Kulturë
Luan Çipi: Çast trishtimi
E diele, 01.05.2011, 06:25 PM
Luan Çipi
ÇAST TRISHTIMI
Iku koha, pa e marr vesh
Sot, mbushen katër muaj
Njëherazi qaj edhe qesh
Sa gëzoj, aq dhe po vuaj.
Nesër rikthehem në Vlorë
Te qoshja e shenjtëruar
Ylberin do prek me dorë
Do bares i lumturuar.
Po mendjen këtu e lë
Te Lukasi dhe te Niku
Anin tim nuk e gjej më
Evlat, nuk të bëhet miku.
Ata, të tre larg mërguar
Arratisur nëpër botë
Ne dy pleq të dëshpëruar
Përplasemi kokë më kokë.
Plogështia mblidhet deng
Ku ta gjesh një gotë me ujë?
Është ky hall, është kjo breng
Mendimin ma bën rrëmujë.
Muajt ikin dhe s’të pyesin
Vitet pleksen ndenë lëkurë
Një nga një qelizat vdesin
“Na ishte njëherë një burrë...”
Ri mendohem pyes në erë
Vallë do kthehen bijtë, bijat
Mbi tokën tonë ndonjëherë
Do vaditen trëndafilat ?
Çikago, 29 Prill 2011