvendësuar me emra shqiptarë. Emra të Mitologjisë kombëtare Shqiptare, qytete historike të Shqipërisë, të luftëtarëve të UÇK-së por edhe të Bill Klintonit dhe Bob Dollit. Me sa kuptoj, emrat sllavë janë të pakët dhe u përkasin ca rrugëve të parëndësishme. Sikur gjenden aty për alibi. Në enklavat ku banojnë serbët nuk gjen rrugë me emra shqiptarë. As për alibi. Në Graçanicë, Ratko Mlladiçin e gjen si emër rruge. Sidoqoftë, pavarësisht nga emrat, shumica e rrugëve janë të pandriçuara, të pa pastruara dhe me shumë gropa. “Sa më patriotik është emri i rrugës, aq më shumë gropa ka” thotë Shkëlzeni dhe qesh hidhur...

***

Shkëlzeni është shoferi i taksisë që më çon në Çagllavicë, një fshat pranë Prishtinës, ku shumica e banorëve janë serbë. Ai vetë nuk është nga Prishtina, është nga një fshat pranë Obiliqit, një qytet industrial jo larg Prishtinës. Shkëlzeni është 50-vjeç dhe thotë se ka përjetuar edhe epokën e bashkëjetesës mes shqiptarëve dhe serbëve. “Personalisht kam pasur miq shtëpie serbë”,- thotë.

Mandej, nga fundi viteve ‘80 gjithçka u shemb. Ai mban mend se si Kosova u mbush me policë serbë. Mban mend kasaphanën e policisë ndaj studentëve shqiptarëve, në protestat kundër heqjes së autonomisë së Kosovës nga Millosheviçi. Mban mend përzënien nga puna, si mësues në arsimin fillor. Mban mend mësymjen e policisë serbe në shtëpitë e shqiptarëve. “Aty kuptova që gjithçka mori fund”,- thotë, ndërsa thith i menduar cingaren. “Mora familjen, gruan dhe dy fëmijët dhe ikëm në Gjermani, ku kisha tim vëlla. Kam punuar atje si kamerier.

Çfarë të bëja në Kosovë? E parandjeva katastrofën që po vinte”,- vazhdon. Shkëlzeni u kthye nga Gjermani në vitin 2000, pas bombardimeve të NATO-s dhe ikjes së ushtrisë serbe. “Shikoja në televizor kthimin e refugjatëve të përzënë dhe vendosa të kthehesha”,- thotë. “Kisha shpresë të madhe për të ardhmen”. Kur u kthye në Obiliq, shumica e serbëve që njihte kishin ikur. Historitë që dëgjonte dhe lexonte çdo ditë, kishin të bënin me krimet e paramilitarëve serbë në Kosovë. “Gruaja ime humbi një njeriun e saj të afërt. E therën paramilitarët... Unë besoj se Millosheviçi ishte katastrofë edhe për serbët. Ka serbë që se kuptojnë akoma”,- vazhdon. Pas pak shton: “Në Obiliq takova rastësisht, në rrugë, një nga serbët që njihja. Rrinim e nuk dinim çfarë të thoshim. E ftova në shtëpi. Jo, më tha, se nuk dua të krijoj probleme...”. Shkëlzeni vetë flet serbisht.

Fëmijët e tij nuk e flasin dhe as duan ta flasin. “Fëmijët tanë dhe ata të serbëve tani shkojnë në shkolla të veçanta dhe nuk kanë më kontakt me njëri-tjetrin”.  Dhe në çfarë gjuhe të komunikojnë? Shqiptarët nuk duan të flasin serbisht. Serbët nuk pranojnë të mësojnë shqip. Shkëlzeni ndez edhe një cingare tjetër. “Nuk jam i sigurt që bëra mirë që u ktheva nga Gjermania”,- thotë. Entuziazmi i Shkëlzenit me kalimin e viteve u pakësua. “E di që jemi në tranizicion dhe nuk jemi vend normal,- vazhdon.- Por gjithë këto vite pashë të pasurohet një grusht njerëzish dhe kosovarët të jetojnë më keq se më parë”. Në zgjedhjet e fundit ai nuk votoi, sepse nuk ka besim tek politikanët e tanishëm. Për të pavarësia është rruga e vetme dhe ka shumë shpresë tek ndihma e Europës. Por e ardhmja e shqetëson mjaft. “Po nuk u përmirësuan gjërat edhe pas pavarësisë, do iki prapë në Gjermani”,- përfundon dhe thith thellë cingaren...

***

Në Çagllavicë “vjen erë” Serbi. Shoh, përballë meje, flamurin serb me shqiponjën e bardhë dykrenore e të inatosur në mes. Poshtë, një vitrinë të pistë, një afishe lajmëron konkursin për zgjedhjen e Miss Kosovës dhe Metohisë. Edhe konkurset e bukurisë këtu bëhen veç. Gjej më në fund ndërtesën e radios serbe që kërkoja, të “Kim Radio”. Kam mbyllur takim me drejtorin e saj, Isak Vorguçiç. Isaku nuk ka lindur në Kosovë. Erdhi këtu nga Nishi i Serbisë në vitin 1993, si murg në Manastirin e Deçanit. Ndërsa më rrëfen historinë e tij, i hedh një sy fotografive të murgjve, të varura në korniza, në korridorin e ndërtesës. “Shkova në Manastirin e Deçanit sepse ishte qendër rezistence kundër Millosheviçit.

Jo sepse i humbi luftërat, por sepse i filloi”,- thotë. Mban mend vitet e vështira në Kosovë, policinë serbe dhe ndihmën e murgjve ndaj shqiptarëve. “Në kohën më të vështirë, në vitin 1999, duke rrezikuar personalisht, kam kaluar shumë shqiptarë nga postblloqet e policisë”,- vazhdon. Pastaj gjithçka u përmbys. Pas largimit të ushtrisë serbe, në shtypin shqiptar u shkrua se Manastiri i Deçanit kishte funksionuar si bazë e paramilitarëve serbë.

Manastiri u bë cak i sulmeve me granatë dhe jeta e murgjve ishte në rrezik të vazhdueshëm. Po mos të ishin ushtarët italianë të KFOR-it, që erdhën të mbronin Manastirin, nuk dihet nëse sot do ekzistonte Manastiri dhe murgjit. Meqenëse jeta në Deçan u bë e padurueshme, Isaku vendosi të zhvendosej në Manastirin e Graçanicës. “Atje njoha gruan e jetës sime. Rashë në dashuri, hoqa veladonin e murgut, u martuam dhe sot kemi një fëmijë.
 
Punojmë të dy në radio, meqenëse edhe ajo është gazetare”,- thotë. “Dashuria në kohën e kolerës”,- i them, dhe ai më përgjigjet me një të qeshur të hidhur. Isaku studion tani Gazetari në një kolegj privat në dalje të Prishtinës, pranë Gazimestanit, ku ndodhet përkujtimorja që përjetëson mitin e Betejës së Kosovës. Këtu e disa vite, Isaku mëson shqip. “Serbët duhet të mësojnë shqip tani, të përgatiten të jetojnë si qytetarë të një shteti të ri dhe të kërkojnë të gjitha të drejtat që u takojnë”,- shton pas pak. Atij nuk i pëlqen përdorimi i fjalës enklavë, sepse është e barasvlefshme me fjalën geto.

Sa për planin “Ahtisari” mendon se është zgjidhja më e mirë për serbët e Kosovës. “Në vend që të ketë problem Prishtina me planin “Ahtisari”, ka Beogradi. Sepse atje mbizotëron ende e njëjta politikë katastrofike si në epokën e Millosheviçit”,- vazhdon. Isaku e pranon se mendimet e tij janë heretike. Megjithatë, shton, janë realiste dhe shmangin getizimin e serbëve në Kosovë. “Megjithatë është më e lehtë të shprehësh mendime heretike tek serbët sesa tek shqiptarët”,- shton. “Çfarë duhet të bëjnë shqiptarët dhe serbët, që të pajtohen mes tyre?”,- e pyes. “Të heqin dorë nga ideologjia e viktimizimit absolut që kultivohet në të dyja anët”,- përgjigjet. Ndërsa flasim, dritat ikin dhe mbetemi në terr. “Nëse të dyja palët nuk e kuptojnë se fati dhe problemet e tyre janë të përbashkëta, do mbeten përgjithmonë në terr”,- reagon, ndërsa pret dritat të vijnë që të rifillojë emisioni...

(* Emrat e disa personave në shkrim janë ndërruar, duke respektuar vetë kërkesën e tyre). Shën.red. Pjesa e parë u botua të dielën e kaluar. Për t’i shkruar autorit: gazikap@gmail.com



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora